Ndodhi më në fund. Dhjetë vjet e gjysmë pas shpalljes së pavarësisë dhe më shumë se dy vjet pas pranimit në UEFA, Kosova e luajti ndeshjen e parë garuese ndërkombëtare në tokë të Kosovës.
Pasi e kaloi gjithë fushatën e kualifikimit për Kupën Botërore 2018 duke luajtur ndeshjet si nikoqir në Shkodër, më 10 shtator Kosova e luajti ndeshjen e parë si nikoqir në turneun e ri të UEFA-s, Liga e Kombeve, në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, kundër Ishujve Faroe.
Ndonëse pjesa e parë ishte më e shkretë dhe e sikletshme dhe dukej se rëndësia e ngjarjes ndikoi tek fluiditeti i lojës ofanzive të ekipit nikoqir, në fillim të pjesës së dytë Kosova i shënoi dy gola dhe kështu shënoi një fitore historike 2-0.
Loja morri një karakter tragjik për shkak se burri sipas të cilit është emëruar stadiumi nuk ishte aty për ta parë ndeshjen. Fadil Vokrri, ish-presidenti i Federatës të Futbollit të Kosovës, i cili luajti rol të madh për njohjen dhe pranimin e federatës në FIFA dhe UEFA, fatkeqësisht ndërroi jetë në qershor në moshën 57 vjeçare.
Ekipi nikoqir doli në fushë me fanela ‘Vokrri, 9’. Pasi shënoi golin e parë në minutën e 50-të, Arbër Zeneli vrapoi deri te banka rezervë e Kosovës dhe e ngriti lart njërën prej këtyre fanelave, në mesin e lojtarëve të tjerë të cilët po e festonin golin.
Para kësaj, në minutën e nëntë të pjesës së parë, pankarta të shkruara ‘Vokrri, 9’ u ngritën lartë nga publiku, ku pastaj grupi ultras i Kosovës Dardanët, e shpalosën një tifo në të cilën shkruante “our hero” (heroi ynë). Emrin e ish-sulmuesit të Prishtinës, Partizanit të Beogradit dhe Jugosllavisë e kënduan gjatë gjithë lojës. Kështu u siguruan që Vokrri të ishte i pranishëm. Kjo sigurisht do të kishte qenë një prej netëve që do ta kishte bërë atë më së shumti krenar.
Pas ndeshjes, trajneri i Kosovës Bernard Challandes, i cili i ka fituar katër nga pesë ndeshjet e tij të para pa pranuar asnjë gol, ja kushtoi fitoren Vokrrit. Ndërsa trajneri i Ishujve Faroe, Lars Olsen, tha për K2.0 se rëndësia e kësaj ndeshje definitivisht e bëri ndeshjen më sfiduese për ekipin e tij.
Ekip i ri në një garë të re
Turneu i ri i UEFA-s u prit me huti nga shumë tifozë të futbollit për shkak të formatit të ndërlikuar të tij, por Liga e Kombeve i ofron futbollit kosovar më shumë se mundësinë për ta luajtur ndeshjen e parë historike si nikoqir dhe për ta përkujtuar ish-presidentin.
Hyrja e Kosovës në UEFA dhe fushata e vështirë e kualifikimit për Kupën Botërore 2018 e ka lënë Kosovën në vendin 141 në renditjet e FIFA-s, e 50-a nga 55 anëtarët e UEFA. Renditja e ulët do të thotë që Kosova pashmangshëm do të përballet me një detyrë herkuliane për t’u kualifikuar në Euro 2020, kur të tërhiqet shorti për garën kualifikuese në dhjetor.
Megjithatë, Kosova ka siguruar vendin në radhën e katërt dhe të fundit të Ligës së Kombeve, në Ligën D, specifikisht në grupin 3, përkrah Azerbajxhanit, Maltës dhe kundërshtarëve të natës së mbrëmshme, Ishujve Faroe. Nëse e fiton grupin, Kosova ngritet në Ligën C dhe kështu ka mundësi të ngritet edhe në renditje, për t’u përballur me një kalibër më të lartë të kundërshtarëve në edicionin e ardhshëm të garës.