E përcollëm goditjen në Itali. Pamë se si thuajse e tërë Evropa u ngujua. Mandej përjetuam ardhjen e COVID-19 në pragun e shtëpisë, në Kosovë.
Dhe çdo gjë shkoi me këmbë të mbarë.
E penguam shtimin e rasteve të reja, u karantinuam, i gjurmuam kontaktet dhe u mbyllëm larg të tjerëve. Mbrojtëm shëndetin tonë, mbrojtëm prindërit dhe gjyshërit, mbrojtëm sistemin tonë të brishtë të shëndetësisë. Ia dolëm!
Apo thjesht na mori mendja…
Pesë muaj më vonë jemi kthyer në vendin e parë. Por këtë herë për keq. Tash mund të spikatemi shpesh në krye të listave me vendet që kanë shkallën më të lartë të vdekjeve nga COVID-19.
Dhe sistemi ynë i shëndetësisë, i cili ishte në rrëmujë edhe para pandemisë, është buzë këputjes. Janë infektuar më se 1,200 punëtorë shëndetësorë, ndërsa shtatë mjekë dhe katër infermierë raportohet të kenë vdekur.
Ndërsa kriza vazhdoi të përshkallëzohej në korrik dhe në fillim të gushtit, unë ndava mendjen ta dokumentoj vijën e parë të luftës kundër COVID-19.
Tre Musketierët
Kolegu më i ri i Raif Hasanit e quan atë Haxhi. Dhe me të drejtë, sepse në të kaluarën ai ka kryer pelegrinazhin e haxhit në Mekë. Ai është një nga tre teknikët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKShPK), të cilin po e shoqëroj për disa ditë.
“Atë ditë, kur patëm rastet e para, ishte e premte i trembëdhjeti”, kujton Haxhia, duke sjellë në mendje ditën e marsit kur arriti virusi në Kosovë. “Një shok më thirri: ‘Raif, a është rastësi kjo?’, më tha duke bërë shaka”.
Haxhia qeshi me këtë kujtim, duke e ditur mirë se nuk kishte fare lidhje me besëtytni dhe se ishte thjesht çështje kohe deri në çastin kur Kosova do ta konfirmonte rastin e parë. “Kemi bërë teste PCR që nga dhjetori”, më tha.
Ai është pjesë e një tresheje të cilën fillova ta parafytyroja si Tre Musketierët. Së pari është Kastriot Maraj (D’Artagnan), më i riu dhe prijësi i grupit — në këtë rast, shefi i mirëfilltë. Pastaj është Hasani (Athos), më i vjetri, i cili mbron kolegun më të ri. Dhe në fund është Mirsad Kasumi (Porthos), i përkushtuar dhe besnik, por ndryshe nga Porthos, ai është i druajtur.