S`fundmi | Personat e pagjetur

Tribut prekës për personat e pagjetur të Kosovës

Nga - 01.09.2016

Prishtina shënon viktimat e zhdukjes me forcë.

Të martën (30 gusht), në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, në qendër të Prishtinës u shfaq një dokumentar i fuqishëm që rrëfen me hollësi disa prej mizorive të kryera nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit në Kosovë. Familjet e personave të humbur, aktivistët e të drejtave të njeriut dhe qytetarë tjerë u mblodhën në amfiteatrin e “Zahir Pajazitit” për ekranizimin special të “Depth Two” (“Thellësia Dy”) nga regjisori serb Ognjen Glavonic.

Një instalacion me emrat e 116 fëmijëve që ende janë të humbur nga lufta në Kosovë u zbulua në Prishtinë të martën në mbrëmje. (Foto: Fikret Ahmeti / K2.0)

Një instalacion me emrat e 116 fëmijëve që ende janë të humbur nga lufta në Kosovë u zbulua në Prishtinë të martën në mbrëmje. (Foto: Fikret Ahmeti / K2.0)

Ky dokumentar u shfaq si pjesë e aktiviteteve të Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR). Kjo organizatë e dërgoi një mesazh të qartë për autoritetet kosovare: Agonisë së stërzgjatur, që përjetojnë familjet e rreth 1,665 personave që ende janë të humbur prej luftës në Kosovë, duhet t’i vijë fundi, dhe që amullia e qeverisë po u’a merr mundësinë familjarëve të personave të zhdukur që të mbajnë zi për ta. Pas filmit dokumentar ‘Kutia e Zisë’, një kuti e zezë me emrat e 116 fëmijëve që nuk janë gjetur kurrë pas zhdukjes së tyre me forcë gjatë luftës së Kosovës, u ndriçua si pjesë e një instalacioni prekës.

“Depth Two”

Një kamion i mbushur me trupa të fëmijëve, pleqve, grave dhe burrave nxirret nga thellësitë e lumit Danub; Shyhrete Berisha tregon për ngjarjet e tmerrshme të masakrës së familjes Berisha nga forcat serbe; Trupat e shqiptarëve të Kosovës zhvarrosen nga varret e tyre fillestare për t’u transportuar e hedhur në lum afër kufirit të Serbisë me Rumuninë; Autorët e krimit tregojnë se si regjimi i Milosheviqit organizoi operacion të hollësishëm logjistik për t’i mbuluar këto krime të rënda – në 2001 varrezat masive që përmbanin mbetjet e më shumë se 700 viktimave të luftës u zbuluan në lokacionin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Batajnicë, afër Beogradit.

“Depth Two” i rindërton disa prej ngjarjeve të tmerrshme që ndodhën gjatë bombardimit të NATO-s në Kosovë dhe Serbi në 1999 duke përdorur si rrëfenjë dëshmitë e viktimave dhe autorëve të krimeve nga gjykimet në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës për ish-Jugosllavi (ICTY). Pa i përdorur xhirimet e asaj kohe, zëri i dëshmitarëve ndërthuret vizualisht me pamjet të ditëve të sotme nga lokacionet e krimeve – lum i i turbullt, rrugë e shtëpi të pajetë, bar e drunj të shkretë – duke i përshtatur tonit dhe atmosferës, dhe i mundësojnë audiencës që të formësojnë vet imazhet dhe gjykimin për krimet e rënda.

“Ne mendojmë se tematika që adresohet në këtë film është diçka shumë e rëndësishme për t’u treguar, jo vetëm në Kosovë, por çdokund, veçanërisht në Serbi”, tha për K2.0 drejtoresha e përkohshme e YIHR – së, Teuta Hoxha. “Duke pasur konakt me të rinjtë, e vërejtëm se ata nuk kanë shumë informata për atë që ka ndodhor gjatë luftës, nuk kanë informata për çfarë ka ndodhur jo vetëm kundër komunitetit të tyre, por kundër të gjitha komuniteteve në Kosovë… në veçanti nuk dinë për ekzistencën e varrezës masive në Batajnicë që ishte 20km larg Beogradit”.

Drejtoresha e Përkohshme e YIHR, Teuta Hoxha, thekson nevojën që të rinjtë në veçanti të jenë më të informuar për atë që ndodhi gjatë luftës në Kosovë. (Foto: Fikret Ahmeti / K2.0)

Drejtoresha e Përkohshme e YIHR, Teuta Hoxha, thekson nevojën që të rinjtë në veçanti të jenë më të informuar për atë që ndodhi gjatë luftës në Kosovë. (Foto: Fikret Ahmeti / K2.0)

Të hënën, YIHR e dërgoi një kuti të vogël të zezë te zyra e Kryeministrit të Kosovës. Në të ishin një palë këpucë të fëmijëve, një letër dhe lista e emrave të personave të humbur nga lufta. “Duke qenë këmbëngulës në kërkesat për realizimin e të drejtave të familjarve të viktimave në veçanti si dhe shoqërisë në përgjithësi, si aktivistë të Nismës, përmes aksioneve simbolike vazhdojmë të sjellim në vëmendje çështjen e personave të pagjetur, duke u thirrur edhe në nenin 5 të ligjit për të zhdukurit, për të drejtën e familjarëve për t’u informuar për fatin e personave të zhdukur”, shkruan në letër.

Hoxha shpjegoi se synimi i këti aksioni ishte po ashtu për të shprehur shqetësimet se përfaqësuesit kosovar kanë dështuar që ta ngrisin çështjen e personave të humbur si pjesë të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja në mes të Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht premtimeve që u’a dhanë familjeve të viktimave.

Rreth 1,665 persona janë ende të humbur nga lufta në Kosovë.

Rreth 1,665 persona janë ende të humbur nga lufta në Kosovë.

Zbulimi i dëshmive

Në fund të luftës u vlerësua se më shumë se 5,000 persona ishin të humbur. Ky numër është zvogëluar gjatë viteve, pjesërisht për shkak të zbulimit të vazhdueshëm të varrezave masive – trupave të qindra shqiptarëve të Kosovës që u transferuan në Serbi nga forcat serbe, dhe u varrosën në varreza masive në mënyrë që t’i fshehin dëshmitë e mizorive.

Secili komb mundohet që ta viktimizojë vetën, dhe shtetet tona nuk janë të bazuara në mite, por në mitomani... e ajo është diçka që unë personalisht kam dëshirë ta luftojë me këtë film - kundër gënjeshtrës që po tregohej si e vërtetë.

Ognjen Glavonic

 

Deri më sot trupat e më shumë se 950 shqiptarëve të Kosovës që u zhdukën me forcë nga forcat serbe janë zhvarrosur në Serbi. Një varrezë masive në fshatin Petrovo Selo në Vojvodinë, në veri të Serbisë u gjet se përmbante mbetjet e 70 viktimave, ndërsa mbetjet e 84 personave u gjetën në Liqenin Perucac në perendim të Serbisë. Zbulimi i fundit ishte një varrezë masive në minierën Rudnica afër qytezës Rashka në jug të Serbisë, ku u zhvarrosën mbetjet e 55 personave. Varreza tjera masive janë gjetur gjithashtu brenda Kosovës. Megjithatë, varrezat më të mëdha që u zbuluan ishin ato në Batajnicë.

“Hapi i parë drejtë paqës dhe pajtimit është dokumentimi i fakteve që ndodhën gjatë luftës… në rastin e Kosovës, dokumentimi i asaj se çfarë ndodhi gjatë dhe pas luftës”, tha Hoxha. “Ne jemi një gjeneratë që e përjetoi luftën, por disa prej neve ishim shumë të ri në atë kohë, ndoshta nuk e kujtojmë luftën, por si qytetarë kemi të drejtë që t’i njohim pasojat. Nuk është vetëm barrë për familjet [e personave të humbur], duhet të ndahet nga të gjithë qytetarët, nga të gjithë të rinjtë, në mënyrë që të dimë se çfarë ndodhi në të kaluarën, dhe që të mund të kemi të ardhme të sigurtë dhe paqësore”.

Rreth 1,665 persona janë ende të humbur nga lufta në Kosovë.

Masakra e Suharekës

Me 26 mars, 1999, policët serb nga Stacioni i Policisë në Suharekë i vranë 48 shqiptarë të Kosovës në Suharekë – 46 prej të cilëve ishin nga familja Berisha, që u dokumentua në “Depth Two”. Në grupin e viktimave ishin edhe fëmijë, një grua shtatzënë dhe një 100-vjeçare; mbetjet e 23 personave prej ati grupi u gjetën në varrezat masive në Batajnicë. I biri i Shyhrete Berishës, Altini, është njëri prej fëmijëve të humbur, emri i  të cilit u ndriçua në instalacionin ‘Kutia e Zisë’.

Në mars të këti viti, ne 17 vjetorin e masakrës së Suharekës, aktivistë të të drejtave të njeriut në Serbi marshuan nga qendra e Beogradit deri në periferi, në Batajnicë. Të udhëhequr nga zyra e YIHR në Beograd, ata synuan që të rrisin ndërgjegjësimin për ekzistencën e varrezave masive dhe dështimin e ndjekjes penale të autorëve të krimit. Edhe pse Tribunali Ndërkombëtar i Hagës për ish-Jugosllavi i ndoqi penalisht disa prej zyrtarëve të lartë të përfshirë në masakrën e Suharekës, askush nuk është ndjekur penalisht në Serbi për operacionin e largimit të trupave.

“Depth Two” është mbështetur fuqimisht nga Fondi për të Drejtën Humanitare, që ndihmoi me prodhimin e dokumentarit si pjesë e “Nismës për Memorialin Batajnica”. Projekti aktualisht operon vetëm në hapësirë virtuale nëpërmjet filmit dokumentar dhe uebfaqes, por synon që të ngritjen e një memoriali në lokacionin e varrezave masive në Batajnicë, që do të qëndrojë si monument për viktimat dhe për të vërtetën mbi krimet e kryera.

“Unë mendoj se duhet ta kthejmë kamerën kah vetja, e jo gjithmonë kah tjetri”, tha regjisori i “Depth Two”, Ognjen Glavonic, pas premierës së dokumentarit në Berlinale më herët gjatë vitit. “Secili komb mundohet që ta viktimizojë vetën, dhe shtetet tona nuk janë të bazuara në mite, por në mitomani… e ajo është diçka që unë personalisht kam dëshirë ta luftojë me këtë film – kundër gënjeshtrës që po tregohej si e vërtetë”.