Kërkoj falje nëse po ju mërzis me gjithë këto tregime. Por mirë që po ja bëni qejfin një pasqyreje të vjetër e të thyer siç jam unë. Unë kurrë nuk kam qenë tregimtare e mirë. Por tani që jam e thyer dhe e shkapërderdhur copa copa, më duket se e vetmja mënyrë për t’i rregulluar e bashkuar përsëri copat e mia është me tregimin e këtyre tregime.
Gjithmonë kam qenë më shumë si një vëzhguese e heshtur. Kam dëshmuar tregime që nuk i ç’shoh dot — edhe të bukura edhe të shëmtuara. Reflektimi im ka qenë shërbyesi më besnik i gjithëfarëlloj zonjave e zotërinjve — gjithmonë e heshtur, gjithmonë duke vëzhguar, kurrë duke mos ndërhyrë. Gjithmonë duke ua treguar të vërtetën që duan ta shohin. Gjithmonë duke ua treguar gënjeshtrat të cilave donin t’i beosnin. Nëpërmjet meje, fantazmat e paraardhësve kanë folur me pasardhësit. Dhe nëpërmjet reflektimit tim, mendjet e ndritura janë çmendur.
Jam përdorur si portal për të kërcyer nëpër kohë dhe hapësirë dhe imagjinatë. Unë jam ajo që e ka kapur në grackë pafundësinë. Njëkohësisht e shoh të kaluarën, të tashmën dhe të ardhmen. Sigurisht se nuk më besoni: Në ditët në vijim, do ta lexoni tregimin për një rreze drite të burgosur në vetminë e saj.
Por tani qëndroj e shtrirë dhe e thyer, e copëtuar në thërrmia reflektuese. Tregimi i këtyre tregimeve është mënyra e vetme që sërish të ribashkohem me copat e mia. Por tregimet më vijnë si fragmente dhe copa të vogla. E thyer, vështirë e kam ta shoh tregimin e plotë. Më mungojnë shumë sende.
Për më tepër, si mund të jem e sigurt se tregimet që ua tregoj e reflektojnë të vërtetën? Çka nëse nuk e përmendi ndonjë detaj kyç? (Lumi ishte i bindur se Nara erdhi për t’u ulur buzë tij për shkak të tingujve hipnotizues të rrjedhës së ujit. A e kam përmendur faktin se gjatë tërë kohës ajo kishte kufje në vesh?)
E vërteta është se më nuk mund të jem e sigurt se cila është e vërteta — jo sa jam kështu e shkapërderdhur nëpër dysheme, copë copë, në mungesë të fragmenteve të mëdha në mesin e gjithë atyre thërrmijave.
Kështu që më falni nëse po ju mërzis. Me siguri krejt çfarë do të donit nga unë është ta shikoni veten në reflektimin tim. Ju shoh. Ju shoh. Por imazhi juaj është i shpërndarë nëpër gjithë ato copëza të mia të thyera. Jeni shumë jush, njejtë siç janë shumë copëza të mia. Prandaj edhe po ua tregoj gjithë këto tregime. Është përpjekja më e mirë për ta plotësuar veten përsëri.
Po ju dëgjoj. Ma tregoni një tregim.
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.