Në thelb | Të Drejtat e Grave

Punët e grave nuk kryhen kurrë

Nga - 07.05.2020

Puna e papaguar shumohet gjatë pandemisë së COVID-19.

Ndërsa akrepat e orës shënojnë shtatë e mëngjesit në sahatin e bardhë të varur në mur, Aida Jamini papritmas hap sytë. Rrezet e diellit pranveror shpojnë nëpër dritare dhe alarmi është shtyrë disa herë për ta shmangur ndërprerjen e një ëndrre fort të gjallë.

Aida çohet me shpejtësi, merr një fletëz ku kishte radhitur të djeshmen mbrëma gjësende të ndryshme, dhe niset për në dyqan.

Në orën 8:30 ajo kthehet në banesën e saj të vogël në lagjen e qetë të Ulpianës në qendrën e Prishtinës ndërsa mban qese të rënda me të dyja duart. Nuk ka llogari të mbetet me rafte të zbrazura, të cilat tash kanë edhe gjësende ushqimore, edhe maska, edhe dezinfektues.

“Gjithmonë harroj diçka”, thotë ajo. “Mund të fle më shumë nesër, por i kemi të gjitha gjërat kryesore”.

Këto veprime të shpejta i përsëriti për disa mëngjese me radhë në prill në mënyrë që ta vinte në përdorim orarin prej një ore e gjysmë që i lejohej çdo qytetari për lëvizje si pjesë e masave të qeverisë ndaj pandemisë. Shifrës së parafundit të numrit të letërnjoftimit, që zakonisht është detaj i parëndësishëm, iu ngrit papritmas vlera gjatë pikut fillestar të pandemisë në mes të prillit, kur u përdor për t’i përcaktuar rutinat ditore të kryerjes së detyrave financiare dhe blerjes së gjësendeve themelore për qytetarët.

Ajo tashmë është mësuar se si është kur rutinat dhe jeta përmbysen papritur.

Për Aidën, numri ‘1’ si shifër e parafundit nënkuptonte se 90 minutat e saj nisnin në orën 7 të mëngjesit për tri ditët e para, mandej në 11:30 për tri ditët e radhës sipas ndryshimit të orareve. Por ajo preferonte të dilte herët në mëngjes kur dy bijtë e saj të vegjël ishin në gjumë, sepse ashtu merakosej më pak sesa po t’i linte vetëm të zgjuar.

Ajo në të vërtetë është herake, por e vërejti se papritmas kishte nevojë për alarme për t’u zgjuar sepse kushtet e ngujimit ia trazonin ciklin e gjumit dhe rutinat e rregullta nuk sundonin më; pas konfirmimit të rasteve të para me COVID-19 në Kosovë më 13 mars, vendet e punës, shkollat, restorantet dhe baret u mbyllën menjëherë, gjë që zhvendosi thuajse të gjitha fragmentet e jetës brenda mureve të shtëpisë.

Sidoqoftë, ajo nuk ankohet për asnjë ndryshim të sjellë nga pandemia.

Ajo tashmë është mësuar — në një mënyrë më të vrazhdë se shumica e njerëzve të tjerë përreth saj — se si është kur rutinat dhe jeta përmbysen papritur.

Të rimësosh si jetohet

Para dy vjetësh, brenda një çasti të shkurtër, martesa tejet e lumtur e Aidës me dy fëmijë nën moshën 5 vjeçe u shndërrua në amësi të vetme.

Në përvjetorin e pestë të martesës, më 14 qershor 2018, burri i saj pësoi këputje abdominale aortike. Pas vetëm tri orësh, ai ndërroi jetë në QKUK me Aidën ndanë tij.

“Pas vdekjes, gjërat kanë ndryshuar aq shumë dhe më kanë zënë të papërgatitur, sepse vdekja e burrit ishte e papritur dhe e shpejtë”, thotë ajo. “Dhe jeta ndryshoi përgjithmonë për mua dhe për fëmijët e mi”.

Përvojat personale anekënd botës tregojnë se mundësia e infektimit me koronavirus është e frikshme sidomos për prindërit e vetëm të cilët mund të përfundojnë duke u kujdesur për fëmijët ndërsa i kundërvihen një sëmundjeje të rëndë ngjitëse. Disa prindër tregojnë se i kanë mësuar fëmijët të dinë se kur t’i thërrasin numrat emergjentë në rast se ata nuk munden, në mënyrë që fëmijët të jenë të përgatitur për të gjithë skenarët e mundshëm.

Foto nga Aida Jamini.

Një skenë e tilë do të ishte veçanërisht sfiduese për Aidën, e cila e ka kaluar pjesën dërrmuese të 20 muajve para mbërritjes së COVID-19 në Kosovë duke ua shpjeguar fëmijëve vdekjen e babait të tyre.

“Përvojat që i kanë ndarë me mua njerëzit që kanë përjetuar gjëra të ngjashme më kanë shtyrë të besoj se fëmijët duhet ta kuptojnë se ç’është vdekja”, thotë ajo. “Meqë kam diplomë dhe prapavijë në psikologji, nuk doja të vihem në pozitë të keqe me fëmijët e mi, sepse një ditë do ta kuptojnë çfarë ka ndodhur dhe [të mos qenët e hapur me ta] e vë në pyetje besimin dhe marrëdhëniet që dua t’i ndërtoj me të dytë”.

Tash, Aida dhe bijtë e saj, njëri 6 vjeç kurse tjetri 4 vjeç, po e përballojnë pandeminë si familje treanëtarëshe me vizatime, lego dhe duke qepur kukulla me çorape.

Orët gjatë ditës janë më të vështira për të sepse punon onllajn; ajo është e punësuar si përkthyese në një institucion publik dhe vazhdimisht i duhet të kalojë nga puna në lojë me fëmijët e saj. Shpeshherë, lojërat shndërrohen në rrëfime për babanë e tyre, mësime për jetën, çfarë ndodh kur dikush vdes, dhe si fëmijët sillen në botë.

“Kjo nuk është e lehtë për mu, të përmbahem çdo herë që marr pyetje, sidomos nga djali i madh, i cili ka kurreshtje të jashtëzakonshme”, thotë ajo. “Por teknologjia ka përparuar dhe për shumë gjëra që s’kam mundur të përgjigjem si duhet tash mund të shikojmë video dhe të mësojmë së bashku”.

Zia e trazuar

Pas mbylljes së shkollave dhe kopshteve në javën e dytë të marsit, masat e reja të qeverisë shpallën se nëse të dy prindërit në një shtëpi janë të punësuar, punëdhënësit duhet ta lirojnë njërin prej tyre për të qëndruar në shtëpi. Meqë rregullat e ngujimit sjellin periudha të zgjatura të mbylljes brenda me fëmijë dhe kufizime të shtuara, të gjithë prindërit po ballafaqohen me vështirësi gjatë shpërthimit të sëmundjes që mund të kuptohen vetëm nga prindërit e tjerë që kanë hasur në sfida të tilla.

Por ndërsa të gjithë prindërit po kalojnë kohë të rënda gjatë pandemisë, nevojat e posaçme të prindërve të vetëm janë marrë pak parasysh. 

Pandemia e COVID-19 po i thellon pabarazitë, pasi që shumë përvoja të fshehura të krizës kanë karakter gjinor: janë gratë ato që zakonisht kujdesen për fëmijët kur një lidhje shkëputet.

Koha dhe hapësira personale për mbajtjen e zisë janë pezulluar deri në fundin e pandemisë.

Nënave vetëmbajtëse u mungon mbështetja publike pavarësisht nga pandemia, dhe barra është edhe më e rëndë për të papunat. Duke u gjendur në mes të stigmës dhe vështirësive ekonomike, deri më sot, asnjë institucion qeveritar apo agjenci relevante nuk ka bërë hapa as për ta monitoruar, për shembull, numrin e grave të pamartuara, të papuna dhe që janë nëna; kjo përkthehet në mungesë të zgjidhjeve përmes politikave.

Ndërkaq, të vejat sikur Aida kanë vështirësi të shtuara sepse nuk njihen fare nga ligji. Ajo shpjegon se si as Ligji i Punës, as Ligji për Familjen nuk i përmendin prindërit e ve, dhe se kështu nuk ka njohje të nevojave të njerëzve që janë në pozitën e saj.

Por është barra emocionale e të qenit e ve që e ka goditur më fort në jetën e ngujuar, meqenëse koha dhe hapësira personale për mbajtjen e zisë janë pezulluar deri në fundin e pandemisë.

Para ngujimit, reflektimet e saj, qofshin melankolike a të ngazëlluara, të pikëllimit a të shpresës, zakonisht merrnin trajtë në orët e hershme të mëngjesit me një filxhan kafeje.

“[Zakonisht] zgjohesha në orën 5:30 që të kisha kohë për të bërë dush pa pyetjet dhe vizitat e fëmijëve”, thotë ajo. “Është kohë që ia kushtoja vetëm vetes. Mandej kisha kohë t’ua përgatisja djemve çantat, rrobat dhe të bëhesha gati për punë pa u penguar”.

Ajo thotë se orari i zakonshëm i përshtatej mirë, por që lodhet aq shumë në mbrëmje saqë e zë gjumi nga ora 10. “Ndonjëherë shoqja ime qesh me mua [duke thënë] ‘Ti fle si plakë’ por kjo është rutina që më ka mësuar ta nis ditën mirë dhe ta pi kafen pa qenë ‘në detyrë’”, shpjegon ajo.

Ngujimi ia ka vjedhur mëngjeset, por pjesën tjetër të ditës thuajse nuk e ka prekur fare. Kur pyetet se si po i shkon, përgjigja është gjithmonë e njëjtë: “Unë dhe dy djemtë e mi kemi qenë në një lloj karantine për gati dy vjet”.

* * *

Tetëdhjetë kilometra nga Prishtina, Nora Arapi Krasniqi po e përjeton një rutinë më të çrregullt se zakonisht në qytetin e saj të Prizrenit. Ajo është arkitekte dhe punon në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, një degë e Ministrisë së Kulturës. 

Pavarësisht nga pasiguria dhe frikat lidhur me shëndetin e më të dashurve të saj, ajo po e shijon një tempo më të ngadalshëm të mëngjeshit me partnerin dhe dy bijtë.

“Nuk ka më nguti në mëngjes — zgjimi pa alarm i ka të mirat e veta”, thotë ajo. “Të gjithë botës i është dashur kjo. Gjithmonë ngutemi të shkojmë diku ndërsa jeta veç kalon para syve tanë pa e përjetuar çastin”.

Sikur edhe për shumë të tjerë që punojnë në sektorin publik, ditët e saj ishin mjaft të fiksuara para se virusi ta godiste vendin: e çonte djalin e madh në shkollë fillore, e përgatiste ushqimin për atë të voglin dhe më pas shkonte në punë, ndërsa mbrëmjet i kalonte në shtëpi me familjen.

Foto nga familja Krasniqi.

Prej vendosjes së masave të ngujimit, ajo punon nga shtëpia, ndërsa situata e partnerit të saj, i cili ka një bar në qendër të qytetit, varet plotësisht nga zhvillimi i virusit.

“Tash është më vështirë të ndahet puna nga shtëpia”, thotë ajo. “Janë edhe përgjegjësitë e shkollimit”.

Djali i saj i madh është në klasë të parë në një shkollë private, por përveç kërkesave dhe detyrave të mësueses, ai ndjek çdo ditë programin onllajn të mësimit të organizuar nga Ministra e Arsimit, i cili transmetohet përditë nga ora 11 në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK).

“Secila nënë është shndërruar në arsimtare. Ne e shikojmë e-mësimin. Pastaj mësuesja i dërgon detyrat. Pastaj kanë punë në Google Classroom. Pra [fëmijët] kanë mësuesen në RTK, mësuesen në Vajber, mësuesen në Google Classroom dhe mësuesen nënë”, thotë ajo duke u qeshur.

Nora thotë se partneri i saj Adhurimi po tregohet mësues më i mirë se ajo dhe se ndihma e tij në shtëpi është burim fuqie për të në ballafaqimin me ngujimin.

“Nuk do t’mund të punoja pa praninë e Adhurimit këtu”, thotë ajo. “Javën e parë s’bëja dot asgjë. Ndoshta lidhej me ndërrimin nga zyra në shtëpi… apo panikun për përhapjen [e virusit]”.

Në mbrëmje pas përfundimit të mësimeve onllajn, ndërsa Adhurimi i argëton fëmijët me lojëra dhe muzikë, ajo merr llaptopin dhe nis punën.

“Kuptoj se nuk mund të bëj gjithçka vetëm. Nisa të kërkoj ndihmë dhe nuk pati kundërshtime”, thotë ajo. “Gratë duhet të nisin të kërkojnë ndihmë. Burrave u mungon iniciativa për punët e shtëpisë, por duhet të kërkosh [ndihmë]”.

Prapë, ajo kupton se ndarja e punëve në shumicën e familjeve në Prizren është larg të qenit e barabartë dhe thotë se ka vërejtur që qëndrimi i burrave në shtëpi gjatë ngujimit është barrë shtesë për shumë gra që i njeh.

“Tash, shumica e burrave të të njohurave të mia nuk punojnë. Tërë ditën e kalojnë duke shikuar televizor”, thotë ajo. “Bëhen sikur foshnja të mëdha”.

Ushqimi, përkujdesja dhe pastrimi vazhdojnë

Masat kufizuese të vendosura në shkallë botërore për ta luftuar pandeminë e COVID-19 kanë ngritur një sërë çështjesh gjinore, dhe studiuesit kanë treguar se jeta në ngujim në përgjithësi ka ndikuar më shumë te gratë sesa te burrat; një nga këto çështje që është theksuar edhe në media dhe nga politikanët në botë është rritja e rasteve të dhunës në familje, pasi që gratë dhe fëmijët izolohen me dhunuesit prapa dyerve të mbyllura.

Por ekspertja gjiinore dhe aktivistja Mirishahe Syla thekson se përtej këtij zhvillimi të rëndësishëm dhe shqetësues, trysnitë e tjera mbi gratë po vazhdojnë të keqësohen.

Syla thotë se ata që janë pjesë e gig economy (ekonomia e punëtorëve të pavarur) pa kontrata ligjore dhe përfitime afatgjata janë goditur më së rëndi, dhe prej të gjithë atyre që kanë punë me pagesë, gratë janë ato që joproporcionalisht punësohen në sektorin joformal, meqenëse shpesh punojnë si punëtore shtëpiake, kujdestare dhe mirëmbajtëse. Shumica e punës së kufizuar me pagesë që ka vazhduar jashtë shtëpive të njerëzve gjatë ngujimit po ashtu i ka gjetur gratë në ballë të pandemisë, si arkëtare të dyqaneve dhe si infermiere.

"Gratë që punojnë kanë më shumë vështirësi për kryerjen e punës prej shtëpisë për shkak të amvisërisë."

Mirishahe Syla, eksperte dhe aktiviste për çështjet gjinore

Ajo nënvizon se disa nga pjesët e vetme të jetës që kanë mbetur të paprekura janë nevojat për të ngrënë, për të pasur përkujdesje dhe për t’u pastruar — të cilat po ashtu kërkohen nga institucionet dhe organizatat që e vazhdojnë punën — dhe se këto janë barra që në shumicën dërrmuese të kohës bien mbi gratë.

“Vetëm në vitet e 60-ta a 70-ta kjo punë ka nisur të quhet ‘punë e papaguar’,” thotë ajo. “Kategorizimi i punës brenda shtëpisë si punë e papaguar pati rëndësi të madhe në mendimin dhe aktivizmin feminist, sepse e kategorizon punën duke përfshirë përkujdesjen ndaj të tjerëve, përgatitjen e ushqimit, pastrimin e kështu me radhë, si punë më vete, e jo si zgjatim i natyrshëm i rolit të gruas si amvisë a si nënë”.

Një faktor që Syla thotë po e zmadhon barrën e punës së papaguar mbi gratë në Kosovë gjatë periudhës së tanishme të izolimit është se faktorët tradicionalë dhe ekonomikë i kanë shtyrë shumë çifte të jetojnë së bashku me familjen e bashkëshortit në shtëpinë e njëjtë.

“Edhe pse shumica e grave në Kosovë — mbi 80% — nuk janë të punësuara, ato vazhdojnë të rrinë në shtëpi me një barrë më të madhe të punës, sepse tash të gjithë janë në shtëpi”, thotë ajo. “Ndërkohë, gratë që punojnë kanë më shumë vështirësi për kryerjen e punës prej shtëpisë për shkak të amvisërisë, dhe kjo mund të shndërrohet në një situatë të rëndë që ndikon edhe shëndetin mendor, edhe atë fizik”.

Përforcimi i çështjeve të vjetra

Merita Xhema, e cila është e diplomuar për gjuhën angleze, ka reflektuar shumë në kohët e fundit për rolet gjinore, dhe mëyrën se si ia kanë ndikuar karrierën dhe ëndrrat. Ajo tash për tash është e papunë dhe e ngujuar me partnerin dhe dy bijat në banesën e tyre në kryeqytet.

Duke e intervistuar përmes platformës Skype në javën e tretë të prillit, bija e saj 4 vjeçe hyn në dhomë dhe shfaqet prapa shpinës së saj, duke e rikrijuar skenën e një videoje të përhapur të BBC-së nga viti 2017 kur i intervistuari pengohet nga fëmijët e tij. Një incident i ngjashëm ndodhi para disa ditësh në RTK, duke lënë të nënkuptohet se prindërve anembanë botës po u dalin fëmijët si protagonistë të papritur në takime onllajn dhe intervista këto ditë.

Merita shpjegon se si më herët atë ditë e kishin bërë një familje arinjsh prej katër lodrave që i kishin gjetur, pasi që kopshti i vajzës kishte kërkuar ta bënin një aktivitet me temën “Familja”.

Kalimi i kohës brenda shtëpisë po ashtu ka ndihmuar në zbulimin e anëve kreative të saj dhe të Sherifit, partnerit të saj. Ata kanë eksperimentuar me receta të reja dhe të ndërlikuara, si dhe kanë krijuar lojëra me vajzën nga materialet e ricikluara.

Ajo thotë se partneri i saj e ka ndihmuar shumë dhe kujton se si ishin ndarë punët e shtëpisë më parë kur ajo ishte e punësuar në të kaluarën.

Duke u përsiatur për punën e papaguar dhe se bie kryesisht mbi gratë, ajo kthehet te pyetja që studiuesit e bëjnë shpesh: si i ndikon fuqia punëtore normat shoqërore?

“Nga ana financiare, Sherifi gjithmonë ka pasur pagë më të mirë dhe nuk e kemi pasur luksin ta humbim vendin e tij të punës sepse kishim gjëra që duheshin paguar”, thotë ajo. “Dhe pastaj ke pritshmëritë shoqërore që bien mbi gratë. Kur punoja dhe njëra nga vajzat sëmurej, unë isha ajo që duhej të merrte pushim sepse njerëzit zakonisht presin se ti, si nënë, duhet të heqësh dorë nga karriera”.

Merita thotë se pabarazitë e ndryshme gjinore që paraqiten në mënyra të ndryshme i kanë rrënjët thellë. Ajo kujton se si i është dashur ta linte punën kur ka qenë shtatzënë me vajzën e parë sepse nuk i mbulohej pushimi i lehonisë. Këto trazime, thotë ajo, kanë pasur ndikim të madh në të ardhmen e saj.

Foto nga Merita Xhema.

“Të gjitha këto pjesë të sistemit e pengojnë shtetin të funksionojë si duhet”, thotë ajo.

“Nëse pushimi im i lehonisë do të ishte paguar, unë nuk do ta kisha lënë punën. Kam ndenjur në shpi dy vjet. Pata një pushim prej të cilit nuk ishte e lehtë të kthehem. Pastaj ke nevojë të nisësh [përsëri] në një punë që ndoshta e ke bërë pas përfundimit të studimeve, me pagë jo të mirë. Shteti nuk funksionon për gratë. Të humb filli”.

Nora pajtohet me fjalët e Meritës se të qenët nënë e punësuar dhe e suksesshme është sfidë e rëndë.

“Nëse do karrierë dhe jetë të mirë familjare, është sfidë tepër e rëndë. Është konfirmuar sërish gjatë karantinës”, thotë ajo. “Por mendoj se është sfidë që na frymëzon dhe kam kuptuar që gratë janë më të suksesshme dhe kreative sepse jeta na obligon t’i gjejmë zgjidhjet që mund të duken të pazgjidhshme”.

Duke i rritur bijtë për të qenë të pavarur, të ndjeshëm ndaj çështjeve gjinore dhe ndaj punëve të shtëpisë është hap i mirë në drejtimin e duhur, thotë ajo, duke shtuar se rëndësia e vendimmarrjes së tyre duhet t’i mësohet gjithashtu secilës vajzë të re.

Tkurrja e përhapjes së koronavirusit në dy javët e fundit, me një numër më të madh të të shëruarve sesa të të infektuarve, u ka dhënë shpresë këtyre tri grave që fundi i jetës në ngujim është diçka e afërt.

Por ndikimi afatgjatë i krizës së COVID-19 sigurisht që do të matet në muajt dhe vitet pas adresimit të saj; në ndërkohë, revista Atlantic thotë se “nëpër botë, pavarësia e grave do të jetë viktimë e heshtur e pandemisë”.

Tash për tash, si furnizuesja dhe kujdestarja e vetme për shtëpinë dhe fëmijët, Aida shqetësohet për momentin kur institucionet publike kërkojnë që të kthehet në punë nëse kopshtet nuk janë hapur ende. Tash për tash, nuk ka shumë zgjidhje përveç se të presë me paqartësi dhe ta vazhdojë rutinën e ngujimit.

Kur bie nata, ajo i vë djemtë në gjumë pas orëve të gjata plot këndim e lojë, ngjyrosje muresh, gatim pallaçinkash dhe pas çrregullimit e rregullimit të banesës. Ata bien në shtrat dhe flasin para se të flenë dorë për dore. 

“Kjo është pjesa e preferuar e ditës, edhe pse është fizikisht e lodhshme të flesh dorë më dorë”, thotë ajo. “Jemi në rregull kështu në karantinë. Jemi më të afërt. Veç duam që kjo të përfundojë që të vazhdojmë t’ia dalim më mirë sesa që kemi menduar, sepse deri tash jemi ballafaquar me jetën më mirë sesa që kemi menduar — më mirë sesa që është pritur prej nesh”.

Imazhi i ballinës nga Aida Jamini.