Siç na e kanë përkujtuar me zor temperaturat e padurueshme gjatë javës që lamë pas, vera na erdhi te dera. Derisa, shumëkush e merr rrugën për në bregdetin e Shqipërisë dhe të Malit të Zi, ka gjithashtu shumë arsye për të qëndruar në Kosovë sidomos për festivalet që gufojnë në stinën e nxehtë.
Për Kosovën kurrë nuk mund të thuhet se është e vdekur dhe e strukur nga dielli gjatë stinës së verës. Duke filluar nga kjo javë e deri në fillim të shtatorit do të kemi një varg festivalesh të ndryshme të cilat do të organizohen pothuajse çdo fundjavë. Ky është top 10-shi.
3 korrik – 3 tetor
Festivali i Arkitekturës në Kosovë (në nivel vendi)
Festivali i Arkitekturës në Kosovë nisi të hënën, por nëse nuk vonohesh ende mund t’i përcjellësh ngjarjet më të shquara të programit, që përfshin ekspozita, punëtori, diskutime, shfaqje të filmave, dhe ligjerata. Shumica e ngjarjeve zhvillohen në ditët në vijim në Prishtinë, duke përfshirë edhe serinë e ligjeratave në Muzeun e Kosovës që sjellë ligjerues nga mbarë bota dhe fillon sonte (6 korrik). Një vizitë arkitekturore e Prishtinës parashihet për fundjavën tjetër, pra për të shtunën, 15 korrik.
Programi vazhdon edhe gjatë muajit gusht dhe shtrihet në krejt Kosovën, me një varg projeksionesh të filmave në Pejë e Prizren. Në shtator festivali udhëton në Gjakovë, ku është paraparë një program pesëditor nga 10 deri më 15 shtator, dhe po gjatë këtij muaji do të hapet një ekspozitë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.
6-8 korrik,
NGOM Fest (Prizren)
NGOM Fest kthehet me edicionin e tij të shtatë, me festivalin muzikor me dy skena që tani organizohet çdo vit në kalanë e bukur historike të Prizrenit që nga viti 2011.
Ky edicion mbledh një llojllojshmëri artistësh në skenën kryesore. E enjtja është e rezervuar për hip-hop, ndërsa nikoqir i mbrëmjes do të jetë P.I.N.T-i i MC Kreshës, ku do të paraqitet edhe vetë Kresha me Lyrical Son-in. Rok grupi suedez Eldorado do të performojë të premten, ndërsa nikoqir të mbrëmjes do të jenë disa grupe të zhanrit indie, rok e metal nga Ballkani. Muzika elektronike do ta pushtojë skenën kryesore të shtunën, me DJ-in nga Berlini Milton Bradley me fjalën kryesore.
Skena e agimit do të ketë disa DJ të cilët do të performojnë deri në orët e para të mëngjesit për tri net me radhë, me zhanrin drum ’n’ bass të enjten, dhe house e techno të premten dhe të shtunën.
13-20 korrik
PriFest (Prishtinë)
Pas dy vitesh plot vështirësi, Prishtina International Film Festival është shndërruar në një festival veror vjen me edicionin më të madh e më interesant se asnjëherë më parë.
Festivali nis më 13 korrik kur do të shfaqet filmi i koproduksionit kosovaro-holandez “Unwanted” edhe në Teatrin Kombëtar edhe në Sheshin Zahir Pajaziti, që është shtuar si skenë e hapur e festivalit, së bashku me amfiteatrin e Muzeut Kombëtar.
Festivali sivjet do të ketë gara në katër kategori për film të metrazhit të mesëm, film dokumentar, film artistik europian, si dhe programi i filmave ballkanik “Honey and Blood”. Secili film në të katër kategoritë do të shfaqet për herë të parë në Kosovë, ku përfshihet edhe një numër premierash botërore. Jashtë garës do të ketë edhe projeksione të veçanta, duke përfshirë një fokus në kinemanë turke, si dhe programi “Let It Be”, i cili i kushtohet çështjeve të komunitetit LGBT, si dhe një numër premierash kosovare të filmave shqiptarë. Programin e plotë mund ta gjesh këtu.
Përveç filmit, ky festival gjithashtu ka filluar t’i qaset fushave tjera artistike. ‘PriBeats’ do të nisë në natën e 14 korrikut dhe do të sjellë DJ veteranë nga Parisi e Berlini në Parkun e Gërmisë, ku do të performojnë së bashku me DJ vendorë, duke përfshirë Hajdar Berishën. Natën e dytë në po këtë vend do të organizohet një koncert tjetër në patronazhin e këtij festivali:“Light & Dust: Song of Prishtina”, ku do të perfomojë Lindja, bendi underground prishtinas i viteve të 80-a, me mbështetjen e disa talentëve më të shquar të skenës muzikore të Prishtinës në vitet e fundit, duke përfshirë reperin Taste2, bendin Oborri, si dhe bendin konceptual punk Me Tnjofshëm.
14 & 15 korrik,
Into the Park Festival (Pejë)
Into the Park shënon edicionin e tij të gjashtë këtë verë, duke sjellur edhe njëherë muzikë alternative dhe eksperimentale në zemët të Pejës, në Parkun Karagaq. Ende nuk janë bërë të ditur artistët që do të marrin pjesë, megjithëse festivali ka zbuluar se paketat speciale janë në dipozicion për pjesëmarrësit e festivalit për t’i shtuar përvojës së tyre elemente të turizmit malor, me oferta për t’i vizituar disa atraksione të qytetit të Pejës, parkun e aventurave, ecje në bjeshkët e Rugovës, si dhe hipje në një rrotullamë gjigante.
23-30 korrik
Green Festival (Mitrovicë)
Green Festival në Mitrovicë është zgjeruar gjatë dekadës së fundit, dhe tani përfshin Festivalin e Muzikës Green, Kinemanë e Hapur Green, panair punëdoresh, si dhe diskutime e akcione mjedisore nga grupet rinore në mbarë qytetin.
Programi përfundimtar ende nuk është bërë publik, por shikoje kohë pas kohe këtë faqe të Facebook-ut për më shumë detaje rreth festivalit, i cili përpiqet ta rrisë vetëdijen dhe t’i zbusë tensionet etnike në këtë qytet, krahas zbavitjes dhe argëtimit.
4-12 gusht
DokuFest (Prizren)
Baba i krejt festivaleve, Dokufesti kthehet me edicionin e tij të 16 këtë gusht. Tema e këtij edicioni është ‘E ardhmja’ — sfidat, paqartësitë dhe shpresat për të.
Si gjithmonë, filmat do të jenë bërthamë e programit artistik të festivalit, dhe Dokufesti tashmë e ka bërë publik programin e muzikës në film, që do të përmbajë filma për artistët si Nick Cave, Oasis, si dhe filmin për performancën e rok bendit slloven Laibach në Korenë e Veriut. Lista e plotë e filmave që do të shfaqen në kinematë e shumtë të festivalit në hapësira të mbyllura dhe të hapura do të publikohet më 10 korrik.
Megjithatë, me ekspozita, ligjërata, punëtori, diskutime e muzikë drejtëpërdrejtë anëkend qytetit, do të ketë shumë arsye për të bërë plane puer ta kaluar një pjesë të kësaj vere në Prizren.
K2.0 edhe njëherë është partner zyrtar medial i festivalit dhe do t’i mbulojë të gjitha ngjarjet gjatë nëntë ditëve sa zgjat festivali.
11 gusht – 3 shtator
Etno Fest (Kukaj)
Për katër javë rresht në fshatin Kukaj afër liqenit të Badovcit, Festivali Etno Fest sjell kulturën tradicionale shqiptare dhe përpiqet ta rilidhë shoqërinë kosovare, sidomos gjeneratat e reja, me vlerat e saj. Festivali përfshin shfaqje dhe perfomansa teatrore, ekspozita dhe instalacione, koncerte, rite arkaike si dhe performansa tjera – krejt të bazuara në traditat shqiptare. Java e parë nis më 11-33 gusht derisa ngjarjet përfundimtare parashihen të përmbyllen më 1-3 shtator.
14-20 gusht,
Anibar (Pejë)
Peja ka pasur një vit shumë interesant, ku komuniteti artistiku iu është kundërvënë forcave të privatizimit në lidhje me pronësinë e kinemasë. Anibar ka ndihmuar në udhëheqjen e kësaj beteje, dhe ‘Kthimi i së drejtës mbi qytetin’ është përgjedhur si temë e festivalit të sivjetëm ndërkombëtar të animacionit, Anibar.
Rreth 280 filma do të shfaqen gjatë një jave në kinematë anembanë Pejës, duke përfshirë edhe kinemanë e shumëpërfolur Jusuf Gërvalla si dhe kinemanë e famshme të festivalit pranë liqenit me barka me ajër. Vizito faqen e Facebook-ut të festivalit për informacione në lidhje me programin, posaçërisht në lidhje me garën e studentëve, e cila, sipas organizatorëve, do të grumbullojë shumë pjesëmarrës.
19 gusht
Visions of Beyond (Harilaq)
Promotorët prishtinas të njohur si “Hapësira’ janë bërë sinonim i organizimit të ndejave në vende të reja, interesante. Visions of Beyond është festivali i tyre dhe ikja nga qyteti, ku trashëgiminë kulturore vihet në pah së bashku me pasionet tipike të grupit për artin dhe muzikën elektronike.
Festivali do ta shënojë edicionin e tij të dytë në Kalanë e Harilaqit, fortesë romake e cila ofron pamje të mrekullueshme të peisazhit rrethues. DJ-ët nga Suedia dhe Shqipëria tashmë janë bërë publikë, derisa pritet të vijë edhe një numër mysafirësh vendorë e ndërkombëtarë për t’i dhënë kolonë zanore ndejës nga mesdita e deri në 6 të mëngjesit të ditës së ardhshme.
7-10 shtator
Hardh Fest (Rahovec)
Në fund të verës, kur rrushi tashmë është pjekur për t’u vjelur, Komuna e Rahovecit në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural organizon festivalin Hardh Fest, i cili synon t’i promovojë vreshtat rajonale të Rahovecit.
Edhe kësaj radhe pritet që me mijëra vizitorë ta vërshojnë rajonin e vreshtave të Kosovës, për të mësuar gjithçka në lidhje me rrushin, për t’i provuar produktet lokale dhe për t’u kënaqur me muzikë e me valle në skenën kryesore të festivalit jashtë qytetit. Programi i plotë i këtij viti do të bëhet publik së shpejti.K
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.