Diskutimi u moderua nga profesoresha e juridikut në Universitetin e Prishtinës, Luljeta Plakolli. Për 2 orë, katër panelistë morën pjesë në një debat të zjarrtë ndërmjet tyre dhe anëtarëve të angazhuar të audiencës. Plakolli e nisi diskutimin duke e shtruar një pyetje të gjerë por thelbësore: Çfarë të drejta ligjore, ekonomike dhe morale ka një krijues?
Si përfaqësues i qeverisë së Kosovës, Valon Kashtanjeva – Drejtor i Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta në Ministrinë e Kulturës, RInisë dhe Sportit – nisi duke dhënë një kronologji të evoluimit ligjor të të drejtave të autorit në Kosovë. Hapi i parë u bë në vitin 2004 me miratimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Drejtave për Prona Intelektuale. Më vonë, saktësisht në vitin 2011, qeveria miratoi një ligj të ri – i cili u rishikua dhe u ndryshua në vitin 2016 – i cili e bën Kosovën me një strukturë ligjore për të drejtat e autorit, strukturë kjo e cila është në përputhje me standardet europiane.
Diskutimin e nisi, nën moderimin e Luljeta Plakollit (e fundit në të majtë), paneli i ftuar i përbërë nga (prej të dytit nga e majta, në të djathtë) Valon Kashtanjeva, Florent Boshnjaku, Blerta Kosova dhe Arianit Dobroshi. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Kashtanjeva pranoi se të drejtat e autorit duhet të rishikohen vazhdimisht për të mbetur relevante. Teknologjia e re e bën më të lehtë që njerëzit të përhapin dhe të marrin përmbajtje, e kjo sjell sfida që lidhen me të drejtat e autorit. Sot të duhet vetëm një telefon mobil për të incizuar video apo për të bërë fotografi. Sidoqoftë, Kashtanjeva tha se ligji për të drejtat e autorit e ruan funksionin e tij si mënyrë e nxitjes së krijimit dhe sigurimit të kompensimit të drejtë. Sipas tij, nevoja për ekzistimin e rregullave për të drejtat e autorit është e vetëkuptueshme në shoqëri.
Producenti muzikor, Florent Boshnjaku, kujtoi përvojën e tij si muzikant në Jugosllavinë e paraluftës. Ai theksoi se mbrojtja e të drejtave të autorit është jetike për ta ruajtur vitalitetin e industrisë së muzikës. Boshnjaku e kryeson APIK-un, shoqatën e licencuar nga zyra e Kashtanjevës, të cilën ai e themeloi në vitin 2012 për të ndihmuar me mbrojtjen e të drejtave të autorit në industrinë e muzikës.
“Të drejtat e autorit duhet të mbrohen, jo për shkak të egoizmit, por për ta mbajtur kulturën në zhvillim e sipër”, tha Boshnjaku.
Muzikantja kosovare, Blerta Kosova, gjithashtu i ndau përvojat e saj në botën e muzikës, gjegjësisht në lidhje me temën e të drejtave të autorit. Si artiste e re, ajo është detyruar ta bëjë një kompromis të vështirë: ekspozimin maksimal apo kompensimin financiar për punë të madhe.
“Deri në kohët e fundit nuk kam qenë shumë e interesuar për përfitimet që i sjellin të drejtat e autorit. Kam bërë shumë albume të cilat i kam ndarë pa pagesë që sa më shumë njerëz të kenë mundësi t’i dëgjojnë”, tha Kosova.
Së fundmi, ajo mori vendimin e vështirë për ta ndryshuar metodën. Tash albumet e saj janë në shitje. Ajo pranoi se ishte vendim i vështirë, sepse është e shqetësuar se do të ketë më së shumti ndikim tek familjarët dhe miqtë e saj, si dhe do të ndikojë negativisht në nivelin e përhapjes së muzikës së saj. Me këtë dilemë përballen shumë krijues të rinj në ditët e sotme.
Arianit Dobroshi, president i bordit të avokuesve të programeve me burime të hapura, FLOSSK, kishte një perspektivë më kritike ndaj të drejtave të autorit. Ai tha se të drejtat e autorit, si koncept ligjor, janë themeluar relativisht vonë, dhe shprehu skepticizëm për pikëpamjen se nismat ekonomike janë thelbësore për krijimtari. Për më tepër, Dobroshi nxiti justifikime politike për çdo ligj të ri që miratohet në Kosovë, për shkak se ka interesa ekonomikë botërorë për t’i mbrojtur më shumë të drejtat për prona intelektuale.
“Ne duhet të kemi kujdes, të mos bëhemi më katolikë se Papa”, tha Dobroshi.
Për ta kundërshtuar konceptimin standard për të drejtat e autorit, Dobroshi prezanoti një qasje alternative e cila njihet si “copyleft” (antonim joformal i fjalës “copyright”; në anglisht: right – djathtë / left – majtë / copyright – të drejtat e autorit). Punimet e mbuluara nga copyleft mund të përdoren dhe riprodhohen pa pagesë, përderisa i ruajnë ato të drejta të njëjta në versionet e prejardhura. E thënë thjesht, mund ta përdorësh, modifikosh e madje edhe ta distribuosh versionin tënd të veprës së dikujt tjetër, por duhet t’u japësh të tjerëve të drejtat e njëjta për qasje në veprën tënde të modifikuar. Në këtë mënyrë, copyleft ka për qëllim ta parandalojë përdorimin e punimeve për përfitime komerciale nga palët e tjera e jo nga autori origjinal.
Ndonëse diskutimi i panelit u fokusua kryesisht në industrinë e muzikës, audienca shtroi pyetje në lidhje me krijimtarinë në zhanre të tjera. Çfarë mund të bëjnë fotografët apo shkrimtarët për t’i mbrojtur krijimtaritë e tyre nga shfrytëzimi i paligjshëm? Boshnjaku sugjeroi themelimin e grupeve të menaxhimit kolektiv, si modeli i AKIP-it, edhe në fusha të tjera.
Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Megjithatë, Boshnjaku theksoi se konfliktet nuk mund të zgjidhen nga shoqatat, por duhet të kryhen në gjykata. Një anëtar i audiencës shprehu shqetësimin e tij se procesi i ngritjes së padisë është jopraktik dhe i vështirë për autorë individualë, veçanërisht kur kemi parasysh akumulimin e rasteve në sistemin e drejtësisë të Kosovës. Kashtanjeva pranoi se sistemi i drejtësisë, i cili punon ngadalë, mund t’i shkurajojë krijuesit të cilët dëshirojnë të ngrisin padi. Por, ai theksoi përsëri se e vetmja mënyrë për të marrë kompensim për të drejtat e shkelura të autorit dhe për ta mbajtur ligjin relevant është nëpërmjet padive – nuk ka ‘plan b’.
Disa anëtarë të audiencës e vënë në pikëpyetje krejt premisën e të drejtave të autorit, duke argumentuar se ky është një koncept i shpikur i cili shërben kryesisht për ta komercializuar kulturën në dëm të kreativitetit.
Disa të tjerë gjithashtu e theksuan mungesën e përballueshmërisë si një ndër efektet e padëshirueshme të të drejtave të autorit, pasi që për një person i cili merr rrogë mesatare në Kosovë, blerja e një libri për vetëzhvillim apo edukim shpeshherë është përqindje disproporcionale dhe jorealiste e të hyrave të tij apo të saj. Dobroshi theksoi se shtrirja e gjerë e trasnmetimit, shkarkimit apo kopjimit të materialeve të shtypura është pasqyrim i kushteve socio-ekonomike në Kosovë, duke aluduar se e tërë struktura e të drejtave të autorit duhej të rimendohej, duke u nisur nga rrethanat e tilla.
Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Kashtanjeva theksoi se të drejtat e autorit janë pjesë e një pakoje, nga e cila Kosova nuk mund t’i heqë aspektet e papëlqyeshme, përderisa është duke përfituar nga përparësitë e saj. Organizatat dhe shoqatat ndërkombëtare në të cilat Kosova aspiron të bashkohet, si Organizata Botërore e Tregtisë dhe BE-ja, kërkojnë standarde strikte në lidhje me të drejtat për prona intelektuale. Rregullat për të drejtat e autorit janë të bazuara në strukturën ligjore dhe kushtetuese të Kosovës. Pa marrë parasysh argumentet e tjera në lidhje me të mirat dhe të këqijat e të drejtave të autorit, Kashtanjeva tha se është e pamundur të kthehemi mbrapa në kohë.
Një temë e cila u diskutua disa herë gjatë mbrëmjës ishte marrëdhënia ndërmjet të drejtave për prona intelektuale dhe prona fizike. Si mund të vlerësohet vlera e një poezie në krahasim me vlerën e një qeseje me domate? Siç mendojmë për prejardhjene një shisheje me ujë, ashtu duhet të mendojmë edhe për atë se si krijohet një këngë, argumentoi Boshnjaku. Të dyja kanë një vlerë të vargut të kostos dhe të investimeve. Megjithatë, në përgjithësi u pajtuan se teknologjia dhe prona intelektuale dallohen deri diku për shkak se lejojnë distribuimin dhe përdorimin e gjerë të përmbajtjeve me kosto të ulët, e kjo dallon nga konsumimi i të mirave materiale.
Paneli ishte i ndarë sa i përket disa temave qendrore, por anëtarët e tij dhe audienca u pajtuan për diçka: çështjet e të drejtave të autorit duhet të diskutohen më tej në shoqërinë kosovare.K
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.