Në thelb | Të drejtat e njeriut

Beteja e Kosovës me trafikimin njerëzor

Nga - 04.12.2018

Problemi mbetet pa u dalluar, pavarësisht reagimit të përmirësuar.

Tash që po afrohet fundi i vitit, kur autoritetet fillojnë t’i vlerësojnë dhe krahasojnë të dhënat me vitin e kaluar, drejtorati i Policisë së Kosovës që është përgjegjës për ta hetuar trafikimin njerëzor është krenar me progresin.

Në fakt, me sa duket viti 2018 mund të jetë viti më i mirë në këtë aspekt.

15 viktima janë identifikuar nga policia deri tani. Asnjë vit nuk është shënuar me më pak viktima të trafikimit njerëzor të identifikuara zyrtarisht në Kosovë. Sigurisht, si me të gjitha statistikat e krimeve, numri i reduktuar i incidenteve të raportuara mund të shkaktohet nga disa faktorë, përfshirë këtu nivelin më të ulët të policimit, përmirësimin e aftësive të kriminelëve për t’iu shmangur zbulimit, apo madje edhe ndryshimet në metoda të raportimit.

Por Departamenti është i vendosur se në këtë rast, numri i viktimave – që është përgjysmë më i vogël se numri i identifikuar në të njejtën periudhë vitin e kaluar dhe 100 përqind më e vogël se para një dekade – është tregues i suksesit dhe i reduktimit të fenomenit të cilin ata kanë filluar ta luftojnë.

Pa marrë parasysh si interpretohen të dhënat, numrat e theksojnë një gjë: Kosova ende e ka një betejë për ta luftuar sa i përket zhdukjes së trafikimit njerëzor.

K2.0 analizon fenomenin e trafikimit njerëzor në Kosovë, nga ndryshimi i profilit të viktimave, te beteja e vazhdueshme për t’i ndjekur penalisht autorët e krimeve dhe përpjekjet për t’i riintegruar viktimat në shoqëri.

Fenomen prekës

Ngjashëm me fenomenet tjera në Kosovë, regjistrimi i trafikimit njerëzor në përgjithësi ka filluar tek pas luftës së vitit 1999. Në mes atmosferës së rindërtimit dhe themelimit të agjencive të OKB-së dhe misioneve ndërkombëtare, ky problem kriminal global menjëherë u bë problem serioz në muajt dhe vitet pas ndërprerjes së luftimeve.

Mungesa e infrastrukturës ligjore, autoritetet dhe institucionet fragjile dhe sundimi pothuajse inekzistent i ligjit e bëri Kosovën teren të përshtatshëm për trafikuesit, në të cilin mund t’i kryenin punët e tyre të liga.

Deri në janar të vitit 2000, trafikimi njerëzor veç se ishte identifikuar si problem kur Kosova u bë destinacion kyç për gratë dhe vajzat e trafikuara në prostitucion me forcë.

Organizatat e ndryshme ndërkombëtare, si UNIFEM dhe Amnesty International, filluan ta ngrisin këtë çështje dhe për disa vite pas 1999 u theksua vazhdimisht si problem i madh që duhej trajtuar. Aktivistët dhe organizatat vazhdimisht theksuan se prania e përhapur e komunitetit ndërkombëtar prodhoi kërkesë të madhe në tregun e seksit; për shembull, u raportua se kishte prostitucion të organizuar në lokacione afër përqendrimeve të mëdha të trupave të NATO-s dhe KFOR-it.

Gratë dhe vajzat ishin kryesisht nga shtetet e Evropës Lindore, si Moldova dhe Ukraina, dhe u sjellën këtu nga trafikuesit lokal që punonin me grupe të krimit të organizuar në shtetet e origjinës së tyre. Përveç në lokacionet afër misioneve ndërkombëtare, gratë e trafikuara detyroheshin me forcë të punonin në prostitucion edhe në bare, restorane dhe klube të natës.

Një raport i publikuar në 2014 nga Amnesty International, që përfshinë gjetje të bazuara në intervista me viktimat e trafikimit njerëzor, tregon për jetën e një viktime në atë kohë: Ndonëse disa gra u rrëmbyen apo u detyruan të punojnë në prostitucion, shumë prej tyre i nisën udhëtimet në bazë vullnetare, duke besuar se puna që u ishte ofruar, kryesisht në Evropën Perëndimore, do t’i mundësonte të dilnin nga varfëria apo t’i arratiseshin situatave të dhunës apo abuzimit. Gjatë udhëtimit ato e kuptonin se puna nuk ishte ashtu siç u ishte premtuar; atyre ua merrnin dokumentet dhe ndonjëherë edhe i rrahnin apo i përdhunonin.

Riza Murati, i cili drejton një seksion brenda Drejtoratit të Policisë së Kosovës për Hetim të Trafikimit me Qenie Njerëzore, thotë se shpallja e pavarësisë së Kosovës në 2008 kontribuoi në ndryshimin e natyrës së trafikimit.

Ai thotë se kur Kosova nisi të aplikonte regjime të vizave për kombëtarët e disa shteteve të huaja dhe qytetarët e shteteve fqinje dhe atyre në Evropën Lindore, gradualisht filluan të marrin liberalizimin e vizave – që i mundësonte ata të udhëtonin më lehtë në Evropën Perëndimore – Kosova u bë destinacion më pak tërheqës për rrjetet kriminale të cilat e ridrejtuan fokusin kah BE-ja.

“Trendi i trafikimit me qenie njerëzore ndryshon nëpër botë sipas mënyrës në të cilën viktimat përdoren dhe varësisht nga zhvillimet ekonomike apo ndryshimet në atë vend sa i përket parandalimit apo zbatimit të ligjit, si dhe dënimit të trafikuesve”, thotë Murati. “Pastaj ata [trafikuesit] gjejnë mënyra të reja”.

“Trafikuesit e kuptuan se trafikimi brenda vendit është më i lehtë dhe kështu iu kthyen grave kosovare.”

Teuta Abrashi, Qendra për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore

Në rastin e Kosovës, përmirësimi i strukturës legjislative dhe mbyllja e kufijve bëri që trafikuesit të gjejnë viktima të reja – brenda vendit; në vitet e fundit kosovarët kanë përbërë pjesën më të madhe të viktimave, duke e transformuar Kosovën nga një ‘shtet destinacion’ për viktima të trafikimit në një ‘shtet të origjinës’. Por Murati shpjegon se teknikisht Kosova është ende shtet destinacion edhe shtet i origjinës, në sytë e ndërkombëtarëve, sepse edhe identifikimi i një viktimës së huaj të trafikimit mjafton për ta konsideruar shtetin si ‘shtet të origjinës’.

Për gati dy dekada, Qendra për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore (MVPT) ka punuar për t’i mbrojtur të mbijetuarit e trafikimit njerëzor që janë shfrytëzuar seksualisht; prej vitit 2000, kjo OJQ ka ofruar shërbime të strehimit dhe rehabilitimit.

Historia e organizatës ilustron ndryshimet në trendet e trafikimit njerëzor në Kosovë. Deri në 2008 operonte si strehimore e mbyllur – me siguri të lartë dhe pa qasje nga palët e jashtme – dhe ofronte ndihmë për të mbijetuarit që në përgjithësi qëndronin aty të fshehur deri sa t’ua rregullonin dokumentet, duke ua mundësuar kështu kthimin në vendlindje.

Megjithatë, zëvendës drejtoresha Teuta Abrashi thotë se prej vitit 2008, mbi 90 përqind të viktimave kanë qenë kosovarë dhe kështu organizata u detyrua ta ndryshonte qasjen. Situata e re e krijoi nevojën për t’i mbështetur të mbijetuarit në afat më të gjatë dhe bëri që të transformoheshin në një organizatë gjysmë të mbyllur e cila prapëseprapë kishte masa të sigurisë së lartë, por kishte rregulla më pak strikte sa i përket qasjes. Ndonëse viktimat e huaja kishin tendencë të udhëtonin në vendlindje pasi i rregullonin dokumentet, viktimat lokale nuk kishin ku të shkonin dhe kështu kishin nevojë për programe më të gjata të rikuperimit dhe rehabilitimit.

“Ndryshimi thekson një gjë tragjike, që Kosova u bë shtet i origjinës”, thotë Abrashi. “Trafikuesit e kuptuan se trafikimi brenda vendit është më i lehtë dhe se nuk kishin nevojë të investonin shumë para për t’i rregulluar dokumentet për jashtë vendit dhe kështu iu kthyen grave kosovare”.

Statistikat e Policisë së Kosovës tregojnë se më së fundmi, trafikimi njerëzor është fokusuar gjithnjë më shumë në trafikim të brendshëm nga grupet kriminale në Kosovë, ndërsa numri i viktimave nga shtetet e Evropës Lindore, përfshirë këtu Moldovën, Ukrainën, Rusinë dhe Bullgarinë, është reduktuar prej 2007.

Abrashi dhe Murati shpjegojnë se si pjesa më e madhe e viktimave të trafikuara brenda vendit trafikohen për shfrytëzim seksual, por prapëseprapë është një numër i vogël i grave të huaja që detyrohen të punojnë në prostitucion.

“Janë disa sallone të masazhës që kanë leje të punës, në të cilat ofrohen masazha, por ku janë identifikuar raste të trafikimit njerëzor prapa tyre.”

Riza Murati, Policia e Kosovës

Gratë dhe vajzat i nënshtrohen trafikimit seksual në shtëpi dhe apartamente private dhe në klube të natës, e më së fundmi trendi më i ri dhe më i përhapur është trafikimi në sallone të masazhës.

Ndërsa femijët nga Kosova, si dhe Shqipëria dhe shtetet tjera fqinje, po detyrohen të kërkojnë lëmoshë brenda vendit. Fëmijët nga komunitetet e romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve janë veçanërisht të prekshëm ndaj punës me forcë, zakonisht në formë të kërkimit të lëmoshës në rrugë dhe larjes së xhamave të veturave në udhëkryqe. Murati thekson se kushtet e vështira socio-ekonomike – që kanë tendencë të ndikojnë veçanërisht te komunitetet pakicë – i detyrojnë prindërit t’i çojnë fëmijët e tyre për të punuar në rrugë.

Sa i përket shfrytëzimit seksual, Murati thotë se korrupsioni në qeveri krijon një ambient që mundëson disa krime të trafikimit dhe se duhen kontrolle më të rrepta kur licensohen disa biznese të caktuara.

“Prostitucioni nuk është i ligjshëm. Por pastaj janë disa sallone të masazhës që kanë leje të punës, në të cilat ofrohen masazha, por ku janë identifikuar raste të trafikimit njerëzor prapa tyre”, thotë Murati. “Kjo është e vështirë për neve sepse është biznes që lejohet të funksionojë por ushtron aktivitete të jashtëligjshme. Dhe nuk janë vetëm disa”.

Murati thotë se mungesa e kontrollave parandaluese nga autoritetet licensuese dhe inspektorët ka tendencë t’i reduktojë ndërhyrjet në veprime retrospektive nga policia, duke e kufizuar aftësinë e tyre për të qenë efektivë.

Murati dhe Abrashi thonë se një profil tipik i një viktimës së trafikimit njerëzor në Kosovën e sotme është një vazjë, zakonisht nën moshën 18 vjeçare, që është detyruar të punojë në prostitucion. Kjo është në kontrast me profilin tipik të viteve të kaluara të viktimave të huaja që sipas tyre ishin përgjithësisht mbi 20 vjet.

“Kur je nën 18 vjet e ke më lehtë të biesh në kurthin e mashtrimit dhe të manipulohesh”, thotë Murati.

Reagim institucional

Ndonëse veçoritë dhe trendet e trafikimit njerëzor kanë ndryshuar në Kosovë gjatë viteve, një gjë ka mbetur konstante: sa i përket luftimit të këtij problemi, Kosova gjithmonë ka mbetur në kategorinë e dytë të Departamentit Shtetëror të SHBA-së.

Me fjalë tjera, ende përballet me vështirësi sa i përket eliminimit të trafikimit.

Si shtetet tjera në kategorinë 2, si Ekuadori, Greqia dhe Kamboxhia, qeveria e Kosovës vlerësohet se nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, por se ka bërë përpjekje të mëdha në këtë drejtim.

Në krahasim me shtetet tjera në botë, Kosova është larg shteteve të kategorisë së parë si Finlanda, Argjentina dhe Estonia, qeveritë e së cilave i përmbushin plotësisht standardet minimale të vendosura në Dekretin për Mbrojtje të Viktimave të Trafikimit (TVPA). Por vlerësohet se ka arritur progres më të mirë se Rusia, Venezuela, Irani dhe shtetet tjera të kategorisë së tretë që konsiderohen se nuk kanë bërë përpjekje për ta luftuar trafikimin.

Në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria, Maqedonia dhe Serbia janë të pozicionuara së bashku me Kosovën në kategorinë e dytë, ndërsa Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina janë të pozicionuara më poshtë në atë që quhet Lista e Mbikëqyrjes së Kategorisë 2; në këto shtete, numri absolut i viktimave të formave të rënda të trafikimit shihet si shumë i lartë apo se është duke u rritur shumë.

Raportet dhe ekspertët ndërkombëtar të monitorimit që punojnë në këtë fushë tregojnë se zbatimi i ligjit nga njësitet policore që merren specifikisht me trafikimin njerëzor në Kosovë dhe krijimi i mekanizmave të koordinuar nga institucionet relevante prej pavarësisë në 2008 kanë kontribuar në një luftë më efektive institucionale kundër këtij problemi.

Një Autoritet Kombëtar kundër trafikimit njerëzor, i drejtuar nga Ministria e Brendshme, i ka bashkuar përfaqësuesit e ministrive dhe OJQ-ve relevante, dhe ka kontribuar në zhvillimin e mekanizmave dhe plan veprimeve që i specifikojnë rolet e secilit anëtar në luftën kundër trafikimit njerëzor.

Sipas një raporti të Departamentit Shtetëror të SHBA që u publikua në 2018, policia i arrestoi 28 të dyshuar për trafikim në vitin 2017 dhe 10 persona të dyshuar për “shfrytëzim të shërbimeve seksuale nga një viktimë e trafikimit”; vitin e kaluar, këto shifra ishin 62 dhe 18 përkatësisht. 21 raporte kriminale për trafikim u regjistruan në Prokurori në 2017 dhe 31 në 2016.

Por një institucion i cili me sa duket e ka thyer këtë zinxhir është sistemi i drejtësisë.

Pavarësisht faktit se Kodi Penal i Kosovës parasheh dënime me 5 deri në 12 vjet burgim për trafikuesit, brenda dhe jashtë vendit janë shprehur shumë kritika për dënimet e ulëta të dhëna nga gjykatat për trafikuesit e shpallur të fajshëm.

Vëzhguesit thonë se mungesa e specializimit të shumicës së prokurorëve dhe gjykatësve ka rezultuar në dënime të vogla dhe në degradimin e rasteve në krime më të ulëta, veçanërisht në raste që përfshijnë kontroll emocional apo detyrim psikologjik të viktimave.

Departamenti Shtetëror i SHBA-së theksoi se në periudhën e fundit të raportimit – ndërmjet 1 prillit të vitit 2017 dhe 31 marsit të vitit 2018 – një trafikues u dënua me pesë vjet burg dhe gjobë 5,000 euro, por 14 trafikues morrën dënime nga 18 muaj deri në 3 vjet e 7 muaj, ndërsa shtatë trafikues morrën dënime të pezulluara, e shtatë u dënuan me gjoba 600 deri në 3,600 euro.

Si me procedurat për krimet tjera, gjykatat e Kosovës kanë plot raste të papërfunduara të trafikimit njerëzor. Raporti i Departamentit Shtetëror ka thënë se ky numër nuk po zvogëlohet: në vitin 2017, 88 raste të trafikimit kishin mbetur të hapura prej viteve të kaluara. Ndërsa 29 trafikues u dënuan në vitin 2017 dhe 24 në 2016.

Mbledhja e copave

Arratisja nga situatat e shfrytëzimit seksual dhe restaurimi i jetëve të të mbijetuarve të trafikimit njerëzor mund të jetë proces shumë i gjatë dhe i vështirë që fillon në momentin kur identifikohet viktima.

Në Kosovë janë dy strehimore që ofrojnë shërbime për të mbijetuarit e trafikimit për shfrytëzim seksual, dhe një strehimore që ofron strehim për fëmijët që i kanë mbijetuar punës me forcë.

Njëra nga strehimoret për viktimat e shfrytëzimit seksual është ajo që drejtohet nga shteti dhe quhet Objekti për Siguri të Përkohshme (OSP). Abrashi shpjegon se kjo strehimore i akomodon përkohësisht të mbijetuarit e shfrytëzimit seksual që vlerësohet se janë shumë të rrezikuar. Autoritetet zakonisht kërkojnë që të mbijetuarit të shoqërohen nga policia kur janë jashtë OSP deri sa procedurat gjyqësore janë në vazhdim e sipër dhe kërkojnë miratim nga prokuroria dhe Policia e Kosovës para se t’i lejojnë viktimat të largohen përherë nga OSP.

“Ato traumatizohen dhe duhet të kalohet një kohë e gjatë me to, të paktën për t’i bindur se nuk është faji i tyre.”

Teuta Abrashi, Qendra për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore

Kur të degradohet rreziku për të mbijetuarën e trafikimit për shfrytëzim seksual në rrezik mesatar apo të ulët – zakonisht pas arrestimit të suksesshëm të autorëve të krimit – viktimat çohen në OJQ-në të cilën e bashkë udhëheq Abrashi.

“Në momentin që policia vlerëson se ajo nuk është më e rrezikuar, që trafikuesit janë arrestuar dhe rrjeti është zbuluar, atëherë ajo vajzë apo grua duhet të rehabilitohet dhe riintegrohet në shoqëri”, thotë Abrashi.

“Kur personi shitet dhe blehet disa herë dhe shfrytëzohet në mënyrat më të tmerrshme, mund ta imagjinoni se si ndihet ai person”, thotë ajo. “Ato traumatizohen dhe duhet të kalohet një kohë e gjatë me to, të paktën për t’i bindur se nuk është faji i tyre dhe se kanë të drejtë për të jetuar si gjithë të tjerët”.

Pasi t’i nënshtrohen një programit të rehabilitimit, me pak perspektiva për punësim dhe të ballafaquara me mundësinë e stigmatizimit nga familja dhe komuniteti, shumë viktima e kanë të pasigurtë të ardhmen.

Abrashi shpjegon se fakti që po rritet numri i viktimave kosovare kërkon që të intensifikohen përpjekjet institucionale për krijimin e kushteve për integrim afatgjatë, nga sektori i arsimit deri te qendrat e trajnimit profesional, pasi që të mbijetuarit duhet të pranohen në shkollë apo t’i zhvillojnë aftësitë nëpërmjet mundësive të ndryshme të trajnimit.

Ajo shpjegon se si organizata e saj ka themeluar skema të punësimit në bashkëpunim me kompani lokale, që kanë prodhuar sukses të pjesshëm. Disa punëtorë e kanë abuzuar bashkëpunimin, thotë ajo, ndonëse 97 gra dhe vajza aktualisht janë duke marrë pjesë në programe të tilla.

Megjithatë, programet e riintegrimit ende ballafaqohen me sfida të tjera, për shkak të niveleve të larta të papunësisë dhe mungesës së burimeve në Kosovë. MVPT detyrohet t’i ndajë fondet e saj për të paguar për kurse profesionale.

Kjo organizatë po ballafaqohet me vështirësi financiare.

Si OJQ e licensuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) për të ofruar shërbime sociale, MVPT ka të drejtë të marrë fonde nga qeveria. Por vitin e kaluar u reduktua financimi nga Ministria për strehimoret e drejtuara nga OJQ-të, nga 171,010 euro të alokuara për mbrojtje të viktimave në 2016, në 152,870 euro në 2017.

Abrashi thekson se strehimoret e drejtuara nga OJQ-të kanë raportuar se financimi nga qeveria është joadekuat dhe thotë se ky proces i mundimshëm shpeshherë rezulton në probleme me fluksin e fondeve, për shkak se MPMS kërkon që të aplikohet për fonde çdo gjashtë muaj, duke shkaktuar zbrazëti në financim deri sa të procesohen dhe miratohen aplikacionet.

Për shembull në janar 2018, për shkak të vonesave buxhetore, qeveria u detyrua ta alokojë një fond emergjent për strehimoret që ofrojnë shërbime për viktimat e trafikimit njerëzor dhe dhunës në familje.

Adile Shaqiri, zyrtare e lartë në MPMS, thotë se qeveria e ka të vështirë të ofrojë mbështetje të plotë për strehimoret e drejtuara nga OJQ-të kur ato operojnë si organizata joqeveritare dhe thekson se asnjë viktimë e trafikimit nuk mbetet pa strehim për shkak të strehimores së drejtuar nga shteti që punon 24 orë.

“Ministria e Financave ka rregulla për financim publik të OJQ-ve dhe çdo organizatë duhet t’i nënshtrohet procesit të përzgjedhjes”, thotë ajo. “Pra merr kohë deri sa të ndodh kjo. Por qeveria gjithmonë e ka alokuar një fond emergjent nëse ka qenë i nevojshem”.

Megjithatë, Abrashi thotë se situata nuk është e qëndrueshme.

“Qeveria duhet të ketë linjë buxhetore që i ndihmon qendrat. Ne gjithmonë ballafaqohemi me të njëjtin problem dhe duhet të gjejmë zgjidhje ad hoc”, thotë ajo, duke shtuar se strehimoret e drejtuara nga OJQ-të shpeshherë mbështeten në financim nga donatorët e huaj për të mbijetuar. “Në vend se të marrim mbështetje në janar, e marrim në pranverë. Kjo paraqet rrezik për neve dhe mund të na detyrojë ta mbyllim strehimoren”.K

Redaktuar nga Jack Butcher.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0