Blogbox | Kulturë

Zhytje nate me Rumi-n

Nga - 24.03.2021

Një pelegrinazh nënujor drejt një gjithësie altruiste të tingujve vetmitarë.

Shpat Deda është shërues. Ai është prej atyre njerëzve që përqafojnë tingullin e tyre, por e çlirojnë me një hijeshi estetike. Ai refuzon ta quajë tingullin pronë. Ai e di se tingujt nuk i përkasin asnjë fryme të gjallë. Ata janë sikur zogj bredharakë; kanë nevojë të fluturojnë drejt atyre dhomave të errëta ku zënë fill gjërat e bukura. Ai e di. Ka qenë aty. Zëri i tij është dëshmitar.

Albumi i fundit muzikor i Shpatit sjell në jetë një dyqan karamelesh artizanale që të shtyn ta çmosh ëmbëlsinë e freskët të mendrës që ngel në vesh si xhevahir i paturp. Krejt në fund, kur jehonat gjysmëtonale të këngës së fundit nisin të zbehen në kokë — dhe të lënë një sheqerkë endorfinash në gojë — vret mendjen se çfarë na ëmbëlson jetën me shijen e qershive dhe kush u hedh kripë rrëfimeve tona.

Muzika e Shpatit gjahton mëlmesat brenda vetes sonë. Kumbimi i saj prek shpirtrat tanë sepse kemi ikur tepër larg nga ta. Kemi shkuar drejt disa uneve të tjera dhe të panjohura ku qëllimisht ndyjmë gojët duke kërkuar realitete prej Xanax-i. Ku flasim për kolesterolin. Ku ushqehemi me shpresa prej nikotine. Ku masim zhvillimin emocional përmes numrit të punëtorive që kemi ndjekur.

Një nga impulset më të njëmendta që kam zbuluar duke dëgjuar “Rrugës” është devotshmëria e pallogaritshme e autorit për të dhuruar. Është një formulë e panegociueshme e rrëfimit të asaj çfarë të tjerët do ta donin ta mbanin të fshehur, gjë që pjell tekste pa pyetje sepse këngët mbartin përgjigjet.

Rrugës” është mënyra e Shpatit për të mikrodozuar këngëtarin Nick Drake, i cili piqet me bendin Air duke ia shkelur syrin një kori të muzikës së përshpirtshme gospel. Ai këndon në mënyrë të pashoq për Dashurinë Supreme me zërin që ngjan sikur është i dyllosur me shurup e mjaltë pishe, me një mirëz të lehtë të Tom Waits. Ai të shtie në një tymnajë nënujore, ndërsa rreth teje psal një kor i përzemërt që dëfton copë-copë se çfarë vërtet ka rëndësi. Një njohje e shkurtër me përulësinë.

Instinktivisht” është ode e njomë për qoshet e errëta të kënaqësive të dhomës së gjumit. Me mjeshtri të madhe, Shpati i fut këto imazhe brenda një ritmi të përshpirtshëm vokalesh mbështetëse të mesnetëve verore, ndërsa vetë jep refrene të buta por mbaron me një solo kitare të panevojshëm që ndalet sikur të binte në pritë të policisë së trafikut.

Kërkon” është një intermexo e moderuar Calexico-eske me erëz Prishtine dhe përplot me rima edukative. Ajo vjen si himn për ofiqarët lakmitarë e ankthndjellës në panik moral të shekullit XXI, një flamur i kuq kadifeje për të sikletosurit që kërkojnë në Google për ta gjetur qëllimin e jetës së tyre.

Nesër” është pa dyshim një këngë e qëndisur me plot mjeshtri. Rreth kësaj rapsodie personale të kënduar për përmbajtjet e pafundme të zemrës bredh një frymë e magjisë së Morricone-s. Por Shpati e di: të mbash zi për dëshirat s’është gjë e ngutshme. Elegjitë janë kaq të dala mode. Atij i duhet ta çojë në fund një teke raki dhe t’i mbysë ca lot.

T’huj” shtron tingujt e hershëm të dekadës së parë të shekullit XXI (Bonobo, Morcheeba, madje edhe Zero 7) për ta përmbledhur një këngë që mund të ishte një SMS i thjeshtë.

S’ka kurrgjo” është këngë nga një dimension tjetër që paraqet veten në trajtë tingujsh e zërash. Një përvojë tejtrupore që të lihet në prag të derës për ta shijuar me kornfleksa prej çokollate në mëngjes. Dëgjojeni këtë këngë dhe dërgoni një <3 në profilin e Shpatit sepse ajo do t’ju bëjë të këndoni me sa keni fuqi në këtë qytet ku të gjithë qeshin, por askush nuk buzëqesh.

Ninullë” nuk është thjesht një këngë. Në të vërtetë është një pjatë plot zemër që me erën e saj risjell sytë e qeshur të fëmijërisë, hijen drejt së cilës dëshiron të vraposh për një përqafim të ngrohtë e tokësor; një pjatë që ende ia ndien afshin e ngrohtë për së afërmi dhe që të dhemb se s’ia shtrëngon dorën. E njoh këtë pjatë mjaft mirë. Të gjithë e kishim në menynë ditore deri sa njerëzit patetikë e vlerësuan si patetike.

“Marinari i vogël (ft. Joss Stone)” është kënga përcjellëse e një rrëfenje impozante polaroidesh e menduar si baladë, por jo aq e vrenjtur. Notat notojnë drejt një historie as me diell e as të zymtë. Zërat janë dramatikë por jo aq të rëndë. Jehonat janë të gjata por të ëmbla. Shpati e di se t’u shtiesh rrëfimeve personale shumë vanilje mund të prodhojë album diabetik.

“Ditë e re” paraqet një epilog të papritur, gjë që e vë rrëfimin në shtegun drejt pikëmbërritjes së fundit, para se të bien perdet me një puthje me spec në një agim të hershëm që ngjan me Damien Rice.

Dhe “Kalimthi” nis me atë vazhdimësinë kinematografike pasi të ngresh kokën mbi ujë dhe mbush mushkëritë me ajrin e freskët të natës që çngjyrohet për t’u bërë parajsë e zbehtë dhe e ndritshme. Je gjallë! Shikon detin, por nuk e sheh dot. Rumi është zhdukur ndër valë të kuqërremta që ende jehojnë harkoret si fantazma dhe disa kandila deti me dritë neoni përforcojnë rrahjet e tua të zemrës. Agimi ta shkel syrin! Ashtu ia shkel edhe ti dhe lë detin të të çojë në brigje të vetmuara në mënyrë që të prodhosh tinguj të rinj që fluturojnë drejt zemrave të reja.

Albumin mund ta dëgjoni në https://www.shpatdeda.com dhe në kanalin e Shpatit në YouTube.

P.S. I LUMTË gjithë ekipit të produksionit!

Imazhet: Daniel Mulloy.