Gjetja e forcës për t’u përballur me vështirësi është bërë pothuajse mekanizëm i domosdoshëm i mbijetesës për Arlinda Koshin.
Në pesë vitet e fundit ajo është divorcuar, ka marrë kujdestarinë e plotë të fëmijëve të saj dhe është përpjekur shumë t’ua sigurojë një tranzicion sa më të lehtë emocional dy djemve — e gjitha kjo përderisa punonte më shumë se me orar të plotë. Përpos punës së saj në sektorin publik, ajo merr punë shtesë duke bërë çkado tjetër që mundet, nga përkthimi deri në përgatitjen e raporteve, në një përpjekje për të garantuar jetë të sigurt për fëmijët e saj.
Pasiguritë që janë shfaqur vitin e kaluar gjatë pandemisë vetëm e kanë ngarkuar me barra shtesë nënën vetushqyese në të 40-tat.
“Në fakt, unë jam me fat”, thotë ajo.
Koshi e di që sfidat në jetën e saj vështirë se mund të konsiderohen si fat dhe që fjalët e saj duhet të kuptohen nga një perspektivë e një sistemi shoqëror që nuk është i barabartë e as i drejtë për gratë.
“Unë jam e vetmja grua në një grup të 130 grave të ndara që marr mbështetje financiare nga ish-bashkëshorti, një ndër të paktat të cilat kanë punë dhe një ndër të rrallat të cilat kanë edukim të lartë”, thotë ajo, duke shtuar që paga e saj është pak më e lartë se paga mesatare në Kosovë.
Grupi të cilit i referohet është Shoqata e Prindërve të Ndarë, ku ajo shpesh punon në mënyrë vullnetare dhe mban pozitën e zëvendës-drejtoreshës.
Organizata ka për qëllim të ndihmojë prindërit e ndarë në sfidat e tyre të ndryshme në periudhën pas divorcit. Me përjashtim të dy burrave, të gjitha anëtaret janë nëna të ndara, shpesh të zhgënjyera nga shteti dhe të diskriminuara nga institucionet sa i përket të drejtës së tyre për mbështetje financiare dhe ndarje të pronës pas përjetimeve të tejzgjatura dhe traumatike në gjykatë.
“Pastaj shpërthen virusi dhe nuk ka as edhe një masë që lehtëson jetën time apo jetët e gjithë këtyre grave”, thotë Koshi. “Si bëhet që shteti nuk e kupton si është të jesh nënë vetushqyese në këtë vend dhe sa keq është për fëmijët tanë? Neve grave dhe fëmijët tanë na stigmatizojnë dhe ngacmojnë”.
Ajo thotë se një shprehje që shpesh e dëgjon nga personat e njohur është “E shkreta ti”, dhe e bën të ndihet e viktimizuar dhe pa agjenci.
Politikat njëdimensionale për burra
Të gjithë prindërit janë përballur me vështirësi gjatë pandemisë, me barrën shtesë që t’i ndihmojnë fëmijët me klasa online e me detyra të shkollës dhe të tentojnë të mbajnë rutina të shëndetshme dhe të lehtësojnë ankthet e rritura. Por ka pasur pak njohje të nevojave specifike të prindërve të ndarë të cilët shpesh lihen t’i përballojnë të gjitha këto sfida të vetëm.
Pasi zakonisht gratë janë ato që mbajnë përgjegjësi për fëmijët pasi një partneritet prishet, përvojat e fshehta të prindërve të ndarë gjatë pandemisë shpeshherë kanë qenë shumë të ndara në bazë gjinore. Në vend se të pranojnë dhe t’u përgjigjen sfidave të veçanta, përgjigjet institucionale ndaj pandemisë shpeshherë kanë përkeqësuar pabarazitë ekzistuese edhe më tej.
Nënat vetushqyese veç nuk kanë mbështetje publike pa marrë parasysh pandeminë, me barrë edhe më të rëndë për ato që janë të papuna. Të lëna mes stigmës dhe vështirësive ekonomike, deri më sot asnjë institucion qeveritar apo agjenci e ndërlidhur nuk ka marrë asnjë hap të monitorojë për shembull numrin e grave të cilat janë vetushqyese, të papuna dhe nëna; kjo përkthehet në një mungesë të zgjidhjeve në politika.
Edhe kur ekzistojnë politikat, ato shpesh injorohen apo neglizhohen. Gjatë një analize në terren, Shoqata e Prindërve të Ndarë ka gjetur që fëmijët e shumë nënave të ndara nuk janë në parashkollor; përkundër legjislacionit që garanton mundësinë që prindërit vetushqyes të dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla publike. Koshi dhe drejtoresha e shoqatës, Arjeta Gashi, thonë që komunat nuk kanë bërë përpjekje të mjaftueshme për të informuar prindërit mbi udhëzimin administrativ që drejton këtë politikë.
Ekspertja e çështjeve gjinore Mirishahe Syla thotë se diapazoni i masave të prezantuara nga qeveria për të luftuar COVID-10 kanë qenë “të drejtuara ndaj burrave shqiptarë që veçse janë të punësuar”. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Që nga fillimi i pandemisë, aktivistët për të drejtat e grave vazhdimisht kanë lobuar që perspektiva gjinore të integrohet në masat e marra kundër COVID-19 dhe kanë kritikuar mungesën e veprimeve në këtë drejtim nga politikëbërësit. Në vend të kësaj, masat kanë qenë njëdimensionale, duke parashikar një model të caktuar të familjes dhe kështu duke përjashtuar nevojat specifike të individëve.
Aktivistja feministe dhe ekspertja e çështjeve gjinore Mirishahe Syla thotë që të gjitha masat që i ka marrë qeveria, edhe për të parandaluar përhapjen e virusit edhe për të filluar rimëkëmbjen ekonomike, dukshëm reflektojnë mungesën e një analize gjinore paraprake apo këshillimin me shoqërinë civile.
“Nuk ka asnjë matje të mënyrës si persona të ndryshëm janë ndikuar nga pandemia”, thotë ajo. “Ata drejtohen ndaj një grupi homogjen në Kosovë me perspektivën që të gjithë jane të njëjtë, pa marrë parasysh asnjë nevojë të veçantë. Gratë harrohen, nënat vetushqyese harrohen, minoritetet dhe personat me aftësi të kufizuara harrohen. Masat drejtohen ndaj burrave shqiptarë të cilët veçse kanë punë dhe qeveria merr parasysh vetëm modelin e burrit që ka një biznes dhe të hyra të veçanta”.
Koshi pajtohet duke besuar që nevojat e nënave të ndara as nuk u kanë rënë ndër mend personave në qeveri. Ajo thotë që gjatë periudhës së karantinës, me rregulla për mbyllje për periudha të zgjatura me fëmijët e tyre dhe me kufizime të rritura, prindërit e ndarë janë përballur me sfida të papara të panikut dhe frikës gjatë pandemisë.
Pas mbylljes së shkollave dhe kopshteve në javën e dytë të marsit vitin e kaluar, masat qeveritare të reja kanë cekur që nëse të dy prindërit punojnë, punëdhënësit duhet të lejojnë njërin prind të rrijë në shtëpi. Shoqata e Prindërve të Ndarë thotë që ata qartë kanë parë që në shumë raste punëdhënësit e sektorit privat nuk e kanë implementuar vendimin për nënat vetushqyese, duke u arsyetuar që dispozitat nuk janë bërë eksplicite për ta në vendimin e qeverisë.
Pas ankesave, Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu e ka qartësuar që dispozitat gjithashtu aplikohen për nënat vetushqyese dhe ka bërë thirrje për punëdhënësit të implementojnë vendimin e qeverisë. Megjithatë ende nuk ka pasur ndonjë analizë të thellë të sektorit privat për të dhënë një vlerësim të saktë të pikës se deri ku është implementuar ky vendim derisa vendi u hap prapë në maj dhe qershor.
“Gjithmonë është sikur ti duhesh të shtysh dyfish si një nënë vetushqyese”, thotë Koshi para se të japë një shembull nga jeta e saj. “Për mua ka qenë më e lehtë të divorcohem se sa të ndryshoj mbiemrin”.
Ajo tregon që duhet të mbajë vendimin e gjykatës me vete “sikur bibël” gjatë gjithë kohës sepse gjithmonë duhet t’ua sqarojë kompanive të shërbimeve shtëpiake dhe të tjerëve pse mbiemri i saj nuk përputhet me atë në regjistra.
“Dhe kur e bëj këtë më kthen në kohë të dhimbshme”, thotë ajo. “Sepse as komuna as shteti nuk lodhen të lehtësojnë gjerat dhe të krijojnë një databazë ku mbiemrat përditësohen për çdo kompani”.
Pas përvojave të saj në kohë të zakonshme, “nuk është befasuese si nënat vetushqyese trajtohen në pandemi”, thotë ajo.
Përballja me sfida vetëm
Para tri viteve, në një çast Aida Jamini u bë nënë vetushqyese e dy fëmijëve. Në përvjetorin e pestë të martesës së tyre, më 14 qershor 2018, bashkëshorti i saj përjetoi këputje të papritur të aortës abdominale. Vetëm pas tri orësh, ai ndërroi jetë në QKUK me Aidën ndanë vetes.
K2.0 ka intervistuar Jaminin prillin e kaluar dhe ajo ka shprehur si perspektiva e infektimit me COVID-10 do të ishte veçanërisht e frikshme për të si prind vetushqyes që mund të mbetet duke u kujdesur për fëmijë të rinj derisa lufton kundër një sëmundjeje serioze të ngjitshme.
Shumë shembuj rreth botës kanë treguar si disa prindër i kanë mësuar fëmijët të dinë kur t’i thërrasin numrat emergjentë në rast që ata nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë vetë, ashtuqë fëmijët të jenë të përgatitur për të gjitha rastet e mundshme. Jamini më vonë do ta gjente veten duke e bërë po këtë.
Gjatë karantinës, kur shkollat ishin të mbyllura, orët e ditës ishin edhe më të vështira për të pasi punon online; ajo është e punësuar si përkthyese në një institucion publik dhe vazhdimisht i është dashur të shkëputet nga puna prej shtëpisë për të bërë aktivitete me dy djemtë e saj të moshave shtatë dhe pesëvjeçare. Shpesh, lojërat janë kthyer në histori të babait të tyre, mësime mbi jetën dhe çka ndodh kur dikush vdes.
Kur Aida Jamini u infektua me COVID-19 vjeshtën e kaluar, ajo nuk kishte fare mundësi t’i ndiqte këshillat mjekësore për pushim pasi ende i duhej të bënte gjithçka për t’u kujdesur për dy fëmijët e saj. Foto: Aida Jamini.
Duke reflektuar një vit pas ardhjes së COVID-19 në Kosovë, Jamini thotë që ajo kurrë nuk e ka imagjinuar që pas 12 majsh bota ende do të jetë e ndikuar nga pandemia dhe se mbajtja e maskave do të jetë norma.
Pas periudhës fillestare të karantinës së plotë, lehtësimi i kufizimeve ka sjellë shqetësime të reja. “Ankthi im më i madh ishte mos ta sjelli virusin në shtëpi”, thotë ajo.
Vjeshta erdhi dhe rutina e Jaminit fillonte herët në mëngjes, duke dërguar njërin fëmijë në parashkollor dhe tjetrin në shkollë fillore, para se të shkonte vetë në punë.
“Fjalët e përsëritura kanë qenë: ‘Mos e hiqni maskën, dezinfektoni duart’”, thotë ajo. “Pastaj kur ktheheshim në shtëpi, ishte: “‘Hiqni rrobat, bëni dush’. Dhe kam udhëtuar çdo ditë dhe përpos që më ka shtuar ankth, kjo më ka lodhë fizikisht”.
Pastaj në mes të tetorit ankthi i saj u kthye në realitet pasi testoi pozitive me COVID-19. Duke ndjekur rekomandimet mjekësore për ata me simptoma të buta, ajo u mbyll bashkë me fëmijët në banesë dhe filluan të mbanin maska përderisa mësonin online dhe bënin aktivitete të tjera bashkë.
Ajo gjithashtu u udhëzua të pushojë. Por kjo është e vetmja gjë që ajo nuk pati kohë ta bënte në mes të kujdesjes për fëmijët dhe punët e shtëpisë, e gjithë kjo përderisa kishte virusin.
“Një një pikë, menxi që mund të qëndroja në këmbë dhe u kam thënë djemve: ‘nëse e shihni që nuk jam duke u ndier mirë, thirrni dajën”, i kujtohet asaj.
Pasi i mësoi djemtë si ta thirrin dajën e tyre, ata fjetën tri javë pa e kyçur derën e banesës, në mënyrë që vëllai i saj të mund të hynte lehtësisht në rast që ajo alivanosej nga lodhja.
Më shumë se katër muaj pasi ka pasur virusin, Jamini ende ndihet e harxhuar fizikisht dhe mentalisht, një lodhje që përkeqësohet nga ankthi se potencialisht do të mund ta marrë virusin përsëri.
Syla thotë që përvoja e Jaminit nuk është e pazakontë për nënat vetushqyese.
Shumë jetojnë me familjen e gjerë dhe si me shumicën e grave në Kosovë, bartin barrën e punës së papaguar siç është kujdesja për të tjerët, përgatitja e ushqimit dhe pastrimi. Syla thotë që nëse nuk janë fizikisht shumë të sëmura për të vazhduar, kur gratë marrin virusin ato vazhdojnë të përgatisin ushqimin dhe të bëjnë të gjitha punët e shtëpisë përderisa burrat e afërt të infektuar marrin kohë të pushojnë dhe të kenë të gjithë kujdesin të garantuar nga gratë në shtëpi.
“Edhe virusi është i pabarabartë”, thotë Syla.
Duke rritur intensitetin e situatës së Jaminit, verën e kaluar ajo dhe dy djemtë e saj janë larguar nga qendra e Prishtinës në Fushë Kosovë, duke shtuar kështu detyrën e bartjes në shtëpi të re në listën e punëve të saj. Ajo thotë që ka qenë me fat pasi ka mundur t’i dërgojë fëmijët në shtëpinë e prindërve të saj në Mal të Zi për një kohë derisa ajo është kujdesur për procesin e zhvendosjes.
“Them me fat sepse do ta rrezikonte punën time”, thotë ajo. “Nuk jam e sigurt se në atë kohë do të kisha qenë në gjendje të kujdesem për fëmijët, të zhvendosem dhe kështu me radhë. Ndoshta jam duke e përdorur fatin në mënyrë ironike, pasi në këto situata ne nënat vetushqyese gjithmonë harrohemi dhe në fund duhet të mbështetemi në përpjekjet dhe forcën tonë për të mbijetuar”.K
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.
Pershdetje edhe un jam një nene vet ushqyse vajzaa 9 vite kurse djali 5
Pershendetje, po ndihem mire ne fakt qe dikush po shkruan per kete teme, une jame nene vetushqyese e jetoj me vajzen qe 12 vite bashk. Ajo tani mbush 17 vjet. Kjo eshte ajo qe kisha ne mendje. Florinda