S`fundmi | Art

Arti Nën Sulm

Nga - 17.12.2020

Data: 22 dhjetor, 2020
Koha: 17:30

Vërehet qartë se pandemia e tanishme ka shpërfaqur pabarazitë shoqërore dhe ekonomike, madje ka fuqizuar edhe lidershipet autokratike. Nga shoqëria në shoqëri ka pasur kufizim të lirive individuale ose kolektive, ndërsa zërat kritikë janë heshtur, janë kërcënuar ose janë sulmuar.

Arti nuk përbën përjashtim. Artistët dhe aktorët kulturorë anembanë rajonit po ballafaqohen me trysni të shkallëve të ndryshme. Duke marrë parasysh kapacitetin e arteve dhe kulturës jo vetëm për ta përmirësuar jetën dhe botën tonë emocionale, por edhe për të shërbyer si zë kritik dhe disident, këto zhvillime janë posaçërisht shqetësuese.

Për një kohë shumë të gjatë, skena e arteve dhe kulturës në Kosovë është vënë shumë poshtë në listën e prioriteteve të qeverisë. Gjatë pandemisë, kjo skenë është kufizuar nga masat e vazhdueshme të izolimit dhe ka marrë fare pak mbështetje nga shteti, ndërsa pjesa më e madhe e ekonomisë ka mbetur e hapur.

Përmes një deklarate publike në mars, kur ka nisur pandemia në Kosovë, ish-zëvendësministri i kulturës në largim kishte premtuar masa emergjente financiare për ta mbështetur këtë sektor, por u deshën edhe tetë muaj që kjo të njëmendësohej, nëpërmjet thirrjes së hapur për mbështetje financiare për projekte artistike-kulturore të individëve, që buroi nga Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike në nëntor.

Mungesa e mbështetjes për kulturën dhe zbatimi i vonshëm i saj sollën pasoja të rënda dhe të përhershme për shumë hisedarë dhe institucione kulturore, disa prej të cilave u mbyllën tërësisht.

Në Serbi, artistët po kërcënohen dhe sulmohen fizikisht, ndërsa punimet e tyre po shkatërrohen si pjesë e një kulture të censurimit që po mbështetet, ndonëse joformalisht, nga institucionet shtetërore për t’i ndaluar zërat kritikë. Institucionet shtetërore serbe nuk e mbështesin punën e artistëve që nuk përputhet me strategjinë mbizotëruese shtetërore për kulturë, e njohur për ndërthurjen e brendimit etnik dhe nacionalist me industrinë krijimtare. Censura zbatohet posaçërisht në fushat që ndërlidhen me krimet e viteve të 90-ta dhe me pavarësinë e Kosovës.

Në Shqipëri, në një veprim që u pa prej shumëkujt si një ndër sulmet më indinjuese ndaj skenës kulturore, ndërtesa historike e Teatrit Kombëtar u bë rrafsh me tokë në orët e para të një së diele në nën mbikëqyrjen e policisë dhe njësiteve të forcave speciale policore, të cilët i mbajtën në arrest dhjetëra aktivistë që kishin qenë duke e mbrojtur ndërtesën nga shkatërrimi.

Për Shqipërinë, ky ishte vetëm rasti i fundit në valën e shkatërrimit, rindërtimit dhe fshirjes së ndërtesave ikonike dhe historike në shkëmbim për ndërtime të reja moderne që synojnë vetëm përfitime, pa konsideratë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, ashtu si në Kosovë, arti dhe kultura pothuajse janë harruar gjatë pandemisë dhe shumë artistë e punëtorë të këtij sektori po e gjejnë vetën në situatë të skajshme. Jo vetëm që janë mbyllur që nga marsi objektet publike kulturore si teatrot, kinematë dhe ekspozitat, për më tepër kishte mungesë të politikave apo masave të përplotësuara për sektorin e kulturës për shkak të fragmentimit të shtetit, dhe si rrjedhojë e kësaj punëtorët e sektorit të kulturës në shumicën e rasteve u detyruan të varen nga vetëvetja.

Duke marrë parasysh këtë, është e rëndësishme të bisedojmë për gjendjen e artit dhe kulturës në rajon. Më 22 dhjetor K2.0 do ta organizojë një diskutim online për këtë temë, duke ftuar figura kyçe të skenës nga pjesët e ndryshme të rajonit për t’i shtjelluar këto ndodhi dhe për të analizuar atë se çfarë duhet të bëjmë për ta shpëtuar këtë sektor jetik. Paneli i diskutimit përfshin:

– Donjeta Murati (hulumtuese dhe kuratore, Kosovë)
– Vladan Jeremić (artist dhe kurator, Serbi)
– Adela Jušić (artiste vizuale bashkëkohore, Bosnjë dhe Hercegovinë)
– Valentina Bonizzi (artiste e pavarur, Itali/Shqipëri)

Për shkak të pandemisë, diskutimi do të organizohet online. Përkthim në gjuhën angleze dhe atë serbe do të sigurohet nëpërmjet audiothirrejve në grupe të Viber apo nëpërmjet linkut të takimit në Zoom. Vetëm na dërgoni numrin e telefonit dhe tregoni për cilën gjuhë keni nevojë për përkthim dhe ne do t’ju shtojmë në njërin prej grupeve përkatëse, ose na shkruani një mesazh privat për ta marrë linkun e takimit në Zoom.

Kjo ngjarje mundësohet me mbështetjen e Prince Claus Fund.