Më 2013, Alban Muja nuk dinte si ta shpjegonte. Të paktën kështu ishte motoja që ia dha emrin solo ekspozitës së tij të parë dhe të vetme në Galerinë Kombëtare të Kosovës, “I Never Knew How to Explain…” (Kurrë Nuk Kam Ditë me Shpjegu…). Gjërat mund të kenë ndryshuar prej atëherë.
Artisti i lindur në Mitrovicë e hapi Pavijonin e Kosovës në edicionin e 58-të të La Biennale di Venezia 2019, të enjten (9 maj) fiks në ora 2 të pasdites. Shënoi pjesëmarrjen e katërt të Kosovës në këtë ngjarje prestigjioze të artit – që sivjet kishte temën “May You Live in Interesting Times” (Jetofshit Në Kohëra Interesante) – dhe të parën e Mujës.
“Shpresoj që kjo i justifikon paratë e taksapaguesve”, tha Muja, menjëherë pasi e falenderoi Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin, dhe Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashin, për udhëtimin që e bënë në qytetin në fundosje e sipër në Itali, për ta hapur pavijonin kosovar. Vështirë ishte të thuhej se a donte ta justifikonte Muja praninë e delegacionit të tyre, apo të projektit të tij në Venedik. Ndoshta të dyja.
Sidoqoftë, prania e Kosovës në Biennale tani është bërë diçka e domosdoshme. Përsëri, në hapjen e pavijonit mori pjesë presidenti i La Biennale, Paolo Baratta, i cili gjithashtu e kishte shfaqur mbështetjen e tij në raste tjera. “Kosova është e re në La Biennale dhe i dua shtetet e reja, sepse kanë më shumë besim në atë që bëjnë”, tha ai.
Edhe pse vizitorët ndonjëherë e kanë të vështirë të vërejnë se a janë në një garë të mirëfilltë për art bashkëkohor apo një shfaqje ekstravagante të modës dhe ekonomisë, kjo ngjarje padyshim kërkon shumë nga komuniteti i artit brenda dhe jashtë vendit, dhe Muja e di mirë këtë.
Për rreth gjashtë muaj, ai e ka punuar konceptin e “Family Album” (Albumi Familjar), një projekt artistik që fillimisht ishte motivuar nga një fotografi të cilën e kishte mbajtur familja e tij me vite, në mesin e fotografive të tyre personale.
Në atë foto, Muja, 18 vjeçar, shfaqet i buzëqeshur pranë ish-Kryeministrit spanjoll, José María Aznar, me mustaqet e tij të njohura me ngjyrë të mbyllët dhe një kapelë poashtu me ngjyrë të mbyllët, gjatë vizitës së tij në kampin e refugjatëve Hamallaj, afër Durrësit në Shqipëri. Këtu familja e Mujës sapo ishte bashkuar përsëri në maj të vitit 1999, pasi kishin udhëtuar të rraskapitur disa ditë nëpër male në të ftohtë, të pasigurtë për familjen dhe të ardhmen e tyre.
Ajo fotografi personale në koleksionin e tij e çoi deri te Besa Luta, Besim Xafa, motra e tij Jehona, dhe Agim Shala, katër protagonistët e pavijonit kombëtar, historitë e të cilëve u sollën në vëmendjen botërore për herë të dytë brenda 20 vitesh.
Nëpërmjet tri fotografive ikonike, historitë përkatëse të Besës, Besimit dhe Jehonës, dhe Agimit, iu treguan botës para se ata vet t’i kuptonin. Tregimet e tyre u kapën nga foto reporterët e njohur të luftës Damir Šagolj, Peter Turnley dhe Carol Guzy, dhe u përhapën nëpërmjet ballinave të revistave ndërkombëtare, gazetës Washington Post dhe mediave tjera ndërkombëtare.
Ishte viti 1999. Më shumë se një milion njerëz, kryesisht shqiptarë etnikë, ishin rrugës për në Maqedoni, Mal të Zi apo Shqipëri në kërkim të sigurisë, përderisa forcat serbe të drejtuara nga Slobodan Milošević vazhdonin fushatën e tyre të spastrimit etnik në Kosovë. Gazetarët dhe foto reporterët ndërkombëtarë ishin gjithandej nëpër Kosovë për të dokumentuar dhe për t’i treguar botës për atë që do të ishte lufta e fundit në Evropë në mijëvjeçarin e fundit.
Tregimi i së bijës
Në vitin ’99, Sherife Luta ishte një nënë që po luftonte për mbijetesë. Fotografia e Damir Šagolj, e cila doli në ballinën e revistës Time, paraqet një grua duke ecur në rreshtin e refugjatëve dhe duke i dhënë gji foshnjes së saj gjashtë muajshe, Besës, e cila ishte e mbështjellur me një mbulesë të trashë dhe të bardhë.
Në pavijonin e Kosovës – që paraprihej vetëm nga pavijoni i Ukrainës në mesin e ekspozitave të shteteve tjera në një depo të madhe në Sala d’armi në zonën Arsenale të qytetit – vizitorët menjëherë u ballafaquan me tregimin e Besës.
Ajo tregon për rrethanat e fotografisë, e cila u bë pas një sulmi në fshatin Ivajë, më 8 mars 1999. Nëna e Besës nuk dinte vendndodhjen e bashkëshortit të saj, për shkak se ai ishte luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Gruan e kishin kapur në fshat dhe e kishin sjellur në qendrën kulturore, e më pas e kishin liruar.
“Lëvizëm nga fshati në fshat”, rrëfen Besa në video. “Nëna ime iu ka bashkangjitë kojshive tjerë. Thonë se ka qenë kolonë shumë e gjatë. Kanë qenë rreth 7,000 njerëz”.
Pasi ecën me orë të tëra, ndodhi diçka që ua ilustron vizitorëve mundimin e eksodit të tyre.
“Para se me mbërri në fshatin Bllacë, nëna është ndalë në shtëpinë e familjes së saj; aty ka pasur shumë refugjatë tjerë”, thotë Besa. “Dhe pastaj unë prej ftohtit nuk kam lëvizë. Nëna ime ka mendu që kam vdekë prej ftohtit, dhe i ka ra të fikët. Pastaj një familjare ime më ka mbështjellë dhe më ka shtrëngu me pelenë, dhe më ka futë në furrë për pak sekonda. Dhe pastaj m’ka nxjerrë. Unë kam fillu me qajtë. Të gjithë refugjatët e pranishëm kanë duartrokitë nga gëzimi”.
Rrugës për në Bllacë, Šagolj e bëri fotografinë që doli në ballinën e Time dhe tani është një nga fotografitë më të paharrueshme të luftës në Kosovë. 30,000 refugjatë tjerë prisnin në kampin e ftohtë, kujton Besa.
Ecje nëpër pavijon
Brenda pavijonit kosovar, i cili kishte formë drejtkëndore dhe mure me tulla të kuqe, skena ishte e errët, dhe toni pothuajse intim.
Dy orë para hapjes, fqinjtë po bëjnë zhurmë, deri sa përgatiten për ta fluturuar mbi Giardini – oborret e La Biennale – një aeroplan të madh transportues të mbushur me emrat e të gjithë artistëve të gjallë ukrainas, e publiku po pret me padurim për ta ndjekur një video të drejtpërdrejtë të këtij projekti. Gjërat që ndodhin në Venedik.
T’i kthehemi “Family Album”: vizitorët duhet të ecin përmes një qarku gjarpëror për t’i parë videot në tri ekranet e mëdha që janë të varur nga tavani; ato i paraqesin disa rrëfenja në të cilat katër protagonistët i shpjegojnë historitë e tyre prapa tri fotografive, sipas kujtimeve të tyre, apo kryesisht në bazë të shpjegimeve që i kanë dëgjuar prej familjarëve të tyre përgjatë viteve.
Muja deshi që tregimet t’i rrëfejnë fëmijët e këtyre fotografive, e jo prindërit, për t’i dhënë forcë rrëfimeve personale. “Ata nuk kanë një kujtim të tillë, apo gjuhë të urrejtjes. Kishin më shumë distancë. E tregojnë si tregim. Për mua ishte shumë e rëndësishme të ishte mjaft… e butë, e shkëputur nga emocioni”, tha Muja në një intervistë të gjatë me K2.0 para se të nisej për në Venedik.
Për t’u siguruar që vizitorët të jenë në hapësirën e menduar për t’i përjetuar hollësitë e gjuhës së trupit të rrëfyesve, që nuk është tepër emocionale por as pa emocione, secili nga folësit për secilin nga tri ekranet ishin pozicionuar në një lokacion specifik për ta drejtuar përvojën e vizitorëve – po të ishin shumë larg ekranit, tingujt e rrëfyesve do të humbeshin siç humbin kujtimet.
Këtë ndjesi të forcës mbi rrëfenjat deshi ta reflektonte posaçërisht nëpërmjet këtij punimi kuratori i zgjedhur për pavijonin e Kosovës, Vincent Honoré.
“Nëpërmjet qarkullimit të tyre, fotografitë që i zgjodhëm po e ngrisnin nivelin e ndërgjegjësimit për atë që ndodhi në Kosovë gjatë luftës, por fëmijët në këto fotografi nuk kishin kontroll mbi atë qarkullim”, thotë ai. “Ne vendosëm të mos i përdorim fotografitë origjinale, sepse deshëm t’ua kthejmë njerëzve të këtyre fotografive atë kualitetin e të qenit subjekt dhe jo vetëm objekt, t’ua mundësojmë ta kenë në dorë rrëfenjën dhe kujtimet e tyre, dhe imazhin e tyre”.
Një vizitore e pavijonit, gazetarja Susanne Boecker nga revista e arteve Kunst Forum, e theksoi reflektimin që e ka punimi në botën e sotme të fotografisë.
“Të gjithë njerëzit në këto video kanë një lloj imazhi që i shoqëron gjatë jetës së tyre, një imazh të vetëm me kuptim shumë të fortë”, tha ajo. “Të bën të mendosh për fuqinë e mediave dhe sa e madhe mund të jetë vlera e një fotografie; për atë se si ndikimi i fotografisë ka humbur, nuk të shoqëron, nuk është e shtypur; dhe pa këtë qëllim, ky punim flet për ndryshimin e mediumit të fotografisë”.
Me këtë mendim u pajtua Branko Franceschi, i cili u njoftua me punimet e Mujës për shkak se ai e kryeson Muzeun e Arteve të Bukura në Kroaci: “Është shumë e bukur ajo se si Albani i kombinon tregimet e mediave dhe rrëfenjat e historisë”, tha ai.
Është pikërisht fytyra e ndryshueshme e fotografisë ajo që Honoré e lokalizon si një nga arritjet delikate të “Family Album”.
“Absolutisht ky është një nga konceptet prapa punimit: hulumtimi i rolit dhe ndikimit të imazheve, si dhe qarkullimit të tyre, mënyrës se si përhapen, shihen prej tjerëve, dhe si mund ta humbin kuptimin [duke u keqinterpretuar]”, thotë Honoré, i cili për herë të parë është pjesë e Biennale-s si kurator i një pavijoni kombëtar. “Është një punim shumë bashkëkohor, dhe shkon përtej punimeve të mëparshme të Albanit”.
Shkrirja e kujtimit
Tregimi i dytë me të cilin ballafaqohen vizitorët në rrugëtimin e tyre është ai i Jehonës dhe Besimit. Tregimi i tyre, i kapur në fotografinë që e bëri fotografi i mirënjohur Peter Turnley, dhe që u shfaq në ballinën e revistës Newsweek në vitin ’99, është një tregim që shënohet nga zhdukja e babait të tyre, i cili në atë kohë punonte si punëtor teknik në një shkollë të Mitrovicës – është tregim i torturës dhe shpresës për ta gjetur njëri tjetrin, dhe një tregim i dashurisë.
Kujtimet e tyre e tregojnë fatin e babait të tyre, Mustafë Xajës, të cilin e morën peng forcat serbe. Deri në prill ’99, Mustafa kishte punuar në shkollën ‘Migjeni’. Një ditë, u kthye në shtëpi dhe i tha familjes së tij: “Lufta po afrohet. Çkado që t’ndodhë, do t’jemi t’përgatitun”.
Me gjasë as nuk e kishin paramenduar atë që ndodhi më pas. Një ditë, Mustafa u arrestua në stacionin e autobusëve në Mitrovicë dhe më pas u nda nga gruaja dhe fëmijët e tij deri në fund të luftës.
“Neve na qesin n’kolonë, duke vazhdu rrugës për Drenicë”, kujton i biri i tij. Ndërkohë, ata kishin mbetur të pasigurtë nëse e kishin çuar babain e tyre në burgun e Smrekonicës apo atë të Pozharevcit (prej të cilit nuk prisnin të kthehej i gjallë).
Më vonë, pasi i sollën përsëri në Mitrovicë, fëmijët i pyetën njerëzit për babain e tyre, e morën gjithfarë përgjigje kontradiktore për vendndodhjen e tij.