Blogbox | Film

Një përmendore e ekranizuar për viktimat e gjenocidit të Srebrenicës

Nga - 04.02.2021

“Quo vadis, Aida?” — filmi, feminizmi dhe jeta pas gjenocidit.

Të flasësh për gjenocidin e Srebrenicës nga pikëvështrimi i një të riu të lindur në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitin 1995 — po atë vit që ka ndodhur gjenocidi — do të thotë të flasësh për një tragjedi që ka karakterizuar secilin vit të jetës sime ndërsa jam rritur.

Për vite me radhë, çështja e gjenocidit të Srebrenicës, i cili është kryer nga Ushtria e Republikës Serbe me mbështetjen logjistike të Serbisë, ka lënë rreth 8,000 të vdekur — kryesisht djem dhe burra. Ky gjenocid ka qenë subjekt i një lufte interpretuese ku armët janë zëvendësuar me fjalë të shëmtuara, relativizim dhe mohim të fakteve të vërtetuara në gjykatë. Shumë gra srebrenicase ende kërkojnë mbetjet mortore të bijve, bashkëshortëve, vëllezërve dhe familjarëve të tyre.

Kjo është arsyeja kryesore përse u nxita ta shkruaj një recension për filmin “Quo vadis, Aida?” nga regjisorja boshnjake Jasmila Žbanić. Një recension që mëton ta pasurojë kontributin e regjisores për procesin e ndërtimit të paqes dhe ballafaqimit me të kaluarën, bashkë me vrojtimet dhe vizionet e mia për të ardhmen.

Gjenocidi në sytë e një gruaje

Filmi i Jasmila Žbanić-it, i frymëzuar nga faktet historike të datës 11 korrik 1995, është arritje kinematografike e klasës së parë. Ai të nxit të mendosh në mënyrë kritike për të kaluarën dhe frymëzon mendimin për një të ardhme pa urrejtje, nacionalizëm ose kërcënime të luftërave politike.

Por, “Quo vadis, Aida?” nuk është film hakmarrës; nuk është film që rrëfen historinë e gjenocidit të Srebrenicës me gjuhë përgjithësuese ose propagandë, por flet gjuhën e së vërtetës dhe shpresës.

Personazhi kryesor Aida (Jasna Đuričić) është një grua që kalon nëpër përvojën tragjike të luftës për mbijetesë krahas mijëra njerëzve të tjerë. Është një dramë që shihet me “sytë e gruas” të mësueses dhe përkthyeses Aida, të cilës ia vrasin dy bijtë dhe bashkëshortin në luftë dhe kthehet në Srebrenicë pas luftës. Aty, ajo vazhdon karrierën e saj të mësuesisë duke punuar në një shkollë që tash ndiqet edhe nga serbët, edhe nga boshnjakët.

Trailer nga kompania e produksionit Deblokada

Regjisorja e filmit Žbanić rrëfen në mënyrë autentike një histori tragjike, prekëse dhe të rëndë për krimin më të trishtë në dheun evropian që nga Lufta e Dytë Botërore. Por, “Quo vadis, Aida?” nuk është film hakmarrës; nuk është film që rrëfen historinë e gjenocidit të Srebrenicës me gjuhë përgjithësuese ose propagandë, por flet gjuhën e së vërtetës dhe shpresës. Ai flet gjuhën e angazhimit paqësor feminist për të cilin Žbanić njihet në Ballkan në periudhën e pasluftës.

Me gjuhë dhe imazhe madhështore, duke shfamiljarizuar formimin e zhanreve, ky film mbush faqet e zbrazëta të “heshtjes filmike botërore” me detaje të gjenocidit që kanë lënë Srebrenicën të vërshuar me lotët e nënave që kërkojnë eshtrat e të afërmve të tyre. Gratë e guximshme që, pavarësisht nga tragjedia e thellë e jetëve të tyre, nuk urrejnë por vetëm dëshirojnë të ketë paqe dhe dhembshuri.

Fuqia e Imagjinatës

Para se të shkoja në kinema për ta parë “Quo vadis, Aida?” prisja se do të shihja imazhe të dhunshme të vrasjes, abuzimit, kërdisë dhe brutalitetit, por filmi nuk ka skena të tilla. Žbanić, si duket, ka dashur ta ekranizojë tragjedinë e 11 korrikut 1995 pa u mbështetur në modelet stereotipike të filmbërjes dhe — në një mënyrë — ka mahnitur publikun duke aluduar për mizoritë më të rënda përmes metodave të mprehta filmike. 

Ky film nuk është thjesht, si ajri, i nevojshëm vetëm për Bosnjën dhe Hercegovinën. Gjithë botës i duhet ky film nga Jasmila Žbanić.

Faktikisht, e vërteta më e madhe e filmit — ajo për vrasjen masive — tregohet me një metodë ku e munguara bëhet e pranishme në të tashmen, d.m.th. ku skenat e trishta të vrasjeve nuk shfaqen por paraqiten tërthorazi. Duket se vendimi i regjisores ka konfirmuar domethënien e publikut dhe pjesëmarrjes së tij në film; se sa e rëndësishme është fuqia e imagjinatës, mendimit dhe pjesëmarrjes për ta kuptuar filmin dhe realitetin jashtëfilmik. Pikërisht në këtë nivel, sipas meje, është rrafshi ku regjisorja ka tejkaluar horizontin e pritshmërive.

Ky film nuk është thjesht, si ajri, i nevojshëm vetëm për Bosnjën dhe Hercegovinën. Gjithë botës i duhet ky film nga Jasmila Žbanić.

“Quo vadis, Aida?” do të mbetet për një kohë të gjatë përmendore e ekranizuar feministe për viktimat dhe të mbijetuarit e gjenocidit të Srebrenicës. Përse feministe? Ka shumë arsye përse e interpretoj domethënien feministe të filmit të Jasmila Žbanić-it, por kryesorja është përzgjedhja e një protagonisteje që lufton në mënyrë të guximshme dhe të vazhdueshme kundër luftës; që drejton gishtin nga njerëzit e përgjegjshëm; që bën thirrje për njerëzi në një kohë kur ajo mungon; që flet për një njeri, ndërsa sistemi flet pandjeshmërisht për procedura.

Dhe në fund, një grua që zgjedh të ardhmen. Një të ardhme më të mirë për fëmijët e të tjerëve — nxënësit e saj. Dhe njëkohësisht ajo ruan kujtimin për bijtë e vrarë më 11 korrik 1995 në gjenocidin e Srebrenicës.

Imazhi i ballinës nga kompania e produksionit Deblokada në Sarajevë.