Në thelb | COVID-19

Dëm i pabarabartë, rimëkëmbje e drejtë?

Nga - 29.12.2020

Thirrje për ta orientuar mbështetjen në favor të sektorëve më të prekur nga pandemia.

Në muajt e fundit, Jeton Latifi ka punuar kryesisht në riparimin e hostelit të tij në qendër të Prishtinës. Ai kishte kohë të mjaftueshme për ta bërë këtë pasi hosteli nuk kishte pothuajse fare vizitorë këtë vit.

Që kur u hap në vitin 2016, hosteli Oda ka mirëpritur qindra mysafirë ndërkombëtarë të cilët kanë vizituar Kosovën. Mirëpo, për shkak të pandemisë dhe masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, ai ka qëndruar i mbyllur për pjesën më të madhe të këtij viti.

Ndër masat e para të ndërmarra nga qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së virusit ishte mbyllja e kufijve dhe e aeroportit; shumica e fluturimeve u pezulluan përkohësisht, derisa kufijtë u mbyllën për qytetarët jo-kosovarë. Masat u lehtësuan gradualisht, por numri i vizitorëve mbeti i ulët, duke e lënë hotelerinë si një nga sektorët më të prekur të ekonomisë.

“Pandemia na ka prekur më së shumti”, thotë Latifi. “Fillimisht, qeveria vendosi t’i mbyllte kufijtë, pastaj të njëjtat masa u ndërmorën në Evropë, gjë që praktikisht e bëri të pamundur turizmin”.

Jeton Latifi, pronar hosteli, thotë se mbështetja financiare e dhënë nga qeveria deri më tani ka qenë plotësisht e pamjaftueshme duke qenë se biznesi i tij është detyruar të mbyllet që prej marsit. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Si pjesë e reagimit fillestar emergjent, kur i gjithë vendi ishte në izolim të plotë, qeveria tashmë e rrëzuar në krye me Albin Kurtin për dy muaj u ndau bizneseve pagesë prej 170 eurosh për punëtor.

Më pas në gusht, qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti miratoi disa masa në mbështetje të ekonomisë, duke ndarë 60 milionë euro për të ndihmuar kompensimin e pagave të punëtorëve. Bizneset, pavarësisht nga sektori, pranuan një shumë prej 290 eurosh për secilin punëtor të regjistruar.

Për Latifin, kjo ndihmë nuk iu afrua mbulimit të humbjeve financiare të këtij viti pasi ai ka të punësuar vetëm një person në hostel, andaj ndihma financiare që pranoi ishte e vogël.

“Nuk ka kuptim që bizneset të cilat kanë qenë të mbyllura shumicën e kohës dhe kanë fituar vetëm 1% të të hyrave të tyre [të zakonshme], të ndihmohen në të njëjtën mënyrë si bizneset të cilat kanë qenë të hapura gjatë gjithë kohës”, shton ai.

Përkundër humbjeve, Latifi ka arritur ta mbajë gjallë biznesin e tij, duke qenë se shpenzimet operative ishin të ulëta pasi hapësira ku hosteli është i vendosur është në pronësi të tij.

Mirëpo, hostelet e tjera nuk ishin aq me fat. Në korrik, Azdren Jonuzi u detyrua ta mbyllte hostelin e tij në qendër të Prishtinës — hostelin Han — të cilin e kishte hapur në vitin 2013.

“E mbyllëm hostelin plotësisht dhe hapësirat i lëshuam me qira për zyrë”, thotë ai, duke shtuar se prej mbylljes fillestare të kufijve nuk kishte vizitorë.

Njëjtë si Latifi, edhe Jonuzi thotë se mbështetja nga qeveria ishte e pamjaftueshme për të bërë dallim real.

Pagesë e barabartë për dëm të pabarabartë

Të dhënat zyrtare nga Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës tregojnë se 761 biznese u mbyllën përfundimisht gjatë periudhës ndërmjet shkurtit dhe tetorit; më herët ato biznese punësonin 1,316 njerëz. Numri më i lartë i bizneseve të mbyllura ishte në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë, i ndjekur nga industria përpunuese dhe hoteleria.

Sipas Administratës Tatimore të Kosovës, kostoja ekonomike e masave kufizuese të ndërmarra për të shmangur përhapjen e pandemisë llogaritet të jetë afro 1.2 miliardë euro.

Pakoja e rimëkëmbjes ekonomike e miratuar në verë nga qeveria — që përfshinte masat për ndërmjetësimin e qasjes së bizneseve private në financa, lehtësimin e barrës së taksave për bizneset dhe rritjen e subvencioneve për bujqësi — kapte vlerën prej 365 milionë eurosh.

Megjithatë, Berat Rukiqi, drejtor i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se mbështetja e pranuar nga bizneset deri tani ka qenë e kufizuar.

“Fondi i vetëm që është ndarë për rimëkëmbje ekonomike deri tani është shuma prej 60 milionësh, e cila është ndarë për likuiditetin e kompanive në bazë të proporcionit të barabartë në vlerë prej 290 eurosh për secilin punëtor në kompani”, thotë Rukiqi.

Berat Rukiqi, drejtor i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se ekonomia është prekur rëndë këtë vit por mbështetja e dhënë për bizneset ka qenë e limituar. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.Sipas një analize të bërë së fundi nga Instituti GAP, mbështetja financiare e dhënë deri tani nga qeveria për bizneset është “e pamjaftueshme” kur merret parasysh dëmi ekonomik i shkaktuar nga pandemia. GAP gjithashtu thekson se mënyra e shpërndarjes së mbështetjes financiare ndërmjet sektorëve duhet të përshtatet sipas nevojës.

Duke u bazuar në të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës, GAP thekson se ka dallime të mëdha në qarkullimin e deklaruar nga bizneset në sektorë të ndryshëm. Sipas analizës së GAP-it, sektorët ekonomikë që kanë pësuar rënien me të madhe të të hyrave janë industritë e artit, argëtimit dhe rekreacionit (-79%), shitja e patundshmërive (-44%), transporti dhe magazinimi (-43%), si dhe hoteleria dhe shërbimi i ushqimit (-37%).

Rukiqi thotë se nëse merret si sektor në vete, hotelieria del të jetë një nga pjesët më të prekura të ekonomisë, me 90% rënie në qarkullim krahasuar me vitin e kaluar.

Sipas analizës së GAP-it, ka sektorë që kanë treguar rritje në qarkullim gjatë pandemisë. Rritja më e lartë ka qenë në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), i cili ka gëzuar një rritje prej 12%.

Vjollca Çavolli, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK) thotë se organizata që ajo drejton ka realizuar dy analiza për të vlerësuar ndikimin e pandemisë në këtë sektor. Analiza e parë e zhvilluar në prill gjeti se cilësia e shërbimeve dhe prodhimeve nga kjo industri ka rënë, por analiza e dytë, në korrik, tregoi që situata kishte ndryshuar.

“Më pas [tre muaj më vonë, në korrik 2020] realizuam një analizë që ishte mjaft pozitive, pasi partnerët ndërkombëtarë kishin trefishuar kërkesën e tyre për kompanitë tona”, thotë Çavolli. “Si rezultat, efekti ka qenë shumë pozitiv në 95% të kompanive të teknologjisë së informacionit”.

Çavolli thotë se kompanitë e TIK-ut janë mbështetur financiarisht njëlloj nga qeveria si bizneset e sektorëve të tjerë. Njëjtë me mbështetjen e pranuar nga hosteli Oda, qeveria pagoi 290 euro për secilin punëtor.

Kërkesat për qasje të re

Në fillim të dhjetorit, Kuvendi i Kosovës përfundimisht votoi për miratimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike të sjellur nga qeveria, pas muajsh përpjekjesh të dështuara. Ligji përmban një pako prej 200 milionë eurosh për të mbështetur bizneset e prekura nga pandemia dhe ndikimi i saj, me gjysmën e këtyre parave të parapara të merren nga të ardhurat e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Neni 11 i Ligjit të ri për Rimëkëmbje Ekonomike përcakton kriterin e përgjithshëm për përfitim:

“Të gjitha bizneset të cilat kanë qenë të mbyllura apo kanë pasur problem të funksionimit të rregullt gjatë kohës së pandemisë, por të cilat kanë qenë aktive në regjistër të Administratës Tatimore të Kosovës para datës 29 shkurt 2020, mbështeten financiarisht nga ana e buxhetit të Republikës së Kosovës me mjete monetare për t’i mbuluar shpenzimet operative në shumën prej dyqind milionë euro”.

Sipas Ministrisë së Financave, vlera prej 200 milionë eurosh do të përfshihet në draft buxhetin për vitin 2021 dhe një plan veprimi për zbatimin e skemës — përfshirë kriteret e detajuara për përfitim — po përgatitet nga një grup punues i krijuar nga qeveria.

Zgjedhjet e përgjithshme të jashtëzakonshme që pritet të mbahen në fillim të vitit 2021 shtojnë pasigurinë dhe vonesat e mundshme në funksionalizimin e kësaj mbështetjeje financiare, edhe pse aktualisht nuk është e qartë se çfarë ndikimi do të ketë.

"Qeveria duhet t'i marrë parasysh industritë që kanë rënie më të lartë dhe t’i targetojë me fonde të cilat janë proporcionale me dëmin që kanë pësuar."

Analizë e Institutit GAP, dhjetor 2020

Ndërkohë, Rukiqi nga Oda Ekonomike thotë se ka pasur kërkesa nga disa prej bizneseve më të prekura deri më tani që mbështetja — kur të arrijë — të fokusohet drejt tyre.

“Për një qasje të diskriminimit pozitiv është e nevojshme një analizë më e thellë në mënyrë që ky trajtim përmes diskriminimit pozitiv të jetë i mundur për 200 milionët e parapara në buxhetin e vitit të ardhshëm”, thotë Rukiqi.

Analiza e GAP-it po ashtu thekson se nëse vazhdohet qasja uniforme në mbështetje të bizneseve e përdorur deri tani, rimëkëmbja ekonomike për industritë kryesore dhe strategjike të vendit mund të bëhet e vështirë.

“Instituti GAP rekomandon që Qeveria të marrë parasysh industritë që kanë rënie më të lartë dhe t’i targetojë ato me fonde të cilat janë proporcionale me dëmin që ato kanë pësuar sikurse me politika që ndikojnë veçanërisht në rimëkëmbjen e tyre”.

Pronari i hostelit Latifi pajtohet se mbështetja duhet të përqendrohet në sektorët e prekur më së rëndi. Ai shton se nëse situata aktuale vazhdon, shumë biznese të tjera do të detyrohen të mbyllen — përfshirë të tijin.

“Është e padobishme të kompensohet paga përderisa biznesi është ende i mbyllur”, thotë ai.K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit ‘’Angazhimi qytetar’’, që financohet nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe realizohet nga Kosovo 2.0 në partneritet me Institutin GAP. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet pikëpamjet e Bashkimit Europian.