Pikëpamje | Kulturë

Përhapja përtej Prishtinës e bën Polipin 2020 vërtet pa kufij

Nga - 22.09.2020

Festivali i letërsisë eksploron ndryshimin përmes mënyrave të reja të shprehjes.

Të premten, më 11 shtator, një veturë përshkoi rrugët e Prishtinës duke transmetuar poezi.

Pasi mbledhitë kulturore, në hapësira të hapura dhe të mbyllura, janë aktualisht të ndaluara në Kosovë, organizatorët e festivalit ndërkombëtar të letërsisë në Prishtinë Polip kishin krijuar një audio udhëtim të dizajnuar për t’u dëgjuar në radio: fjalë të pëshpëritura në errësirë, në një kolazh gjuhësh.

Edicioni i dhjetë i festivalit ishte paraparë të organizohej në maj të këtij viti, por njëjtë si me shumë ngjarje kulturore botërore, COVID-19 kishte pamundësuar mbajtjen e tij. Festivali u shtye për në shtator duke u rimenduar, si shumica e ngjarjeve kulturore, në një format (kryesisht) online. Leximet që në kushte normale do të bëheshin në hapësira të mbushura me dëgjues të vëmendshëm tani u shpërndanë online.

Programi i Polipit, i pasur me panele e diskutime, këtë herë u organizua përmes Zoom-it. Mund të mos ketë qenë ceremonia festuese për të cilën kanë shpresuar organizatorët, por mbetet arritje fakti që festivali u organizua në këtë vit pandemie, që ka ndryshuar parametrat; një veprim që gjithashtu mundet t’i atribuohet vetë festivalit.

Kam dashur ta vizitoj Prishtinën që nga hera e parë kur dëgjova për të në Kosovo Theater Showcase, në vitin 2018, dhe kam pritur me padurim të merrja pjesë në festival gjatë majit, para se ai të shtyhej. Andaj ishte një përvojë e përzier të isha fizikisht e pranishme në Prishtinë derisa festivali po organizohej në distancë, me shkrimtarët e shpërndarë në të gjithë Evropën. 

A do të mundej një festival i ndërtuar mbi idenë e afrimit ta kishte të njëjtin ndikim kur pjesëmarrësit do të ishin të distancuar mes vete?

Festivalet e letërsisë gjithmonë kanë qenë vende për shkëmbim të ideve. Ato e zhvendosin gjuhën nga faqet, dhe veprimet vetmitare të shkrimit e leximit i bëjnë komunitare. Sidoqoftë, Polip gjithmonë ka nënkuptuar diçka më shumë, një proces të cilin bashkëthemeluesi Jeton Neziraj e quan “pajtim letrar”. 

Rilidhja e dy shoqërive, Serbisë dhe Kosovës, të ndara nga lufta dhe pasojat e saj, përshkimi i kufijve gjuhësorë, kulturorë dhe fizikë.

A do të mundej një festival i ndërtuar mbi idenë e afrimit ta kishte të njëjtin ndikim kur pjesëmarrësit do të ishin të distancur mes vete? Lidhja e ndërsjellë gjithmonë ka qenë pjesë e rëndësishme e Polipit; a do të mund të transmetohej kjo ndjesi e komunitetit përmes ekraneve?

Festivali u themelua në vitin 2010 nga Neziraj dhe shkrimtari serb Saša Ilić, i cili së fundi fitoi çmimin e mirënjohur NIN me romanin e tij “Qeni dhe Kontrabasi”. Dyshja u takuan në Panairin e Librit në Leipzig, dhe vendosën të krijonin diçka që do të ishte në gjendje të “ndërtonte ura ndërmjet dy shoqërive të tyre të dala nga konflikti”,  sipas Ilić-it, për të rikthyer interesimin për letërsinë e përkthyer mes dy vendeve, për ta luftuar nacionalizmin e për t’i theksuar të përbashkëtat, si dhe për të bërë paqe e ndërtuar besimin. 

Ilić nuk e kishte vizituar Kosovën para vitit 2010, dhe për shumicën e shkrimtarëve të ftuar që vinin nga Serbia ishte hera e parë që po shkonin në ish-krahinën autonome e cila që prej vitit 2008 është bërë shtet i ri. Në këtë mënyrë festivali i ndërmjetësoi lidhjet, duke i sjellë njerëzit me të vërtetë së bashku. 

Në disa zona ata ishin pritur me rezistencë; politikanët vendorë nuk e kishin të njëjtin vizion dhe nuk ofronin mbështetje. Sipas Nezirajt, në vitet e para të festivalit duhej të ishe “ose pak i çmendur ose i guximshëm që të merrje pjesë”. Ata u përballën me akuzat se festivali ishte jugonostaligjik; disa nga shkrimtarët pjesëmarrës bënin shaka se ishin tradhtarë.

Ndërsa fillimisht ishte i fokusuar vetëm në poezi, festivali shpejt u rrit duke përfshirë shkrimtarë romanesh dhe proze. Autorët pjesëmarrës vinin nga vendet e tjera ish-jugosllave e më larg, veçanërisht në vitet e fundit kur Alida Bremer, një shkrimtare kroate në Gjermani, iu bashkua festivalit si bashkëdrejtuese. Apo, siç thotë Neziraj, “rrethi i tradhtarëve u zgjerua”.

Potenciali për ndryshim ka qenë i mishëruar në festival që nga fillimi.

Edicioni i dhjetë i festivalit u hap me një letër mikpritëse nga Bora Ćosić, të cilin organizatorët që një kohë të gjatë kishin shpresuar ta sillnin në Prishtinë. Ai foli rreth nevojës për “të mos u mbyllur në oborret e qyteteve tona të vogla” dhe për të qenë të hapur ndaj njëri-tjetrit. 

Çdo edicion i festivalit ka një temë të përgjithshme apo një provokim. Polipët e mëhershëm kanë eksploruar letërsinë në ekzil dhe rrugën ballkanike të migrimit. Tema e këtij viti ishte “Ndrysho gjuhën tënde”, një gjurmim i idesë se fjalët tona si dhe ato të përdorura nga mediat e politikanët i japin formë botës sonë, dhe nëse është e mundur të arrihet ndryshimi përmes gjetjes së formave të reja të shprehjes dhe definimit të botës. 

Në njëfarë mënyre, kjo gjithmonë ka qenë tema e Polipit; potenciali për ndryshim ka qenë i mishëruar në festival që nga fillimi, njëjtë sikurse përkthimi, nevoja e dyanshme e folësve serbë dhe atyre shqiptarë për t’u kuptuar, vendndodhja e një gjuhe të përbashkët. 

Duke pasur këtë parasysh, herët në historinë e festivalit u botuan dy antologji me poezi dhe prozë: “Nga Beogradi me Dashuri” në shqip dhe “Nga Prishtina me Dashuri” në serbisht. Ky i fundit u bazua në korrespondencën personale ndërmjet dy themeluesve të festivalit. 

Si dikush që e flet keq serbishten dhe pothuajse asnjë fjalë në shqip, përdorimi nga Polipi i gjuhës angleze si urë lidhëse ishte veçanërisht i mirëseardhur për mua.

Zhvendosja e festivalit online mund të paraqesë pengesa shtesë sa u përket kamerave, programeve transmetuese dhe ekraneve, por po ashtu ia ofron leximet një audience potencialisht më të madhe. 

Disa nga shkrimtarët — përfshirë poeten shqiptare Anna Kove që lexoi pjesë nga “Zilet e së Dielës” dhe shkrimtarët vendorë si Plator Gashi, Artrit Bytyçi dhe Aurela Kadriu — u xhiruan teksa lexonin krijimet e tyre në Teatrin Oda duke përcjellë intimitetin e leximit pa praninë e audiencës, ndërsa të tjerët dërguan video të xhiruara më herët.

Poetja turke Naduran Duman foli teksa prapa e kishte detin.

Vargu mimimalist u përplas me prozën thellësisht të ndjeshme, me poezi me fragmente më të gjata, me memoare dhe ese.

Shkrimtarja kroate Katja Grcić lexoi krijimet e saj nga një çati në Split. Poetja turke Naduran Duman foli teksa prapa e kishte detin. Faruk Šehić, autori boshnjak i “Qetësisht rrjedhë Una” lexoi një fragment të punës së tij nga banesa e vet në Sarajevë. Denijen Pauljević nga banesa e tij në Gjermani. Autori maqedonas ngacmoi shqisat me një pasazh që ndërthurte ushqimin me dashurinë. Shkrimtari grek Dimitris Lacos lexoi krijimet e tij brenda një vagoni të braktisur treni.

Në veçanti e shijova leximin intensiv e mbërthyes që bëri shkrimtarja austriake Lydia Haidar, të një pjese me një titull fantastik “Seriously Fuck You, You Sow; Are Your Insides Completely Filled with Shit?” dhe në një kontrast të plotë, Svetlana Slapsak e cila fliste me pasion për pozitën e grave në shoqërinë postjugosllave dhe kolonializmin kulturor Perëndimor. 

Është e drejtë të thuhet se disa nga shkrimtarët i përqafuan sfidat e të qenit jo të pranishëm dhe diku tjetër më shumë se të tjerët, por sërish për mua ishte kënaqësi t’i dëgjoja këta zëra të ndryshëm duke interpretuar punët e tyre në mënyrat e veta.

Duke iu përshtatur këtij edicioni të dhjetë, Ilić dhe Neziraj lexuan fragmente nga krijimet e tyre duke zhvilluar edhe një debat sy më sy (edhe pse në distancë) për origjinën, historinë dhe trashëgiminë e Polipit. 

Për muzikë — që gjithmonë është pjesë e rëndësishme e Polipit — u kujdes Ilir Bajri dhe bendi ferizajas Bystandr që luajtën në një mini-gig digjital të performuar në Oda dhe të transmetuar online. Kjo pjesë ndoshta krijoi ndjesinë më të madhe të shkëputjes për mua; mbase muzika live më shumë se poezia kërkonte prezencën e trupave në dhomë. 

Kishte një dozë ironie në faktin se festivali — me projektin e vet prej një dekade për ndërtimin e paqes dhe të asaj që Neziraj e quan “çminim kulturor” —- ndodhi në fundjavën pasi bota ndoqi presidentin e Serbisë Alexander Vučić dhe kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti të ulur sikletshëm në Shtëpinë e Bardhë duke diskutuar normalizimin e marrëdhënieve, me Donald Trumpin i cili paturpësisht synonte një Çmim Nobel.

Siç më tregoi Ilić, gjëja më e rëndësishme që ka arritur Polipi gjatë dekadës së kaluar, përveç “rivendosjes së lidhjeve letrare dhe njerëzore të cilat ishin ndërprerë për dekada”, ishte krijimi i “një hapësire të lirë për mendim, thelbësore për të ardhmen e rajonit”.

Këtë vit, kjo hapësirë mund të jetë tkurrur fizikisht — pa lënë mundësi për debatet e gjalla dhe intensive të cilat zakonisht zhvillohen kur një grup shkrimtarësh bëhen bashkë në një dhomë me pak raki — por u rrit në audiencë.

Ndërkohë që më mungoi alkimia që gjendet në një festival letërsie, ky kombinim i leximeve live dhe atyre të incizuara i mundësoi festivalit të shpërndahet përtej hapësirave performuese të Prishtinës, në shtëpitë e njerëzve. Në vitin e tij të dhjetë, Polip me të vërtetë u bë i pakufijshëm.K

Imazhi i ballinës:  Atdhe Mulla / K2.0.