E drejta për të pasur një proces të rregullt ligjor brenda një afati të arsyeshëm është e garantuar nga Neni 6.1 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Neni 31.2 i Kushtetutës së Kosovës. Nga pikëpamja e statistikave, kjo e drejtë është e drejta që shkelet më shpesh nga gjykatat e rajonit dhe ato të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës. Një fakt i tillë konfirmohet nga një shqyrtim qoftë edhe sipërfaqësor i vendimeve të gjykatave kushtetuese të rajonit dhe nga numri tejet e lartë i ankesave pranë Gjykatës së Strasburgut mbi këtë bazë.
Problemi i tejzgjatjes së procedurave ligjore ekziston edhe në Kosovë. Megjithatë ndryshe nga simotrat e saj në rajon dhe Evropë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës deri më sot nuk ka gjetur asnjë shkelje të së drejtës për një proces ligjor brenda një afati të arsyeshëm. Madje, nga funksionalizimi i saj në vitin 2009 deri në vitin 2016 asnjë palë nuk rezulton të jetë ankuar pranë kësaj gjykate për kohëzgjatjen e procedurave juridike.
Megjithëse arsyet pse nuk ka pasur aktgjykime dhe ankesa të tilla pranë Gjykatës Kushtetuese janë tejet interesante (mungesa e besimit, lodhja me procedurën pranë gjykatave të rregullta, mungesa e kompensimit financiar në rast suksesi etj.), ato nuk përbëjnë objektin e kësaj analize. Ajo çfarë meriton vëmendje këtu është mënyra se si Gjykata Kushtetuese e neglizhoi mundësinë e parë dhe të vetme deri më sot për të identifikuar dhe adresuar problemin e tejzgjatjeve të procedurave ligjore.
Në pajtim me rregullat procedurale, AKM fillimisht përpiloi një listë të përkohshme ndaj të cilës punëtorët e pakënaqur kishin të drejtë të parashtronin ankesë pranë vetë AKM-së.
Në datën 12 maj 2017 Gjykata Kushtetuese publikoi aktvendimin në rastin e parashtruesve Qazim Bytyqi dhe të tjerët. Duke u ankuar për tejzgjatjen e procedurave ligjore, parashtruesit e ankesës e detyruan Gjykatën të përballet për herë të parë me një nga problemet më kronike të gjyqësorit kosovar: kohëzgjatjen e paarsyeshme të procedurave ligjore.
Pasi pyeti ankuesit nëse kanë dorëzuar parashtresa “urgjence”(përmes të cilave palët i kërkojnë gjykatës ta përshpejtojë procëduren), pasi mori në konsideratë datën e nisjes dhe përfundimit të procedurës, kompleksitetin e çështjes dhe numrin e konsiderueshëm të ankuesve, gjithsej 98, Gjykata mbërriti në përfundimin se kohëzgjatja prej “6 (gjashtë) vjetësh e 9 (nëntë) muajsh nuk mund të konsiderohet e paarsyeshme”.
Si arsyetimi ashtu edhe konkluzioni i Gjykatës lënë vend për një mori kritikash.
Mosmarrëveshja
Ankuesit në rastin konkret kanë pasur një mosmarrëveshje me një organ administrativ (Agjencia Kosovare e Mirëbesimit – AKM) lidhur me ekzistencën e të drejtës së tyre për të qenë pjesë e listave të punëtorëve që përfitojnë nga fondi i ashtuquajtur i 20% i ndërmarrjes shoqërore “Mustafë Goga”. Si rregull, një punëtor i ndërmarrjes ka të drejtë të përftojë nga fondi në fjalë, pra të përshihet në listën e 20%-shit, nëse ai ka qenë i regjistruar si punëtor i ndërmarrjes në momentin e privatizimit ose likuidimit (cilido është kryer i pari) dhe ka qenë në listën e pagave të ndërmarrjes për të paktën tre vjet. Megjithatë, punëtori i cili nuk i plotëson këto kritere mund të përftojë nga fondi nëse diskualifikimi i tij është bërë në baza diskriminuese. Pra, thelbi i mosmarrëveshjes ishte plotësimi apo jo i tri kritereve të mësipërme nga ankuesit.
Në pajtim me rregullat procedurale, AKM fillimisht përpiloi një listë të përkohshme ndaj të cilës punëtorët e pakënaqur kishin të drejtë të parashtronin ankesë pranë vetë AKM-së. Pas shqyrtimit të ankesave të tilla AKM publikoi listën përfundimtare ndaj të cilës punëtorët kishin të drejtë të parashtronin ankesë në Dhomën e Posaçme. Vlen të theksohet se Dhoma e Posaçme eshtë një gjykate e specializur në cështje te ngjashme dhe është e përbëre nga dy instanca që mund të krahasohen për të krijuar një ide të pergjithshme me Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Supreme.
Pra, për ta zgjidhur këtë mosmarrëveshje parashtruesit nuk kanë pasur të drejtën t’i drejtohen drejtpërdrejt gjykatave por kanë qenë të detyruar të parashtrojnë një ankesë pranë organit administrativ, AKM. Këtë ankesë pranë organit administrativ që shënonte fillimin e procedurës ata e kanë ushtruar në qershor 2007 kur ka qenë afati i fundit për parashtrimin e ankesave ndaj listës së përkohshme të punëtorëve të publikuar nga AKM.
Përfytyroni për një moment një mosmarrëveshje që ju mund të keni sot me një punëdhënës, universitet, komshi, bankë, partner biznesi apo bashkëshort, me organet tatimore apo administrative. Nëse ju dorëzoni një padi në gjykatë muajin e ardhshëm, pra në qershor 2017 – përgjigjja përfundimtare e shqetësimit tuaj mund të vijë 6 vjet e 9 muaj më vonë: në mars të vitit 2024.
Duke qenë se ankesa administrative nuk rezultoi e suksesshme, parashtruesve u lindi e drejta të parashtrojnë një ankesë ‘gjyqësore’ për rivendosjen e të drejtave të tyre, ankesë të të cilën ata e kanë dorëzuar pranë Dhomës së Posaçme në korrik 2009 sipas afatit të përcaktuar në listën përfundimtare të publikuar nga AKM. Kjo ankesë rezultoi e suksesshme në shkallën e parë (aktgjykimi i vitit 2013) dhe të dytë (aktgjykimi i datës 16 mars 2016) të Dhomës së Posaçme.
Përmes një komunikate për media, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP – pasardhësja e AKM-së) e njoftoi publikun më 2 gusht 2016 se aktgjykimi është ekzekutuar.
Tempus fugit
Siç u theksua më lart, Gjykata Kushtetuese përcaktoi datën e nisjes dhe përfundimit të procedurës dhe pasi shqyrtoi gjithashtu kompleksitetin e çështjes dhe numrin e madh të ankuesve, mbërriti në përfundimin se 6 vjet e 9 muaj është një kohëzgjatje e arsyeshme.
Edhe sikur kohëzgjatja reale e procedurës të kishte qenë 6 vjet e 9 muaj, një kohëzgjatje e tillë nuk mund të konsiderohet kurrsesi e arsyeshme. Për të kuptuar më mirë çdo të thotë kjo, përfytyroni për një moment një mosmarrëveshje që ju mund të keni sot me një punëdhënës, universitet, komshi, bankë, partner biznesi apo bashkëshort, me organet tatimore apo administrative. Nëse ju dorëzoni një padi në gjykatë muajin e ardhshëm, pra në qershor 2017 – përgjigjja përfundimtare e shqetësimit tuaj (sipas standardit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese) mund të vijë 6 vjet e 9 muaj më vonë: në mars të vitit 2024. Pavarësisht justifikimeve si numri i palëve, gjyqtarëve, kompleksiteti i çështjes etj, nuk ka asgjë të arsyeshme në një kohëzgjatje të tillë.
Sikur të mos mjaftonte kjo, kohëzgjatja prej 6 vjet e 9 muaj e procedurës së ankuesve kundër AKM-së është llogaritur gabimisht nga Gjykata Kushtetuese. Kohëzgjatja reale e saj është rreth 9 vjet.
Data e nisjes
Në paragrafin 55 të aktvendimit të saj, Gjykata Kushtetuese ka gjetur se data e nisjes se procedurës së ankuesve kundër AKM-së është muaji korrik 2009 kur ankuesit kanë parashtruar ankesën pranë Dhomës së Posaçme.
Ky përcaktim është i gabuar pasi ankesa e muajit korrik 2009 nuk është veprimi i parë procedural që ankuesit kishin ndërmarrë në këtë rast. Veprimi i parë procedural i ankuesve ishte ankesa që ata kishin dorëzuar në organin administrativ (AKM) në muajin qershor 2007. Kjo ankesë administrative nuk përmendet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese megjithatë duke qenë se ushtrimi i ankesës administrative është parakusht ligjor për pranueshmërinë e ankesës së mëvonshme në gjykatë, atëherë mund të supozojmë me siguri të lartë që ankuesit e kanë kryer këtë veprim.
Arsyeja e shëndoshë duhet ta shtynte Gjykatën Kushtetuese të merrte parasysh të gjithë kohën që ankuesit kanë humbur në pritje të përgjigjes ndaj kërkesave të tyre, përfshirë këtu edhe kohën e shpenzuar përballë organit administrativ (AKM).
Duke konsideruar se procedura në shqyrtim kishte nisur në korrik 2009, Gjykata Kushtetuese ka shumëzuar me zero periudhën 25 mujore që ka kaluar nga qershori 2007 (dorëzimi i ankesës administrative ndaj listës së përkohshme pranë organit administrativ) deri më korrik 2009 (dorëzimi i ankesës gjyqësore pranë Dhomës së Posaçme).
Një parantezë e shkurtër është e domosdoshme në këtë pikë. Për qëllime studimi, organizimi apo thjesht për të luftuar monotoninë, juristët i kanë vendosur mbiemra shumëngjyrësh procedurave juridike. Kështu për shembull, kemi procedurën administrative (gjyqësore dhe jo gjyqësore), civile e penale, procedurën e ekzekutimit etj. Megjithatë, këto kategorizime plot imagjinatë kanë një rëndësi dytësore kur bëhet fjalë për përllogaritjen e kohëzgjatjes se arsyeshme sipas Konventës EDNJ apo Kushtetutës. Me fjalë të tjera, në përllogaritjen e kohëzgjatjes së procesit për qëllimet e Konventës EDNJ dhe Kushtetutës, ajo çfarë është e rëndësishme është e gjithë koha që ka rrjedhur nga veprimi i parë procedural i ankuesit deri në ditën kur pretendimet e tij janë ekzekutuar plotësisht (në rast suksesi të padisë) ose janë refuzuar përmes një aktgjykimi përfundimtar. As emri i organit (gjykatë, agjenci, përmbarues) as ai i procedurës juridike nuk kanë rëndësi në këto raste. Pra, vlerësimi i kohëzgjatjes nuk kufizohet vetëm tek procedura ngushtësisht gjyqësore por përfshin çdo lloj tjetër procedure që është e ndërlidhur. Fundi i parantezës.
Arsyeja e shëndoshë duhet ta shtynte Gjykatën Kushtetuese të merrte parasysh të gjithë kohën që ankuesit kanë humbur në pritje të përgjigjes ndaj kërkesave të tyre, përfshirë këtu edhe kohën e shpenzuar përballë organit administrativ (AKM). Përveç arsyes së shëndoshë, këtë përfundim e dikton edhe jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut e cila ka theksuar vazhdimisht që megjithëse si rregull i përgjithshëm për llogaritjen e kohëzgjatjes, një procedurë gjyqësore fillon në momentin e dorëzimit të aktit të parë procedural pranë gjykatës kompetente, kohëzgjatja e procedurës administrative përfshihet në përllogaritje kur ushtrimi i ankesës administrative ka qenë parakusht për nisjen e procedurës gjyqësore (siç është rasti këtu). Këtë qëndrim Gjykata e Strasburgut e ka mbajtur në çështjet e KÖNIG vs. Gjermani (paragrafi 98), X. vs. Francë (paragrafi 31) dhe Kress vs. Francë (paragrafi 90).
Data e përfundimit
Në paragrafin 56 të aktvendimit të saj, Gjykata Kushtetuese ka gjetur se data e përfundimit të procedurës në fjalë është 16 mars 2016 kur Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme i ka pranuar si të bazuara në ligj dhe prova pretendimet e ankuesve dhe ka dhënë aktgjykimin përfundimtar mbi çështjen.
Ata që e kuptuan parantezën e mësipërme do të duhej ta kishin të qartë se pse edhe ky përfundim i Gjykatës Kushtetuese është i pasaktë.
Qëllimi përfundimtar i ankuesve në fjalë nuk ka qenë vetëm të përftojnë një aktgjykim nga Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme (sado interesant qoftë ky dokument nga pikëpamje të ndryshme). Përftimi i një aktgjykimi të tillë është vetëm një mjet i ndërmjetëm për të arritur qëllimin përfundimtar që është përftimi i shumave nga fondi i 20%-shit. Pra, asgjë nuk është mbyllur për ankuesit në datën 16 mars 2016. Çështja është zgjidhur për ankuesit vetëm në datën kur llogaritë e tyre bankare janë kredituar me shumat përkatëse nga fondi i 20%-shit.
Edhe ky përfundim mbështetet në jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut e cila në çështjen Jarreau vs. Francë (paragrafi 27) ka përcaktuar se “përfundimi i një procedure kohëzgjatja e të cilës po vlerësohet nën këndvështrimin e Nenit 6.1 është momenti kur e drejta e kërkuar realizohet në mënyrë efektive”.
Tejzgjatja e procedurave gjyqësore nuk është një problem vetëm i sistemit juridik të Kosovës por është një problem jashtëzakonisht i përhapur në rajon dhe në të gjitha shtetet Këshillit të Evropës.
Për këtë arsye Gjykata Kushtetuese duhet të kishte kërkuar informacione nga organet kompetente dhe ankuesit lidhur me ekzekutimin e aktgjykimit përfundimtar dhe ta shtrinte përllogaritjen e kohëzgjatjes se procedurës deri në ditën e ekzekutimit të plotë të aktgjykimit të plotfuqishëm. Duke përcaktuar datën e nxjerrjes së aktgjykimit si ditën e fundit të procesit ligjor, Gjykata Kushtetuese ka lënë jashtë përllogaritjes se saj një periudhë kohore që (edhe pse e shkurtër) duhej përfshirë në përllogaritje për të krijuar një jurisprudencë koherente dhe në përputhje me standartet e Gjykatës së Strasburgut.
Për shkak të kësaj mangësie data e saktë e ekzekutimit të aktgjykimit përfundimtar në këtë çështje nuk shfaqet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ajo që është e qartë është se aktgjykimi është ekzekutuar diku midis 16 marsit 2016 (data e nxjerrjes) dhe 2 gushti 2016 (data e komunikatës për media të AKP-së). Nëse konsiderojmë me përafërsi se ekzekutimi ka ndodhur në qershor 2016, kohëzgjatja totale e procedurës që nisi në qershor 2007 është rreth 9 vjet.
Imagjinoni edhe njëherë tani padinë tuaj të qershorit 2017 dhe zgjidhjen e saj që sapo u shty për në qershorin e largët të vitit 2026.
Vazhdim dhe mbyllje
Këto më sipër janë vetëm dy nga dobësitë e shumta të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Dobësitë e tjera janë të një natyre teknike e procedurale dhe si të tilla të papërshtatshme për t’u diskutuar në detaj këtu. Megjithatë, shumë shkurtimisht mund të thuhet se kompleksiteti i çështjes nuk duket aq i lartë sa lë të kuptohet Gjykata Kushtetuese dhe se fakti që ankuesit ishin të shumtë, është menduar si mënyrë për ta bërë procedurën më të shpejtë e jo për të justifikuar vonesën e saj. Gjithashtu, ankuesi i parë, i dyti e kështu me radhë, nuk mund të ndëshkohet me vonesë për shkak se disa dhjetëra persona të tjerë kanë vendosur gjithashtu të ankohen.
Më tej, edhe pesha që Gjykata Kushtetuese duket se i jep “urgjencave” është shqetësuese duke marrë parasysh që “urgjenca” nuk është një mjet i procedural i mirëfilltë por një shpikje e palëve që tentojnë të bindin gjykatat se çështja e tyre duhet të ketë përparësi ndaj çështjeve të palëve të tjera pavarësisht cila padi është dorëzuar më parë në gjykatë!
Në përmbyllje, kjo analizë do ishte e paplotë dhe e pandershme nëse nuk përmenden edhe disa fakte kyçe lidhur me kontekstin.
Së pari, tejzgjatja e procedurave gjyqësore nuk është një problem vetëm i sistemit juridik të Kosovës por është një problem jashtëzakonisht i përhapur në rajon dhe në të gjitha shtetet Këshillit të Evropës madje edhe tek vetë Gjykata e Strasburgut e cila me joefikasitet dhe hipokrizi dështon rregullisht të respektojë standardet kohore që ajo vetë u imponon gjykatave të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës.
Së dyti, këto rreshta nuk synojnë të drejtojnë gishtin e fajit drejt organeve administrative apo gjykatave të përfshira në çështjen konkrete. Zgjidhja e problemit të tejzgjatjes së procedurave është ende larg dhe askush nuk synon apo pretendon me seriozitet ta zgjidhë nga sot nesër.
Megjithatë, ajo çfarë mund të bëhet dhe duhet bërë është identifikimi i problemit dhe jo mbyllja e syve duke e quajtur të pastër dhe të afatshme një procedurë juridike mbi të cilën rëndon pluhuri ndotës i 9 viteve të fundit. Këtë konstatim Gjykata Kushtetuese mund dhe duhet ta bënte patjetër duke iu dhënë mesazhin gjykatave të rregullta se problemi ekziston dhe duhet adresuar. Në këtë drejtim, Gjykata Kushtetuese humbi një mundësi të artë për të diagnostikuar këtë sëmundje që i zgjat jetën procedurës por shkurton atë të nismëtarit të saj.
Foto kryesore: Majinda Hoxha / K2.0.