Pikëpamje | Politika

Pa të drejta të njeriut s’ka demokraci

Nga , - 19.02.2025

Keqbërja politike pengon të drejtat e barabarta LGBTQ+.

Kur Albin Kurti mori detyrën si kryeministër i Kosovës, në vitin 2021, pas një fitoreje të thellë zgjedhore, shumë persona LGBTQ+ në Kosovë e panë këtë si mundësi për progres të prekshëm në drejtim të barazisë në të drejta. Qeveria e Kurtit, mbështetur në premtimet për reforma dhe drejtësi, ofroi shpresë për një të ardhme më gjithëpërfshirëse.

Katër vjet pas, pakënaqësia dhe zhgënjimi në mesin e komunitetit queer në Kosovë janë të pranishme kudo, pasi Kurti ende nuk ka dëshmuar udhëheqësinë e nevojshme për ta drejtuar vendin drejt një të ardhmeje me ideale progresive.

Ky dështim është i dukshëm në rastin e zvarritjes së draft-Kodit Civil, i cili përfshin një nen, që u hap udhë ligjore bashkësive civile mes personave të të njëjtin seks. Ligjvënës homofobë brenda vetë partisë së Kurtit, Lëvizjes Vetëvendosje (VV), e kanë penguar vazhdimisht miratimin e tij, qoftë duke abstenuar, qoftë duke e kundërshtuar hapur. Veprimet e tyre janë pjesë e një modeli të theksuar të arrogancës patriarkale, ku barazia paraqitet si kërcënim, në vend që të shihet si domosdoshmëri për demokraci.

“Hajt se bohet mirë,” dikur ishte shprehja shpresëdhënëse për shqiptarët që jetonin nën sundimin shtypës serb në Kosovë. Ndërkaq, sot, për një numër në rritje qytetarësh është shndërruar në një shprehje boshe. Dekada të tëra zgjedhjesh dhe ndryshimesh në udhëheqësi kanë prodhuar rezultate fatkeqësisht të njohura: rritje të kostos së jetesës, paga të pamjaftueshme, pensione jashtëzakonisht të ulta dhe përparim thuajse jo-ekzistent në të drejtat e LGBTQ+.

Personat LGBTQ+ në Kosovë, të cilët përballen me diskriminim të vazhdueshëm teksa nismat për të drejta të barabarta pengohen, e përjetojnë këtë realitet çdo ditë. Kjo është kritikë e fortë ndaj një udhëheqësie që udhëhiqet nga ambiciet personale dhe interesat vetjake, në vend që të angazhohet për mirëqenien e të gjithë qytetarëve/eve, përfshirë ata/o të komuniteteve të margjinalizuara.

Gjatë bisedave tona me katër anëtarë/e të komunitetit LGBTQ+ në Kosovë — Mustafë Berisha, Arlinda Morina, e njohur profesionalisht si Liki, Brianka dhe Queen Maggy — u formua një konsensus i vrenjtur: keqqeverisja ka mbetur e pandëshkuar, teksa pengesat ndaj qasjes në të drejta të barabarta vazhdojnë të mos sfidohen.

Kosova pas zgjedhjeve

Pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, kosovarët po përballen me një mëdyshje të njohur. Politikanët vazhdojnë ta premtojnë transformimin, por në realitet sjellin keqmenaxhim dhe mungesë shqetësuese të llogaridhënies. Fushatat zgjedhore vazhdojnë të mbështeten në premtime të përgjithshme dhe tërheqëse, si dhe në klishe rreth integrimit në BE, krijimit të vendeve të punës dhe investimeve sociale — të mjegullta në përmbajtje, por efektive për t’i joshur votuesit/et.

Ndërkohë, udhëheqësia e vendit vazhdon të shpërfillë shqetësimet e qytetarëve/eve në sektorë qenësorë si shëndetësia, infrastruktura dhe arsimi. Mungesa e një sistemi publik të kujdesit shëndetësor i detyron shumë qytetarë ta shtyjnë ose të heqin dorë nga trajtimi mjekësor për shkak të kostos, ndërsa nxënësit — që kalojnë vetëm gjysmën e ditës në shkollë — vazhdojnë të renditen nën mesataren e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) në vlerësimet ndërkombëtare. Njëkohësisht, ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike mbeten problem kronik, që dëshmon se infrastruktura nuk arrin t’i përmbushë kërkesat e kohës moderne.

Komuniteti LGBTQ+ në Kosovë, fushatën e fundit zgjedhore e përjetoi si proces të zgjatur të fshirjes dhe shpërfilljes.

Te grupet e margjinalizuara, veçanërisht brenda komunitetit LGBTQ+, pakënaqësia është edhe më e shprehur. Komuniteti LGBTQ+ në Kosovë, fushatën e fundit zgjedhore e përjetoi si proces të zgjatur të fshirjes dhe shpërfilljes. Mediokriteti, si në retorikë ashtu edhe në vizion, dominoi peizazhin politik, por më shqetësuesja ishte mungesa e çdo njohjeje apo avokimi për kosovarët/et queer — diçka veçanërisht dëshpëruese.

Në të gjithë spektrin politik, asnjë parti nuk guxoi ta mbështeste përpjekjen e komunitetit LGBTQ+ për barazi, e lëre më ta integronte atë në agjendën e vet politike. Kjo heshtje pasqyron hezitim të gjatë dhe të rrënjosur për ta përqafuar gjithëpërfshirjen në të gjitha format e saj brenda strukturave të pushtetit në Kosovë. Fushata nxori në pah pozitën e pasigurt të kosovarëve/eve queer dhe realitetet e tyre të përditshme të ballafaqimit me një sistem që jo vetëm s’ua njeh të drejtat, por madje as ekzistencën.

Përjashtim bën, sigurisht, Koalicioni për Familje, i njohur për kundërshtinë e ashpër ndaj të drejtave të LGBTQ+, të cilit iu shqiptuan 24,000 euro gjoba, për përdorim të gjuhës diskriminuese ndaj komunitetit LGBTQ+ gjatë fushatës së fundit zgjedhore — fushatë në të cilën nuk ia doli ta siguronte as edhe një ulëse në Kuvend. Gjobat, të shqiptuara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), erdhën si pasojë e ankesave të paraqitura nga dy organizata avokuese për LGBTQ+, CEL Kosova dhe Dylberizm. PZAP konstatoi se retorika e partisë shkelte Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Të drejtat e LGBTQ+ si matës i demokracisë

Përpjekja për të drejta të barabarta reflekton fuqishëm sepse nëse ne nuk avokojmë për veten, kush do ta bëjë këtë? Berisha, i njohur publikisht si pjesë e dyshes “Mustafa & Qerkica” dhe njëri nga aktivistët pionerë për të drejtat e LGBTQ+, i cili, mes gjithë trazirave të viteve të ’90-a, e ktheu shtëpinë e tij në një strehë për personat LGBTQ+, e sheh angazhimin e Kurtit për të drejtat e LGBTQ+ si të pamjaftueshëm.

“Prania e Kurtit në një paradë [të Krenarisë] s’ndryshon asgjë”, tha ai. “Barazia nuk arrihet me slogane apo simbolikë — duhet të bëjë më shumë në këtë përpjekje. Derisa të shohim reforma ligjore dhe mbrojtje të njëmendtë, ne vazhdojmë të konsiderohemi si qytetarë të dorës së dytë në vendin tonë”.

Armiqësia e ligjvënësve ndaj njohjes së të drejtave të LGBTQ+ pasqyron një shpërfillje të qëllimshme. Në rastin e Kurtit, kjo është gjithashtu shenjë e mungesës së vullnetit për t’i kundërshtuar anëtarët e partisë së tij, të cilët e kanë penguar progresin. Vendimi i Kuvendit të Kosovës për ta emëruar Duda Baljen nga Unioni Socialdemokrat, një parti boshnjake, dhe Labinotë Demin-Murtezin nga VV, në pozita kryesore mbikëqyrëse në komisione për të drejtat e njeriut, pavarësisht kundërshtimit të tyre të mirëdokumentuar ndaj të drejtave të barabarta, forcon normën e përjashtimit dhe diskriminimit.

Berisha e sheh rezistencën e politikanëve/eve ndaj të drejtave të barabarta si pengesë për përparimin demokratik.

Një kundërshti kaq thellë e rrënjosur, e kombinuar me mungesën e guximit politik në mesin e atyre që mund ta ndalin, ka pasoja domethënëse. Kosova renditet nën mesataren, me 47 nga 100 pikë në Indeksin e Barazisë LGBT të Equaldex, që vlerëson mbrojtjen ligjore dhe qëndrimet publike. Pavarësisht garancive kushtetuese për barazi para ligjit (neni 24) dhe ndalimit të diskriminimit (neni 22), personat LGBTQ+ në Kosovë mbeten të margjinalizuar. Ndërsa martesat mes personave të së njëjtit seks s’janë të adresuar në mënyrë të qartë, mbrojtjet kushtetuese për privatësinë dhe jetën familjare në nenin 36 ofrojnë bazë ligjore për njohjen e strukturave familjare të ndryshme.

Berisha e sheh rezistencën e politikanëve/eve ndaj të drejtave të barabarta si pengesë për përparimin demokratik. “Të themi se jemi demokraci nuk do të na hapë asnjë derë nëse nuk e justifikojmë këtë titull”, tha ai. Demokracia ndërtohet mbi vlera të përbashkëta — sundimi i ligjit, të drejta të barabarta, liria e shtypit. Për Kosovën, përmbushja e këtyre standardeve nuk është opsionale; është qenësore nëse njëmend duam t’i mbrojmë vlerat demokratike”. Qeveria e Kurtit, ashtu si ato para saj, ka dështuar në këtë drejtim — veçanërisht në të drejtat e personave LGBTQ+, që përbëjnë tregues kyç të demokracisë në çdo vend.

Teksa korrupsioni dhe mungesa e llogaridhënies për dështimet politike janë kthyer në normë, personat LGBTQ+ dhe grupet e tjera të margjinalizuara kanë qenë viktimat kryesore.

Përpjekja për barazi nxjerr në pah dështimet e vazhdueshme dhe është e pandashme nga problemet më të gjera, si kriza ekonomike dhe paqëndrueshmëria politike, duke reflektuar dështimet strukturore që vazhdojnë ta pengojnë progresin. Shkalla e lartë e papunësisë dhe varësia nga remitencat kanë nxitur emigrimin, teksa mundësitë e punësimit brenda vendit nuk ofrojnë asnjë stimul për të qëndruar. Në të njëjtën kohë, trazirat politike janë kthyer në një përditshmëri lodhëse, me koalicione të cenueshme dhe rivalitete mes udhëheqësve që paralizojnë qeverisjen.

Teksa korrupsioni dhe mungesa e llogaridhënies për dështimet politike janë kthyer në normë, personat LGBTQ+ dhe grupet e tjera të margjinalizuara e pësojnë më së shumti. “Sistemi politik i Kosovës shpërblen besnikërinë dhe patronazhin para meritës dhe progresit. Është sistem i ndërtuar bazuar në lidhje shoqërore e nepotizëm, i cili braktis komunitete të margjinalizuara si yni”, tha Liki, regjisore, skenariste dhe aktiviste e zëshme për të drejtat e LGBTQ+.

Në vitin 2023, Freedom House — një organizatë kërkimore me seli në Washington D.C., që monitoron demokracinë, liritë politike dhe të drejtat e njeriut në mbarë botën — e klasifikoi Kosovën si “pjesërisht e lirë”, me notë globale të lirisë prej 60 nga 100 pikë, duke e vendosur atë në gjysmën e poshtme të renditjes globale. Ky rezultat theksoi shqetësimet rreth qeverisjes, lirisë së shprehjes dhe të drejtave themelore.

Përtej hezitimit për ta mbrojtur barazinë dhe liritë për të gjithë, mandati i Kurtit është përcjellë me shpërfillje të kritikave të medieve dhe një përpjekje për ta forcuar kontrollin në veri të Kosovës. Kosova ra për 19 vende në Indeksin e Lirisë së Shtypit 2024 të Reporterëve pa Kufij, ndërsa veprimet e Kurtit shkaktuan një sërë përplasjesh me partnerët ndërkombëtarë, duke e kthyer sërish Kosovën te kriza politike që ndodhet në qendër të paqëndrueshmërisë së vazhdueshme në rajon.

Qeverisja e Kurtit, e bazuar kryesisht në kriza — si nxitja e tensioneve me serbët e Kosovës para zgjedhjeve, duke penguar komunat që nuk kontrollohen nga partia e tij, përballja me sanksionet e BE dhe konfliktet me punonjësit e sektorit publik — i bën dëm vendit. Marrëdhëniet gjithnjë e më të tensionuara të Kosovës me aleatët kryesorë ndërkombëtarë rrezikojnë t’i kushtojnë vendit vite qëndrueshmërie, duke forcuar perceptimin e jashtëm të Kosovës si shtet vazhdimisht i zhytur në kriza. Këto janë pasoja të pritshme të një udhëheqësi nacionalist, i formësuar nga vite të tëra politike përçarëse.

Keqmenaxhim ekonomik

Pabarazitë socio-ekonomike në Kosovë përkeqësohen edhe më tej nga një elitë politike e shkëputur nga realiteti i përditshëm i qytetarëve të zakonshëm. Teksa Kurti e promovoi si sukses rritjen e pagës minimale nga 170 në 350 euro në muaj — pikërisht pak para zgjedhjeve të vitit 2025 — këto ndryshime prekën vetëm sipërfaqen e boshllëkut të madh mes premtimeve për përparim dhe realitetit të bllokuar politik. Në një vend ku pensioni bazik është vetëm 120 euro, kostoja e produkteve esenciale, e krahasueshme me atë të vendeve të tjera evropiane me të ardhura mesatare shumë më të larta, vazhdon ta bëjë jetesën gjithnjë e më të papërballueshme për qytetarët.

A i kuptojnë figurat si Kurti apo ministri i financave, Hekuran Murati, vështirësitë e përditshme të kosovarëve të zakonshëm? Apo janë aq të shkëputur prej realitetit të jetës së përditshme, saqë nuk arrijnë më t’i kuptojnë vështirësitë e familjeve që luftojnë për të mbijetuar?

Shkëputja në rritje mes klasës politike të privilegjuar dhe qytetarit të zakonshëm të bën ta shtrosh pyetjen: A i kuptojnë figurat si Kurti apo ministri i financave, Hekuran Murati, vështirësitë e përditshme të kosovarëve të zakonshëm? Apo janë aq të shkëputur prej realitetit të jetës së përditshme, saqë nuk arrijnë më t’i kuptojnë vështirësitë e familjeve që luftojnë për të mbijetuar?

Brianka dhe Queen Maggy, dy mbretëresha drag të njohura dhe performuese të respektuara brenda komunitetit LGBTQ+ në Kosovë, janë ndër personat që shprehin zhgënjimin e tyre ndaj politikave ekonomike të qeverisë.

“Pse ndodh që, zgjedhje pas zgjedhjesh, pavarësisht se kush është në pushtet, qytetarët ende nuk përfitojnë nga rritja ekonomike?” pyeti Queen Maggy, e zhgënjyer. Brianka u pajtua me këtë shqetësim, duke theksuar se Kosova mbetet një nga vendet më të varfra në Evropë, me paga dhe Bruto Produktin Vendor (BPV) për kokë banori që mbeten shumë prapa vendeve të tjera.

Të dhënat ekonomike “e ngjyrosin realitetin më qartë se ngjyra e buzëkuqit të një mbretëreshe drag!” thotë Queen Maggy, menjëherë duke shtuar: “Sinqerisht, me pagën minimale të vitit 2023 s’do të kisha mundësi të blija as qerpikë fallco — element qenësor për një mbretëreshë drag!” Mendimet e saj, të shprehura me plot humor, pasqyrojnë realitetin serioz: ndarja ekonomike në Kosovë nuk është thjeshtë çështje pabarazie financiare, por edhe dështim më i thellë i qeverisjes, i cili vazhdon të ushqejë padrejtësi të institucionalizuara.

Këto pakënaqësi janë pjesë e një frustrimi më të thellë ndaj dështimit të udhëheqësisë politike për të adresuar çështje kritike.

“Është koha që Kosova të bëhet pikë tërheqëse për investitorët botëror”, tha Queen Maggy, duke i bërë thirrje Kurtit të përqendrohet te problemet urgjente — krijimi i vendeve të punës dhe zhvillimi ekonomik, integriteti gjyqësor, sundimi i ligjit, varfëria, barazia dhe mirëqenia sociale — në vend që ta vazhdojë ciklin e pafund politik të krizave. “Krijo një mjedis që bërtet: ‘Ejani investoni këtu; është më sigurt se një mbretëreshë drag në një fustan me xixa!’”

Brianka shprehu zhgënjime të ngjashme, duke kritikuar qeverinë për dështimin në tërheqjen e investimeve ndërkombëtare dhe mungesën e përpjekjeve për ta bërë Kosovën më tërheqëse për investitorët — një dështim që, sipas saj, është i lidhur drejtpërdrejt me mungesën shqetësuese të përparimit në të drejtat e barabarta. “Për ta kuptuar sa të paditur janë këta politikanë, bllokimi i të drejtave të barabarta është vetëm maja e akullnajës”, thotë Brianka.

Ajo shprehu keqardhjen për kaosin në Prishtinë, duke përmendur qentë endacakë që bredhin rrugëve, veturat që bllokojnë trotuaret dhe kalimtarët që detyrohen të ecin në mes të rrugës, sikur të ishin modele në një pasarelë në Milano. “E mbeturina?” pyeti ajo, “Ka kudo!” Më shumë se çdo gjë tjetër, kjo shpërfillje e progresit shoqëror dhe menaxhimit urban nxjerr në pah mungesat e mëdha në qeverisje.

Ta luftosh mungesën e kompetencës, jo barazinë

Të drejtat e barabarta janë trajtuar si çështje e parëndësishme, të shpërfillura nga një klasë politike që na sheh si periferikë, të mbështjellë në një rrjet pakënaqësish të vjetra dhe indiference. Ky refuzim për të vepruar s’është diçka e re; është mungesë e rrënjosur e vullnetit për t‘i adresuar padrejtësitë që përballet një komunitet i margjinalizuar.

Urgjenca për ndryshim domethënës s’ka qenë kurrë më e pranishme. Një ndryshim i tillë varet nga një bashkëpunim të paprecedent mes udhëheqësve/eve dhe qytetarëve/eve — një baraspeshim i ndjeshëm i nevojshëm për ta nxitur një transformim të qëndrueshëm. Për Berishën dhe shumë kosovarë/e të tjerë/a, kjo pikëpamje duket ende e largët.

Megjithatë, Berisha mbetet zë i guximshëm, duke i nxitur udhëheqësit e Kosovës ta rishqyrtojnë kundërshtinë e tyre ndaj të drejtave të barabarta — një shtyllë qenësore e demokracisë — dhe t’i kundërshtojnë problemet sistemike që vazhdojnë ta pengojnë përparimin. “Derisa ata që janë në pushtet të pranojnë seriozitetin e situatës dhe të reflektojnë në këtë drejtim, aspiratat e Kosovës për një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë do të mbeten ëndërr e largët”, thotë ai.

Përparimi i njëmendtë kërkon përpjekje të përbashkët për ta përqafuar barazinë dhe të drejtat e njeriut për të gjithë.

Nëse qeveria dështon përsëri ta miratojë një Kod Civil që përfshin bashkësitë civile mes personave të së njëjtit seks, atëherë gjykatat mund të shndërrohen në një rrugë të rëndësishme për të garantuar barazinë si gurthemel i demokracisë dhe për ta arritur drejtësinë e vonuar prej kohësh. Për komunitetin LGBTQ+ në Kosovë, sistemi ligjor në zhvillim ofron një fije shprese —një mundësi për ta sfiduar diskriminimin e institucionalizuar dhe për ta anashkaluar ngërçin legjislativ.

Në vitin 2019, një fitore historike në gjykatë për ndryshim të shënjuesit të gjinisë tregoi se ligjet e Kosovës mund të sfidohen në emër të të drejtave të LGBTQ+, dhe paditësit/et mund të fitojnë. Nëse ligjvënësit nuk veprojnë, veprimet ligjore mund të ndërmerren sërish, këtë herë për bashkësitë civile mes personave të të njëjtit seks dhe barazinë martesore.

Në mandatin e ardhshëm, pavarësisht se cilat parti do ta përbëjë qeverinë, Kosova ka një mundësi për t’u shkëputur nga ngecja, korrupsioni, mungesa e përparimit dhe trazirat, të cilat kanë përcaktuar politikën e saj prej vitesh. Përparimi i njëmendtë kërkon përpjekje të përbashkët për ta përqafuar barazinë dhe të drejtat e njeriut për të gjithë.

 

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.