Pikëpamje | Drejtësi

Njerëzit më të varfër në Serbi po dëbohen me forcë prej biznesmenëve të veshur si zyrtarë publik

Nga - 28.07.2017

Agjentët shtetëror për zbatimin e ligjit në ballë të luftës klasore kundër personave të margjinalizuar.

Linja policore e rrethon hyrjen e shtëpisë në adresën Dunavski kej, nr. 20, në qendër të Beogradit. Të veshur me këmishat e tyre të kaltra, ata qëndojnë afër njëri tjetrit, duke u përpjekur që ta gëlltitin krenarinë e tyre, deri sa mundohen që të mos i dëgjojnë të sharat aq thumbuese, sa është e pamundur t’i injorosh. Rrezet e diellit u bien në ballë nëpërmjet degëve të drunjve para ndërtesës në të cilën jeton pensionistja Branka Havatmi me të birin e saj që vuan nga paraliza cerebrale. Në banesën e tyre është kontraktuesi Nenad Botoriq, i cili po përpiqet që ta bind atë që të largohet nga shtëpia e saj, në të cilën ka jetuar për më shumë se 20 vite.

Para ‘murit të gjallë’ të policëve, një grua e vjetër e zemëruar me një çantë pazari ngjyrë vjollce, një burrë i madh me pantolla të ushtrisë dhe fanellë me mbishkrimin ‘Strong Serbia’ (Serbia e Fortë), një vajzë e hollë me flokët me gërsheta në stilin ‘dreadlocks’, dhe një shenjë anarkist mbi gjoks, fqinja Milica që jeton përballe, dhe ‘miku Goran’ i cili me shumë furi është duke i bërtitur burrave të veshur me të kaltër: “armiq të popullit, ju jeni armiq të popullit”.

Grupe dhe individë të ndryshëm janë bërë bashkë kundër dëbimeve me forcë, në përpjekje për t’u ndihmuar familjeve që po detyrohen të largohen prej shtëpive të tyre. Foto: Isidora Petroviq.

Anëtarë të partisë parlamentare Dveri të veshur me kostume ngjyrë hiri, profesori i teorisë bashkëkohore politike Gjorgje Paviceviq, aktivistë të nismës “Ne da(vi)mo Beograd” (Nuk e Japim Beogradin), anëtarë të Bashkimit Social Demokratik, dhe pjesëtarë të lëvizjes ‘Sedam Zahteva” (Shtatë Kërkesa), por edhe nacionalistë nga lëvizja “Cuvari Andjela” (Engjujt Mbrojtës). Disa metra larg tyre, në hije, rri i ulur Radomir Pocuca, i cili është dënuar me burg për shkak të pjesëmarrjes në anën e forcave ruse në luftën në Ukrainë, dhe Nemanja Ristiq, që dyshohet nga Mali i Zi për pjesëmarrje në përpjekjen për puç në tetor të vitit të kaluar.

Kjo ‘përzierje e mospërputhshme’ është bërë pjesë e skenarit standard në Serbi prej kur u prezantuan kontraktuesit ‘publk’ në vitin 2011. Prej atëherë dëbimet me forcë i kanë përfaqësuar gjithnjë e më shumë mundimet që i përjetojnë qytetarët e varfër. Majtistët, djathtistët, fqinjët dhe qytetarët e zakonshëm po mblidhen përkrah njëri tjetrit për t’i mbrojtur qiramarrësit që po rrezikohen prej agjentëve të zbatimit të ligjit.

Për shkak të një borxhi në vlerë 6,500 euro, kontraktuesi e shiti një banesë 48 metra katrorë në një lagje elitë të Beogradit për shumën totale prej 26,000 euro.

Megjithatë, në rastin e pensionistes Branka Havatmi, presioni civil nuk kreu punë, dhe pas shtatë orëve të mundimshme duke e bllokuar daljen e ndërtesës dhe duke bërtitur drejt kamionëve me gjërat e saj personale, ajo vendosi që ta lë vet banesën e saj.

“Ata të detyrojnë të paguash ekstra për dëbim”, tha Branka, dukshëm e tronditur, derisa i biri i saj Tarek largohej me ambulancë. “Më mirë është nëse i paguaj që të m’i marrin sendet”.

Rasti i familjes Havatmi tërhoqi vëmendje të veçantë publike meqë është shembull i shkëlqyeshëm i fjalës së urtë serbe “me e therë një dem për një kilogram mish”, që është – shkelje e parimit të proporcionalitetit që i paradalon agjentët e zbatimit të ligjit që të mos shesin ndonjë pjesë të pronës së dikujt për shkak të një borxhi që është shumë më i ulët në vlerë se prona e shitur.

Gjegjësisht, për shkak të një borxhi në vlerë prej vetëm 6,500 euro, kontraktuesi e shiti një banesë 48 metra katrorë në një lagje elitë të Beogradit për shumën totale 26,000 euro, edhe pse një metër katror e kësaj hapësire të banimit mund të shitet për më shumë se 1,300 euro.

Edhe pse familja Havatmi, nëpërmjet avokatit të tyre, i ofruan kontraktuesit Botoriq që të paguajnë borxhin para ofertave të para, ai e injoroi këtë kërkesë. Gjithashtu, 110 ditë pasi ai e kishte shitur banesën, familja Havatmi ende nuk i kishte marrë dokumentat e shitjes, edhe pse ky është obligim ligjor. Oda e Zyrtarëve të Zbatimit Publik deri më tani nuk ka rënë në përfundim që ka patur shkelje procedurale në këtë rast, ndërsa në një fazë të mëvonshme ata do të vendosin nëse Botoriq ka rritur artificialisht shumën e shpenzimeve të tërë këtij procesi.

Efikasiteti në dëm të paanësisë e drejtësisë sociale

Prezantimi i institucionit të kontraktuesit publik në strukturën ligjore në vitin 2011 erdhi si masë për të lehtësuar barrën e gjykatave të stërngarkuara në Serbi, por mbi të gjitha për të kontribuar në mbledhje më efikase të borxheve për shërbime komunale e publike.

Megjithatë, siç ndodh gati gjithmonë me “reforma tranzicionale”, qëllimi i së cilave është përmirësimi i “klimës së biznesit”, praktika tregon se viktimat më të mëdha të kontraktuesve kanë qenë qytetarët më të varfër – ata që kanë më së shumti vështirësi sa i përket pagimit të borxheve për shërbime komunale e publike për shkak të pozitës tepër të vështirë sociale.

Për ta shpejtuar procesin e mbledhjes së borxheve, kontraktuesit morrën autorizime të rëndësishme, ndërsa të drejtat e borxhlive janë reduktuar krejtësisht, duke i bërë kështu ata viktima të një përpjekjeje të përbashkët e të korruptuar të kontraktuesit dhe kreditorit.

Gjegjësisht, pavarësisht faktit që ligji i përcakton kontraktuesit si “kontraktues publik”, në realitet ata po e performojnë funksionin e biznesmenëve privat të cilët punojnë direkt për kreditorët, dhe synimi i së cilëve është që të maksimizohet përfitimi dhe të ketë mbledhje sa më efektive të borxheve.

Një grup punues që sugjeroi amendamente për ligjin vlerësoi se ligji i vitit 2011 e përfaqësoi një “rënie qytetëruese të sundimit të ligjit në Serbi”.

Pikërisht për shkak të një pozite të tillë strukturore të kontraktuesve, shpeshherë ka patur rritje epidemike në kosto, duke u rritur borxhi origjinal disa herë. Por ka patur edhe ankande të pronave që janë caktuar paraprakisht. Përveç kësaj, qytetarët janë ankuar që njoftimet për dëbime nuk janë dërguar në adresat e duhura, e kështu shumë qytetarë nuk kanë patur mundësi që të dorëzojnë ankesën me kohë.

Megjithatë, pas ankesave të qytetarëve, por edhe pas kritikave nga Avokati i Popullit dhe Këshilli Kundër Korrupsionit, ligji u ndryshua në vitin 2015. Një grup punues që sugjeroi amendamente për ligjin vlerësoi se ligji i vitit 2011 e përfaqësoi një “rënie qytetëruese të sundimit të ligjit në Serbi”, për shkak të cilit, “për hir të shpejtësisë, sakrifikohet një shteg i qartë i veprimit, provokohet pasiguri totale, shkelen të drejta të partive, dhe futet në fuqi ligji i atyre që janë më të fuqishëm e më të paskrupull”.

Sidoqoftë, ndryshimi i këtij ligji kishte natyrë sipërfaqësore, për shkak që edhe pse borxhliut i është dhënë rasti për t’u ankuar, e kështu teoritikisht shtyhej zbatimi i dëbimit, në praktikë nuk i ka ndihmuar shumë, e prandaj kemi një numër shumë të madh të ankesave civile, por edhe skena shqetësuese të dëbimit, si ajo me familjen Havatmi.

Prania e policisë është shenjë e qartë e mbështetjes shtetërore për dëbimet me forcë. Foto: Sara Nikoliq.

I vetmi sukses real në lidhje me këtë ndryshim të ligjit është përmirësimi i mënyrës se si caktohen rastet. Kjo në mënyrë efektive e theu zinxhirin e korrupsionit në mes të kontraktuesit dhe kreditorit të ndërmarrjes publike. Gjegjësisht, sipas ligjit të vitit 2011, rastet u caktuan në përputhje me lokacionin e zyrës kryesore të kreditorit, e jo të borxhliut. Kështu shtohej kosto, dhe ndërmarrjet publike nuk i zbatonin procedurat e prokurimit publik sa i përket përzgjedhjes së kontraktuesit, por në vend të kësaj i kishin “kontraktuesit e preferuar”.

Dëshmi e kësaj është rasti interesant i “Infostan-it” në Novi Sad, që i caktoi 6,057 raste për një kontraktues të vetëm, me pagesë paraprake në vlerë 30 milion RSD (përafërsisht 250,000 euro), ndërsa një kontraktues tjetër i morri 1,012 raste, me pagesë paraprake në vlerë 4.8 milion RSD (gati 40,000 euro).

Thuhet “përmirësimi i klimës së biznesit”, por fjala është për “luftë klasore”

Megjithatë, një prej problemeve më të mëdha është monitorimi i aktiviteteve të kontraktuesve. Kontrolli i kontraktuesve performohet nga Oda e Zyrtarëve të Zbatimit Publik dhe Ministria e Drejtësisë nëpërmjet procedurës së ankesave. Gjykatat kompetente gjithashtu vendosin për këtë, në përputhje me mjete juridike.

Sidoqoftë, kur e kemi parasysh faktin që Oda është shoqatë e bazuar në përfitime, dhe në mënyrë të kuptueshme mbron profesionin e vet, ndërsa Ministria e Drejtësisë është entiteti që i prezantoi kontraktuesit në strukturën ligjore, lehtë është të kuptohet pse monitorimi i punës së kontraktuesve nuk është në nivel të kënaqshëm.

Mënyra se si kontraktuesit funksionojnë në Serbi është shembull paradigmatik i mënyrës se si funksionon struktura ligjore shtetërore në një shtet financiarisht të varur në gjysëm-periferi të kapitalizmit, në të cilin struktura ligjore shërben për përshtatje ndaj klimës biznesore të investitorëve e bankave të huaja, dhe manjatëve vendas; qytetarët janë ata që më së shpeshti e paguajnë çmimin për këtë.

Drejtësia sociale është dëbuar si trashëgimi vdekjeprurëse e “socializmit totalitar”.

Në një shtet në të cilin nuk ka patur regjistrim të pronave, qytetarët nuk kanë të drejtë për falimentim personal dhe 1/4 e popullsisë janë buzë varfërisë, kontraktuesit – si biznesmenë të maskuar me kostume të zyrtarëve publik – përfaqësojnë misionin kriminal të njerëzve më të fuqishëm, të privuar nga ndjeshmëria apo kujdesi social për interesin publik.

Zëvendësministrja e atëhershme e drejtësisë, Nela Kuburoviq, u shpërblye nga Aleanca Kombëtare për Zhvillim Lokal Ekonomik (NALED) në vitin 2015 për kontributin e saj në përmirësimin e Ligjit për Zbatimin e Dëbimeve. Një vit më vonë ajo u bë Ministre e Drejtësisë.

“Në këtë mënyrë ne po i përmbushim obligimet tona prej plan veprimeve strategjike për Kapitullin 23 në negociata [për anëtarësim në BE], po kontribuojmë në një klimë më të mirë të investimit në Serbi, dhe në përmirësimin e statusit të Serbisë në Listën Botërore të Biznesit”, tha Kuburoviq gjatë Këshillimit të Tretë të Përvjetshëm të Zyrtarëve të Zbatimit Publik në mars të këti viti.

“Nuk dorëzohemi” është mesazhi i qytetarëve i lënë bashkë me thasë të rërës në hyrje të ndërtesës së familjes Havatmi. Kështu ata po mundohen që ta parandalojnë dëbimin me forcë të kësaj familjeje. Foto: Sara Nikoliq.

Zyrtarët dhe personalitetet shtetërore të Serbisë rregullisht po lavdërohen nga institucionet evropiane dhe ndërkombëtare ekonomike për shkak të reduktimit të rolit të shtetit në shërbime civile, duke e shndërruar në një agjenci për tërheqje të kapitalit të madh, por edhe për zbatim të “masave të ashpra”. Në këtë kontekst, kontraktuesit janë një prej elementeve të zbatimit të asaj që teknokratët neoliberal e quajnë “konsolidim fiskal”, në mënyrë që të mistifikohet ky nocion.

Megjithatë, duke patur parasysh që “shtrëngimi i rrypit” gjithmonë i referohet atyre me kuleta më të holla – në një vend në të cilin drejtësia sociale është dëbuar si trashëgimi vdekjeprurëse e “socializmit totalitar” – ne nuk mund t’i emërojmë ata ndryshe, pos si “mbledhës të borxheve” dhe shërbëtorë të njerëzve më të fuqishëm në një luftë tranzicionale të klasave, luftë dërrmuese dhe e pafund.

Fotografia kryesore: Sasha Nikoliq.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO