Pikëpamje | COVID-19

‘Kurrë mos e leni një krizë të mirë t’ju shkojë dëm’

Nga - 19.08.2020

Rrëmuja e sotme është mundësi për rimëkëmbje transformuese ekonomike të Kosovës.

Pandemia COVID-19 në Kosovë përveçse ka shkaktuar krizë të thellë të shëndetit publik, ka zhytur vendin në katastrofë ekonomike, duke çuar shumë firma drejt falimentimit, shumë të tjera duke i lënë në prag të kolapsit, dhe duke shkaktuar humbje të konsiderueshme të vendeve të punës. Fondi Monetar Ndërkombëtar projekton tkurrje për 5% të PBB-së reale të Kosovës në vitin 2020.

Në mes të gjithë këtij kaosi, unë përpiqem të ruaj shpresën dhe optimizmin, duke besuar (ndoshta kundër intuitivisht)  se përkundër dëmeve të saj të dukshme, kjo krizë mund të jetë edhe mundësi e artë për transformim të jashtëzakonshëm ekonomik. 

Duke pasur parasysh që në momente paqartësie njerëzit kanë tendencë të jenë më të hapur ndaj narrativave dhe zgjidhjeve të reja, krizat mund të ofrojnë rrethana ideale për rivlerësim të politikës ekonomike të një vendi.  

Në shkallë globale, krizat si Depresioni i Madh në vitet 1930, kriza e inflacionit në vitet 1970, dhe së fundi trazirat globale`financiare të vitit 2008, edhe pse nuk ishin të shkaktuara nga arsye të ndërlidhura me shëndetin, kanë qenë — për mirë apo për keq — laboratorë të njëmendtë për ide të mëdha që janë përcjellë nga ndryshime transformuese. 

Për t’i kuptuar disa mundësi që mund t’i ofrojë kriza e tanishme, së pari duhet ta dimë strukturën ekonomike aktuale të Kosovës. 

Si qëndrojnë gjërat

Modeli i tanishëm ekonomik i Kosovës, i mbështetur kryesisht në konsum privat të bazuar në remitenca, investime në projekte publike infrastrukturore me pak kthim, investime private në aktivitete të pa tregtueshme me produktivitet të ulët dhe në ndihmë nga donatorët, është i paqëndrueshëm në një periudhë afatgjatë. Kjo strukturë e përgjithshme nuk i mundëson shtetit të arrijë objektivat e veta të zhvillimit ekonomik, të cilat ndër të tjera përfshijnë zhdukjen e varfërisë dhe krijimin e vendeve të punës. 

Baza prodhuese në Kosovë është ende shumë e ngushtë, edhe pse në vitet e fundit ka pasur disa përparime. Sektori privat është i brishtë dhe tejet i dominuar nga mikro-ndërmarrjet me më pak se dhjetë të punësuar dhe kapital të kufizuar. Në përgjithësi, mikro-ndërmarrjet kanë kapacitet të kufizuar për përvetësim të njohurive dhe në parim kanë kosto më të larta për shkak të vëllimit të ulët të shitjeve — të dy këto probleme të qenësishme në përmasën e tyre të vogël dhe që e frenojnë rritjen.  

Shkalla e punësimit në Kosovë është më e ulëta në Evropë, ndërsa pagat në përgjithësi mbesin të ulëta. Këto të fundit, në fakt, janë rritur më shumë se prodhimtaria në vitet e fundit, duke krijuar disavantazh në koston e ndërmarrjeve kosovare dhe duke i bërë kështu më pak konkurruese karshi firmave në vendet e tjera.  

Për më tepër, sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), vendi përballet me deficit të madh tregtar në mallra, me  44.5% të PBB-së. Deficiti tregtar është rritur në vitet e fundit, duke ngritur dyshime nëse burimet e financimit të jashtëm (siç janë remitencat nga diaspora) mund ta përballojnë atë. 

Baza eksportuese e vendit, përveç të qenit e vogël në raport me importet, është gjerësisht e palarmishme — si për nga prodhimet, ashtu edhe për nga gjeografia. Vetëm tetë vende, kryesisht anëtare të Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) apo anëtare të BE-së, përbëjnë më shumë se dy të tretat e të gjithë partnerëve të eksportit të Kosovës.

Qeveria e Kosovës duhet tani ose kurrë të përballet me gjithë këto probleme dhe ta orientojë ekonominë drejt rritjes së qëndrueshme.

Sipas të dhënave të ASK-së, sektori i prodhimit, i cili shpesh është shtytësi kryesor i një performance të mirë në eksport të shteteve në zhvillim, në Kosovë përbën vetëm 4% të PBB-së. Në nivel global, mallrat më të tregtuara janë produktet e fabrikuara.

Performanca dëshpëruese në eksport tregohet edhe nga Njësia e Inteligjencës së gazetës The Economist, e cila vlerëson se Kosova përdor vetëm rreth 38% të potencialit të vet eksportues, duke performuar më së keqi në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe duke qenë larg nga 11 shtetet post-komuniste anëtare të BE-së, ku eksportet janë vetëm 2 pikë të përqindjes më poshtë se potenciali i tyre i vlerësuar. 

Në përgjithësi, Kosova është më e ngadalta në Ballkanin Perëndimor sa i përket përparimit drejt një tregu të qëndrueshëm ekonomik sipas gjashtë standardeve të zhvilluara nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, gjegjësisht konkurrenca, qeverisja e mirë, ekonomia e gjelbër, gjithëpërfshirja, integrimi, dhe qëndrueshmëria.  

Ku të shkojmë nga këtu 

Qeveria e Kosovës duhet që tani ose kurrë të përballet me gjithë këto probleme dhe ta orientojë ekonominë drejt rritjes së qëndrueshme. Në adresimin e krizës, ajo ka një mundësi unike për të filluar një proces transformues që nxit zhvillimin e ekonomisë duke i ndihmuar sektorit privat të ecë drejt aktiviteteve me më shumë përfitime teknologjike dhe kthim të shtuar.

Liberalizimi i tregut dhe krijimi i një mjedisi të përshtatshëm për biznese, sado që janë të rëndësishme, nuk janë të mjaftueshme për të nxitur një përgjigje të sektorit privat të orientuar në eksport, gjë që është jetike për adresimin e situatës së çekuilibrit tregtar.

Synimi i qasjes së re duhet të jetë mbështetja e krijimit të prodhimtarisë më të lartë dhe produkteve e shërbimeve të bazuara në teknologji, të cilat veprojnë si katalizatorë të lidhjeve ndërmjet dhe brenda sektorëve, duke çuar në një rritje të gjerë. Investimi në kapitalin njerëzor përmes edukimit e trajnimeve dhe mbështetja e inovacionit dhe e adoptimit të teknologjisë janë kyçe për këtë gjë. 

Në ndërkohë, qeveria duhet të fillojë një bashkëpunim strategjik me sektorin privat për të identifikuar pengesat kyçe për ristrukturim dhe se çfarë intervenime janë të nevojshme për t’i larguar ato. Në përgjithësi, është e domosdoshme që politika e re ekonomike të orientohet drejt shtimit të veprimtarisë prodhuese me produktivitet të lartë.

Sektori i shërbimeve është gjithashtu jetik, sidomos aktivitetet shërbyese teknologjike dhe të tregtueshme. Megjithatë, burimi kryesor i kërkesës për shërbime të tilla janë firmat prodhuese. Në këtë kuptim do të jetë i vështirë zhvillimi i shërbimeve me produktivitet të lartë pa një sektor të fuqishëm të prodhimtarisë. 

Një vend si Kosova — me kërkesë të kufizuar për shkak të tregut të vogël të brendshëm — ka pak zgjidhje pos orientimit nga jashtë, duke nisur një rritje të udhëhequr nga eksporti. 

Për më tepër, pandemia ka nxitur një rikonfigurim të rrjeteve globale të prodhimit; shumë korporata të mëdha multinacionale perëndimore po tërheqin hapësirat e tyre prodhuese më afër vendit të origjinës. Duke pasur parasysh përparësinë gjeografike të Kosovës, ky është një rast ideal për qeverinë që të ndihmojë firmat premtuese me potencial punësimi të bëhen pjesë e këtyre rrjeteve globale të prodhimit.

Një transformim që nxit zhvillim kërkon përkushtim të fuqishëm politik në nivelet më të larta, si dhe avancim të reformave institucionale.

Në ndërkohë, Kosova duhet të fillojë zgjerimin e shtrirjes gjeografike të marrëveshjeve favorizuese dhe atyre për tregti të lirë duke ndjekur rrugën e BE-së. Duke pasur parasysh llojllojshmërinë e marrëveshjeve tregtare favorizuese në të gjithë botën, kjo nuk do të krijonte përparësi relative sa i përket lirimit nga tarifat tregtare (koncesionet) për Kosovën. Megjithatë është e rëndësishme meqë do t’i ndihmonte tregtarët e vendit të konkurronin në një bazë të barabartë dhe jo nga një pozicion inferior me konkurrentët nga shtetet e tjera të favorizuara. 

Për shembull, një marrëveshje favorizuese mes Kosovës dhe Shoqatës Evropiane për Tregti të Lirë (EFTA), përkatësisht Zvicrës, Norvegjisë, Islandës dhe Lihtenshtajnit, nuk do të krijonte ndonjë përparësi të dukshme tarifore kundrejt shteteve të tjera në rajon sepse këto të fundi tanimë kanë marrëveshje me këtë bllok. Mirëpo kjo do t’u jepte mundësi të barabarta eksportuesve kosovarë që konkurrojnë me homologët e tyre nga rajoni në tregun e EFTA-s. 

Po ashtu, është thelbësore që qeveria të krijojë kushte për kanalizim më të mirë të fondeve të diasporës. Remitencat, edhe pse të rëndësishme për të mirëmbajtur nivelin minimal të konsumit të brendshëm, mund të krijojnë një formë të varësisë te pranuesit e tyre. 

Me stimulime të tilla si skema të granteve të bashkërenduara (me bashkë-financim) qeveria do të mund të inkurajonte diasporën për të investuar në ndërmarrje të përbashkëta apo lloje të ngjashme marrëveshjesh. Gjithashtu, qeveria duhet të mendojë për mënyra se si grupet e diasporës mund të jenë pjesë e përfshirjes së bizneseve të Kosovës në tregjet ndërkombëtare.

Një transformim që nxit zhvillim kërkon përkushtim të fuqishëm politik në nivelet më të larta, si dhe avancim të reformave institucionale të cilat duhet të reflektohen në shpërndarje të duhura buxhetore. 

Dështimi për të vepruar shpejt duke marrë në konsideratë transformimet paradigmatike të këtij lloji, do t’i kushtonte vendit me një katastrofë kolektive. Në këto kohë të vështira, qeveria duhet të udhëhiqet nga thënia e njohur e Winston Churchill-it: “Kurrë mos e leni një krizë të mirë t’ju shkojë dëm”.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.