Më 11 tetor, banorët e lagjeve 28 dhe 29 të Fushë Kosovës ishin të alarmuar dhe të shqetësuar. Në mëngjesin e asaj dite, ata u zgjuan me lajmin tragjik të vdekjes së një foshnjeje 15-muajshe; u supozua se vdekja u shkaktua nga fruthi. Sipas vendasve, në po atë muaj, fruthi po ashtu u bë shkak që një grua e re të abortojë papritur.
Banorët e këtyre dy lagjeve ndiheshin të pashpresë për t’i mbrojtur fëmijët e tyre nga ky rrezik të cilit i ishin ekspozuar.
Vetëm pesë ditë më vonë u raportua një vdekje tjetër. Këtë herë, vdiq një 37-vjeçar nga Lipjani. U raportua se ishte diagnostikuar me fruth dhe se kishte vuajtur më herët nga probleme të rënda të frymëmarrjes.
Në disa familje, secili anëtar u prek nga ky infeksion shumë ngjitës.
Kur Klinka Infektive e spitalit publik të Kosovës lajmëroi se fruthi ishte pëhapur gjithandej, dhe se kishin mbi 100 persona të shtruar në spital, e gjithë shoqëria u alarmua: rastet e fundit të regjistruara të fruthit në Kosovë ishin para 17 viteve.
Papritmas, dhjetëra njerëz po vuanin nga kolli, temperatura, skuqja e syve, dhimbjet e muskujve, dhe njollat e bardha brenda gojës, shoqëruar nga shpërthimi i puçrrave në tërë trupin, që shumica e njerzëve e lidhin me fruthin.
Siç ndodh me epideminë e fruthit, virusi përcillet nga një person te tjetri, ndonjëherë nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë, por edhe nëpërmjet ajrit; kur grimcat e infektuara sillen në ajër dhe rrinë në sipërfaqe, kushdo që është afër mund të infektohet. Në disa familje, secili anëtar u prek nga ky infeksion shumë ngjitës.
Kur zyrtarët e klinikës raportuan se pjesa më e madhe e viktimave të infektuara nga fruthi ishin fëmijë të vegjël romë, ashkali dhe egjiptianë, të gjithë i kthyen sytë nga Fushë Kosova, që pa numrin më të madh të banorëve duke vërshuar në dhomën e emergjencës.
Vuajtje në lagje
Me t’u kthyer majtas nga rrethi para stacionit të trenave në Fushë Kosovë arrihet te lagjet 28 dhe 29. Të ndara me hekurudhë dhe trena të vjetër e të harruar, në këto pjesë rrallë shihet dikush që nuk është rom, ashkali dhe egjiptian, me përjashtim të një numri shumë të vogël njerëzish të komuniteteve të tjera e jetojnë aty. Ndonëse, sipas banorëve, kjo zonë e mbipopulluar përbëhet nga rreth 5,000 njerëz, jeta publike është e kufizuar në disa dyqane të vogla me furnizim të vobektë.
Distanca nga qendra e Fushë Kosovës nuk është më shumë se një kilometër, por hyrja në këto lagje has në imazhe të rënda të varfërisë, që menjëherë e konfirmojnë përjashtimin nga pjesa tjetër e komunës.
Me nivel të lartë të papunësisë dhe të hyra mesatare në vlerë prej 21.37 euro në muaj apo 71 cent në ditë për një individ – ngjashëm me romët, ashkalitë dhe egjiptianët në pjesë të tjera të Kosovës – jeta në këto dy lagje është luftë e vazhdueshme për t’i përmbushur nevojat themelore. Për shumicën e familjeve për të siguruar që në shtëpi ka bukë për të ngrënë nënkupton marrjen me punë fizike, apo daljen rrugëve për të mbledhur shishe nga kantat e bërllogut, që pastaj t’i shesin për reciklim për vetëm disa euro.
Kjo rutinë e rëndë e përditshmërisë së tyre u bë edhe më e trazuar kur fruthi i zuri të paimunizuar dhe të pavaksinuar. Por në mesin e kësaj ndjesie kaosi, u bë e qartë se një problem shumë i madh ishte shpërfillur për një kohë të gjatë: fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë rrallëherë vaksinohen. Aktivistët thonë se ishin dëshmitarë të qindra rasteve në Fushë Kosovë, por nuk ka numër të regjistruar meqë shumë prej tyre nuk kanë shkuar në spital.
Çështje botërore
Fruthi është një prej shkaktarëve kryesorë të vdekjes së fëmijëve në botë, pavarësisht disponueshmërisë së vaksinave të sigurta dhe efektive. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 89,780 njerëz vdiqën si pasojë e fruthit në 2016 - kryesisht fëmijë nën moshën 5-vjeçare.
Pjesa më e madhe e këtyre vdekjeve kanë ndodhur në Afrikë dhe në Azi, por së fundmi kanë ndodhur edhe në Evropë. Përhapja e vazhdueshme e fruthit në rajonin evropian ka shkaktuar 35 vdekje nga fillimi i vitit 2016.
I fundit që vdiq nga fruthi ishte një 6-vjeçar në Itali. Ka pasur disa raste të tjera të raportimit për përhapje të fruthit. Sipas autoriteteve kombëtare të shëndetësisë publike, fruthi ka shkaktuar 31 vdekje në Rumani, një në Gjermani dhe një tjetër në Portugali.
Sipas raportimeve, Instituti Kombëtar i Kosovës për Shëndetësi Publike u paralajmërua më herët gjatë viti se fruthi ishte duke u përhapur në Evropë. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) vazhdimisht thekson faktin se vaksinimi është shumë i rëndësishëm për parandalimin e përhapjes.
Problemi i mosvaksinimit të pjesëtarëve të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë u theksua veçanërisht para dy viteve në Anketën e Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë në Kosovë (MICS), e cila u krye nga UNICEF-i si pjesë e programit ndërkombëtar të anketimit të ekonomive familjare, për t’i mbështetur shtetet në mbledhjen e të dhënave ndërkombëtarisht të krahasueshme për një numër të madh të treguesve për gjendjen e fëmijëve dhe grave. Në Kosovë, kjo anketë u zhvillua në periudhën 2013-2014 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Agron Gashi nga UNICEF-i në Kosovë shpjegon se ka një pabarazi të dallueshme ndërmjet komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë dhe komuniteteve tjera në Kosovë. Ai thotë se MICS-i tregoi se derisa rreth 80 përqind e fëmijëve në Kosovë janë të vaksinuar, kjo vlerë bie nën 30 përqind për fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë.
MICS-i gjithashtu tregoi se shkalla e vdekshmërisë është shumë më e lartë në mesin e këtyre tri komuniteteve: 49 nga 1,000 fëmijë vdesin para moshës 5-vjeçare – tri herë më shumë se në komunitetet tjera. “Nuk ka trend të rënies së vdekshmërisë tek fëmijët e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë”, thotë Gashi.
Pavarësisht këtyre statistikave alarmante, organet ndërkombëtare si UNICEF-i e kanë lëvduar programin e imunizimit në Kosovë, ku vaksinimi i obliguar me ligj ofrohet pa pagesë – Ministria e Shëndetësisë mbështet furnizimin me vaksina.
Agron Gashi nga UNICEF-i thotë se derisa 80 për qind e fëmijëve në Kosovë janë të vaksinuar, kjo vlerë bie nën 30 për qind për fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Isme Humolli nga Instituti Kombëtar për Shëndetësi Publike thotë se çdo prind apo kujdestar ligjor e merr një karton të vaksinimit që quhet “pasaportë e imunizimit”, në të cilën ofrohen hollësi për vaksinat e nevojshme si dhe kohën kur ato duhet të merren. “Kujdestari/ja apo prindi shkon në qendër të vaksinimit dhe e merr një pasaportë të imunizimit, të cilën është i/e obliguar ta ruajë gjatë gjithë jetës”, thotë Humolli. “Në këtë kontekst, shëndeti i fëmijës përcillet nga lindja deri në moshën 18-vjeçare”.
Luftë për ekzistencë
Pra, me një program të tillë në vend, pse kaq shumë fëmijë romë, ashkali dhe egjiptianë nuk janë vaksinuar kundër fruthit?
Humolli thotë se lëvizja e vazhdueshme e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë nga një vend në tjetrin e bën të vështirë regjistrimin e fëmijëve të pavaksinuar. Ajo shton se kjo është veçanërisht problematike tek komunitetet të cilat jetojnë në sistemin paralel serb, meqë nuk kanë qasje në sistemin shëndetësor të Kosovës.
Isme Humolli nga Instituti Kombëtar për Shëndetësi Publike thotë se përpjekjet e qeverisë për t’i vaksinuar fëmijët e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë kanë hasur në rezistencë. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Sipas Humollit, përpjekjet e Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit dhe qendrave të mjekësisë familjare kanë hasur në rezistencë të këtyre komuniteteve.
“Përgjatë viteve ka pasur përpjekje nga qendrat e mjekësisë familjare për të shkuar në shtëpitë e këtyre komuniteteve për vaksinim. Fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi, sepse nuk deshën”, thotë Humolli. “Deri në momentin kur fruthi filloi të përhapej nuk kishim kurrëfarë bashkëpunimi me ta. Komunitetet e rezistuan bashkëpunimin”.
Aktivistët të cilët punojnë në terren në Fushë Kosovë pajtohen se ka pasur raste kur ekipet e vaksinimit do të vinin tek OJQ-të të cilat punojnë me këto komunitete, por se vetëm disa prej prindërve i kishin sjellur fëmijët e tyre për t’i imunizuar.
Por ata ngulin këmbë se arsyet për këtë janë të shumta dhe të ndryshme, ndryshe nga përgjigjja e thjeshtëzuar se “u mungon vetëdijsësimi”, e cila u ofrua nga një pjesë e madhe raportimesh në mediat kryesore gjatë përhapjes së furthit. Ndonëse në njërën anë, ata e pranojnë se disa prindër kishin frikë nga efektet anësore të vaksinimit ose i kanë besuar thashëthemeve se vaksinat kanë skaduar, ata theksojnë se faktori më i rëndësishëm është lufta e vazhdueshme e shumë familjeve për ekzistencë.
"Kur dikush ka probleme dhe është i obliguar të dalë për të punuar vetëm për ta siguruar bukën e gojës ... ai person e harron datën e vaksinimit".
Hysni Hasani, The Ideas Partnership
“Nëse e analizojmë hollësisht, e shohim se shkalla e vaksinimit BCG që bëhet menjëherë pas lindjes apo në vitin e parë është shumë më e lartë, ndërsa pastaj [shkalla e vaksinave të tjera] fillon të bie”, thotë Gashi nga UNICEF-i, duke shtuar se mungesa e vetëdijësimit është pasojë e kushteve të vështira dhe nivelit të ulët të arsimimit në mesin e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë.
Sipas aktivistëve, komunitetet të cilët luftojnë për t’i përmbushur nevojat themelore ditore është vështirë ta kenë vaksinimin si prioritet.
“Kur dikush ka probleme dhe është i obliguar të dalë për të punuar … vetëm për ta siguruar bukën e gojës, ai person e harron datën e vaksinimit”, thotë Hysni Hasani nga The Ideas Partnership, OJQ me seli në Fushë Kosovë e cila fokusohet në arsimimin e komuniteteve pakicë. “E njoh komunitetin tim. Nuk është se nuk duan të bëjnë diçka. Por detyrohen ta harrojnë datën. Jeta është e rëndë këtu”.
Gjatë përhapjes së fundit të fruthit, Hasani ishte një prej aktivistëve nga organizata që mbështeti pjesën më të madhe të familjeve të cilat kishin nevojë për transport deri në spital. Ata gjithashtu mbledhën fonde për familjet të cilat nuk kishin mundësi të paguanin për infuzione dhe medikamente të përshkruara për fëmijët në spital, meqë institucioni joadekuat i shëndetësisë publike ka mungesë të pajisjeve.
“Ne në The Ideas Partnership jemi në kontakt të përditshëm me familjet këtu. Ata të cilët u prekën të parët dhe familja që e përjetoi vdekjen e fëmijës jetojnë në kushte shumë, shumë të rënda”, thotë Hasani. “Është fjala për njerëz të cilët dalin çdo ditë dhe mbledhin gjëra nga kantat e bërllogut për të mbijetuar. Askush nuk e bën me qejf këtë. Përgjatë viteve kemi qenë dëshmitarë të rasteve të njerëzve të cilët kanë vuajtur nga sëmundjet e sistemit të frymëmarrjes. Përfytyroje sa e pikëllueshme është ta kalosh tërë ditën para bërllogut dhe të marrësh frymë në atë ambient, veçanërisht gjatë sezonave të nxehta të verës”.
Sipas Hasanit dhe aktivistëve të tjerë, ndërprerjet e gjata të furnizimit me ujë dhe koha e gjatë e kaluar para bërllogut janë kombinuar për ta krijuar një ambient të përshtatshëm për përhapjen e sëmundjes. Derisa shumë familje nuk furnizohen me ujë, aktivistët thonë se vetëm disa familje kanë mundësi për t’ia lejuar vetes bunarin e ujit në oborr.
Në fakt, shumë studime e hulumtime e lidhin varfërinë dhe sëmundjen si një marrëdhënie të vazhdueshme dhe të ashpër. Shkalla e infektimit është dëshmuar të jetë më e lartë në vendet ku varfëria është e thellë .
"Në fund, si shtet, si shoqëri - shoqëria kosovare - duhet ta pyesim vetën: A jemi të gjithë fajtorë?”
Gazmen Salijevic, ECMI
Ndonëse vdekjet e shkaktuara nga fruthi janë reduktuar drastikisht përgjatë viteve të fundit, sipas OBSh-së, fruthi është ende i përhapur në shtetet në zhvillim. Shumica dërrmuese e vdekjeve të shkaktuara nga fruthi ndodhin në vendet me të hyra të ulëta për kokë banori dhe infrastrukturë të dobët të shëndetësisë.
OBSh-ja gjithashtu thekson se fruthi i rëndë ka më shumë gjasa t’i prekë fëmijët e kequshqyer; 15 për qind e fëmijëve romë, ashkali dhe egjiptianë nën moshën 5-vjeçare në Kosovë vuajnë nga kequshqyerja kronike, dhe ky numër rritet në 25 për qind mes fëmijëve nga familjet më të varfra.
Faj kolektiv
Javët e fundit kanë parë mobilizim të madh të ekipeve të vaksinimit në lagjet të banuara kryesisht prej romëve, ashkalive dhe egjiptianëve, me qindra fëmijë duke u vaksinuar. Rahmon Stollaku nga Balkan Sunflowers, OJQ e cila punon me komunitete pakicë, beson se ndonëse vaksinimet mund të mos jenë aq problem në të ardhmen, institucionet duhet ta përmirësojnë situatën e përgjithshme të varfërisë së këtyre komuniteteve.
“Unë do t’i fajësoja politikat e komunës”, thotë ai. “Ata duhet të mendojnë çfarë hapa të bëjnë për këtë. Sepse 99 për qind janë të papunë në Fushë Kosovë, ndërsa romët, ashkalitë dhe egjiptianët përbëjnë 13 për qind të popullsisë së kësaj komune”.
Vlerësohet se shumica dërrmuese e romëve, ashkalive dhe egjiptianëve janë të papunë, ndërsa barra e sigurimit të të hyrave shpeshherë u bie edhe fëmijëve. Por pavarësisht strategjive të krijuara nga qeveria për përmirësimin e integrimit të këtyre komuniteteve prej vitit 2010, nuk ka dëshmi të ndërmarrjes së veprimeve që do ta përmirësonin jetën e tyre.
Gazmen Salijevic, koordinator i programit në Qendrën Evropiane për Çështje të Minoriteteve (ECMI), thotë se institucionet duhet ta ndryshojnë qasjen shpërfillëse ndaj komuniteteve meqë ky virus është vetëm një pikë e vogël e një mozaiku më të madh.
“Duhet të mendojnë si njerëzit mund të jetojnë më mirë”, thotë ai. “Vaksinimi është një veprim. Po çka nesër? Po pas dy viteve? Si do t’ua ndryshojnë jetën dhe t’ua zbusin varfërinë?
Gazmen Salijevic nga ECMI thotë se shoqëria kosovare duhet të ketë debat kombëtar mbi trajtimin e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Ai thekson se kanë ndodhur ngjarje shokuese në të kaluarën të cilat është dashur të nxisin veprime, por që pak progres është arritur.
“E kemi rastin e para dy viteve në Fushë Kosovë kur qentë e vranë një fëmijë ashkali dhe përsëri ne nuk u zgjuam”, thotë ai. “Kjo ndodhi afër kantave të bërllogut. Një familje e humbi të dashurin e tyre. Po të kishte ndodhur kjo në Zvicër, do të ishte shndërruar në debat kombëtar për të kërkuar arsyet se pse ka ndodhur kjo. Nuk ka reagim sistematik nga shteti për ta ndryshuar jetën. E shoh shpesh se reagimi nuk ka emocion sepse ata thonë ‘ah është rom, ose ashkali’”.
Salijevic thotë se në vend se ta drejtojnë gishtin për epideminë e virusit, të gjithë kosovarët kanë arsye për të reflektuar sa i përket trajtimit të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë.
“Shumë e lehtë është të themi se kush ka faj. Dhe të bëjmë me gisht kah prindërit”, thotë Salijevic. “Por të gjithë ne kemi faj sepse kemi humbur një foshnje, një qenie njerëzore, një jetë. Dhe në fund, si shtet, si shoqëri – shoqëria kosovare – duhet ta pyesim veten: A jemi të gjithë fajtorë?”K
K2.0 kontaktoi Ministrinë e Shëndetësisë për të kërkuar më shumë hollësi për politikat të cilat i kanë në fuqi për t’i trajtuar çështjet e shëndetësisë së komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë. Zyra e komunikimit e drejtoi K2.0 te Instituti i Shëndetësisë dhe kur K2.0 insistoi ta intervistonte edhe dikë nga kjo ministri, ata nuk u përgjigjën më tej.
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e ERAC dhe nuk mund të merret në asnjë mënyrë për të pasqyruar pikëpamjet e Bashkimit Evropian. Për më shumë informacion në lidhje me aktivitetet e projektit ERAC, ju lutemi vizitoni faqen e internetit të ERAC-it www.equalrightsforallcoalition.com ose vizitioni faqjen e facebook-ut Equal Rights for All Coalition.