Biseda | Arsimi

Arben Hajrullahu: Më problem se keqbërja është pavullneti për ta sfiduar atë

Nga - 30.09.2019

Rivlerësimi i akademisë (Pjesa 1) — profesori nga Prishtina i cili e ngriti zërin kundër shfrytëzimit të universiteteve për përfitime personale flet për nevojën për guxim akademik.

Në një nga intervistat e fundit të saj, kur u pyet për gjendjen e demokracisë në Turqi, shteti prej të cilit vjen, shkrimtarja Elif Shafak paralajmëroi që mungesa e akademisë së pavarur, mes problemeve tjera, është një nga përbërësit e një demokracie “të dëmtuar dhe të thyer”.

Kur e analizojmë Ballkanin dhe gjendjen e demokracisë dhe akademisë, lehtë mund ta lidhim me këtë deklaratë. Në rajon, universitetet përballen me të njëjtat ankesa dhe sfida: keqpërdorim të universiteteve nga elitat politike, cilësi e diskutueshme e arsimit, oportunizëm midis stafit akademik, rënie e etikës dhe e ashtuquajtura “largimin e trurit”.

Për ta eksploruar edhe më shumë këtë situatë, K2.0 bisedoi me disa prej intelektualëve më të shquar nga rajoni. Në këtë seri të veçantë intervistash me akademikë nga shtatë shtete të Ballkanit, të gjithë profesorët pajtohen që akademitë në Ballkan nuk janë të pavarura.

Për ta hapur “Rivlerësimin e akademisë”, K2.0 foli me Arben Hajrullahun, profesor i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës (UP), ku ai ligjëron prej vitit 2006. Ai tashmë është i njohur si një prej profesorëve që ka ngritur zërin e tij kundër keqpërdorimeve në universitet. 

Kështu, Hajrullahu — i cili ka kryer doktoraturën në Universitetin e Vjenës u bë një prej njerëzve të parë në Kosovë që mori epitetin e sinjalizuesit, të cilët janë të mbrojtur me ligj që prej vitit 2018. Megjithatë në një intervistë të mëhershme për K2.0 ai ka thënë që nuk e konsideron veten sinjalizues, por “profesor i cili përpiqet t’i përmbushë obligimet e tij me përgjegjësi dhe me integritet akademik”. 

Në fillim të vitit 2017, ai nuk u avancua në universitet, ndërsa kishte deklaruar që diskriminimi ndaj tij është i lidhur drejtpërdrejt me përvojën e tij të sfidimit të keqpërpërdorimeve në universitet. 

K2.0 u ul me të dhe foli për problemet e ndërhyrjes politike, oportunizmit dhe çfarë hapash mund të merren për të rritur cilësinë e akademisë në Kosovë.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

K2.0: Po e fillojmë këtë intervistë duke kërkuar nga ju të na shtjelloni përshtypjen tuaj për gjendjen në të cilën gjendet akademia jonë; pra këndvështrimin tuaj për situatën në të cilën gjendet korpusi ynë intelektual, sidomos të atyre që janë më afër arsimit të lartë dhe Universitetit të Prishtinës?

Arben Hajrullahu: Këtu në Universitet ku punoj, ndër vite jemi përcjellë me skandale bukur të mëdha. Përveç problemit që është tek ata që i kanë shkaktuar vet skandalet, unë e shoh edhe më problemore atë pavullnetin, oportunizmin e masës së stafit akademik brenda universitetit, gjë që është e njëjtë, analoge edhe në universitete të tjera, në institute e akademi, për të mos e sfiduar keqbërjen. Për shembull, kemi zhvillimet skandaloze për mënyrën e avancimit të profesoratit, keqpërdorime të ndryshme, pastaj shpërthimin e protestave në fundin e 2013-s.

Nga pak a shumë 1,000 njerëz që janë punësuar si staf akademik në UP, kemi pasur vetëm disa të cilët publikisht e kanë pasur guximin, e kanë përmbushur obligimin e vet intelektual për t’u prononcuar publikisht lidhur me gjendjen. Pra, nuk është problemi dhe sfida vetëm te ata keqbërësit, por problemi është te masa e heshtur, për të cilët nuk mendoj se janë domosdoshmërisht oportunistë vetëm pse nuk flasin.

Mirëpo, sistemi është i ndërtuar në atë mënyrë që nëse flet, nëse e përmbushë detyrën profesionale, intelektuale që për çështje të caktuara, me vetë faktin e të qenurit profesor, të prononcohesh për çështje të caktuara të interesit publik, sidomos për çështje që kanë të bëjnë me universitetin, akademinë, arsimin, pra me çështje që dalin nga vet fusha, [rrezikoni të hasni në telashe].

Këtu është mbjellë ndër vite – po flas për zhvillimet pas vitit 1999 një sistem klientelist që është toksik për zhvillimin dhe avancimin e edukimit dhe të studimeve të jetës akademike dhe intelektuale në tërë vendin. Është krijuar në mënyrë analoge, sikur në politikë, një lloj klientelizmi ku heshtja, kundruall shpërdorimeve e manipulimeve, shpërblehet në mënyra të ndryshme me honorare, me mbinorma, me avancime. Anëtarësimet nëpër parti politike shpeshherë lidhen automatikisht me avancimet në universitet. Kështu që, është krijuar një kurth, një rreth vicioz i cili është vështirë të thehet e të merret rruga e mbarë vetëm nga fuqitë e brendshme.

Duhet mobilizim i politikës, të njerëzve që sjellin vendime, për ta çliruar akademinë, por edhe tërë sistemin e edukimit.

Nuk mund ta luftosh keqbërjen vetëm me fuqitë e brendshme, pasi keqbërja si term në botën akademike ngërthen më shumë se sa vetëm elementet e korrupsionit; për shembull puna e pandershme, promovimi në detyrë përmes falsifikimit, përmes pagesës së disa “broçkulla hulumtimeve akademike”, keqpërdorimi i sferës publike, koketimi me politikën ditore mes njerëzve që duhet të zhvillojnë shkencë e mendim kritik në universitet. 

Kështu që, ndodhemi në një kurth që duhet të luftohet me mobilizim gjithëshoqëror, para së gjithash të njerëzve që e kanë kapacitetin, dijen, intelektin, por edhe vullnetin e mirë, sepse nuk mjafton vetëm intelekti i lartë, pasi ai mund të përdoret edhe për qëllime të këqija dhe ashtu është edhe më i dëmshëm. Me një mobilizim edhe të politikës, të njerëzve që sjellin vendime, për ta çliruar faktikisht sistemin edhe të akademisë në përgjithësi në vend, por edhe tërë sistemin e edukimit. 

Në nëntor të vitit 2015, organizata Demokracia për Zhvillim (D4D) kishte publikuar një raport ku evidentoheshin nëntë sfidat më të mëdha të Universitetit të Prishtinës, si mungesa e personelit cilësor, politizimi i organizatave studentore, avancimet e pamerituara e të tjera. Është për shqyrtim fakti që tash, kur kanë kaluar katër vite, këto probleme janë ende jashtëzakonisht aktuale dhe të pranishme në UP. Si e shpjegoni ju këtë?

Unë besoj që thelbi i asaj se ku duhet të fillojmë është që duhet të ketë një verifikim, shoshitje, vetting, quajeni si të doni, jo për të përndjekur dhe për t’u hakmarrë, por ideja dhe qëllimi të jetë në drejtim të ngritjes së cilësisë nga këtu ku jemi. 

Pika fillestare duhet të jetë verifikimi i gjithë stafit akademik, duke filluar nga unë dhe të vazhdohet degë për degë, fakultet për fakultet dhe në tërë universitetin. Dhe jo vetëm këtu në Prishtinë, por edhe universitetet publike të qyteteve të tjera dhe në institucionet bartëse të arsimit të lartë privat. Duhet të shihet nëse kemi ndeshje të parimeve bazë të etikës dhe të integritetit akademik, dhe nëse po, sa janë të rënda shkeljet që kanë ndodhur. 

Kemi raste konkrete të stafit akademik – profesorë, udhëheqës të degëve – të cilët janë të involvuar me të dyja këmbët në plagjiaturë, madje edhe duke fituar titujt si doktor shkence, pra në nivelin më të lartë. Duhet të rishikojmë prapavijën e secilit anëtar të stafit akademik, dhe nëse ka nevojë, më mirë është që ndonjë degë e studimeve përkohësisht të mbyllet, derisa të krijohen kapacitetet akademike. Më mirë është që disa drejtime të caktuara të mos i kemi për disa vite, që të nesërmen të mund t’u ofrojmë studentëve njohuri dhe cilësi. 

Kjo çka po ndodh është një bombë e kurdisur në shoqërinë tonë. Tek kur studentët arrijnë moshën diku 25-30 vjeç, e kuptojnë që nuk e kanë asnjë shkathtësi me të cilën do të jenë konkurrentë në tregun e punës, por normalisht që thonë se e kanë një titull shkencor pasi ka studiuar për gjashtë ose tetë vite dhe thotë që nuk mund të kthehet të merret me punë të rëndomta, që kërkojnë kualifikim më të ulët.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Kështu kemi kurdisur një bombë brenda shoqërisë, ku ka përgjegjësi të madhe edhe profesorati që ka pasur ndikim në këtë përmes kalimit të studentëve nëpër provime pa asnjë kriter. Këto bomba të kurdisura shpërthejnë në forma të ndryshme, siç ishte rasti me eksodin e vitit 2015 të qindra mijëra kosovarëve vite pas çlirimit kosovarët e gjenin veten duke u mbytur në ujërat në zonën kufitare mes Vojvodinës e Hungarisë.

Për shembull sa për ta ilustruar situatën, e kemi pasur një rast kur brenda një afati të parregullt të provimeve, në nëntorin e 2015-s, një zyrtar i rektoratit e përfundon vitin e parë, të dytë, të tretë dhe diplomohet – të gjitha brenda një jave! 

Mungesa e transparencës dhe mungesa e dhënies së përgjegjësisë janë morbide, vdekjeprurëse për cilësinë e arsimit dhe të akademisë. Pra, verifikimi i stafit akademik është fjala kyçe, por kjo nuk ndodh vet sepse aq janë instaluar keqbërësit në pozita kyçe brenda universitetit, sa që bashkëpunojnë edhe me politikën të cilët natyrisht nuk e ‘qërojnë’ vetveten.

Po kalojmë te universitetet që ishin formuar nëpër qendra të tjera të Kosovës, siç janë në Prizren, Pejë dhe Mitrovicë. Është thënë shpesh në opinion që me themelimin e tyre është tentuar të sigurohet një lloj paqe sociale. Tash që këto tri universitete që i përmendëm më lartë e kanë humbur akreditimin për një vit, dua t’ju pyes si e keni parë hapjen e tyre në atë kohë dhe çfarë mendimi keni tash për këtë?

Nuk mund të hapen universitetet në fushata zgjedhore. Duhet të shikojmë çfarë mund të bëjmë me këtë gjendje. Është thjeshtë të thuhet se duhet të mbyllen, por duhet të shikojmë mundësitë që t’i reformojmë dhe t’i kthejmë drejt shkollave profesionale. 

Sa i përket mosakreditimit, si duket ka atje diku dikush që aplikon kontroll të cilësisë që tenton me ngritë cilësinë e studimeve dhe kjo është shenjë e mirë. Por, në përgjithësi, kjo është goditje e rëndë që i është dhënë arsimit të lartë në Kosovë për shkak të qëllimeve të politikës ditore që hapin universitete në fushata, por nuk i financojnë ato. Sikur ta kishin seriozisht siç kanë premtuar në fushata, ata edhe do të ndihmonin me krijimin e kapaciteteve, jo vetëm infrastrukturore, por edhe tërë aparatit të profesorëve. 

Shkenca dhe universiteti janë, para së gjithash, përmbajtje dhe formë. Këto universitete është dashur që drejtëpërdrejtë t’u shërbejnë nevojave të shoqërisë duke lidhur shkollimin dhe aftësimin profesional me ekonominë. Ne nuk jemi zbuluar diçka të re, këto gjëra i kanë bërë shoqëritë e zhvilluara shumë para nesh.

Në këtë rast, në këto universitete është keqpërdorur paraja publike, ndërsa edhe në të kaluarën kemi raste kur politika ka ndërhyrë në punët e universiteteve, si ta zëmë me rastin e emërimit të universitetit të Prishtinës me emrin e personalitetit të shquar, Hasan Prishtina, gjë që është bërë pa ndonjë konsultim të brendshëm, në formë manipulimi. Por, kjo është vetëm simbolikë, por është e rëndësishme që mund të na ndihmojë ta kuptojmë mendësinë e njerëzve që e kanë sjellë universitetin ku është sot.

E përmendët shkarazi ndërhyrjen e politikës në universitet. Ekziston një dakordim i gjerë që universitetet janë të politizuara. Shohim organizatat studentore që shpesh ngjajnë me klanet partiake, shpesh me lidhje të integruara thellë në sistemin vendimmarrës të niveleve më të larta të universitetit. Në çfarë mënyre është instaluar politika në universitet dhe në ç’formë vjen dëmi që i shkaktohet universitetit nga politika?

Nëse e shikojmë historiatin e zhvillimit të Universitetit të Prishtinës, e dimë se në vitet e 70-ta e në të 90-tat ka pasur edhe një rol anësor ose paralel politik. Pas çlirimit të Kosovës më 1999, do të duhej të ishim në gjendje ta bëjmë hapin dhe ta ndajmë universitetin nga politika. Universiteti ka detyra të tjera.

Po thoni që ndikimi i politikës në universitet është i trashëguar?

Kjo ka qenë mendësia. Ajo çfarë ka ndodhur para 99-s ka ndiku që me vazhdu edhe pas, edhe pse natyrisht kanë ndërruar rrethanat plotësisht. Nëse ka pasur njëfarë organizimi të mësimit në vitet e 90-ta, nuk ka qenë vetëm qëllim i ofrimit të studimeve, por ka qenë edhe një politicum, një akt i shprehjes politike kundër okupimit, kundër moslejimit të mësimit në gjuhën amtare e të tjera. 

Nëse pretendojmë të bëhemi universitete normale, siç ka ndodhur nëpër botën e zhvilluar, duhet të garantojmë autonominë e universiteteve. Autonomia shpesh keqkuptohet, me apo pa vetëdije, sepse autonomi nuk do të thotë anarki e universiteteve.

Këta që janë përgjegjës kryesorë për gjendjen e akademisë kanë arritur të pasurohen në ato nivele që vështirë e kanë të shpjegojnë kah e kanë burimin e pasurisë.

Universiteti nuk është këtu për fushata politike. Shikoni sa kemi profesorë të universitetit të Prishtinës të cilët paradite tash që jemi në kohë fushate para zgjedhjeve – shkojnë e çirren nëpër mitingje të partive politike, kurse pasdite vijnë në auditoriume dhe pretendojnë se po bëjnë shkencë. Kjo është problemore edhe në shkencat ekzakte, e aq më shumë në shkencat shoqërore që ndërlidhen me politikë. 

Nuk po pretendoj të them që ata që janë në universitet nuk mund të merren me politikë, mirëpo bota e zhvilluar e ka rregulluar këtë. Për shembull, kemi rast kur një individ e ka “ngrirë” pozitën e tij brenda universitetit për 15 vite! Këtu i ruhet vendi ndërsa vuajnë studentët sepse ai mungon në ligjërata. 

Në Amerikë e në shumë vende të Perëndimit, nëse profesori vendos të ndjekë një rrugë tjetër profesionale, edhe në politikë, i jipet prioritet mbi vendin e tij të punës për një periudhë katër ose gjashtë vjeçare, por më pas ai duhet të vendosë nëse dëshiron të lirojë vendin ose të kthehet në procesin e mësimit.

Edhe te ne po ndodh fenomeni i largimit të trurit (brain drain). Këta që janë përgjegjës kryesorë për gjendjen e akademisë, këta edhe kanë arritur të pasurohen në ato nivele që vështirë e kanë të shpjegojnë kah e kanë pasur burimin e pasurisë. Faktikisht, fëmijët e tyre nuk studiojnë në universitetet këtu te ne, por i dërgojnë në shkolla ku paguhet e studiohet ose ku paguhet e nuk studiohet por blihet diploma. 

Ekziston një debat i përhershëm në botën akademike, edhe jashtë kufijve të Kosovës, mbi atë se a ekziston një masë pozitive e përzierjes, ose përfshirjes, së politikës në universitet. Si e shihni ju këtë, pra, a ekziston ndonjë masë e përshtatshme legjitime dhe e shëndetshme e ndikimit të politikës në akademi?

Duhet të ketë një sistem efikas të llogaridhënies, për shembull duhet të arsyetohen milionat që i harxhojmë ne këtu në universitet – përse i harxhojmë, çfarë bëjmë me to – dikush duhet të japë llogari për to. 

Kostoja për një student për UP-në është diku 400-500 euro për një vit, kurse studentët paguajnë 50 euro për semestër. Edhe në universitetet private duhet të ketë transparencë të njëjtë, pasi që edhe pse paratë janë private, universitetet që ndajnë thirrje, tituj akademikë duhet të japin përgjegjësi të njëjtë me universitetet publike.

Kemi rast në UP që një person me prapavijë politike ka garuar politikisht me shpresën për t’u bërë së pari ministër, pastaj deputet ose diçka tjetër, por kur ka dështuar është emëruar Rektor i UP-së me ndikim nga politika dhe më vonë është kuptuar që edhe gradën e profesorit e ka marrë me punime të dyshimta në revista jo të besueshme në Indi, e tash ende vazhdon punën e profesorit sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Këto janë çështje që më së miri rregullohen me instalimin e sistemit të llogaridhënies, që aktualisht mungon.

Do të ndalemi te universitetet private, që tashmë janë shndërruar në bartëse të rëndësishme të arsimit të lartë. Si e shihni nivelin e kualitetit të tyre, edhe në raport me atë se si do të duhej të ishin dhe se si janë aktualisht?

Nëpër vendet e zhvilluara, institucionet private të arsimit që janë me pagesë ofrojnë kualitet më të lartë të studimeve se sa institucionet publike. Kjo te ne nuk ndodh. Ka indikatorë të fortë nga shumë prej tyre që, faktikisht, kanë shërbyer si vende ku janë shitur diplomat pa asnjë kriter. 

Fillimisht, institucionet private do të duhej të ishin institucione joprofitabile, që nuk janë. Në botën e zhvilluar, universitetet private janë të krijuara si asociacione në interes të publikut, dhe fondet që gjenerohen nuk përdoren për pasurim të individëve, dhe ne jemi larg asaj. Këto te ne janë në stilin e qebaptoreve – sa i dëshiron, i merr. Kështu kanë vepruar për një kohë të gjatë. Ato duhet t’u nënshtrohen rishikimit nga institucionet e akredimit dhe të mos trajtohen më ndryshe se universitetet publike. 

Verifikimi i profesoratit duhet të ndodhë edhe në këto institucione që nuk duhet të shërbejnë vetëm për përfitim material. Pagesat që bëhen nga studentët do të duhej ta ngrisnin nivelin e kualitetit të studimeve, por indikatorët tregojnë që pjesa më e madhe e tyre janë shumë më të dobët se sa universitetet publike.

Po i dëgjojmë politikanët në fushatën para zgjedhjeve që tashmë ka nisur teksa thonë që problemi kryesor në arsim është mungesa e personelit të kualifikuar. Më herët e shtjelluat si problematikë; cili është mendimi juaj rreth asaj se cila është rruga më e lehtë drejt reformimit të profesoratit, dhe a ka Kosova njerëz për të plotësuar kërkesat e një reforme të tillë?

Ne kemi njerëz mjaftueshëm, që së paku të nisim procese nga e mbara. 

Hapi i parë duhet të jetë verifikimi sepse nuk hyhet në garë me manipulues ordinerë sepse ata të mbivotojnë dhe nuk bëhet reforma me mbivotime. Hapi i dytë, që mund të marrë më shumë kohë, është financimi i kuadrove të reja dhe të nisë procesi që njihet si “brain circulation”, qarkullimi i trurit. 

Unë kam pasur studentë në Prishtinë të cilët në universitete evropiane kanë arritur pozitën e profesorit. Ka të tjerë që janë shumë të interesuar që të bashkëpunojnë në shumë mënyra me institucionet kosovare, së paku duke ndihmuar nga jashtë me përvojën e tyre. 

Në institucionet tona dominon mendimi ofendues që kuadrot jashtë vendit që janë mirë të përgatitur profesionalisht nuk duan të kthehen në Kosovë, kurse ata që duan të kthehen kryesisht janë të dobët, që kthehen sepse nuk mund të konkurrojnë në shtetet evropiane. Unë nuk po them që ata që studiojnë jashtë janë per se më kompetent se ata që studiojnë këtu, por po them që ne kemi fare pak njerëz që ta kemi luksin që të sillemi kaq papërgjegjshëm me kuadro që kanë studiuar në universitete evropiane. 

Ne kemi raste kur UP-ja ka arritur të dëbojë “në mënyrë të suksesshme” nga mësimdhënia në universitet një dyzinë njerëzish që kanë mundur të japin kontribut shumë më të madh e cilësor se sa këta që janë sot të instaluar në pozita. Kryesisht janë dëbuar në mënyrë arbitrare njerëz që nuk mund të kontrollohen nga politika dhe nuk kanë pranuar t’i shërbejnë këtij sistemi, nuk kanë pranuar të përdorin fjalorin mafioz “Po, shef”, “Ja, shef” ose “Pronto”.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Kosova tash është në fund të dekadës së dytë pas luftës, dhe tash gjendet në një pozitë disi të ndjeshme, ndoshta edhe historike – nëse mund të themi kështu – sa u përket proceseve shtetërore dhe tentimit për ta gjetur një marrëveshje me Serbinë për ta tejkaluar këtë status-quo në politikën ndërkombëtare. Çfarë roli ka marrë universiteti dhe akademia jonë në krejt këtë proces, ose çfarë roli do të duhej të merrte?

Kur e përmende dekadën e dytë, mu kujtua përshtypja ime që e kam se hapat e mëdhenj ose ndryshimet sado të vogla në Kosovë, ose në këtë pjesë të botës, ndodhin në cikle dekadash. Për shembull, gjithë proceset në vitet e 90’ta, pastaj administrimi ndërkombëtar në dekadën e parë të shekullit të ri, pastaj dekada e grykësisë së pangopur kolektive të uzurpuesve të sferës publike; tash ka indikatorë se si duket mund t’i vijë fundi. Në këtë logjikën e cikleve dhjetëvjeçare, ndoshta fillon një zhvillim i ri. 

Universiteti do të duhej të ofronte ekspertizën e vet në fusha të caktuara, si në aspektin legal ose në të tjera, por për këtë duhet pasur edhe vullnet nga politika sepse “për të kërcyer tango nevojiten dy”. Njeriu më i dijshëm në krye të shtetit nuk mund të jetë i gjithëdijshëm dhe universiteti ka shumë fusha ku mund të ofrojë ekspertizë, por kjo nuk duhet të bëhet për t’ia bërë qejfin atyre që po ua ofron ekspertizën, por duhet të bëhet me bazë shkencore, e jo varësisht nga kërkesa që vjen nga udhëheqësit politikë.

Ju jeni tashmë që shumë vite profesor në UP. Çfarë mund të veçoni që ka ngjarë pozitivisht në tërë këto vite; cilat janë pikat kryesore që ngjallin shpresë për universitetin? 

Deri tash folëm për pjesën gjysmë të zbrazët të gotës dhe mirë që hymë edhe këtu. Mund të them që ka ndodhur shumëçka pozitive dhe besoj që do të ishte e padrejtë që të mos potencohet edhe kjo. 

Pas shkatërrimit total të infrastrukturës dhe të shkapëderdhjes së stafit, UP-ja ka arritur të rimëkëmbet shpejt. Së pari infrastruktura fizike ka arritur të stabilizohet dhe tash po të flasim kryesisht për atë që duhet të përmirësohet cilësia. 

Më 2004, unë për herë të parë erdha në UP me një program “brain gain” nga Austria dhe si mysafir ligjërova dhe pastaj mbeta këtu ku jam që prej atëherë. Në aspektin e cilësisë, sot jemi shumë më mirë dhe as që mund krahasohet me ato vite. Zhvillimi i sistemit elektronik të shënimit të notave (SEMS) ka larguar indeksin dhe ka kufizuar mundësitë për manipulime.

Fenomen shumë pozitiv është që studentët arrijnë nga këto rrethana të botojnë në institucione prestigjioze botërore.

Ne kemi pasur rastin kur një studente kishte falsifikuar 11-12 nota bashkë me nënshkrimet e profesorëve në indeks; pas disa vitesh më kishte ardhur njoftimi nga gjykata që lënda ishte parashkruar. Në momentin e diplomimit unë e vërejta që nota e lëndës time ishte false, por për kolegët e mi të tjerë profesorë, oportunistë të heshtur, nuk ia vlente që të adresohej problemi sepse studentja kishte lidhje politike.

Debatet që ngjajnë nga jashtë, kritikat që i bëhen universitetit janë thjeshtë të pasinqerta, së paku një masë e tyre. Profesorëve në UP u kërkohet të arrijnë nivel të universiteteve evropiane, por mbështetja financiare për kërkime shkencore nuk është në nivelin e duhur. Kisha dashur që të shoh shumë më shumë transparencë. Shembull i mirë do të ishte që të funksionalizohen mjetet elektronike për mësime, që studentët ta kenë më të lehtë qasjen në ligjërata përmes sistemeve të bazuara në internet.

Hulumtim të mirëfilltë gjithashtu ka pak. Hulumtimi në përgjithësi nuk ndihmohet nga universiteti; në vitet e 70-ta ka pasur më shumë botime nga Shtypshkronja e Universitetit të Prishtinës se sa që ka tash. 

Fenomen shumë pozitiv është që studentët arrijnë nga këto rrethana të botojnë në institucione prestigjioze botërore, punë që më shumë bazohet në kualitetet dhe punën individuale se sa në mbështetjen që jep universiteti, pra nuk është krejt situata as krejt bardhë e as krejt zi. 

Sidoqoftë për shumë çështje të rëndësishme mungon guximi menaxherial, siç është rasti me afatin e provimeve, kur përveç tri afateve të rregullta të janarit, qershorit e shtatorit, janë edhe dy afate të parregullta ku profesorët mbajnë provime varësisht nga vullneti i tyre arbitrar për ta mbajtur apo jo afatin e provimit. 

Problemi është zinxhiror pak vijnë këtu për të studiuar, vijnë për të diplomuar dhe këtu është një dallim esencial.

Kjo është e para nga shtatë intervista në serinë tonë “Rivlerësimi i akademisë” që flet për gjendjen e arsimit të lartë në rajon.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.