Pikëpamje | Prishtina

Ligji për Prishtinën në formën e tanishme nuk mund t’i zgjidhë të gjitha problemet e qytetit

Nga - 20.12.2017

Sfidat që do t’i zgjidhë dhe sfidat që do t’i krijojë Ligji.

Projektligji për Prishtinën, i cili ka kaluar në leximin e parë në Kuvend në fund të nëntorit të këtij viti, garanton funksionim më të mirë të kryeqytetit. Përmbajtja e këtij Projektligji ka arritur t’i adresojë përgjithësisht problematikat me të cilat është përballur Komuna e Prishtinës për afro dy dekada të fundit, siç është pamundesia e themelimit të ndërmarrjeve të reja lokale, mungesa e ndarjes së veçantë të buxhetit për Prishtinën, mungesa e një koordinimi më të mirë institucional të policisë së Kosovës kundruall problemeve në kryeqytet, e kështu me radhë.

Por, vetëm Ligji për Prishtinën nuk do të mund t’i adresojë sfidat e qeverisjes në kryeqytet, nëse nuk ndahet më shumë buxhet, nëse nuk lejohet rritja numrit të të punësuarve, sidomos në shëndetësi, dhe nëse nuk ndryshohen edhe ligjet e tjera, siç është Ligji i Policisë, Ligji për Ndërmarrjet Publike, Ligji për Financat e Pushtetit Lokal, etj.

Versioni aktual i Projektligjit për Prishtinën i ofron kryeqytetit të drejtën për të themeluar ndërmarrje publike lokale. Në kuadër të Policisë së Kosovës parashihet të themelohet sektori i veçantë për kryeqytetin. Prishtina do të ketë të drejtë të menaxhojë edhe me shëndetësinë sekondare, përveç asaj primare, çka nënkupton hapjen e Spitalit të Prishtinës. Po ashtu, Projektligji parasheh një grant shtesë në vlerë prej 4 për qind të grantit të përgjithshëm të komunave, që i bie afërsisht 6 milionë euro më shumë buxhet në vit. Njëherazi, Prishtina do të ketë dy nënkryetarë dhe zyra e kryetarit do të ketë deri në tre këshilltarë.  

Saktësimi i tanishëm në Projektligjin për Prishtinën se kryeqyteti ka të drejtë të themelojë ndërmarrje publike lokale pa u konsultuar dhe pa marrë ndonjë pëlqim nga niveli qendror i jep mundësi komunës të tregohet më efikase në menaxhimin e shumë resorëve. “Prishtina Parking” është vetëm njëra nga ndërmarrjet që tanimë pritet të themelohet në kryeqytet me qëllim të menaxhimit të hapësirave publike për parking të veturave.

Pra, Prishtina tani ka mundësi t’i “shtetëzojë” disa nga shërbimet që i kanë kryer kompanitë private e ndaj cilave shërbime ka pasur vërejtje në cilësi e shpejtësi të kryerjes së punëve.

Si ilustrim për këtë mund të merret ‘zgjerimi dhe mirëmbajtja e ndriçimit publik’, ku komuna ka mundësi tani e tutje të themelojë një ndërmarrje vetëm për ketë qëllim. Shembull tjetër mund të jetë themelimi i një ndërmarrjeje e cila do të merrej vetëm me menaxhimin e çerdheve në kryeqytet, ose themelimi i një ndërmarrjeje e cila do të merret me mirëmbajtjen e rrugëve.

Saktësimi i kësaj të drejte nuk e zgjidh problemin e mungesës se spitalit në kryeqytet.

Projektligji për Prishtinën ka paraparë që Prishtina të ketë të drejtën e hapjes së spitalit komunal, pra të ofrimit të shërbimeve shëndetësore sekondare e jo vetëm primare në nivel lokal (shërbime primare konsiderohen shërbimet e stomatologjisë, memografisë, mjekut familjar, vaksinimit, shërbimet laboratorike, ndërsa disa nga shërbimet sekondare konsiderohen reparti i lindjeve, reparti i kirurgjisë, reparti i emergjencës, reparti i ortopedisë, reparti i onkologjisë, etj.). Saktësimi i kësaj të drejte nuk e zgjidh problemin e mungesës se spitalit në kryeqytet. Spitali kërkon 200-300 persona të punësuar, një pjesë e madhe e tyre mjekë specialistë. Gjithashtu nevojitet hapja e reparteve të veçanta dhe një objekt i veçantë.

Për t’u arritur këto nevojitet buxhet, madje shumë buxhet. Për shembull, në Ferizaj vetëm ndërtimi i vrazhdë i spitalit është parashikuar të kushtojë 12 milionë euro, pa përfshirë këtu koston e aparaturave mjekësore dhe inventarizimit që mund të kalojë shifrën e ndërtimit të vrazhtë. Ndërkohë, Ministria e Financave vazhdon ta pamundësojë rritjen e numrit të të punësuarve në secilin institucion publik për shkak të implikimeve buxhetore, dhe nëse vazhdon me këtë qasje edhe në procesin e hapjes së spitalit të Prishtinës atëherë ai nuk do të behet kurrë. Pra zbatimi i Ligjit për Prishtinën nuk do të varet krejt nga Komuna e Prishtinës, sepse kryeqyteti do të varet në shumë raste nga ministritë e linjës.

Nenet më delikate në Projektligjin për Prishtinën janë ato që parashohin themelimin e një drejtorie të policisë për kryeqytetin. Aktualisht hierarkia e policisë së Kosovës përbehet nga drejtoria e përgjithshme, drejtoritë rajonale dhe stacionet policore. Brenda një drejtorie të policisë ekzistojnë sektorët si ai i forenzikes, sektori i hetimeve, i njësive të specializuara, i njësive të komunikacionit dhe në disa raste i njësive kufitare.

Projektligji parasheh se Prishtina do të ketë një grant shtesë që i bie ofro 6 milionë euro në vit më shumë buxhet për kryeqytetin. Mirëpo, ato para nuk mund të dedikohen për paga e as për shërbime, por vetëm për investime kapitale.

Nga kjo del se policia në Prishtinë duhet të jetë në përputhje me kompetencat e komunës, pra të ketë një njësi policore që merret me rastet e ndërtimeve pa leje, me rastet e shfrytëzimit të paligjshëm të hapësirave publike, me luftimin e taksive ilegalë, me luftimin e vjedhjes dhe dëmtimit të aseteve publike, e kështu me radhë.

Komuna nuk ka nevojë të ngarkohet me çështje të kontrollimeve kufitare, të forenzikës dhe të natyrave të tjera që bien në përgjegjësi të policisë e të sigurisë. Po ashtu çështja e komandës duhet të mbetet në polici e jo në komunë. Kompetencat duhet të jenë të tilla që të formojnë një ‘polici komunale’ e cila i koordinon veprimet në terren së bashku me udhëheqësit komunalë.

Në anën tjetër, saktësimi në Projektligj se Prishtina do të ketë një grant shtesë që i bie afro 6 milionë euro në vit më shumë buxhet për kryeqytetin është vendim i drejtë. Por këtu duhet cekur gjithashtu se ato para nuk mund të dedikohen për paga e as për shërbime, por vetëm për investime kapitale, qoftë këto në shëndetësi, arsim apo infrastrukturë.

Tani është në dorën e deputeteve që Prishtina të bëhet me ligj dhe ai të jetë sa më përmbajtësor, i qartë dhe i zbatueshëm. Versioni aktual është i mirë, sqarimet dhe plotësimet janë të domosdoshme. Praktikat nga kryeqytetet e tjera duhet të merren parasysh, por gjithmonë duke i pasur parasysh që ato praktika të jenë në përputhje me rrethanat institucionale, shoqërore, ligjore e buxhetore të vendit tonë.  

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.