Në fushën e feminizmit global, viti 2017 do të kujtohet për lëvizjen #MeToo.
Kjo nismë, e themeluar në SHBA pas skandalit të Harvey Weinstein – në të cilin prodhuesi i njohur i filmave është akuzuar për ngacmime dhe sulme seksuale kundër dhjetëra grave – u përhap në shtete të tjera, duke bërë që qindra e mijëra gra të thonë publikisht “me too” (“edhe unë”… jam viktimë e ngacmimit), për ta theksuar faktin se dhuna seksuale është problem i përhapur dhe serioz. Revista Time e shpalli lëvizjen “me too”, apo ato që e “thyen heshtjen”, si person të vitit.
Ndonëse “me too” arriti edhe Ballkanin, shtetet në këtë rajon ende përballen me beteja të ndryshme. Disa nga temat e theksuara nga aktivistët feministë në Ballkan janë e drejta për abortim, përfaqësimi i grave në pozita të vendimmarrjes, prania e grave në politikë dhe dhuna kundër grave.
Në një seri të Bisedave, K2.0 ka folur me disa prej feministeve më të shquara në rajon për zhvillimin dhe gjendjen aktuale të feminizmit në shtetet e tyre përkatëse dhe problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohen.
Në intervistën më të fundit K2.0 ka biseduar me Ermira Danaj, një feministe e zëshme që ka kontribuar për çështjet gjinore në Shqipëri që nga viti 2002, kryesisht përmes punimeve akademike dhe punës hulumtuese.
K2.0: Në artikullin “I am not a feminist but…” botuar në revistën akademike “Gender, Place & Culture” disa muaj më parë, ju sillni në vëmendje faktin se si në Shqipëri pas rrëzimit të diktaturës së Enver Hoxhës, pati një tërheqje të grave nga jeta publike. Ato u rikthyen në sferën private dhe tentativa për instalimin e demokracisë në vend, u përqëndrua te dominimi mashkullor pothuajse në të gjitha sferat e politikbërjes. Ulf Brunnbauer — një studiues i specializuar në Historinë e Evropës Lindore dhe Juglindore — të cilin ju e citoni në tekstin tuaj, flet për të ashtuquajturat “demokraci mashkullore” që lindën menjëherë pas rrëzimit të regjimeve. Si do ta shpjegonit këtë fenomen për rastin e Shqipërisë? Kemi vërtetë të bëjmë me një tërheqje të grave nga publikja apo ky rol publik nuk ka qenë në fakt asnjëherë realisht i zotëruar prej tyre?
Ermira Danaj: Me ndryshimin e sistemit, kemi të bëjmë me një tërheqje të grave nga publikja. Gjithashtu, jam e mendimit se gjatë komunizmit në Shqipëri por edhe në vendet e tjera ish komuniste, gratë ishin të pranishme në sferën publike, qoftë në politikë, qoftë në sektorët e ndryshëm të ekonomisë; në art, në letërsi apo edhe si disidente, etj.
Të mos nënvlerësojmë rolin e të gjitha atyre grave inxhiniere ndërtimi apo elektriçiste; mjeke, fizikante, etj., profesione këto që ende konsiderohen, sepse të tilla konstrukte sociale janë, si profesione burrash.
Ajo që ndryshoi me rënien e sistemit dhe ndikoi në tërheqjen e grave nga sfera publike ka lidhje me shumë faktorë. Në radhë të parë — dhe kjo është e ngjashme edhe me situatën në vendet e tjera ish komuniste — roli publik gjatë komunizmit iu kërkoi grave sakrifica shumë më të mëdha se sa burrave. Një grua nuk ishte vetëm mjeke apo inxhiniere. Ajo ishte dhe kujdestare e shtëpisë, e fëmijëve, shpesh e prindërve të bashkëshortit; e gatimit, hekurosjes, etj. Në krahasim me një burrë, sakrificat e gruas për të luajtur këtë rol publik ishin shumë më të mëdha.
Foto: Berthet Samuel.
Për këtë temë nevojitet një hapësirë diskutimi më e gjerë sepse po të njëjtat sakrifica i kërkohen grave edhe në sistemin e sotëm, jo vetëm në Shqipëri por edhe në mjaft vende të tjera në botë.
Deri më tani, studimet tregojnë se për të qenë të pranishme në sferën publike, pjesa dërrmuese e grave ia ‘delegojnë’ rolin e tyre përkujdesës (një konstrukt social edhe ky rol) grave të tjera — pjesëtare të familjes ose të punësuara. Ndarja e përkujdesjes për shtëpinë mes anëtarëve të familjes është tërësisht gjinore dhe politike. Çdo lloj mënyre e ndarjes së punëve dhe përkujdesjes në sferën private, ndikon në rolin dhe pjesëmarrjen e gruas dhe burrit në sferën publike.
Në librin e tyre mbi raportet dhe politikat gjinore në socializëm, Shana Penn dhe Jill Massino theksojnë se në shumë vende ish socialiste, gratë ndiheshin të dërrmuara nga detyrat e shumta që iu kërkohej të përmbushnin, gjendje që u përforcua me kolapsin, diku më shumë e diku më pak, të shërbimeve sociale që më së shumti ndihmonin gratë. E kjo është një ndër arsyet që shumë gra u detyruan të kthehen në sferën private për t’u kujdesur për fëmijët në mungesë të kopshteve apo çerdheve. Një arsye tjetër, ishte dhe mbyllja e shumë vendeve të punës në sektorë që u shkatërruan me rënien e komunizmit.
Por, Penn dhe Massino vënë në dukje edhe se rënia e komunizmit, tashmë hiqte çdo detyrim të politikave emancipuese dhe periudha e hershme pas rënies së komunizmit, karakterizohet dhe nga një lloj hakmarrjeje e burrave kundër politikave emancipuese. Madje, kjo shihet dhe në frikën e atashimit të vetë grave me feminizmin apo termat si emancipimi dhe barazia, për shkak të konotacionit ‘komunist’ të këtyre termave.
Megjithatë, kur flasim për sferën publike më shumë i referohemi sektorit ekonomik dhe politik. Ishin pikërisht këto dy sektorë prej të cilëve gratë u tërhoqën më së shumti. Ndërkohë, ato u angazhuan më tepër në një sektor të ri për kontekstin e Shqipërisë, atë të shoqërisë civile dhe organizatave joqeveritare/jofitimprurese.
"Lejimi i një lloj patriarkalizmi ishte dhe një lloj kompromisi i pushtetit për të mos e kthyer gjithçka përmbys."
Susan Gal dhe Gail Kligman ndërsa analizojnë raportet gjinore në post-komunizëm, shprehen se ky ishte një sektor që nuk kishte as para e as pushtet. Për këtë arsye, nuk shihej me interes nga burrat të cilët u përqëndruan në politikë dhe sipërmarrje.
Mendoj se gjendja e gruas gjatë komunizmit, në krahasim me periudhën e mëparshme, duhet parë më e nuancuar. Sigurisht që gruaja ishte më e ngarkuar se burri dhe i duhej të sakrifikonte shumë më tepër se ai për të qenë e pranishme në sferën publike.
Sigurisht që ekzistonte një moral shtrëngues për gratë, por një moral shtrëngues kishte dhe për burrat, në kuadër të homogjeneizimit dhe ndërtimit të ‘njeriut të ri socialist’. Të mos harrojmë se normat dhe pritshmëritë patriarkale nuk mund të shuhen brenda një dite dhe gjithashtu, lejimi i një lloj patriarkalizmi ishte dhe një lloj kompromisi i pushtetit për të mos e kthyer gjithçka përmbys.
Nga ana tjetër, të mos harrojmë as politikat për arsimimin e grave dhe vajzave, as praninë e tyre në shumë profesione, sfera dhe pozicione të konsideruara deri më atëherë, dhe ende, ‘mashkullore’.
Diskursi për emancipimin e gruas gjatë diktaturës ishte tejet i ngurtë dhe heteronormativ. Homoseksualiteti ishte i kriminalizuar ndërsa idenitetet e tjera gjinore nuk janë sjellë në ekzistencë deri vonë. Sot, pjesa dërrmuese e aktorëve civilë, kur flasin për barazinë gjinore, bien në të njëjtën grackë heteronormative. Nuk flitet për gratë por për disa gra. Kryesisht, gra të reja heteroseksuale, mundësisht të martuara dhe/ose nëna që veprimtarinë e tyre e kanë shtrirë në qytetet kryesore të vendit. Pse ndodh kjo?
Këtu kemi të bëjmë me disa elementë shumë të rëndësishëm. Atë që e quanim ‘familjen e re socialiste’ në vendet ish komuniste, në vendet jo komuniste dhe në Shqipërinë e sotme, e gjejmë si familja tradicionale: burrë, grua, fëmijë, kafshë shtëpiake, mbase dhe jo në këtë renditje, por gjithsesi me burrin gjithnjë në vend të parë.
Të mos harrojmë se jo vetëm në Shqipërinë e sotme por edhe në shumë vende të tjera, madje dhe në ato që në imagjinaren tonë të gjinizuar mund të konsiderohen si më ‘të zhvilluara’, përsëri emancipimit, barazisë, apo çlirimit të gruas, i referohemi në terma heteronormativë dhe shpesh duke e homogjenizuar gruan, jo vetëm te gruaja e martuar dhe/ose nënë, por edhe e bardhë e klasës së mesme.
"Dhe në fakt, Shqipëria e post socializmit është — shpresoj dhe jo për shumë kohë — një terren shumë pjellor për lulëzimin e kësaj fryme neoliberale në perspektivën gjinore."
Ndaj, mendoj se një ndër elementët kyç të feminizmit është interseksionaliteti: përfshirja e gruas së bardhë, me ngjyrë, të varfër, të pasur, myslimane, ateiste, transeksuale, lezbike, të divorcuar, të moshuar, pa fëmijë, nga veriu, nga jugu, etj. Nëse nuk e shikojmë gjininë së bashku edhe me të gjitha kategoritë e tjera, do mbetemi vetëm në nivele tërësisht sipërfaqësore analize dhe veprimi.
Si përkthehet fryma neoliberale në perspektivën gjinore të jetës politike dhe shoqërore në Shqipëri sot?
Fryma liberale në përspektivën gjinore mund të vihet re te theksi që i jepet individit, te suksesi personal i një gruaje; arritjet personale të saj; te gruaja në karrierë… Duke eliminuar solidaritetin dhe dimensionin e përbashkët të çlirimit jo vetëm të një gruaje, por dhe luftën ndaj seksizmit e dominimit mashkullor.
Dhe në fakt, Shqipëria e post socializmit është — shpresoj dhe jo për shumë kohë — një terren shumë pjellor për lulëzimin e kësaj fryme neoliberale në perspektivën gjinore. Gruaja në frymën feministe neoliberale do të mund të përshkruhej sipas Silvia Federicit: “gruaja në karrierë që i shpëton shtypjes së saj jo përmes fuqisë së solidaritetit dhe luftës së përbashkët, por përmes fuqisë së dominuesit, fuqisë së shtypjes së grave të tjera”.
Foto: Berthet Samuel.
Dhe nuk kemi të bëjmë me një çlirim të plotë por me kalimin nga një lloj shtypjeje, në një tjetër. Kornizmi tek individi duke mos marrë parasysh shtypjen dhe diskrimiminin që bëhet në bazë te seksit, klasës, rajonit, fesë, etj. Mendoj se është shfaqja e frymës neoliberale, jo vetëm në Shqipëri.
Këtë fenomen e vëmë re edhe më gjerë. Fillimisht, e gjejmë te fetishi i procedurave dhe teknikaliteteve në lidhje me barazinë gjinore, në përmbushjen e përqindjeve, objektivave, duke lënë mënjanë rrënjët e problemit, duke mos denoncuar dimensionin patriarkal të shoqërisë. Për shembull, themi të nxisim politikat e punësimit fleksibël të grave në mënyrë që ato të mund të bëjnë një punë të paguar por edhe të merren me punët dhe përkujdesjen e shtëpisë dhe familjes.
Kjo nuk bën tjetër gjë veçse e legjitimon shtypjen dhe diskriminimin e grave, legjitimon rolin që iu është dhënë grave si kujdestare të familjes, dhe nuk e vë aspak në pikëpyetje apo denoncon këtë rol. Me një fjalë, nuk zgjidh asgjë në lidhje me ndarjen e barabartë të punëve në familje.
Ka një lloj droje, në mos fobi, në përdorimin e termit ‘feminist/e’ në Shqipëri. Sjell në vëmendje këtu një intervistë të Ministres së Kulturës Mirela Kumbaro një vit më herët e cila shprehet e sikletosur në mos e bezdisur për identifikimin si ‘feministe’. Gjithashtu, aktivistë të shoqërisë civile, ndihen më komfort e të sigurt kur e identifikojnë veten si ‘aktivistë për të drejtat e grave’ se sa si feministë. Pse ekziston kjo frikë dhe kjo ngutje për t’u distancuar nga feminizmi apo të qenurit feminist/e?
Është e vërtetë se shumë shpesh, përfaqësuese të shoqërisë civile apo politikane nxitojnë të ‘sqarojnë’ se nuk janë feministe por punojnë për të drejtat e grave. Në fakt është pak paradoksale kjo situatë në Shqipëri apo dhe në vende të tjera ish-komuniste, teksa vitet e fundit ka pasur një lulëzim të ‘marketingut feminist’, ku lloj-lloj politikanësh, të majtë e të djathtë, kanë shprehur lidhjen e tyre me feminizmin.
Shumë fatkeqësisht, ka një prani të theksuar padije në lidhje me ç’është feminizmi. “Ngrënëse burrash”; “Djegëse sytjenash”; “Lezbike”; “Vrasëse fëmijësh” – janë disa nga përshkrimet, shekullore tashmë, që i vishen feministeve, siç thotë Ann Snitow duke përmbledhur paksa paragjykimet kundër feministeve. Shpesh, nëpër gazetat në Shqipëri gjejmë përshkrime të tipit “feministet agresive që janë kundër privilegjit të burrave”.
Foto: Berthet Samuel.
E para e punës, ç’do të thotë agresive? Dhe e dyta, pse qenka keq të luftosh kundër privilegjit të burrave? Kjo e gjitha shkon bashkë me cektësinë e njohjes dhe analizës. Dëgjojmë diku diçka dhe e tjerrim, pa u thelluar as në dije dhe as në analizë. Një pjesë e tyre nuk janë në të vërtetë feminist/e, ndërsa ata/o që druhen të vetëidentifikohen me feminizmin, kryesisht e bëjnë sepse parapëlqejnë të qëndrojnë në terma të mesëm, të mos prishin qejfe e thënë ndryshe; të mos prekin status quo-në.
Këtë e shikojmë dhe në një lloj tendence për të bërë fushata dhe protesta standarde, të mos provokojmë, duke iu përmbajtur stereotipit se ‘gruaja nuk ka pse të provokojë’, ‘mjafton që ajo të kërkojë të drejtat’; ‘të mos përdorë parrulla me fjalë të pista’; ‘të mos vërë në skenë pjesë feministe provokuese’. Domethënë, gratë mund të shtypen sistematikisht, të dhunohen, të diskriminohen, të vriten, por të drejtat dhe protestën duhet ta bëjnë qetësisht, me edukatë, të mos prishin qejfe.
E gjithë kjo mani ndaj kompromiseve dhe mos prishjes së raporteve ekzistuese, sjell vetëm arnime sipërfaqësore të gjendjes së gruas. Dhe pikërisht në këto hapësira kompromisi gjejmë shumë shpesh politikanët/et apo figura të tjera publike; në hapësira neutrale. Dhe kjo situatë është e ngjashme edhe në vendet e tjera ish socialiste.
"Është shumë më e lehtë për një burrë të deklarohet feminist. Madje, kjo i shtohet 'sharmit' të tij si politikan, gjë që nuk ndodh kur një politikane grua identifikohet publikisht si feministe."
Megjithatë, aktualisht ka politikane apo aktivistë/e që vetëidentifikohen si feministë/e pa u shqetësuar aspak, përkundrazi. Nuk po përmend politikanët burra sepse nëse e keni vënë re, është shumë më e lehtë për një burrë të deklarohet feminist. Madje, kjo i shtohet ‘sharmit’ të tij si politikan, gjë që nuk ndodh kur një politikane grua identifikohet publikisht si feministe.
Më kujtohet se si në shtator 2017, pas vrasjes së Fildeze Hafizit në Tiranë nga ish bashkëshorti i saj, shumë gra të angazhuara në shoqërinë civile në vend, së bashku me disa politikane, organizuan një protestë kundër dhunës me bazë gjininë. Diskursi ishte larg atij feminist dhe përgjegjësia për një krim të tillë — që nuk ishte i pari i këtij lloji — vazhdimisht i delegohej traditës. Ishte fort e qartë se kë kishte në qendër diskutimi: gra në kushte më të privilegjuara se shumica e grave në Shqipëri. Ky ishte një mobilizim që ra në sy por që nuk ka ndodhur në asnjë prej rasteve kur gratë e dhunuara apo të vrara i përkisnin një shtrese socio-ekonomike të varfër; kur ato kanë qenë të papuna, punëtore fasonerish, fshatare, të pashkolluara; të një identiteti gjinor ndryshe, me orientim homoseksual apo etni tjetër. Pse ndodh kjo? Por mbi të gjitha, pse janë gjithmonë vetëm gratë (politikane apo aktiviste) që reagojnë ndaj femicidit apo diskriminimit gjinor duke e bërë feminizmin të duket si ‘punë grash’ e jo çështje e shoqërisë — duke e shqelmuar atë në këtë hulli mizogjin?
Çështja e dhunës ndaj grave dhe femicidit është një fenomen shumë i ndërlikuar për t’u mbyllur brenda termave ekonomike, klasore apo rajonale. Si të dhënat statistikore, ashtu dhe dëshmitë e rrëfyera, tregojnë se gratë e dhunuara i përkasin të gjitha shtresave dhe burri dhunues nuk është thjesht një ‘pijanec’, një i ‘marrë’ apo një i ‘dashuruar marrëzisht’.
Këto lloj epitetesh tregojnë cektësinë e trajtimit të këtij fenomeni dhe vetëm sa e përforcojnë dhunën ndaj grave. Mendoj se trajtimi që i bëhet kësaj lloj dhune në Shqipëri — por jo vetëm — dhe sidomos në media, është tërësisht i gabuar. Ai nuk i shërben në mënyrë absolute luftës ndaj dhunës apo femicidit. Në parantezë: mendoj se fushata e parrullave ‘Kush të rreh, nuk të do’ e ndërmarrë nga një grup feministesh të reja për ditën e Shën Valentinit në Tiranë, është një nga episodet më të vyera të kohëve të fundit në Shqipëri.
Foto: Berthet Samuel.
Ajo çka ndodh në Shqipëri këtyre çasteve, më shqetësuesja, është normalizimi i dhunimit dhe vrasjes së grave; trajtimi i tyre si një rast më tepër: ‘thjesht u vra’ edhe një grua. Ndaj, gjykoj se përveç se protestat për rastet e vrasjeve duhet të jenë të vazhdueshme, ashtu siç thoni ju: për çdo grua, kushdoqoftë ajo; tejet i rëndësishëm është edhe trajtimi i këtyre rasteve dhe i fenomenit në përgjithësi.
Ndryshimet do të jenë shumë të pakta nëse vazhdojmë ta quajmë vrasjen e një vajze apo gruaje ‘krim pasioni’ apo mundësisht të gjejmë justifikime se pse gruaja e meritonte të vritej, siç ndodh rëndom. Gjithashtu, ndryshimet do të jenë shumë të pakta nëse çështja e dhunës ndaj grave, seksizmi, barazia gjinore, nuk përfshihen në të gjitha tekstet shkollore duke nisur me ato parashkolloret, në mënyrë që vajzat e reja të mos mendojnë se të rrihesh nga burri është diçka normale apo e merituar.
Nga ana tjetër, është tërësisht naive nëse fushatat ndërgjegjësuese kundër dhunës ndaj grave perceptohen nën ligjërimin ‘po sikur X të ishte motra apo nëna yte’. Kjo do të thotë që nëse gruaja nuk është nënë apo motër mund të dhunohet?! Asnjë lloj kompromisi nuk zgjidh gjë. Duhet thënë qartë dhe shkurt: asnjë grua nuk duhet dhunuar apo vrarë dhe nëse e bën këtë, duhet të përballesh me dënimin — fort madje. Kaq e thjeshtë!
"Në një ambient të mbizotëruar nga burrat, ku intrigat e politikës ndërhyjnë në çdo hapësirë debati, sigurisht që nuk ka vend për çështje madhore të shoqërisë, siç është diskriminimi dhe dhuna ndaj më shumë se gjysmës së anëtarëve të kësaj të fundit."
Një nga armiqtë më të mëdhenj të të drejtave të grave është gjetja e kompromisit apo rrugët e mesme që e vendosin ‘çështjen e gruas’ diku nga fundi i piramidës së shtypjes. Dhuna ndaj grave vendoset në fund sepse trajtimi i praktikave të tjera shtypëse dhe diskriminuese as që ekziston në debatin publik. Askush nuk flet për ngacmimet seksuale në vendin e punës, sidomos të vajzave dhe grave të reja që jetojnë vetëm.
Shumë pak flitet për shfrytëzimin e grave në punë, pa kontrata dhe me orare sfilitëse, etj. Në një ambient të mbizotëruar nga burrat, ku intrigat e politikës ndërhyjnë në çdo hapësirë debati, sigurisht që nuk ka vend për çështje madhore të shoqërisë, siç është diskriminimi dhe dhuna ndaj më shumë se gjysmës së anëtarëve të kësaj të fundit. Këto çështje madhore nuk mund të kalohen me thashetheme dhe polemika. Ato meritojnë analizë të thellë dhe fatkeqësisht, ne gjendemi përballë një dhune politike, ku pothuajse asgjë nuk analizohet.
Në lidhje me rastin në fjalë [vrasja e Fildeze Hafizit] nuk më befason që nuk ka pasur shumë burra pjesëmarrës në protestë. Kam parasysh nivelin e turpshëm të diskutimeve të deputetëve kur në kuvend diskutohej projektligji kundër dhunës apo i barazisë gjinore, apo në lidhje me diskutimet e fundit homofobe mbi frikën e ‘pushtimit homoseksual’.
Gjithashtu, le të mos harrojmë se aktivizmi për çështjen e gruas në Shqipëri si dhe në shumë vende të tjera ish-socialiste, është në njëfarë mënyre elitar, në kuptimin se i përket kryesisht një kategorie grash — dhe shumë pak ka lindur nga baza. Mendoj se format dhe hapësirat alternative të aktivizmit feminist janë shumë të nevojshme në Shqipëri, pikërisht për t’i mëshuar aspektit interseksional të feminizmit.
Në Shqipëri flitet për gruan por nuk flitet me gruan. Sërish, gruaja është pjesa periferike e këtyre diskutimeve, e padronizuar nga një ligjërim imponues, jo subjekti kyç që artikulon vetveten. Sa të sigurt mund të tregohemi për zhvillimin social kur hapat drejt tij s’hidhen njëlloj? A është barazia kusht për zhvillimin apo zhvillimi kusht për barazinë?
Kjo më kujton një fotografi të kohëve të fundit të Donald Trump bashkë me një tufë burrash tek firmoste një ligj që prekte dhe të drejtat riprodhuese të grave. Ishte një foto që e ilustronte më së miri gjendjen e grave dhe politikat e vendimet që merren mbi to.
"Nuk shoh aspak shpresë për zhvillimi social për sa kohë ‘punët e grave’ trajtohen si diçka shtesë."
Ajo që ndodh në Shqipëri, në kuadër të frymës neoliberale në perspektivën gjinore, është kanalizimi tek aspektet proceduriale dhe teknike; anashkalimi i thelbit të pabarazive dhe dominimit mashkullor. Është gjithashtu futja e gruas në korniza viktimizimi, duke e trajtuar pikërisht si një objekt dhe jo subjekt kyç. Është gjithashtu prioritizimi i çështjeve të debatit publik — për aq sa mund të përdor këtë term — ku sipas interesit prioriteti ndryshon por ama ‘punët e grave’ mbeten gjithnjë në fund.
Nuk shoh aspak shpresë për zhvillim social për sa kohë ‘punët e grave’ trajtohen si diçka shtesë dhe për sa kohë nuk do të kuptohet, apo nuk do të bëhet e qartë nga lëvizjet e ndryshme shoqërore, se nuk mund të flitet për asnjë aspekt të shoqërisë duke lënë mënjanë anëtarë të shoqërisë, qofshin burra, gra, me ngjyrë, të bardhë, LGBT+, etj. E megjithatë, nuk mendoj se barazia apo çlirimi i grave do të vijë nga lart, nga politikat apo vendimet e marra nga politika, por vetëm nga mobilizimi i vazhdueshëm i vetë grave.
A mund të flasim për feminizmin pa folur për të majtën?
Duke u nisur nga pozicioni im tërësisht personal, e kam shumë të vështirë ta ndaj feminizmin nga e majta. Pavarësisht vështirësisë për të rënë dakord mbi përkufizimin e feminizmit, unë e gjej veten tek feministet si bell hooks, Ann Snitow apo Nancy Fraser, të cilat e shohin feminizmin si lufta kundër shtypjes seksiste dhe çdo lloj forme dominimi; që përfshin të gjitha gratë, pavarësisht klasës, etnisë, moshës, etj.
"Jo çdo i/e majtë është dhe feminist/e. Madje, ka pasur raste lëvizjesh apo organizatash të majta të përshkuara nga forma seksizmi apo mizogjinie."
Megjithatë, si studiuese më duhet të them se ekzistojnë disa rryma të feminizmit, një ndër to edhe feminizmi neoliberal, elemente të së cilit i përmenda më sipër. Nga ana tjetër, jo çdo i/e majtë është dhe feminist/e. Madje, ka pasur raste lëvizjesh apo organizatash të majta të përshkuara nga forma seksizmi apo mizogjinie. E theksoj këtë sepse ka shumë politikanë të majtë seksistë dhe mizogjinë, të cilët përpiqen të përfitojnë thjesht nga spektri politik ku ndodhen, për t’i veshur vetes tërësisht pa të drejtë edhe atribute feministe.
Teksa jemi tek e majta dhe feminizmi, nuk mund të lëmë pa përmendur dhe një faktor kyç që në shoqëri të varfra e të përçara si këto në Ballkan, ia del të ruajë dhe riprodhojë të njëjtën status quo të pushtetit: nacionalizmin. ‘Baballarët e kombeve’ apo ‘burrat e shtetit’, kërkojnë rritjen e tij dhe rritja këtu, në një kuptim të ngushtë mund të lidhet posaçërisht me vetë procesin e riprodhimit. Detyra e gruas në imagjinaren patriarkale nacionaliste është të mbarset e të sjellë në jetë sa më shumë trashëgimtarë meshkuj që do të ruajnë linjën autentike kombëtare, me traditat, mitet, legjendat e gjithçka tjetër që ajo përmban. Homoseksualizmi krijon çarje në murin nacionalist e patriarkal pasi bie ndesh me sa më sipër. Lëvizja LGBT+ në Shqipëri duket të jetë e vetmja ndër grupet shoqërore në vend, që ia ka dalë të bëjë bashkë shqiptarët, serbët, kroatët, boshnjakët, kosovarët, grekët dhe maqedonasit. Në paradën e fundit LGBT+ në maj 2018, nga një qytetar përfaqësues i secilit shtet ballkanas, u solidarizua me protestuesit e Tiranës. A besoni se goditja e vazhueshme ndaj nacionalizmit në këtë mënyrë, mund të ndikojë në krijimin për herë të parë, të një lëvizjeje feministe solide në Ballkan, në një të ardhme ndoshta jo fort të largët? Njëkohësisht, a mund të jetë një lëvizje shoqërore e tillë pararoja drejt një të ardhme më miqësore dhe ndërvepruese mes nesh, ku kufijtë janë ura lehtësisht të kapërcyeshme, jo mure ndarës?
Sikurse shprehet [ studiuesja e feminizmit Anne] McClintock, të gjitha nacionalizmat janë të gjinizuar. Vetëm pak ditë më parë në Hungari u ndërpre shfaqja e baletit Billy Eliot pas një fushate të fuqishme homofobike ku thuhej se ky balet [ku një djalë i vogël ndjek ëndrrën e tij për t’u bërë balerin] i edukon keq fëmijët, ‘i kthen ata në homoseksualë’ dhe pikërisht në momentin më të keq kur mendohet se duhet që shoqëria të riprodhohet, gratë të lindin sa më shumë fëmijë përballë ‘rrezikut’ të emigrantëve. Tmerret shkojnë të gjitha bashkë pra!
Nga ana tjetër, pak vite më parë, kur në Francë diskutohej projektligji i martesave të të njëjtit seks, lëvizja La Manif’ pour tous, që e kundërshtonte këtë ligj, mobilizoi me dhjetra e dhjetra vetë. Dhe përsëri, elementët kryesorë të kësaj lëvizjeje i mëshonin faktit se ‘homoseksualiteti ishte një importim i huaj’, anglosakson në rastin e Francës e që po vinte në rrezik ‘francezitetin’ — familjen tradicionale, burrin dhe gruan. Dhe sa më shumë t’i mëshojmë homofobisë, aq më shumë i mëshojmë familjes tradicionale dhe raporteve hierarkike e të pabarabarta që ajo përmban.
Në rastin e bashkëpunimit të lëvizjes feministe në Ballkan, mendoj se është e vështirë të flasim për lëvizje feministe brenda kufijve shtetërorë. Sigurisht që diku aktivizmi feminist është shumë më i pranishëm se diku tjetër. Mbase unë jam pesimiste dhe pavarësisht dëshirës time, e shoh shumë të vështirë një lëvizje shoqërore të organizuar. Arsyeja kryesore është dobësimi ose mungesa e mendimit kritik dhe mpakja e shpirtit të protestës.
Megjithatë, bashkëpunimi i grupeve feministe është i pranishëm, dhe i frytshëm, dhe shumë shpresëdhënës. Mund të sjell këtu shembullin e “Diskutimeve Feministe” [ The Feminist Conversations, një projekt që bashkon zërat e aktivisteve feministe nga Kosova, Serbia dhe Kroacia që ishin aktive në vitet 1990-të], botuar nga Programi për Studime Gjinore në Universitetin e Prishtinës dhe Insituti AlterHabitus në Prishtinë. Sigurisht që ky bashkëpunim dhe solidarizim duhet zhvilluar, por të paktën është treguar se feminizmi ka qenë gjuha e përbashkët që i ka tejkaluar kufijtë në Ballkan e më tej.
Në historinë e Shqipërisë nuk ka patur kurrë një lëvizje feministe dhe për pasojë, as nuk ka ndodhur një revolucion seksual si ai në vitet 1960 në perëndim. Gjatë diktaturës kushtet sistemike e pamundësonin ngritjen e një lëvizjeje të lirë e cila në fund të fundit, do të binte ndesh me vijën e partisë. Sot i përkasim një konteksti shoqëror tjetër. Viteve të fundit, lëvizja LGBT+ ka patur një hov deri diku të paparashikueshëm. Nga ana tjetër, grupe të vogla, të përbëra kryesisht nga gra të reja aktiviste (pjesa më madhore e të cilave janë studente), në bashkëpunim me aktivistët LGBT+, për herë të parë kanë integruar një diskurs feminist në Shqipëri. A janë pjekur kushtet për krijimin e një lëvizjeje feministe, më në fund? A mund të flasim për një revolucion seksual sot në Shqipëri?
Edhe pas rënies së regjimit komunist, në Shqipëri nuk pati një lëvizje feministe, ashtu si në vende të tjera ka pasur aktivizëm feminist edhe gjatë regjimit komunist. Thjesht dua ta shoh praninë e lëvizjes feministe, ose jo, përtej raporteve binare regjim komunist / jo komunist sepse paradoksalisht, mungesa e lëvizjes feministe post-komuniste në Shqipëri apo në vende të tjera, shpesh lidhet pikërisht me frikën e identifikimit të majtë të feminizmit.
Mendoj se kushtet për të pasur një lëvizje feministe në Shqipëri janë pjekur për sa i përket gjendjes së grave. Nga ana tjetër, e kam ende shumë të vështirë ta imagjinoj këtë lëvizje në të gjithë vendin dhe më vjen shumë keq për këtë mosbesim.
Fryma shpresëdhënëse më vjen pikërisht prej grupeve të vogla që ju përmendni dhe hapësirave alternative aktiviste dhe kritike. Sot është nevoja pikërisht për këtë frymë kritike qoftë në aktivizëm, qoftë në akademi, sepse kështu do të kishim shkundje të status quo-ve në lidhje me gjendjen e gruas. Lëvizja LGBT+ i shërbeu pikërisht shkundjes së situatave neutrale, të kompromiseve, siç e përmenda më herët dhe për këtë arsye, edhe efekti i saj është më i dukshëm.
Sot do të kishte nevojë për një #metoo shqiptar — ku vajzat dhe gratë jo thjesht të denoncojnë por të jenë të ndërgjegjshme për diskriminimin, ngacmimin, shtypjen e dhunimin që po iu ndodh dhe mos ta marrin realitetin si një situatë të mirëqenë. Kjo është një pyetje që i bëj vetes këto kohë: Pse mungoi(n) një lëvizje #metoo në Shqipëri, apo edhe në vende të tjera në Ballkan?
Kjo është biseda e dytë në kuadër të serisë sonë “Biseda për Feminizmin në Ballkan” që trajton gjendjen e feminizmit në rajon. Na vizitoni javën e ardhshme për një intervistë tjetër me një feministe të shquar nga Ballkani Perëndimor.
Ky artikull është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista është zhvilluar në gjuhën shqipe.
Foto kryesore: Berthet Samuel.