Në një konferencë të mbajtur në Prishtinë javën e kaluar u analizuan çështjet e privatësisë së të dhënave dhe rreziqet gjithnjë më të mëdhaja që i kanosen të drejtave dhe lirive të njeriut në epokën digjitale.
Konferenca e titulluar “Një Agjende të Përbashkët për të Drejtat Digjitale” u bashkëorganizua nga OJQ-të lokale Lens dhe Qendra e Kosovës për Bashkëpunim Ndërkombëtar, dhe ishte pjesë e një projekti më të madh që është financuar nga Bashkimi Europian, të cilin Lens është duke e drejtuar në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile, që i japin prioritet të drejtave të njeriut në epokën digjitale në punën e tyre të përditshme.
Pjesëmarrës javën e kaluar ishin përfaqësues prej organizatave të mëdha ndërkombëtare që punojnë në fushën e privatësisë digjitale nëpër Europë dhe botë, përfshirë Privacy International, Demos, Big Brother Watch dhe Digital Rights Ireland. Përkrah tyre ishin edhe ekspertë prej institucioneve lokale, si Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, Fondacioni I Kosovës për Shoqëri të Hapur dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, si dhe hulumtues nga University of Lund në Suedi dhe Universiteti i Prishtinës.
Bardha Ahmeti nga orginazata Lens, tha për K2.0 se pjesëmarrësit ishin zgjedhur me kujdes për të garantuar ekspertizë të gjerë botërore. “Duam që të mësojmë prej tyre, të krijojmë lidhje me ta, dhe t’i kuptojmë pikëpamjet që ata i sjellin në bazë të përvojave të tyre”, tha ajo.
Shpërthimi i internetit në Kosovë
Një prej çështjeve kyçe që u ngritën gjatë konferencës dy-ditore ishte kapaciteti institucional për t’u marrë me rritjen e depërtimit të internetit në Kosovë në 15 vitet e fundit; diku 76 përqind e familjeve kosovare raportohet të kenë qasje në internet, shifër e krahasueshme me vende që kanë ekonomi më të zhvilluara.
Sfondi informativ në Kosovë gjithashtu po ndryshon me rritjen e nivelit të përdorimit të rrjeteve sociale. Vetëm Facebook-un e përdorin 850,000 kosovarë – një shkallë depërtimi gati 50 përqind.
Por kjo rritje e telekomunikimit dhe teknologjisë informative ka ndodhur përkrah mungesës së madhe të informatave në lidhje me privatësi të të dhënave, institucioneve të pazhvilluara dhe të prirura për t’i keqpërdorur këto të dhëna që i sjellin teknologjitë e reja, si dhe mungesës së madhe të ligjeve për mbrojtje të të dhënave, që janë të nevojshme për të siguruar kontrollin e qytetarëve mbi informatat e tyre.
Në mesin e të ftuarve të konferencës ishin Vjollca Cavolli nga Kosovo ICT Association, Edin Omanovic nga Privacy International dhe Miranda Kajtazi nga University of Lund. Foto: Lorina Hoxha / K2.0.
Vjollca Cavolli, drejtoreshë ekzekutive e Kosovo ICT Association, argumentoi në një prej diskutimeve në panel duke thënë se institucionet kosovare nuk kanë qenë të gatshme për rritjen e trendit sa i përket depërtimit të internetit, dhe se në një epokë në të cilën informata është gjëja më e fuqishme në botë, individët dhe organizatat nuk dinë se si ta mbrojnë atë.
Edin Omanovic, hulumtues në Privacy International që studion eksportimin e teknologjive të mbikëqyrjes, tha për K2.0 se niveli i lartë i lidhjes sot në Kosovë bënë që të mblidhen forma të reja të të dhënave. “Një sasi masive e të dhënave është duke u mbledhur, por shumë pak kuptohet për atë se si po ndodh kjo mbledhje, dhe si po përdoren ato të dhëna”, tha ai.
Kjo mungesë e kuptimit bëhet problem, meqë sistemet e telekomunikimit bëhen më të avancuara dhe më të përhapura, duke prodhuar të dhëna për neve për të cilat shpeshherë nuk jemi të vetëdijshëm. Të dhënat e tilla janë lokacionet, transaksionet me kredit kartelë, kërkimet në internet për miqtë e marrëdhëniet tona – këto të dhëna tregojnë në hollësi se kush jemi: ku shkojmë, në çka i shpenzojmë paratë, në çka besojmë, sa jemi të shëndetshëm, në çfarë komunitete bëjmë pjesë, dhe çfarë interesa kemi.
Gjatë konferencës disa ekspertë theksuan se fuqizimi i ligjeve për mbrojtje të të dhënave mund të ndihmojë me mbrojtjen e qytetarëve. Një video e shkurtër e Privacy International i përshkroi mënyrat se si ligjet e fuqishme për mbrojtje të të dhënave mund të diktojnë se kush është i autorizuar për qasje, grumbullim dhe përdorim të të dhënave tona, kur dhe për çfarë qëllime mund t’i bëjnë këto, dhe për sa gjatë mund t’i mbajnë. Ajo video gjithashtu e përmbledhi atë se si legjislacioni mund ta themelojë të drejtën e subjektit për të mos ndarë të dhëna, të drejtën për të mësuar se çfarë do të bëhet me ato të dhëna, dhe mundësinë për ta sfiduar përdorimin e tyre.
U bë e qartë që pa ligje të fuqishme për mbrojtje të të dhënave, të dhënat personale janë të prekshme ndaj keqpërdorimit dhe abuzimit, jo vetëm prej kompanive private që kërkojnë përfitim me anë të të dhënave të klientëve, por edhe prej qeverive e forcave policore.
E ardhme europiane
Sa i përket zhvillimit të ligjeve për mbrojtje të të dhënave, Kosova është duke e analizuar baënën ligjore të BE-së. Në prezantimin e saj për mbrojtje të privatësisë, Miranda Kajtazi diskutoi për Rregullat e Përgjithshme të BE për Mbrojtje të të Dhënave, që do të zbatohen në maj 2018, e që për synim kanë që t’i japin qytetarëve më shumë kontrollë mbi përdorimin e të dhënave të tyre, si dhe standardizimin e rregullave për mbrojtje të të dhënave në të gjitha shtetet anëtare të BE.
Ahmeti tha për K2.0 se BE ka dhënë mbështetje për institucionet në Kosovë, sa i përket çështjes së mbrojtjes së të dhënave personale, dhe harmonizimit dhe përmirësimit të strukturave ligjore.
Kosova e miratoi Ligjin për Mbrojtje të të Dhënave Personale me 29 prill, 2010, por sipas Ahmetit, në përpjekje për t’i harmonizuar politikat kombëtare me rregullat që po zbatohen në BE, aktualisht janë duke u bërë amendamente për këtë ligj, në mënyrë që t’i përshtatet më mirë strukturave të BE.
Ka pasë vështirësi sa i përket përmbajtjes ndaj strukturave të BE në të kaluarën. Në 2015, qeveria e Kosovës e propozoi Projektligjin për Përgjim të Komunikimeve Elektronike në Komitetin Parlamentar të Integrimit Evropian. Sipas Shoqatës Europiane për të Drejta Digjitale, ky ligj u refuzua, për shkak të disa dispozitave problematike, përfshirë një e cila kërkonte themelimin e një sistemi për përgjim të pavarur brenda Agjencisë së Intelegjencës në Kosovë, që do ta lejonte këtë agjenci që t’i përdorë të dhënat e ofruara prej Kompanive të Telekomunikimit dhe Operatorëve të Rrjetit me mbikëqyrje minimale.
Edin Omanovic i Privacy International beson se është shumë e rëndësishme që publiku të jetë i informuar mirë për rreziqet e shfrytëzimit të të dhënave. Foto: Lorina Hoxha / K2.0.
Shikimin para
Komisioni Europian raporton se prej vitit 2016 Kosova ka përparuar sa i përket mbrojtjes së të dhënave. Rritja e nivelit të ndërgjegjes publike ka bërë që të dërgohen më shumë ankesa në Agjencinë Kombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, e kështu është shtuar edhe numri i inspektimeve.
Pas prezantimit të tij në konferencë, Omanovic tha për K2.0 se synimi përfundimtar është që të informohet mirë publiku për rreziqet e shfrytëzimit të të dhënave, në mënyrë që qeveria të detyrohet që ta zbatojë mbrojtjen ashtu si duhet. Pra qasja është edhe prej lart poshtë, e edhe prej poshtë lart, meqë institucionet kompetente janë të nevojshme për zbatimin e rregullave, por popullata e informuar është gjithashtu e nevojshme për krijimin e kërkesës për këto rregulla në rradhë të parë, sepse ato vështirë që zbatohen pa presion publik.
E siç tha në një prej diskutimeve me panel Miranda Kajtazi, asistente në University of Lund, ndonëse është shqetësuese aftësia e kufizuar dhe e akumuluar e institucioneve kosovare për t’u marrë me forma të reja të të dhënave, ajo gjithashtu ofron një mundësi: nëse ata nuk dinë se si t’i përdorin, ne kemi mundësi që t’i japim formë normave dhe pritjeve në lidhje me mbrojtjen e të dhënave në shoqërinë tonë të re, mundësi që u humb kryesisht në perëndim.K
Foto kryesore: Lorina Hoxha / K2.0.