Në thelb | Barazia gjinore

Të Trashëgosh apo të Mos Trashëgosh

Barazia me shkrim nuk po arrinë që t’i mbështetë të drejtat e grave për trashëgimi.

Pasi u kryen studime hulumtuese në gjykata të pesë rajoneve të Kosovës, u zbulua se në vend se të nisin gjykatat procesin e trashëgimisë, trashëgimtarët e pasardhësve (shumica burra) po nisin procesin e trashëgimisë, dhe potencialisht, duke i përjashtuar gratë.

(“Hulumtimi dhe Monitorimi i Ligjit mbi Barazinë Gjinore”, Shoqata e Juristëve NORMA, 2011)

Kosova, si shtet i ri, karakterizohet me strukturë ligjore që është e mbushur me gjuhë që garanton barazi gjinore. Kushtetuta, tri ligje, dhe një traktat ndërkombëtar, të gjitha garantojnë barazinë gjinore në të gjitha aspektet e jetës (politike, sociale, ekonomike etj). Me strukturë kaq të fuqishme dhe progresive ligjore, rruga drejt arritjes së të drejtave të barabarta të trashëgimisë për gra duket se është e arritshme. Megjithatë, rendi i ligjit në Kosovë vazhdon të përballet me disa pengesa serioze që lejojnë sjellje diskriminuese, që kanë rrënjë në praktika të zakonshme, të ndodhin ende, dhe të ndikojnë negativisht në gra. Ndonëse ligjet që kanë ndikim në trashëgimi janë tërësore dhe gjithëpërfshirëse, të metat brenda sistemit ligjor janë shkaqe për shqetësim.

Kushtetuta e Kosovës, Ligji mbi Barazi Gjinore, Ligji i Familjës në Kosovë, dhe Kongresi për Eliminimin e Të Gjitha Formave të Diskriminimit kundër Grave (CEDAW), të gjitha sigurojnë struktura të cilat bëjnë thirrje për barazi në mes të gjinive sa i përket trashëgimisë: “Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona”, deklaron Neni 46 i Kushtetutës së Kosovës; “Në veçanti [Shtetet] do t’i japin grave të drejta të barabarta për të përfunduar kontrata dhe administruar pronë dhe do t’i trajtojnë ato barazisht në të gjitha gazat e procedurës në gjykata”, deklaron Neni 15.2 i CEDAW; “Fëmijët, femra dhe meshkuj trashëgojnë pasurinë në mënyrë të barabartë”, deklaron Neni 16.12 i Ligjit për Barazi Gjinore; dhe, “Pasurinë e përbashkët bashkëshortore gjatë martesës bashkëshortët e administrojnë dhe e disponojnë bashkërisht dhe me marrëveshje”, deklaron Neni 49 i Ligjit të Familjes në Kosovë.

Megjithatë, ligji me shpjegimin më tërësor për trashëgimi, që përdorë gjuhë të drejtpërdrejtë, është Ligji i Kosovës për Trashëgimi. Me 149 artikuj, ky ligj rregullon të gjitha fushat e trashëgimisë. Neni 1.4 i Ligjit të Trashëgimisë është thelbësor. Aty deklarohet se: “Në kuptim të këtij ligji emrat në gjininë mashkullore nënkuptojnë edhe emrat në gjininë femërore dhe anasjelltas pa diskriminim”. Ky nen në mënyrë eksplicite ilustron se e tërë gjuha në ligj është e bazuar në barazi gjinore dhe kështu nuk lë hapësirë për dykuptimësi, papërshtatshmëri, ngatërrim, anësi, ose stereotipe. Neni 3.1 nënvizon këtë pikë edhe më tej: “Të gjithë personat fizikë në kushte të njejta janë të barabartë në trashëgimi”.

Mund të bëjnë studime sa të duan. E gjithë prona është nën emrin tim, dhe unë jam i vetmi që vendos se kush merr çka; dhe t'iu them diçka, tash e njëqind vjet, këto vajza nuk do të trashëgojnë asgjë nga unë.

Deklaratë prej një babai gjatë njërit prej studimeve tona në 2013

Në kulturën kosovare, trashëgimia zakonisht diskutohet dhe ndahet jashtë sistemit gjyqësor, në mënyrë tipike në mes të burrave, pa u pyetur gratë. Megjithatë, Neni 8 i Ligjit të Trashëgimisë deklaron se nuk duhet të jetë kështu: “Trashëgimia fitohet me ligj ose testament”. Ose një person duhet të shkruaj testament, ose gjykata vendos se si do të ndahet trashëgimia. Nëse ky artikull – dhe tërë ligji – do të zbatoheshin plotësisht, qasja e një gruaje në trashëgiminë e saj nuk do të ishte aq e kërcënuar.

Është me rëndësi të cekim se, edhe në raste kur i/e vdekuri/a ka lënë testament, tërë procesi i ndarjes së trashëgimisë prap se prap duhet të bëhet nëpërmjet një sistemi gjyqësor. Në këtë mënyrë, procesi ka ligjshmëri dhe bazohet tërësisht në strukturën ligjore. Testamenti duhet të noterizohet, nënshkruhet nga testamentlënësi, ose duhet të ketë dëshmitar, në mënyrë që të jetë i vlefshëm. I/e vdekuri/a prap se prap mund të lë jashtë anëtarë të caktuar të familjes nëpërmjet testamentit, potencialisht, por vetëm nën kushte të caktuara, të cilat nuk janë të bazuara në gjini. Pra edhe në raste kur lihet testament nga babai/burri, nëse gratë përjashtohen, arsyeja duhet të jetë diçka tjetër, e jo statusi femëror.

Në situata kur nuk është lënë testament, ose kur testamenti është i pavlefshëm, ekziston një gradë e trashëgimisë, që është e caktuar në Nenin 12, së cilës duhet t’i përmbahen familja. Fëmijët dhe bashkëshorti/ja e të vdekurit/ës janë të parët në rend për trashëgimi. Nëse i/e vdekuri/a nuk ka fëmijë, trashëgimia ndahet barazisht në mes të bashkëshortit/es dhe prindërve të të vdekurit/ës. Nëse ka vdekur edhe bashkëshorti/ja, prindërit e të vdekurit/ës trashëgojnë tërë pronën barazisht. Njëlloj, nëse të dy prindërit kanë vdekur atëherë bashkëshorti/ja trashëgon gjithçka. Vëllezërit e motrat, gjyshërit, dhe pasardhësit e tyre vijnë më pas, përkatësisht.

Është e domosdoshme të kuptojmë se Ligji i Trashëgimisë vazhdimisht përmend se trashëguesit marrin hise të barabartë të trashëgimisë. Megjithatë, kjo nuk ndodh në praktikë. Një prej shumë rasteve që bëhen shembuj të padrejtësisë, është ai i Shyhrete Berishës. Jo vetëm se Shyhretja humbi tërë familjën e saj (bashkëshortin dhe katër fëmijët) në luftë, por pas luftës, ajo humbi shtëpinë ku jetuan dikur ata. Shtëpia e saj nuk u humb nga shkatërrimet e luftës, por nga fakti se familja e bashkëshortit të saj nuk e lejonin atë të kthehej. “Çfarë të duhet shtëpia? Të gjithë kanë vdekur. Tani është shtëpia jonë”, ishte reagimi i vjehërrës së saj kur ajo u mundua të kthehej. Ligjërisht, Shyhretja, bashkëshortja e të vdekurit, ka të drejtë për një pjesë të pronës së Berishës.

Stigmat dhe hipokrizia ende vazhdojnë. Edhe pse zakonet tradicionale presin që vendi i gruas të jetë brenda shtëpisë, në situata si ajo e Shyhretes, pse po detyrohet gruaja të ikë nga shtëpia ku më herët pritej që të mos ikte kurrë? A është ende e vërtetë se shtëpia e gruas kurrë nuk është e saja? A nuk mund ta ketë gruaja një vend që mund ta quaj shtëpi pa praninë e burrit ose babait të saj?

Përkundër shumë instrumenteve ekzistuese ligjore që u garantojnë grave të drejta të barabarta për të trashëguar pronë, zbatimi i instrumenteve të tilla ligjore është me të meta, dhe i mungon përkujdesja e duhur prej institucioneve relevante; për shembull gjykatave. Prandaj garancia e barazisë gjinore sa i përket trashëgimisë mund të shihet vetëm në letër. Një prej pengesave kryesore që nuk po lejon zbatimin e rregullt të këtyre ligjeve është sistemi i dobët i rendit të ligjit, dhe funksionimi i institucioneve të tij.

Një raport i Shoqatës së Juristëve NORMA, ‘Hulumtimi dhe Monitorimi i Ligjit mbi Barazinë Gjinore’, identifikon se gratë kanë arsye për shqetësim që prej fillimit të procesit të trashëgimisë. Kur një person vdes, është obligim ligjor ‘ex officio’ (shqip: për shkak të detyrës) i gjykatës që të fillohet procesi i trashëgimisë, e jo obligim i trashëgimtarit. Megjithatë, hulumtimet e NORMA zbuluan se kjo nuk po ndodh. Në vend të kësaj, trashëgimtarët e të vdekurve (shumica meshkuj) po nisin procesin e trashëgimisë, dhe potencialisht po i përjashtojnë gratë.

Në 2013, e intervistuam mbi këtë temë juristen dhe hulumtuesen e lartë në Institutin Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, Ariana Qosaj-Mustafa. Ajo shpjegoi se për shkak të përtacisë ose mungesës së diturisë së gjykatave, ato shpërfillin disa prej procedurave të nevojshme ligjore. Si rezultat i kësaj, burrat e familjes zakonisht janë ata që shkojnë në gjykatë për shpërndarje të pronave. Dhe ndonjëherë, disa prej meshkujve as nuk ua përmendin gjykatave se kanë motra, ose se ka femra tjera brenda familjës së tyre. Znj. Qosaj-Mustafa sugjeroi se nuk është jashtë normës që gjykata të dështojë kur rikontrollojnë historinë familjare për të parë nëse ka trashëgimtare femra; kur të shpërfillet kjo detyrë, trashëgimia i ipet burrave pa diturinë e anëtarëve femra në familje.

Edhe një aspekt që lidhet me trashëgiminë e grave kosovare sjell vështirësi: refuzimi i trashëgimisë. Ligji i Trashëgimisë deklaron se trashëgimtarët mund të refuzojnë trashëgiminë e tyre, por duhet që të shkojnë para gjykatës. Ky kusht nuk aplikohet në rast të detyrimit me dhunë ose kërcënime. Megjithatë, është veçanërisht problematike që ekziston një mundësi e dhënë prej ligjit, që një grua të dorëzojë të drejtën e saj për trashëgimi – në të mirë të vëllaut ose meshkujve tjerë në familje të saj – duke deklaruar refuzimin e saj në gjykatë. Zakonet tradicionale dhe sociale veç se i japin grave nocionin se nuk duhet të trashëgojnë. Sipas hulumtimit tonë në 2012 – rezultatet e së cilit pasqyrohen në raportin ‘Të drejtat e grave për trashëgimi në Kosovë’ të Qendrës Kosovare për Studime Gjinore – 60% të grave deklaruan se presioni familjar nuk i lejon që të kërkojnë pjesën e tyre të trashëgimisë, dhe po të kërkonin trashëgiminë e tyre, ndonjë anëtar i familjes nuk do t’i lejonte që ta merrnin. Duke lejuar refuzimin e trashëgimisë, ligji si pasojë e bënë më të lehtë që një grua të dorëzojë të drejtën e saj për trashëgimi, në mënyrë që të shmanget konflikti famijlar. Dhe gjykata nuk ka shumë mjete për të vendosur se a është bërë një refuzim i tillë për shkak të detyrimit me dhunë ose kërcënime.

Është e qartë se rendi i ligjit ka nevojë për përmirësime serioze që do të garantonin se të drejtat e barabarta të grave për trashëgimi do të ushtroheshin në praktikë. Megjithatë, një mentalitet i rrënjosur tradicional ende mbetet si pengesë e vështirë për t’u tejkaluar.

“Mund të bëjnë studime sa të duan. E gjithë prona është nën emrin tim, dhe unë jam i vetmi që vendos se kush merr çka; dhe t’iu them diçka, tash e njëqind vjet, këto vajza nuk do të trashëgojnë asgjë nga unë.”(Deklaratë prej një babai gjatë njërit prej studimeve tona në 2013.)K

Ky artikull u adoptua prej pjesëve të temave të diplomave të Donita Macula-Krasniqit dhe Paula Crawford mbi Të Drejtat e Grave për Trashëgimi në Kosovë (American University in Kosovo dhe Arizona State University).

KOMENTO