Shtëpia si koncept shumë shpesh përdoret edhe si sinonim për familjen. Shtëpia konsiderohet të jetë shtyllë e organizimit shoqëror, një vend i sigurt dhe i rehatshëm për të gjithë. E ajo çka ndodh brenda mureve të shtëpisë shpesh ka tendencë të injorohet duke u konsideruar si çështje private, si çështje që nuk i takon diskursit publik.
Pandemia COVID-19 solli në gjithë botën ndryshime, solli një gjendje të re, e bashkë me të nxori në pah edhe shumë probleme të vjetra. Ndër to, izolimi si masë mbrojtëse nga virusi i dha kuptime shtesë konceptit të shtëpisë, me ndryshimet e papritura në popullimin e shtëpive gjithandej Kosovës dhe nëpër botë.
Më 2019, shkalla e punësimit të burrave në Kosovë ishte 45.9%, kurse ajo e grave ishte 13.7%. Me mbylljen e shumë bizneseve si pasojë e pandemisë, nuk është e habitshme që është rritur edhe numri i burrave që qëndrojnë në shtëpi për më shumë kohë gjatë ditës. E me mbylljen e shkollave e të çerdheve, fëmijët po ashtu kanë mbetur të ngujuar në shtëpi me muaj të tërë.
Kështu, shumë gra më nuk ishin të vetme në shtëpi, dhe kishin më shumë gojë që kërkonin të hanë prej tyre e më shumë rroba për të larë.
Kur flasim për punën në shtëpi, flasim për punët që bëhen çdo ditë brenda shtëpisë për të siguruar mirëqenien e personave që jetojnë aty. Puna që bëhet në shtëpi, që zakonisht përfshin gatimin, pastrimin, përkujdesjen, është përgjegjësi e cila bie si detyrë mbi gratë, e është një prej formave më të shpeshta ku shfaqet pabarazia dhe diskriminimi gjinor. Është pra pikërisht shtëpia dhe ndarja e përgjegjësive në mes të individëve në atë shtëpi që është thellësisht çështje gjinore e cila privilegjon disa dhe shtyp disa të tjerë.
Siç e dimë nga jeta e përditshme e thuajse secilit prej nesh, këto punë zakonisht konsiderohen si përgjegjësi të vajzave e grave që jetojnë në atë shtëpi. Është gati gjithmonë nëna, nusja apo motra e madhe ajo që ka përgjegjësi të kujdeset për këto punë, pavarësisht faktit se ajo mund të jetë e angazhuar edhe në punë tjetër, të paguar, me orar të plotë.
Të jetosh si grua në shoqërinë e sotme ekziston një listë e gjatë idealesh të cilën duhet ta përmbushësh. E ndonëse shumë prej këtyre idealeve kanë të bëjnë me pamjen e jashtme dhe mënyrën se si gratë duhet të sillen në shoqëri, disa prej tyre marrin një formë më konkrete. Një nga format më konkrete të këtyre “idealeve” është dikotomia ekonomike e cila i shtyn gratë të punojnë jashtë shtëpisë duke qenë njëkohësisht kujdestaret e vetme edhe për punët brenda shtëpisë.
Sociologet Arlie Hochschild dhe Anne Machung përdorën termin “Ndërrimi i Dytë” për t’iu referuar përgjegjësive të kujdesit për fëmijët dhe punëve të shtëpisë, të cilat shihen si përgjegjësi e grave, punë shtesë përveç punës së tyre të paguar.
Në shumë martesa tradicionale ku të dy partnerët punojnë, puna e paguar e grave konsiderohet si punë “e thjeshtë” krahasuar me atë të burrave. Kështu “ndërrimi i parë” i punës së grave ka tendencë të mos vlerësohet, duke racionalizuar kështu përgjegjësinë e tyre të vazhdueshme për “ndërrimin e dytë”, kujdesin për shtëpinë. Fakti se puna e burrave në shtëpi ende konsiderohet si “ndihmë” për gratë e tyre tregon se sa i vogël është ndryshimi konceptual.
Sa kushtojnë punët e shtëpisë?
Ideja e vjetruar se burrat “u ndihmojnë” grave kur bëjnë punë në shtëpi vjen si pasojë e një tradite të gjatë seksiste, por jo vetëm. Kapitalizmi në mënyrë të natyrshme zhvlerëson punën në shtëpi për faktin se ajo nuk paguhet, e nocioni i rremë se punët në shtëpi janë më pak të vlefshme se punët jashtë shtëpisë krijon një klimë sociale e cila pamundëson barazinë gjinore. Në krejt këtë punë harrohet fakti se punët si pastrimi, shërbimi e gatimi paguhen kur bëhen në shtëpi nga njerëz jashtë familjes apo nga kompani të ndryshme.
Sipas një raporti të vitit 2018 nga Kombet e Bashkuara, vlerësohet se gratë bëjnë 2.6 herë më shumë punë shtëpiake se burrat. Por gratë nuk kompensohen për këtë punë, dhe shumë ekonomi kombëtare zakonisht nuk e llogaritin atë në produkt të brendshëm bruto të vendit.
Gratë shpenzojnë 3 herë më shumë orë sesa burrat duke kryer punët e shtëpisë, gjë që reflekton sigurisht në kohë më të paktë për të kryer punë që mund të paguhet. Ky kontribut i dhënë nga gratë, përveç që nuk llogaritet në matjen e aktivitetit ekonomik formal, gjithashtu konsiderohet si diçka e mirëqenë — pa u vënë asnjëherë në dyshim se është aty. Ky angazhim, përveç që mbetet i nënvlerësuar, gjithashtu i lë gratë më të varfra në kohë duke ua pamundësuar investimin e kohës në veten e tyre.
Sipas një ankete të realizuar nga Instituti Riinvest në vitin 2017, rezulton se gratë e punësuara në Kosovë kalojnë mesatarisht 7 orë e 28 minuta në ditë duke punuar në punë të paguar, dhe 2 orë e 57 minuta shtesë duke u kujdesur për familjen dhe duke kryer punë shtëpiake të papaguara. Kështu, mesatarisht, gratë kalojnë 10 orë e 25 minuta duke punuar. Nga anketa e Riinvest, del që gratë kanë rrogë mesatare prej 387 euro në muaj, që do të thotë se paguhen mesatarisht 2.15 euro në orë.
Nëse puna e papaguar do të kompensohej, bazuar në vlerën e tregut të kohës për gratë e anketuara nga Riinvest, atëherë ato do të fitonin të ardhura shtesë prej 135 euro në muaj duke punuar në shtëpi, nëse llogaritet vetëm koha e kaluar duke punuar në shtëpi gjatë ditëve të punës; ndërkaq nëse llogaritet për çdo ditë të muajit, ato do të fitonin të ardhura shtesë prej 193 euro në muaj.
Së këtejmi rrjedh që puna e papaguar e grave është shumë e vlefshme për të mos qenë pjesë formale e ekonomisë. Por po ashtu është e rëndësishme të çohen përpara përpjekjet drejt barazisë në ndarjen e punëve brenda shtëpisë.
Sipas një pyetësori të realizuar nga organizata SIT me 837 të rinj, del që të rinjtë janë të pajtimit që hendeku gjinor në punët e shtëpisë nuk duhet të ekzistojë, dhe që ndarja e punëve të shtëpisë mes grave dhe burrave do të kontribuonte në harmoninë familjare — 88.6% e të anketuarve u pajtuan se ndarja e punëve në shtëpi do të krijonte harmoni më të mirë ndërmjet anëtarëve të familjes.
Gjatë kohës së izolimit për shkak të pandemisë, në disa raste burrat filluan të merren më shumë me punë shtëpiake dhe me kujdesin për fëmijët. Ekspertët sugjerojnë se kjo mund të çojë në një ndryshim të qëndrueshëm të normave gjinore. Ndërsa mënyra se si partnerët ndajnë përgjegjësitë për edukimin e fëmijëve të tyre gjatë pandemisë mund të na tregojë pak për të ardhmen e barazisë gjinore pasi të mbarojë pandemia, pasi shkollimi në shtëpi është i përkohshëm për shumicën e prindërve.
Sigurisht është shumë herët për të thënë me siguri se si pandemia do të ndryshojë ekuilibrin në periudhë afatgjate, por një seri studimesh të reja tregojnë se ndërsa gratë vazhdojnë të kujdesen më shumë për punën në shtëpi, burrat po bëjnë më shumë sesa kishin bërë përpara pandemisë. Dhe kjo mund të çojë në ndryshime të qëndrueshme.
Ky blog është pjesë e serisë sonë #Rinia2020. A dëshiron të ndash me të tjerët se çka po bluan në mendje? Kliko këtu për më shumë informacione.
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.