A keni pasur ndonjëherë dëshirë të mos gjykoheni në bazë të kombësisë apo etnisë? A keni menduar ndonjëherë se si do të ishte po të mos ishim të detyruar ta zbulonim këtë identitet të imponuar, si për shembull, “jam italian”, ose “jam kinez”, ose “jam kosovar”?
Çështja e kufijve është e vjetër sa vetë njerëzimi, dhe nëse ke pasaportë kosovare, atëherë padyshim i ndien telashet e kufijve fizikë, dhe izolimin që vjen si rrjedhojë e ekzistimit të tyre. Por ka edhe kufij tjerë; kufij në mes të zonave urbane dhe rurale, në mes të të rinjve dhe të moshuarve, në mes të të huajve dhe vendasve. Pastaj ka kufij me bazë gjinore, kufij psikologjikë, e edhe kufij në mes të njerëzve dhe gjallesave tjera.
Këto lloj çështjesh ishin fokusi i edicionit të parë të bienales së artit bashkëkohor në Kosovë, “Autostrada Bienale”. Hapja zyrtare e kësaj ngjarjeje u bë me 19 gusht, ku të ftuar ishin mysafirë e përfaqësues të mediave, të cilët patën mundësinë të ishin ndër të parët që do t’i shihnin 30 ekspozitat e shpërndara në 12 lokacione në Prizren.
Edicioni i sivjetëm i bienales u kurua nga Manray Hsu, kritik i artit dhe kurator i pavarur që ka kuruar disa bienale dhe ekspozita, si dhe ka drejtuar e ligjëruar nëpër akademi të artit anembanë botës. Hsu beson se imagjinata e njeriut ka tendencë natyrale të thyej kufij, dhe në të përmbahet dëshira “për t’i kaluar pjesët e ndryshme të trurit në hapësirë, në kultura tjera të ndryshme”.
Qyteti i Prizrenit është lokacion ideal për të reflektuar mbi këtë kalim kulturor dhe epokal të kufijve, meqë ka diversitet etnik dhe përzierje të së vjetrës me bashkëkohoren.
Lokacioni i parë i bienales ishte stacioni i autobusëve. Në hyrje të tij të pret një “robot lypës” që të kërkon para. Ai u krijua nga Saso Sedlacek, artist që jeton në Ljubljanë. Ideja e robotit – i cili u ndërtua pa kosto, me pjesë të vjetra – ishte që ai të lutet në emër të të varfërve (të moshuarve, refugjatëve, personave me aftësi të kufizuara) në zona në të cilat zakonisht ata nuk kanë qasje, ose të cilat frekuentohen prej të pasurve, të cilët tregojnë ndjeshmëri vetëm nga një distancë e sigurtë. Sipas Sedlacek-ut, kushdo mund ta ndërtojë këto robot. Ai ofron udhëzime për këtë proces në uebfaqen e tij.
Pasi i shmangesh robotit lypës, dhe e shpërfill “zemrën e thyer” të tij, si dhe lamtumirën e dhimbshme që ta thotë – “ndoshta herën tjetër” – që pastaj ta then edhe ty zemrën, ndalesa e radhës është në Zyrën për Pasaporta të NSK-së, ku për 24 euro mund të bëhesh anëtar i Shtetit NSK.
“Kjo pasaportë e shtendos idenë e identitetit të fiksuar dhe kombësisë së fiksuar”, thotë Miran Mohar, anëtar i grupit IRWIN, kolektiv artistësh sllovenë të cilët së bashku me grupe tjera artistike e krijuan shtetin Neue Slowenische Kunst, pas shpërbëries së Jugosllavisë.
Ndryshe nga Kosova dhe shtetet tjera të ish-Jugosllavisë, NSK-ja “është shtet pa qira, pa territor, i cili ekziston vetëm në kohë dhe në mendje, dhe shkon përtej idesë së kombit”, thotë Mohar. Deri më tani i ka 50,000 qytetarë nëpër botë.
Mohar e kujton një rast kur një qytetar i Tajvanit u bë pjesë e këtij shteti, duke thënë se kjo na tregon se si NSK-ja mund t’u ndihmojë njerëzve që kanë vështirësi e probleme në lidhje me përkatësinë e tyre kombëtare. Ai qytetar i ri i NSK-së i tha Mohar-it se identiteti i ri i tij “është simbolik, por i rëndësishëm për mua, sepse fakti që kam një pasaportë të dytë më jep hapësirë. Nuk kam nevojë të zgjedh në mes të të qënit kinez ose tajvanez – mund të jem ngapak diçka tjetër”.
Nëse jeni lodhur duke u shpjeguar të tjerëve se jeni kosovar, ose shqiptar, ose anëtar i një kombi tjetër, dhe pastaj të prisni për të parë se si do të gjykoheni nga secili, tani e keni mundësinë që të merrni pasaportë të NSK-së. Mohar thotë se njerëzit në Perendim këto i përdorin për banka dhe hotele, por kryesisht si objekt koleksioni, ndërsa në Afrikë shumë e përdorin si dokumentin e vetëm të tyre, e madje edhe udhëtojnë me të. Pasaportën e NSK-së mund ta merrni edhe online, por Mohar nuk ju rekomandon që ta përdorni atë si dokument udhëtimi “sepse nuk është i njohur ndërkombëtarisht”.
Te stacioni i autobusëve u mbajt edhe një performancë nga Alketa Xhafa Mripa, e titulluar “Waterfalls” (Ujëvarat). Kjo performancë u përzgjodh meqë përfaqëson mënyrat e ndryshme të ushtrimit të kontrollit politik – është një arenë në të cilën bëhen bashkë politikat e nivelit të lartë dhe të atij të ulët.
Në katin e dytë të ndërtesës u vendos një tavolinë e biliardos me 15 topa të bardhë. Rregullat diktohen nga ‘lojtarët e fuqishëm’. Kjo skenë u ndërpre nga Xhafa Mripa, e cila u shtri në bark mbi tavolinë, e pastaj pështyu përtej kufijve të tavolinës, “përtej shprehjes së komunikimit dhe pajtimit”. Kjo performancë do të përsëritet gjatë bienales nga disa studente të tjera të artit.
Te stacioni janë duke u ekspozuar edhe punimet e artistit bashkëkohor kosovar, Alban Muja. Muja po merr pjesë në Autostradës Bienale me një seri të fotografive, “Borders without Borders” (Kufij Pa Kufij), projekt që pasqyron ndërtesat e braktisura në pikat kufitare të shteteve të BE-së që janë anëtare të Zonës Shengen.
“Prej kohës kur lëvizja e lirë u bë realitet për njerëzit e Europës, këto ndërtesa kanë mbetur të zbrazta”, thotë Muja. Megjithatë, vala e fundit e refugjatëve ka bërë që këto ndërtesa të restaurohen kohë pas kohe për t’iu kthyer funksionit të tyre të mëparshëm. “Shpeshherë këto ndërtesa bëhen pika të përkohshme kufitare, nganjëherë vetëm me një patrullë të policisë, por megjithatë e tregojnë ndarjen në mes të vendeve”, shpjegon ai.
Ekspozita e Mujës përmban edhe një punim tjetër më të vjetër, “Catch Me” (Më kap), që e paraqet atë duke kërcyer mbi kufirin që ndan SHBA-në me Meksikën. “U mundova që të paraqes lirinë e lëvizjes që ndodh prej Amerikës në Meksikë, por jo anasjelltas”, thotë Muja.
Me të dalur nga stacioni i autobusëve, harta e Autostradës Bienale të çon në disa lokacione të Prizrenit, përfshirë këtu Muzeun Arkeologjik, ndërtesën që dikur ishte kulla e Hamamit të ndërtuar në vitin 1498, shtëpinë e familjes Saraji që u ndërtua në shekullin XIX në Qendrën Historike të Prizrenit, shtëpinë Lokvica – e cila është shtëpia më e vjetër në kompleksin Marash (pronari i saj betohet se kjo shtëpi u ndërtua para 250 viteve) – dhe Shtëpinë e Kaltër, një tjetër shtëpi që u ndërtua në shekullin XIX, e cila gjendet ndërmjet Kalasë dhe qytetit.
Në Shtëpinë e Kaltër, Stefano Romano, artist italian i cili aktualisht është duke punuar në Shqipëri, shfaq punimin e tij “Haiku”, seri me katër video që janë të bazuara në formën tradicionale të poezisë japoneze, Haiku, që përbëhet prej tri vargjeve, dy me nga pesë rrokje, dhe një në mes me shtatë rrokje.
Romano shpjegon se Haiku është gjithashtu e ndarë në tre momente, dy prej të cilave i ngjajnë njëri tjetrit, ndërsa i treti i kundërshton ato. Haiku i tij bazohet kryesisht në eksplorim urban: “Thelbi qëndron te njëfarë hetimi për qytetin, që më intereson mua sepse me këtë lojë të kompozimit dhe me video mund ta prek realitetin e qytetit”, thotë ai. “E prek idenë e kufijve të qytetit, dhe e zbërthej dhe e kompozoj përsëri në një mënyrë krejt tjetër, ku spektatori e humb idenë e kohës dhe gjeografisë”.
Synimi i Romano-s është që audienca të ketë vështirësi të dallojë ku është, cilin qytet është duke e parë dhe cili vit është.
Pas Shtëpisë së Kaltër, e cila gjendet rrugës për në Kala, shkojmë te një lokacion tjetër të quajtur “Ruins” (Rrënoja). Aty është instalacioni i Doruntina Kastratit “The Long Walk” (Ecja e gjatë), i cili përfshin disa figura si dhija me këmbë të gjata tre metra, të shtrira në pozita të ndryshme – disa janë duke shikuar brenda në dhoma, e disa qytetin që shtrihet poshtë. Kuratori Hsu shpjegoi se figurat janë dhija të malit të cilat jetojnë në kushtet më ekstreme, duke mbijetuar në shkëmbinj të rrëpirët dhe duke kërkuar ushqim (që e gjejnë rrallë) me këmbët e tyre të gjata, dhe krejt kjo është metaforë për ecjen e gjatë që e bëjnë refugjatët gjatë kërkimit të një vendi të ri të cilin mund ta quajnë shtëpi.
Ndalesa e fundit është në Kalanë e Prizrenit. Aty ka ekspozita të ndryshme, përfshirë edhe punimin mbresëlënës të Sedlacek-ut, të titulluar “Sky in Ruins” (Qielli i shkatërruar), të cilin Hsu e vendosi në një prej dhomave të Kalasë. Në atë dhomë gjenden vetëm disa vrima të vogla në anën e djathtë, prandaj aty depërton një ndriçim i artë, më i errët se muzgu. Ai mjedis të jep krijon ndjesinë që antikiteti po përballet me shtrirjen e shpejtë të modernizmit, meqë në murin e largët projektohet një video që shfaq një vizion të një kozmosi të afërt i cil është i mbushur me mbetje.
Në programin e Bienales përshkruhet qëllimi i këti projekti që thotë: “pavarësisht pafundësisë së universit, ai nuk është aq i pakufishëm sa të na lejojë t’i çojmë zakonet e këqija prej Tokës në hapësirë”. Në të hapësira përcaktohet si kufiri i ardhshëm potencial.
Në Kala është edhe video punimi, “Cartographers” (Hartografët) nga Valentina Bonizzi, artiste italiane që aktualisht jeton në Tiranë. “Cartographers” fokusohet në italianët gjatë periudhës kur nisi Lufta e Dytë Botërore, kur Mussolini i shpalli luftë Aleatëve, dhe në pasojat që i kishte ky veprim te njerëzit e thjeshtë, vetëm për shkak të kombësisë italiane që e kishin.
“E bëra në Glasgou, në periferi të Parisit dhe në një fshat në jug të Italisë”, thotë Bonazzi. “M’u deshën katër vjet për ta bërë këtë video. Njerëzit flasin për përvojat e tyre të luftës, dhe nëpërmjet montimit të këtyre intervistave, nëpërmjet tregimeve të tyre, e kuptova se përkatësia kombëtare nuk është gjë tjetër pos pushtim”.
Shkurtimisht, kjo video shtjellon rolin që e luan përkatësia kombëtare në jetën e përditshme, dhe përcakton se si të tjerët do të reagojnë ndaj teje. Kuratori Hsu e thekson këtë ide në një intervistë me K2.0, gjegjësisht se kufijtë ende po krijojnë tensione dhe konflikte, madje edhe në botën tonë bashkëkohore, dhe se ato paraqesin çështje reale për të cilat ia vlen të mendojmë – e këtë synon ta arrijë nëpërmjet kurimit.
Organizatorët kanë thënë se janë shumë të kënaqur me “rezultatet e punës së madhe që e ka shndërruar qytetin në muze dhe në qendër të bashkëkohores, duke shënuar hapësira të reja për eksperimentim në qindra vitet e historisë së Prizrenit”.
Deri në këtë pikë, ata thonë se po kënaqen me ekspozitën e gjerë e cila është shtrirë në Prizren, që është fryt i punës që e bëri Hsu për nëntë muaj. Ata shtojnë se edicioni i parë është vetëm gurthemeli i këti udhëtimi të ri artistik i cili ka për synim “zgjerimin e kufijve kulturorë dhe zgjimin e energjive kreative të Kosovës, rajonit dhe më gjerë”.
Autostrada Bienale do të mbahet deri më 23 shtator.
Foto kryesore: Agan Kosumi / K2.0.