Pikëpamje | Kulturë

Të fjalëformosh a të huazosh — Gjuha shqipe në hap me kohën

Nga - 20.10.2016

Përdoruesit e gjuhës shqipe ballafaqohen me shumë probleme kur përdorin fjalë a shprehje që do të marrin shumë kohë për t'u standardizuar.

Zhvillimi teknologjik dhe evolucioni shoqëror në përgjithësi domosdoshmërisht krijon nevojën që gjërave t’u vihet një emër. Zbulimet dhe shpikjet, fenomenet komplekse, marrëdhëniet e reja bartin me vete një varg emrash e shprehjesh me anë të të cilave shpjegohen dhe identifikohen ato.  Por edhe përtej kësaj, gjuha si dukuri e gjallë dhe dinamike gjithmonë dhe patjetër ka shkuar dhe duhet të shkojë hap pas hapi me zhvillimin njerëzor për shkak të nevojës sonë për shpjegim, emërtim, identifikim të qartë të gjërave konkrete dhe dukurive abstrakte.

Për këtë qëllim, gjuhët përdorin dy metoda për krijimin e fjalëve të reja për t’i dhënë një emër gjërave të cilat nuk kanë pasur nevojë për diçka të tillë në të kaluarën. Po flasim për fjalëformimin dhe huazimet.

Me dy fjalë, shpjegimi i thjeshtë do të ishte se fjalëformimi bëhet duke i bërë bashkë dy a më shumë fjalë për të formuar fjalë të tjera, ta zëmë, me + gjithë + atë bëhet megjithatë, zh + bëj bëhet zhbëj, fjalë + pak bëhet fjalëpak, e kështu me radhë.

Huazimi është më i thjeshtë. Një fjalë e huaj përshtatet në shqiptim (ose huazohet me gjithë shqiptimin) dhe zë vend në gjuhën e caktuar, dhe kështu kemi fjalë si taksi, basketboll, kompjuter etj.

Dhe këtu fillon përplasja!

Përveç zhvillimit teknologjik i cili ka imponuar shprehje të reja, ekzistojnë edhe një varg fjalësh e shprehjes të cilët janë futur në përdorim dhe vazhdojnë të përdoren në diskursin e përditshëm.

Debati i pafund zhvillohet në lidhje me atë se a është më mirë të formojmë fjalë të reja, apo t’i huazojmë ato duke e përshtatur shqiptimin e tyre. Ata që e përkrahin metodën e parë njihen më shumë si puristë, sepse konsiderojnë që gjuha ka mundësi të pafund për të formuar fjalë të reja, dhe me këtë e ruan origjinalitetin e vet ngase me huazime dalëngadalë humbet karakteri i gjuhës dhe bashkë me të edhe identiteti gjuhësor e kombëtar.

Të tjerët, të cilët pajtohen me huazimet – dhe këta kryesisht nuk e kundështojnë as fjalëformimin brenda kufijve të arsyeshëm – përdorin argumentin se në shumë raste huazimet jo domosdoshmërisht e kanë ekuivalentin e tyre të njëqindpërqindtë në gjuhën e tyre (eksplorim nuk është hulumtim, dhe investigim nuk është hetim), dhe konsiderojnë me të drejtë se në raste të caktuara fjalëformimi mund të dalë qesharak dhe të mos zë kurrë vend në gjuhën burimore.

Si të futen në përdorim me mijëra shprehje të reja të cilat paraqiten çdo ditë krahas zhvillimit teknologjik, krahas zhvillimit të mediave? Guglloje apo kërkoje nëpërmjet makinës së kërkimit Google? Postoje apo shkruaje në median sociale? Shkruaje me kompjuter a me llogaritës? (serbishtja dhe spanjishtja kanë shprehje “autoktone” për këtë makinë, respektivisht računar dhe ordenador), tuito (tweet) apo cicëro? Këto janë dilema me të cilat ballafaqohen përditë përdoruesit në jetën e përditshme me shprehjet të cilat janë bërë pjesë e pandashme e jetës.

Një fjalor i gjuhës shqipe në faqet e fundit e kishte përshkrimin: realizoi me kompjuter: Filan Fisteku, por fjala kompjuter nuk gjendej brenda fjalorit!

Por nuk janë vetëm këto shprehje ato që kanë zënë vend në gjuhën tonë të përditshme. Përveç zhvillimit teknologjik i cili ka imponuar shprehje të reja, ekzistojnë edhe një varg fjalësh e shprehjes të cilët janë futur në përdorim dhe vazhdojnë të përdoren në diskursin e përditshëm. Atakohen e sulmohen institucionet, suportohen e mbështeten nismat dhe iniciativat, inputet e kontributet nuk mund të neglizhohen e të shpërfillen, e kështu me radhë. Këto fjalë i hasim në media, në debate publike, në diskursin publik e politik.

Dhe këtu shpërthejnë puristët!

Anglishtja është e tillë çfarë është për shkak të pushtimit të Normandisë ... Spanjishtja ka me mijëra fjalë arabe.

Ka pasur me dhjetëra nisma alla: ta pastojmë gjuhën tonë të bukur, t’i largojmë shprehjet e panevojshme, e barbarizmat sllavoitaliane nga gjuha jonë e çiltër, t’i çrrënjosim turqizmat, arabizmat, latinizmat (?) nga gjuha jonë unike. Këto nisma janë përcjellur me fjalorthë shqip – shqip (dhe janë shqip – shqip dhe askush s’mund ta mohojë këtë) ku arsimtarët e entuziastët tjerë të gjuhës kanë ofruar shprehje të cilat DUHET t’i zëvendësojnë shprehjet e huaja (e keni parasysh për ç’fjalorthë po flasim: suport – mbështetje, dominoj – mbizotëroj, e kështu me radhë).

Nuk bën ta mohojmë qëllimin e mirë të këtyre entuziastëve të cilët dëshirojnë që gjuha jonë të mos e humbë karakterin unik, që gjuha jonë t’i përdorë fjalët e veta para se t’i rreket huazimeve, entuziastë që konsiderojnë se  për secilën fjalë të huaj ka dhe mund të ketë ekuivalent shqip (në një grup fejsbuku që merret me pastërtinë e gjuhës kishte propozime që basketbollit t’i thuhet topakosh, dhe futbollit topakëmbësh), që kjo mund të çojë në kriza identiteti kombëtar e llojlloj arsyetimesh tjera ta cilat, deri në një masë, kanë të drejtë, por jo përtej kësaj mase!

Anglishtja është e tillë çfarë është për shkak të pushtimit të Normandisë. Para këtij pushtimi, anglishtja e saksonëve ka pasur fjalor kryesisht pastoral (çobanësh). Me pushtimin e Normandisë, fjalët latine kanë zënë vend në gjuhën e vendasve, sidomos sa i përket administratës, gjykatave e kështu me radhë.  

Spanjishtja ka me mijëra fjalë arabe. Shumë fjalë që fillojnë me a ose al siç janë almohada (jastëk), alfombra (qilim), aceite (vaj), janë fjalë arabe. Fare nuk besoj që Akademisë Mbretërore të Spanjës i ka shkuar ndonjëherë ndërmend të ndërmarë nisma çiltërsuese për t’i zhdukur këto fjalë nga gjuha e tyre njëherë e përgjithmonë dhe për t’i zëvendësuar ato me spanjishten e bukur porsi za bilbili. Jo, kurrsesi! Sepse ato kanë zënë vend dhe janë pjesë e identitetit kombëtar e gjuhësor! Pjesë e historisë së pamohueshme, i pëlqeftë ajo dikujt apo jo!

Te ne mungon një qasje sistematike për t’u marrë me zhvilimin e hovshëm gjuhësor i cili është rezultat i zhvillimit shoqëror. Gjuhët kanë nevojë t’i emërtojnë e identifikojnë gjërat të cilat bëhen pjesë e jetës së tyre, dhe në vendet e ndryshme ekzistojnë institucione të ndryshme të cilat punojnë për të ofruar zgjidhje për këto sfida. Akademitë e institucionet tjera gjuhësore për çdo vit fusin fjalë të reja në fjalorë, fjalë të cilat kanë hyrë në përdorim shoqëror. Fjalorët pastaj e shpjegojnë kuptimin, përdorimin, etimologjinë e fjalës. Problem tjetër është mungesa e bashkëpunimit dhe komunikimit të ndërsjellë e të mirëfilltë. Kush duhet ta bëjë këtë punë në rastin tonë? Akademia e Shkencave e Shqipërisë? Akademia e Shkencave e Kosovës? Ndonjë institut mbarëkombëtar gjuhësor?

Nuk ka gjuhë të keqe, nuk ka gjuhë që tingëllon keq, nuk ka gjuhë që duhet zhdukur.

Nëse një përkthyes a një folës thotë se gjuha shqipe është e varfër (në raport me gjuhët tjera, natyrisht) atij do t’i hipin në qafë e ta quajnë tradhtar (koncept mjaft romantik, do të pajtoheshit). Nëse një përkthyes a një folës thotë se këtë e mbështet me faktin se një faqe në anglisht përkthehet me një faqe e gjysme në shqip, atij do t’i thuhet se kjo nuk do të thotë se shqipja është më e varfër vetëm pse përdor mënyra tjera për ta thënë një gjë. Nëse një përkthyes a një folës thotë se ndajfoljet (që në gjuhët tjera shprehen me një fjalë) në shqip në shumë raste shprehen me tri fjalë, atij do t’i tërhiqet vërejtja se kjo nuk është mangësi por hijeshi.

Kjo nuk qëndron nëse jemi pragmatikë dhe themi që mjeshtria është të thuash shumë, me pak fjalë (mundësisht me një fjalë), që poliglotit t’i themi poliglot, dhe blogut t’i themi blog sepse, ta zëmë, nëse e përkthejmë një kategori të një mediumi (siç është K2.0) siç është kategoria e blogut, në versionin shqip kjo kategori nuk mund të paraqitet si shkrime e qëndrime individuale të secilit, sepse kjo është e parealizueshme nga aspekti i dizajnit. Pra, kur flasim për përdorimin e gjuhës gjithmonë duket të kemi parasysh një varg implikimesh në një varg sferash të jetës e jo vetëm në nivel të një bisede cikërrimtare ndërmjet miqsh në një kafeteri në një provincë jugperëndimore (ky cilësim është imagjinar).

Gjuha si dukuri, si mjet, është mrekulli në vetvete, dhe është element kyç që na dallon nga kafshët (megjithëse edhe ato komunikojnë, në një nivel shumë më primitiv), dhe çdo gjuhë është e bukur në vetvete, sepse është një prej treguesve të mënyrës së të menduarit, të të vepruarit… Nuk ka gjuhë të keqe, nuk ka gjuhë që tingëllon keq, nuk ka gjuhë që duhet zhdukur. Mirëpo, ka gjuhë më të pasur dhe gjuhë më të varfër. Ka gjuhë me më shumë mundësi për krijim fjalësh të reja, dhe gjuhë më konzervative në këtë aspekt. Ka institucione gjuhësore që punojnë në të mirë të gjuhës, dhe të tjera që punojnë në dëm të gjuhës, dhe si rrjedhojë, në dëm të zhvillimit të gjithëmbarshëm shoqëror.

Si përfundim, ne nuk kemi më shumë se dy mënyra për krijim e fjaëve të reja për  t’i shprehur sendet e dukuritë të cilat kanë zënë vend në jetën tonë. Ose do të formojmë fjalë të reja duke i përdorur mjetet në dispozicion ose do të huazojmë dhe t’ua përshtasim shqiptimin shprehjeve të reja. Këto fjalëformime apo huazime pastaj do t’i zyrtarizojmë me fjalorë të gjuhës së sotme të cilët do të përditësoheshin çdo vit me një kongres gjithëgjuhësor. Nëse nuk veprojmë kështu, do të vazhdojmë të kemi përplasje të pakuptimta taboresh puristësh të paarsyeshëm në njërën anë dhe huazuesish të pakujdesshëm e pragmatikë në anën tjetër.

Imazhi: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO