Në thelb | Politika

Çka mund të presim nga administrata e dytë e Trump?

Nga - 20.01.2025

Parashikime se si do të angazhohen me Kosovën të propozuarit për pozita kyçe të politikës së jashtme.

Donald Trump ka pasur disa vite interesante. Pasi humbi garën presidenciale në vitin 2020 ndaj Joe Biden dhe mezi i mbijetoi një votimi të dytë për t’u shkarkuar për nxitje të trazirave për të kundërshtuar rezultatet zgjedhore, u padit katër herë në një gjykatë penale, u shpall përgjegjës për abuzim seksual nga një gjykatë civile, u qëllua në vesh, për pak u qëllua përsëri, shndërroi një tubim elektoral në një ndejë me DJ, ai shënoi fitore të thellë ndaj zëvendës-presidentes Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale të SHBA të vitit 2024.

Ndryshimi i administratës amerikane më 20 janar 2025 vjen vetëm disa javë para se kosovarët/et t’u drejtohen qendrave të votimit për të vendosur nëse do t’i japin apo jo edhe një mandat kryeministrit, Albin Kurti dhe partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje (VV). Mandati i Kurtit është përcjellë me një sërë mosmarrëveshjesh me administratën Biden dhe më gjerësisht me institucionet e politikës së jashtme të SHBA, pasi Kurti i ka dhënë përparësi shprehjes së sovranitetit të brendshëm, karshi përshtatjes me preferencat e SHBA. Po ashtu, Kurti udhëtoi për në SHBA për të marrë pjesë në konventën e Partisë Demokratike, ku u nominua Harris dhe, më herët në vitin 2024, shprehu shqetësime për një fitore të mundshme të Trump.

Pavarësisht se kush është në Shtëpinë e Bardhë, SHBA mbetet partner qendror për Kosovën, duke e mbështetur atë ushtarakisht, në ndihmat për zhvillim dhe fusha tjera. Dhe teksa BE e udhëheq procesin e dialogut me Serbinë, një proces që SHBA e mbështet, SHBA ende luan rol kyç në planin afatshkurtër për Kosovën dhe fqinjët e saj, duke u ndihmuar të ecin drejt anëtarësimit në BE në planin afatgjatë. Kjo mund të jetë arsyeja pse, pas fitores së Trump, si Kurti, ashtu edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shpejt e uruan Trump, madje Osmani pati mundësi të fotografohej me Trump dhe presidentin francez, Emmanuel Macron në rihapjen e katedrales “Notre Dame” në Paris.

Për shumë njerëz, fitorja e parë e Trump në vitin 2016 erdhi si tronditje. Fakti që fitoi ngushtë në Kolegjin Zgjedhor anti-mazhoritar mjaftoi për t’i bërë shumë njerëz të mendojnë se ajo fitore ishte një rastësi, një fitore e papritur, një çudi. Fitorja e tij në 2024 është ndryshe. Ai përmirësoi numrin e tij të votave brenda çdo grupi të madh demografik në SHBA, përveç njerëzve të bardhë me diploma universitare dhe, për dallim nga viti 2016, kur mënyra se si do të udhëhiqte si president ishte më pak e njohur, votuesit në vitin 2024 kanë ide të qartë se çka të presin.

Përzgjedhjet duket se janë deklarim i qartë i qëllimit dhe demonstrimit të forcës, një konfirmim i dominimit të Trump në Partinë Republikane.

Por edhe përkrahësit më të zjarrtë të Trump mund të mos e kenë parashikuar saktësisht përbërjen e njerëzve që i ka nominuar për pozitat më të larta. Këta nisin prej njerëzve të cilët s’do të ishte befasi t’i shihje në çdo administratë republikane, si sekretari i shtetit, Marco Rubio, deri tek drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, një demokrate e konvertuar. Ekipi i Trump përfshin gjithashtu një person pa përvojë politike si Elon Musk, një njeri shumë i pasur, për të cilin gazeta “The Economist” shkruan: “me siguri është i zgjuar, por vazhdimisht gjen mënyra të reja që të bëjnë të dyshosh”. Musk shpenzoi mbi 250 milionë dollarë për ta përkrahur fushatën e Trump dhe do ta drejtojë Departamentin e Efikasitetit Qeveritar (DOGE), që në fakt nuk është departament qeveritar dhe është emëruar sipas një fotografie tallëse (meme) rreth kriptovalutave, që për të fundit herë ishte qesharake kah viti 2015.

Përzgjedhjet duket se janë deklarim i qartë i qëllimit dhe demonstrimit të forcës, një konfirmim i dominimit të Trump në Partinë Republikane. Nominimi i shumë njerëzve, kualifikimi kryesor i të cilëve është gatishmëria të luftojnë për Trump me çdo kusht, e ka bërë të vështirë për anëtarët republikanë të Kongresit që ta sfidojnë Trump, teksa ai vazhdon ta ristrukturojë qasjen e partisë ndaj politikës së jashtme dhe një sërë temash tjera.

Çka do të shpaloset në muajt dhe vitet në vijim dhe çka do të thotë kjo për SHBA, botën në përgjithësi, apo për Kosovën në veçanti, mbetet pikëpyetje. Në këtë artikull, K2.0 synon ta trajtojë pyetjen e fundit, duke ofruar një pikëpamje se si përzgjedhjet e Trump për pozitat kyçe në politikën e jashtme mund t’i ndikojnë ose jo, marrëdhëniet e Kosovës me SHBA dhe pamjen më të gjerë të politikës së jashtme të Kosovës.

Marco Rubio, sekretar i shtetit

Prej të gjitha emërimeve të Trump, që kanë gjasa të jenë relevante për Kosovën, Rubio, një senator nga Florida që nga viti 2011, është më së paku i pazakontë. Edhe pse parashikimi i politikës në epokën Trump është detyrë së cilës zor t’i dilet në krye, Rubio ka më shumë gjasa të mbajë njëfarë kufizimi ndaj instinkteve më ekstreme izolacioniste dhe unilaterale të Trump. Në vitin 2023, Rubio mbështeti një dispozitë ligjore që ia ndalonte shprehimisht çdo presidenti të tërhiqej nga NATO pa miratimin e Kongresit, një veprim që synonte ta ngushtonte rrugën e Trump për t’u tërhequr nga NATO, veprim që, siç sugjerojnë deklaratat e tij të vazhdueshme, edhe mund ta ndërmarrë.

Përvoja personale e Rubios, si fëmijë i emigrantëve kubanë në SHBA — që shkuan në zonën e Miamit pak para Revolucionit Kuban të vitit 1959 — është ai lloji i ëndrrës amerikane së emigrantëve që është përkrahur, veçanërisht nga republikanët, për breza me radhë. Prejardhja familjare dhe formimi i tij politik midis politikave antikomuniste të Floridës Jugore, kanë bërë që Rubio të mbështesë historikisht një politikë të jashtme tradicionalisht të fuqishme, e cila u ngjan shumë viteve të ’90-a dhe fillimit të viteve 2000, periudhë kur Kosova ishte temë më e pranishme në SHBA dhe përjetoi si kostot, ashtu edhe përfitimet e një angazhimi të fuqishëm të SHBA.

Në vitin 2011, Rubio e quajti ushtrinë amerikane “një nga forcat më të mëdha të të mirave në botë gjatë shekullit të kaluar”, një forcë që “ndaloi nazizmin, komunizmin dhe akte të tjera këqija si spastrimi etnik serb”.

Në karrierën e tij politike, Rubio është përqendruar në politikën e jashtme, duke ruajtur interesat e SHBA ndaj armiqve të perceptuar si Kina, Kuba, Irani, Koreja e Veriut dhe Rusia dhe duke mbajtur marrëdhënie të ngushta me aleatët si Izraeli dhe Tajvani. Angazhimet e tij në komisione kanë përfshirë këto pozita: nënkryetar i Komisionit të Senatit për Inteligjencën dhe anëtar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë. Dhe përgjatë mandatit të tij në Senat, Rubio u takua me presidentin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, në vitin 2018, dhe Osmanin, presidenten aktuale, në vitin 2024, gjatë vizitave të tyre në SHBA.

Në vitin 2011, Rubio e quajti ushtrinë amerikane “një nga forcat më të mëdha të të mirave në botë gjatë shekullit të kaluar”, një forcë që “ndaloi nazizmin, komunizmin dhe akte të tjera këqija, si spastrimi etnik serb”. Në të njëjtën fjalim, ai argumentoi se “Ne mund të zgjedhim t’i shpërfillim problemet botërore, por problemet botërore nuk do të na shpërfillin neve”.

Argumente të tilla përshtateshin me Partinë Republikane të vitit 2011, parti që ishte ende pesë vite larg prej kohës kur Trump do t’i përmbyste dhe hidhte poshtë themelet e saj të politikës së jashtme. Pas më shumë se një dekade, këto argumente janë në kundërshtim me idetë izolacioniste të Trump. Rubio — i cili në vitin 2016 e quajti Trump “një mashtrues”, la të nënkuptohej se Trump kishte urinuar në pantallona gjatë një debati dhe nënkuptoi se Trump ka penis të vogël — është përshtatur përkitazi me rrethanat.

Për shembull, fillimisht mbështeti ndihmën ushtarake për Ukrainën, duke miratuar atë në maj 2022, por në vitin 2024, votoi kundër saj, si pjesë e përshtatjes me vizionin e Trump për kushtëzimin e ndihmës së ardhshme amerikane për Ukrainën, me arritjen e një marrëveshjeje paqeje. Kjo është pjesë e përqendrimit kryesor të Rubio dhe Trump e fuqive të mëdha me Kinën.

Për Rubio, ky përqendrim te Kina do të kërkonte që më pak burime dhe vëmendje nga Washington të drejtoheshin kah Evropa: “Mendoj se Kina do të donte që të jemi të zhytur në Evropë në një konflikt dhe të mos përqendroheshim në atë që po ndodh në Indo-Paqësor”, tha Rubio në fillim të nëntorit 2024. Gjersa kjo deklaratë lidhej kryesisht me luftën në Ukrainë, në Evropë është edhe Kosova. Mund të paramendohet që e njëjta logjikë mund të funksionojë edhe për Kosovës, nëse tensionet me Serbinë, në veri, vazhdojnë të përshkallëzohen.

Në këtë kuptim, mbetet të shihet çka nënkupton për Kosovën emërimi i Rubio. Ndryshe nga shefi i tij i ri, Rubio s’është izolacionist dhe është i përkushtuar ndaj ushtrimit të pushtetit të SHBA, të ngjashëm me atë që luajti rol vendimtar në ndërhyrjen në Kosovë në vitin 1999 dhe gjithçkaje, qoftë të mirë a të keqe, që erdhi si rezultat. Ai e mbështet fuqishëm anëtarësinë e SHBA në NATO dhe, marrë parasysh rolin e vazhdueshëm të NATO në udhëheqjen e KFOR, forcën paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë, kjo s’është diçka e parëndësishme për Kosovën.

Por, pavarësisht prapavijës institucionale, ai është shndërruar në një mbështetës të plotë të Trump. Duket e pagjasshme që ta kundërshtojë me të vërtetë Trumpin për diçka që, Trump ose dikush që ka ndikim te ai në momentin e caktuar e konsideron si të rëndësishme. Koha do ta dëshmojë nëse ndonjë çështje që lidhet me Kosovën do të bëhet e rëndësishme për Trump ose për këdo në rrethin e tij të ngushtë.

Richard Grenell, i dërguari presidencial për misione të veçanta

Me shumë gjasë asnjë emërim nuk u përcoll me aq shumë vëmendje në Kosovë sa ai i Richard Grenell, i cili në mandatin e parë të Trump, mbante titullin e madh dhe çorientues të të dërguarit të posaçëm presidencial për negociatat e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ishte gjithashtu ambasador në Gjermani dhe ushtrues detyre i drejtorit të Inteligjencës Kombëtare për disa muaj në vitin 2020. Grenell do të jetë i dërguari i Trump për misionet të veçanta në mandatin e dytë.

Mediet raportuan se Grenell e deshi postin e sekretarit të shtetit, madje duke u përpjekur t’i paguante ndikuesit konservatorë të rrjeteve sociale për ta shtyrë përpara emrin e tij për këtë pozitë, megjithatë kjo nuk është pozita në të cilën përfundoi. I dërguar për misione të veçanta nuk është një pozitë që ka ekzistuar më herët, kështu që, se çka saktësisht do të bëjë Grenell mbetet të shihet, por Trump përmendi Venezuelën dhe Korenë e Veriut si dy shembuj të “pikave më të nxehta në botë”, me të cilat është e gjasshme të angazhohet Grenell.

Gjatë mandatit të parë të Trump, stili bombastik i Grenell tërhoqi vëmendjen në Kosovë dhe përtej. Grenell ishte nxitës debatesh në rrjetet sociale shumë kohë para se Trump t’i hynte politikës, por ngritja në pozita të larta gjatë mandatit të parë të Trump forcoi më tej këto prirje të tij. Ai i fshiu kufijtë mes ngucakeqëve e ngacmuesve në internet dhe diplomacisë, duke sugjeruar që Liqeni i Ujmanit në Kosovë të riemërtohej “Liqeni Trump” dhe shokoi nikoqirët e tij në Berlin kur deklaroi se synonte t’i fuqizonte politikanët konservatorë në Evropë, për t’i sfiduar “politikat e dështuara të së majtës”.

Me gjasë kjo është arsyeja pse Trump, gjatë tubimit të tij të fundit elektoral, u shpreh se dita kur Grenell u largua nga Gjermania “ishte dita më e mirë në jetën e Angela”, duke iu referuar ish-kancelares gjermane Angela Merkel. K2.0 po shqyrton librin me kujtimet e Merkelit, i botuar së fundmi dhe deri më tani nuk ka gjetur ndonjë tregues nëse ajo ditë ishte apo jo, në fakt, dita më e mirë e jetës së saj.

Grenell, i cili është i përfshirë në zhvillimin e pasurive të paluajtshme në Serbi dhe Shqipëri me dhëndrin e Trump dhe thotë se komunikon rregullisht me presidentin serb, Aleksandar Vučić, siç po thuhet, do të përqendrohet në Ballkan po ashtu. Kjo vjen pasi pozita e tij e parë, si i dërguar i Trump, u karakterizua me përpjekjet për t’i “zgjidhur” marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, kryesisht nga një këndvështrim ekonomik, me gjasë me synimin për t’ia siguruar një fitore diplomatike Trumpit, që ta promovonte përpara zgjedhjeve të vitit 2020.

Kjo fitore e supozuar diplomatike erdhi me Marrëveshjen e Washingtonit të shtatorit të vitit 2020, e cila u mundësua vetëm pasi Grenell mund ta ketë shtyrë para rrëzimin e qeverisë së parë të Kurtit, për shkak të mungesës së gatishmërisë për ta pranuar marrëveshjen. Qeveria pasuese, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, përfundimisht e nënshkroi marrëveshjen, e cila përfshinte disa dispozita të paqarta, si diversifikimi i burimeve të energjisë, që të gjitha kontribuuan në krijimin e një përshtypjeje të “normalizimit ekonomik,” për aq kohë sa nuk shqyrtohej më thellë.

Në vazhdim, një fitore e Kurtit në zgjedhjet e ardhshme të Kosovës do të krijonte një rrugë përplasjesh mes Kurtit dhe Grenell.

Grenell ka ndërtuar armiqësi të veçantë me Kurtin dhe gjithnjë e më hapur është rreshtuar krah Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Ai ka bërë thirrje që të hiqen akuzat ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Kritikat e Grenell për akuzat ndaj tyre janë ashpërsuar për shkak se prokurori që ngriti akuzat kundër tyre në Hagë, Jack Smith, ka qenë gjithashtu këshilltar i posaçëm në Departamentin e Drejtësisë të SHBA, duke mbikëqyrur dy rastet federale kundër Trump.

Pas fitores së Trump, Smith paraqiti kërkesa për t’i tërhequr të dy rastet për shkak të një politike të mbajtur gjatë të Departamentit të Drejtësisë, që presidentët në pozitë nuk mund të ndiqen penalisht dhe dha dorëheqje në janar 2025. Në ditët e fundit të administratës Biden, Departamenti i Drejtësisë publikoi raportin e Smith lidhur me ndërhyrjen e Trump në zgjedhje, ku mbështetej vendimi për të ngritur akuza dhe thuhej se provat e mbledhura do të kishin çuar në dënimin e Trump.

Në vazhdim, një fitore e Kurtit në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, do të krijonte një rrugë përplasjesh mes Kurtit dhe Grenell, nëse ky i fundit vendos ta përqendrojë sërish vëmendjen te Kosova dhe Serbia. Grenell, bashkë me djalin dhe këshilltarin e afërt të Trump, Donald Trump Jr., vitet e fundit i kanë kaluar duke bërë thirrje për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova, nëse Kurti vazhdon me “veprimet e tij të njëanshme” dhe “shpërfilljen e kërkesave të komunitetit ndërkombëtar”.

Gjatë fushatës, Grenell i tha një grupi votuesish serbo-amerikanë se një administratë e dytë Trump do ta prioritizonte Ballkanin dhe do të kërkonte ta çonte Serbinë, së bashku me “të gjithë në Ballkan,” përpara. Pyetja për Kosovën është se a do të përfitonte nga të qenit prioritet i Trump, në mënyrën se si Grenell e sheh këtë prioritizim.

Në anën tjetër, ndoshta e gjithë retorika e ashpër e Grenell kundër Kurtit dhe mbështetja për Serbinë ka qenë thjesht fjalim fushate, që ka synuar t’i fitojë disa vota serbo-amerikane në shtete të pavendosura si Wisconsin. S’duhet harruar, krejt në fund, Grenell organizoi po ashtu një “ngjarje bashkimi shqiptaro-amerikane për Trump” në Michigan, me Trump Jr. dhe këngëtarët/et, Yll Limani dhe Bleona Qereti.

Tani që mban një pozitë të njohur botërisht, ndoshta Grenell s’do të ketë interes për Ballkanin përtej interesave të tij biznesore. Në fund të ditës, nuk është një rajon që ka farë ndikimi të madh në Shtetet e Bashkuara, duke zgjedhur që të angazhohet në çështje më të rëndësishme dhe më të rrezikshme, nga pikëpamja e SHBA, si në Gadishullin Korean, Venezuelë, Izrael/Palestinë dhe në Siri.

Në anën tjetër, Grenell mund të kthehet sërish në rajon dhe të përpiqet ta detyrojë Kosovën të arrijë një marrëveshje kompromisi me Serbinë, ndoshta duke e kushtëzuar vazhdimin e pranisë ushtarake amerikane ose ndihmën për zhvillim. Vërtet, në shkurt të vitit 2024, Trump postoi në rrjetet sociale: “S’duhet të japim kurrë më para pa shpresuar se do të na shpaguhen ose pa vendosur ‘kushte’”.

Matthew Whitaker, përfaqësues i përhershëm në NATO

Trump shpalli Matthew Whitaker si të nominuarin e tij për përfaqësues të përhershëm të SHBA në NATO në mesin e valës së hershme të nominimeve. Në SHBA, lajmi e solli ndërmend vitin 2018, kur Trump u tha gazetarëve “Nuk e njoh Matt Whitaker”, teksa Whitaker ishte ushtrues detyre i prokurorit të përgjithshëm. Po ashtu, kjo ndodhi një muaj pasi Trump mori pjesë në një emision të “Fox News” dhe u shpreh: “ju siguroj se Matt Whitaker është njeri i mrekullueshëm, dua të them, e njoh Matt Whitaker”.

Whitaker, ndër të tjera, ishte anëtar i bordit këshillues të një kompanie që promovonte tualete burrash me organe gjenitale të gjata dhe teknologji për udhëtime në kohë. Kompania po ashtu u hetua nga FBI si mashtrim.

Teksa iu drejtua një publiku që kishin veshur bluza të bardha me logon e PDK dhe një fotografie të Veselit dhe Trump bashkë, Whitaker lavdëroi kontributin e supozuar të Veselit kundër korrupsionit.

Megjithatë, në Kosovë, emri i Whitaker solli kujtimet e një ngjarjeje tjetër, atë të vitit 2019. Whitaker, i cili në atë kohë nuk ishte ushtrues detyre i prokurorit të përgjithshëm, shkoi në Gjilan me Veselin e PDK-së, në një tubim elektoral para zgjedhjeve të atij viti në Kosovë. Teksa iu drejtua një publiku që kishin veshur bluza të bardha me logon e PDK dhe një fotografi të Veselit dhe Trump bashkë, Whitaker lavdëroi kontributin e supozuar të Veselit kundër korrupsionit. Ai po ashtu u tha votuesve të mundshëm se “opsionet tuaja alternative janë të rrezikshme” dhe një qeveri nën udhëheqjen e atyre alternativave — duke nënkuptuar VV — do t’i kërcënonte marrëdhëniet me SHBA. Ai pati një përqafim të ngrohtë me Veselin, i cili më pas nisi fjalimin e tij duke thënë “miku im i dashur Matt, faleminderit shumë” në anglisht.

PDK gjatë fushatës së saj në vitit 2019 e pagoi Sam Nunberg, një ish-ndihmës të Trump, 110,000 dollarë për dy muaj e gjysmë punë këshilluese, një tjetër shembull i lidhjeve mes partisë dhe personave të lidhur me Trump. Nunberg, një profesionist për fushata, ishte punësuar dhe shkarkuar disa herë nga Trump dhe përfundimisht u shkarkua për herë të fundit nga fushata presidenciale e Trump në vitin 2016, për shkak të postimeve të tij jashtëzakonisht raciste dhe fyese në rrjetet sociale.

Në terma afatgjatë, Kosova kërkon të anëtarësohet në NATO dhe para zgjedhjeve që po afrohen, disa parti politike janë zotuar se do të punojnë që Kosova të anëtarësohet në aleancë. Udhëheqësit/et e Kosovës i kanë bërë thirrje SHBA që t’i përshpejtojnë përpjekjet e vendit që të anëtarësohet. Megjithatë, edhe me mbështetjen e SHBA, për të mos përmendur rolin qendror të SHBA në aleancë, zgjerimi kërkon unanimitet, kështu që, njohja e pavarësisë së Kosovës nga katër shtetet mosnjohëse të NATO — Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja — është një parakusht i pashmangshëm.

Në këtë kuptim, Whitaker duket të jetë enigmë sa i përket pozitës së tij në NATO, marrë pasur parasysh faktin se ka përvojë minimale diplomatike apo ushtarake dhe faktin që ka shërbyer në pozita që lidhen me të zbatimit të ligjit gjatë kohës së tij në qeveri. Teorikisht, ai mund të jetë mjet për t’i realizuar teket Trump dhe zëri i tij në selinë e NATO, pasi ka qenë mbështetës i fortë i Trump dhe mund ta falënderojë presidentin e ardhshëm për ngritjen e tij në skenën kombëtare.

Në anën tjetër, ai mund ta ndjek rrugën e Kay Bailey Hutchinson, përfaqësueses së përhershme në NATO gjatë mandatit të të parë të Trump. Hutchinson arriti të mbante një imazh pa skandale dhe ta kryente punën, ndaras nga komentet e herëpashershme të çrregullta apo pajtimit të tij me llafet e rivalit të NATO, presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Thënë këtë, Hutchinson, zyrtare republikane e zgjedhur për shumë vite, e cila kaloi 20 vjet si senatore nga Teksasi dhe ishte në Komitetin e Shërbimeve të Armatosura të Senatit, ishte dukshëm më e kualifikuar se Whitaker dhe mund ta kryente punën në mënyrë më të pavarur për aq kohë sa vëmendja e Trump ishte diku tjetër.

Një kapitull i ri në marrëdhëniet Kosovë-SHBA?

Zyrtarë/e të tjerë/a të administratës si i nominuari për sekretarin e mbrojtjes, Pete Hegseth dhe drejtorja e Inteligjencës Kombëtare, Gabbard, si figura qendrore në aparatin ushtarak dhe diplomatik të SHBA, mund të luajnë po ashtu role që mund të jenë relevante. Hegseth ka tatuazhe të lidhura me nacionalizmin kristian dhe sipas “New Yorker”, bërtiti “Vritni të gjithë myslimanët! Vritni të gjithë myslimanët!” në një kafiteri në vitin 2015.

Gabbard, ndërkohë, u largua nga Partia Demokratike në tetor 2022 për shkak të pikëpamjes së saj se partia është nën “kontrollin e plotë të një grupi elitar luftënxitës të udhëhequr nga një vetëdije frikacake” që po “na çojnë gjithnjë e më shumë drejt një lufte bërthamore”.

Në vitin 2016, ajo postoi në Twitter një artikull të “New York Times” që i referohej Kosovës si një “shoqëri dikur tolerante muslimane në skajin e Evropës”, që ishte kthyer në “një strumbullar të ekstremizmit islamik dhe kanal për xhihadistët”. Pas nominimit të saj si drejtore e Inteligjencës Kombëtare, postimi në Twitter, bashkë me një video ku hiqeshin kryqe nga një kishë ortodokse, u shpërnda nga një regjisor serbo-kanadez, i cili e përgëzoi dhe e falënderoi që “po përhapte të vërtetën lidhur me ekstremizmin” në Kosovë, duke përfunduar me “Së bashku, mund ta bëjmë Kosovën përsëri serbe”.

Ai regjisor ka punuar për medie të financuara nga Rusia në Ballkan dhe vetë Gabbard u ka bërë jehonë medieve të propagandës ruse, që fajësojnë Ukrainën dhe NATO për pushtimin e Rusisë në Ukrainë dhe mbrojnë presidentin e rrëzuar së fundmi të Sirisë, Bashar al-Assad.

Këto veprime nuk duken shumë premtuese për Kosovën, një vend me një shumicë myslimane, megjithatë është e vështirë të paramendohet që Hegseth apo Gabbard të shpenzojnë shumë nga koha e tyre duke u marrë me çështje që lidhen me Kosovën.

Më shumë se secili në rrethin e Trump, paparashikueshmëria e Musk mund të ketë ndikim në Kosovë. Ndikimi i Musk te Trump dhe përfshirjet e tij të fundit në politikën evropiane — duke mbështetur hapur dhe fuqishëm të djathtën ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe duke u përpjekur ta largojë Nigel Farage nga pozita e udhëheqësit të partisë së djathtë ekstreme, Reform UK — mund të ofrojnë model për përfshirje të ardhshme në Kosovë.

Prania e Starlink në Kosovë i ofron potencialisht Musk një përparësi domethënëse në rast se zgjodhet në në një mëngjes dhe vendos ta formësojë politikën e Kosovës.

Musk duket se ka vëmendjen e Trump, të paktën për momentin. Ai rriti ndikimin e tij të mundshëm në Kosovë në dhjetor 2024, kur shërbimi i tij i internetit satelitor, Starlink, u bë i qasshëm. Aktivizimi i Starlink u mirëprit nga Osmani përmes  X, platformë që, sigurisht, është po ashtu në pronësi të Musk. Prania e Starlink në Kosovë i ofron potencialisht Musk një përparësi domethënëse në rast se zgjohet në një mëngjes dhe vendos ta formësojë politikën e Kosovës.

Musk më parë ka ngjallur zemërim me postimet në Twitter për ngjashmëritë mes Kosovës dhe rajonit të Donbasit të Ukrainës. Kjo shkaktoi reagime nga figura si biznesmeni dhe politikani kosovar Behgjet Pacolli. Pacolli duket se ia ka falur Musk, duke postuar i lumtur një fotografi të tij dhe Musk, duke festuar fitoren elektorale të Trump në nëntor 2024.

Për fund, Jeffrey Hovinier, ambasadori i SHBA në Kosovë që nga janari 2022, u pensionua në dhjetor të vitit 2024. Hovinier ishte ambasador gjatë një periudhe të trazuar të marrëdhënieve SHBA-Kosovë. Gjatë mandatit të tij, Kosova u sanksionua nga SHBA dhe shpesh kritikoi qeverinë e Kosovës për veprime të perceptuara si “të njëanashme”, siç ishte ndalimi i përdorimit të dinarit serb dhe njoftimi se planifikonte ta hapte urën kryesore në Mitrovicë për trafik të veturave.

Derisa të emërohet dhe konfirmohet ambasadori/ja i/e ri/e, përfaqësuesja më e lartë e SHBA në Kosovë është Anu Prattipati, e cila ka përvojë të gjerë ndërkombëtare, por përvojë më të kufizuar të përfshirjes në Ballkan.

Për shkak të të gjithë këtyre faktorëve, Hovinier tha në gusht 2024 se partneriteti i SHBA me Kosovën “s’ishte ai që e shpresonim”. Kushdo që të jetë pasardhësi/ja i/e Hovinier, do t’i duhet të përballet me pasojat e sulmit në kanalin e ujit në Zubin Potok, ose t’i rivendosë marrëdhëniet me qeverinë Kurti me një mandat të ri ose t’i fillojë nga fillimi me një qeveri të re.

Prandaj, ka shumë të ngjarë që Rubio, Grenell dhe Whitaker të luajnë role kryesore në përcaktimin e angazhimit të Trump me rajonin dhe Evropën më gjerësisht. Ata janë pjesë jashtëzakonisht e vogël e mbi 4,000 pozitave të plotësuara nga të nominuarit/at nga presidenti, mbi një e katërta e të cilave duhet të konfirmohen nga Senati. Megjithatë, ata/o do të përfliten nga shumë kosovarë/e, pasi cilado qeveri që do të dalë fituese nga zgjedhjet e vitit 2025 në Kosovë, do t’i duhet të ndërtojë marrëdhënie me administratën e dytë Trump në Shtëpinë e Bardhë.

 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.