Në thelb | Të drejtat e punëtorëve

Punëtorët e vënë në dyshim ‘historinë e suksesit’ të Ferronikelit

Nga - 01.05.2018

Vdekje, lëndime dhe shkarkime masive që nga privatizimi i vitit 2006.

Gjatë vitit 2012, menaxhmenti i kompanisë NewCo Ferronikeli pretendonte se po i zgjidhte disa probleme brenda fabrikës së tyre në Drenas. Në mesin e punëtorëve të kompanisë kishte filluar frika se ata mund ta humbnin vendin e punës. Por për njërin prej punëtorëve, Halim Morinën, humbja e vendit të punës nuk ishte brenga e vetme.   

Brenda fabrikës që prodhon hekur dhe nikel gjenden disa kanale përmes të cilëve kalon uji i vluar. Duke e ditur rrezikun që paraqesin këto kanale, si masë mbrojtëse ishte paraparë që ato të jenë të mbuluara me pllakëza betoni dhe rreth tyre të vendoseshin mbrojtëse metalike.

Për shumë vite, mbrojtëset metalike nuk ishin vendosur asnjëherë, dhe atë ditë, për fat të keq të Morinës, as pllakëza e betonit nuk ishte mbi kanal.  

Foto: Valton Marku.

Morina që kishte punuar në Ferronikel për 27 vjet, ra në njërin prej kanaleve dhe pësoi djegie të shkallës së tretë nga këmbët deri te beli. Duke e pasur parasysh se lëndimi i punëtorit të tyre kishte ndodhur në vendin e punës, kompania vendosi t’i mbulonte shpenzimet finaciare për shërimin e Morinës.

Megjithatë, më pak se tre muaj pas aksidentit, menaxhmenti i kompanisë kishte përgatitur një listë prej 85 punëtorëve të cilëve do t’ua shkëpuste kontratat e punës – në mesin e tyre ishte edhe Morina. Tash, pos që do të duhej të merrej i vetëm me lëndimet, ai do të përballej edhe me humbjen e të vetmit burim finaciar të cilin e kishte familja e tij.

Pasi pësoi lëndimin, Morina u tha mediave se policia e telefonoi atë vetëm një herë, dhe se më pas asnjë institucion nuk e trajtoi rastin e tij. Ai shtoi se kishte nguruar të kërkonte kompensim, për shkak se ishte i bindur se një veprim i tillë do të bënte që ai ta humbte vendin e punës. Në fund ai nuk pati nevojë të vendoste për këtë, sepse e shkarkuan. Katër vjet më vonë, në vitin 2016, Morina vdiq pas një beteje të gjatë me kancerin.

Një punëtor tjetër i Ferronikelit, Armend Fejza, vdiq shumë më shpejt. Tre muaj para aksidentit të Morinës, 24-vjeçari nga fshati Dobrashevc ra në një kanal të pambuluar, të mbushur me ujë të valë, pasi kishte punuar në këtë fabrikë për vetëm dy muaj. Ai nuk mbijetoi.

Foto: Valton Marku.

NewCo Ferronikeli aktualisht po përballet me padi në lidhje me këtë rast. Babai i Fejzës tha për K2.0 se rasti po procedohej në gjykatë, por ai nuk dëshironte të tregonte hollësi të mëtejme. “Nuk dua ta hapi përsëri këtë plagë”, thotë ai.

Fehmi Nika, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Ferronikelit, tregon se deri më tash për këto incidente askush nuk ka marrë përgjegjësinë dhe se vetëm kohëve të fundit janë salduar shufrat metalike përreth kanalave. ‘‘Po të ishin marrë masa më herët nuk do të ndodhnin këto aksidente’’, thotë Nika.

Viti 2012 do të shënonte edhe disa aksidente të tjera, si rasti i shpërthimit të një kazani që për pasojë kishte lënë të lënduar katër punëtorë. Disa prej punëtorëve të cilët pësuan lëndime atë vit u shkarkuan më vonë, duke përfshirë këtu Behar Morinën (nuk ka lidhje familjare me Halimin), i cili u shkarkua pasi kërkoi pushim mjekësor për shkak të një lëndimit të pësuar në vendin e punës.

NewCo Ferronikeli është kontaktuar për këto raste, por ata nuk kanë kthyer përgjigje. Gjatë vitit 2012 – në prononcimet e rralla për media – menaxhmenti i NewCo Ferronikeli ishte deklaruar se puna që ata bëjnë është ‘‘industri e rëndë dhe lëndimet e punëtorëve janë të mundshme’’.

Privatizimi i Ferronikelit si ”storie e suksesit”

Ferronikeli u privatizua në fund të vitit 2005, kur Agjencia Kosovare e Privatizimit ia shiti kompaninë për 30 milion euro kompanisë me seli në Londër, ALferon Management Limited, me kusht që të investohen 60 milion euro të tjera. Marrëveshja ishte e diskutueshme për shkak të faktit se një ofertë më e lartë ishte dorëzuar nga kompania amerikano-shqiptare, Adi-Nickel, si dhe për shkak të supozimeve për nënvlerësim të kompanisë, pasi që pronësia e saj garanton edhe qasje në minierat e Çikatovës dhe të Gllavicës.

Sidoqoftë, shumë shpejt pas shitjes, zyrtarët lokalë dhe ndërkombëtarë e portretizuan privatizimin e Ferronikelit si histori të suksesit. Kur vizitoi fabrikën në vitin 2007, ministri i atëhershëm i tregtisë, Bujar Dugolli, u tha mediave se fillimi i prodhimit në Ferronikel është storie suksesi për procesin e privatizimit. Bashkë me të, Joachim Ruecker, kreu i Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, lajmëroi: “Për ne, kjo është gjëja më e rëndësishme – të kemi punësime, rritje ekonomike dhe punë në gjithë rajonin”.

Megjithatë, që nga fillimi i procesit të privatizimit të Ferronikelit, shumëkush e vëri në dyshim këtë interpretim. Kreu aktual i sindikatës, Nika, kujton kohën kur punëtorën u lajmëruan për privatizimin e fabrikës dhe thotë se ata e kundërshtuan vendimin, duke protestuar dhe duke u bërë presion politikanëve.

‘‘Tendencë e vazhdueshme e menaxhmentit ka qenë largimi i sa më shumë punëtorëve."

Fehmi Nika, Sindikata e Punëtorëve të Ferronikelit

Punëtorët i kishin disa kërkesa, duke përfshirë këtu sigurinë ekonomike nëpërmjet kontratave kolektive, kushte më të mira të punës dhe mbrojtje të punëtorëve dhe të mjedisit. Ata gjithashtu donin të siguroheshin që sindikata të kishte rol aktiv si mbrojtëse e të drejtave të punëtorëve dhe i paralajmëruan institucionet se nëse ndodh privatizimi pa miratimin e sindikatës, pronari i ri nuk do ta kishte mbështetjen e punëtorëve të fabrikës.

Për këtë, Fehmi Nika shprehet se privatizimi është bërë në kurriz të punëtorëve, dhe se ata asnjëherë nuk kanë qenë prioritet. ‘‘Tendencë e vazhdueshme e menaxhmentit ka qenë largimi i sa më shumë punëtorëve’’ vazhdon ai.

Një prej personave të parë që u shkarkuan ishte kreu i sindikatës, Ferki Karaxha, përkrah anëtarëve të tjerë të sindikatës. Karaxha tha për K2.0 se ai beson se kërkesat e sindikatës ishin arsyeja për shkarkimin e tij dhe të kolegëve të tij.

Ferronikeli fillimisht nisi të operonte në vitin 1984 me 2,000 punëtorë, shifër kjo e cila nuk ndryshoi shumë deri kur ndodhën trazirat politike në fund të viteve të ‘90-a, për shkak të së cilave u ndal prodhimi. Kur u privatizua kompania në vitin 2006, në listën e përfituesve të 20 për qindëshit të shitjes së fabrikës ishin 2,008 punëtorë. 80 persona të tjerë janë në proces gjyqësor, pasi që pretendojnë se janë përjashtuar në mënyrë të padrejtë nga ajo listë.

Pas privatizimit, pronarët e ri i nisën aktivitetet e prodhimit me rreth 860 punëtorë. Më vonë, ata i kontraktuan disa kompani të tjera për të kryer shërbime të caktuara, por numri i personave të cilët punojnë sot në Ferronikel nuk arrin as shifrën 1,000.

Nika nuk e thekson vetëm fuqinë e reduktuar punëtore si një ndër problemet e kësaj kompanie. Ai përmend gjithashtu një rast që ndodhi në vitin 2016, kur kompania pretendonte se nuk mund ta përballonte financiarisht prodhimin në fabrikë, dhe kështu i transportoi të gjitha metalet e ekstraktuara nga minierat për t’u përpunuar në Maqedoni. Gjatë periudhës tetëmujore kur prodhimi në fabrikë ishte ndalur, punëtorët nuk punuan dhe morën vetëm 70 për qind të rrogës.

Foto: Valton Marku.

Në vitin 2017, Instituti për Kritikë dhe Emancipim ka hulumtuar gjendjen e punëtorëve të ndërrmarjeve të privatizuara në Kosovë, duke u fokusuar tek Ferronikeli, Shërbimet e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) dhe fabrika e betonit Sharrcem. Në fund ky institut e publikoi raportin e titulluar Fati i punëtorëve pas privatizimit në Kosovë.

Valton Marku, i cili është njëri prej hulumtuesve të këtij raporti, thekson se nga gjendja që ka gjetur në terren ka vërejtur se privatizimet që kanë ndodhur nuk kanë qenë pasojë e ndonjë analize empirike që ka treguar se ato do të sjellnin rimëkëmbje ekonomike dhe mirëqenie për punëtorët.   

Në rastin e Ferronikelit, ICE gjeti se janë bërë shumë pak ndryshime sa u përket kushteve të punëtorëve. ‘‘Nga bisedat me punëtorët [e NewCo Ferronikelit] dhe matjet empirike ka rezultuar se përmirësimi i kushteve ka qene minimal’’, thotë Marku.

Foto: Valton Marku.

Ndër vite zërat që kanë përkrahur privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore e publike, duke përfshirë këtu Dugollin dhe Ruecker-in, kanë qenë kryesisht të bazuar në atë se procesi i privatizimit do të sjellë vende të reja të punës, përmirësim të kushteve të punës dhe siguri për punëtorët.

Nika nuk pajtohet me pretendime të tilla. Si shembull përmend dy minierat, Çikatovën dhe Gllavicën, duke thënë se aty më parë punonin mbi 100 punëtorë, ndërsa sot në secilën prej tyre punojnë jo më shumë se 6 apo 7 punëtorë. Në të njëjtën kohë intensiteti i punës për ta është rritur. Ai thekson se ende kanë nevojë për punëtorë, dhe si sindikatë i kanë bërë kërkesa zyrtare menxhmentit për punësim të punëtorëve të ri.     

Të njëjtin mendim e ka edhe Marku, i cili thotë se ka parë se punëtorët lëvizin nga një sektor në tjetrin, edhe pse nuk janë të kualifikuar t’i kryejnë ato punë. Sipas tij, kjo e ka rritur sasinë e punës, dhe në mungesë të kualifikimit rrezikon edhe sigurinë e tyre. Gjithashtu, në biseda me punëtorët u është thënë se makineritë janë pothuajse ato që kanë qenë më parë, mjetet e tjera të punës janë përmirësuar shumë pak, dhe ambienti i punës është i njëjti.   

Foto: Valton Marku.

Pjesë e hulumtim është edhe anketa e realizuar me punëtorët e NewCo Ferronikelit, që për mostër ka pasur 10 për qind të punëtorëve. Sa u përket kushteve të punës 50 për qind e tyre thonë se ato “nuk janë përmirësuar”, ndërsa 27 për qind shohin “përmirësim minimal”. Gjithashtu, pyetjes së anketës se “momentalisht sa janë të kënaqur me kushtet e punës”, afër 60 për qind e tyre i janë përgjigjur me ‘‘shumë pak”, ndërsa 30 për qind me “aspak”.   

Nika thekson se përkundër disa përmirësimeve të vogla ende ka probleme në këtë drejtim. Punëtorët përballen me mungesë të rrobave dystinore dhe detyrohen që në mot të nxehtë të punojnë me rroba që janë për stinën e dimrit. Maskat që i bartin janë njëpërdorimëshe dhe joefikase.  

Sipas tij, ekzistojnë edhe maska të tjera por ato janë të papërshtatshme dhe pengojnë punëtorët gjatë punës. Si të tilla ata refuzojnë t’I mbajnë ato. “Menaxhmenti nuk ka vullnet ta ndryshojë këtë”, thotë ai për K2.0.

Shqetësime në lidhje me shëndetin e punëtorëve

Marku, i cili gjatë një viti ka qëndruar në ambinetet e NewCo Ferronikelit, thekson se përkundër shqetësimeve të sigurisë fizike dhe mjeteve të punës e pagave, duhet të mendohet seriozisht edhe për pasojat afatgjate që mund të kenë punëtorët për shkak të ekspozimit ndaj gazrave toksikë, pluhurit dhe rrezatimit.  

Në këtë pikë pajtohet edhe Nika i cili thotë se shumë pak efikase janë masat që janë ndërrmarrë nga menaxhmenti. Sipas tij, është investuar në disa pajisje që janë në formë të ventilatorëve, por punëtorët nuk kanë vërejtur ndonjë ndryshim të ambientit.

Ai gjithashtu përmend shpimin si proces i cili paraqet rrezik të veçantë shëndetësor, për shkak se pajisjet e përdorura i ekspozojnë punëtorët vazhdimisht ndaj rrezeve X. Nika thotë poashtu se politikat para privatizimit, gjegjësisht rotacioni i punëtorëve të kualifikuar ndërmjet sektorëve të ndryshëm për të ndihmuar reduktimin e ekspozimit ndaj ambienteve të dëmshme, nuk janë zbatuar pas privatizimit. Sipas Nikës, punëtorët janë të vetëdijshëm për rrezikun, por ngurojnë të kërkojnë ndryshime në pozita dhe janë të gatshëm ta rrezikojnë shëndetin e tyre për të marrë paga.

NewCo Ferronikeli e ka kontraktuar Institutin e Mjekësisë së Punës në Obiliq (IMP-Obiliq), për t’i monitoruar standardet mjedisore në fabrikë dhe për të zhvilluar analiza shëndetësore për punëtorët. Sehad Kadiri, kreu i Shërbimit për Mbrojtje nga Rrezatimi, pjesë e IMP-Obiliqit, thotë se instituti “me vite” ka kryer analiza mjekësore për punëtorët dhe analiza ambientale në fabrikë, por ai pranon se kishte ndërprerje të shërbimeve në disa raste.

“Në Kosovë ne kemi një ushtri të njerëzve të papunë. Kjo do të thotë se punëtorët zëvendësohen shumë lehtë."

Valton Marku, Instituti për Kritikë dhe Eman

Në shkurt të vitit 2016, Gazeta Fjala raportoi se gjatë viteve që IMP-Obiliqi kishte punuar në fabrikë, instituti nuk kishte qenë i licencuar nga Agjencia për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore (AMRrSB), e cila ka mandat për të dhënë leje për punë të tilla.

K2.0 e kontaktoi IMP-Obiliqin dhe AMRrSB-në për të pyetur nëse ky institut tani ka leje për t’i kryer vlerësimet në Ferronikel. IMP-Obiliqi nuk u përgjigj, ndërsa drejtori ekzekutiv i AMRrSB-së, Beqir Mezelxhiu, tha: “Me kërkesë të Institutit, Agjencia e autorizon Institutin për të kryer matje dhe vlerësime radiologjike të ambientit”.

Sa u përket standardeve mjedisore, Mezelxhiu tha për K2.0 se “matjet e përvjetshme të dozimetrit të cilat janë dërguar nga Instituti i Mjekësisë së Punës [IMP-Obiliq] tregojnë se punëtorët nuk i tejkalojnë kufijtë e përvjetshëm të dozave të sigurta”.

Megjithatë, Valton Marku thekson se punëtorët kanë pak besim ndaj sindikatave, gjykatave dhe institucioneve shtetërore, dhe se gjendja e punëtorëve mbetet e vështirë.

Ai thekson gjithashtu mjedisin e përgjithshëm ekonomik në Kosovë, duke thënë se është krijuar një situatë në të cilën kërkimi i kushteve më të mira të punës është lluks. “Në Kosovë ne kemi një ushtri të njerëzve të papunë”, thotë ai. “Kjo do të thotë se punëtorët zëvendësohen shumë lehtë”.K

Foto kryesore: Valton Marku.