Blogbox | LGBTQ+

Ca dollapë të rinj

Nga - 08.04.2021

Pandemia e ka bërë komunitetin LGBTQ+ të Malit të Zi akoma më të cenueshëm.

Pandemia COVID-19 po vazhdon prej më se një viti dhe duket se e gjithë bota ka ndaluar. Kjo gjendje ka shtyrë grupet tejet të margjinalizuara, përfshirë edhe mikrokozmosin e komunitetit LGBTQ+ nëpër Evropë, drejt një situate tepër të rëndë. Mbase tani është situata më brutale që nga shfaqja e HIV-it.

Ligjet shtypëse në Poloni dhe në Hungari, si dhe shfrimet e homofobisë, transfobisë dhe mizogjinisë të mbështjella në akte ligjore dhe në shtypje, dalëngadalë po na poshtërojnë dhe po na kthejnë në dollapët që kemi menduar se i kemi shkrumbuar përgjithmonë. 

Ndasitë e thella

Para disa ditësh lexova se disa djem në Zagreb kishin shtyrë një vajzë para një tramvaji sepse kishin menduar se ajo ishte burrë gej që ia kishte lejuar vetes ta shprehte dashurinë ndaj partnerit në rrugë. Pra, diçka që duhet të jetë e lejueshme në çdo shtet të Evropës. Mësimi i marrë nga ky momentum shoqëror është që njerëzit heteroseksualë nuk mund të ndihen më të sigurt nëse nuk ruajnë disa norma të caktuara të sjelljes dhe dukjes që pranohen përgjithësisht. 

Njëkohësisht, lajmet nga Turqia na tregojnë se Presidenti Erdogan mohon haptas ekzistencën e komunitetit LGBTQ+. “Nuk ka diçka të tillë sikur lëvizje LGBTQ+ në Turqi”, ka thënë ai me një zë të sigurt, sikur një fjalë mjafton që të shlyhen mijëra qytetarë të tij, t’u grabitet identiteti dhe të klasifikohen si armiq të shtetit dhe terroristë të brendshëm.

Të bashkuar, të fortë dhe të gatshëm për sfida; të gjitha këto i mungojnë komunitetit LGBTQ+ në Malin e Zi.

Për më tepër, rastet e llahtarshme të femicidit e bëjnë akoma më të rëndë jetën si grua në Turqi (vetëm gjatë vitit të kaluar janë vrarë më se 300 gra), sidomos pasi një akt ligjor presidencial i mesnatës i privoi nga mbrojtja e fundit ligjore që kishin pasur.

Sidoqoftë, qëndresa e komunitetit është e qartë dhe përpjekjet e tyre janë frymëzuese, siç janë edhe përpjekjet e grave në Poloni. Një qëndresë e fortë dhe e përbashkuar, e gatshme për të luftuar deri në vdekje ― edhe tekstualisht, edhe ligjërisht ― për një të ardhme më të mirë.

Të dashur dhe të dashura, vërtet shpresoj që do t’ia dilni. Dhe jam i sigurt se do të jetë ashtu! Të bashkuar, të fortë dhe të gatshëm për sfida; të gjitha këto i mungojnë komunitetit LGBTQ+ në Malin e Zi.

Megjithatë, mund të mburremi se Ligji për Partneritetin e Çifteve të Seksit të Njëjtë është miratuar në mesin e pandemisë. Disa pretendojnë se ai ishte çast historik për vendin e vogël Evropian që shpeshherë nënçmohet. Ishte me të vërtetë historik, dhe njerëzit e thjeshtë të komunitetit sikur vetja ime do të thonë se ishte i papritur dhe befasues, edhe pse është punuar, lobuar dhe avokuar për të për gati një dekadë.

Ne “pederastët” festuam miratimin e ligjit në mënyrë modeste, duke pasur parasysh kufizimet epidemiologjike, dhe kështu shprehëm solidaritet me të gjithë.

Sidoqoftë, kjo nuk është e vetmja gjë që ka tundur themelet e këtij vendi.

Mali i Zi është ndarë më dysh gjatë zgjedhjeve ― të gjithë u shndërruan në “këta” dhe “ata”, “ne” dhe “atyre”, “të këtillët” dhe “të atillët”. Ne ― komuniteti LGBTQ+ ― meqë jemi të mësuar të abuzohemi, kemi vendosur ta ruajmë polarizimin dhe t’ia drejtojmë gishtin njëri-tjetët. Tash quajmë njëri tjetrin “pedera” ose “bulasha”, ndërsa të tjerët na thonë “homoseksualë”.

Për disa, ne jemi mish i sëmurë që duhet të hidhet në zjarr, mbase si lloj sakrifice për Zotin. Për të tjerët jemi pjesë e themelit për ta ndërtuar shtëpinë evropiane; prapë viktimë, por thjeshtë e mbështjellë me retorikë emancipuese. Sepse edhe ata që e mbrojtën ligjin dhe votuan për të, e bënë me besimin që pa të thuhet se nuk mund të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian.

Na është dhënë ultimatum: ose ta përdorim mundësinë për të marrë pjesë në këtë dysor dhe në zemëratë kolektive të rënduar nga pandemia, ose do të marrim kthesë drejt trazirës. 

Dëgjuam. Sepse, edhe pse të jesh queer thelbësisht do të thotë të jetë ndryshe, këtë herë zgjodhën opsionin e të qenit queer, por heteronormativë dhe të polarizuar. Kështu, edhe pse të gjithë ishim të njëjtë në rendin social, pra në fund të zinxhirit ushqimor, ne pranuam të kërdisim njëri-tjetrin për disa kocka në mënyrë që më të fuqishmit ndër ne të gëlltisin një kafshatë më të madhe se zakonisht. Sidoqoftë, druaj se do t’u ngelet në fyt.

Shkëndija mirësie

Megjithatë, lakmia e disave i ka shpënë ata drejt pamaturisë. Herë pas here përdorin fulqinjtë për t’i kapur disa të sojit të tyre, disa nga ne, nga komuniteti. Dhe pastaj i mbllaçitin vazhdimisht. Pasi marrin vesh se çfarë kanë bërë pështyjnë në tokë çfarëdo që mbetet. Kjo është pikërisht çfarë ka ndodhur në rastin e një sulmi të dyshuar ndaj një personi transgjinor në Podgoricë.

Organizata ku është i angazhuar ky person fillimisht ka publikuar lajmin përmes Twitter-it, duke treguar mbase informata të tepërta për viktimën e dyshuar dhe gjendjen e tij/saj. Tashmë mund të them “i/e dyshuar” me siguri sepse vetë policia dhe prokuroria e kanë shpallur si të tillë duke hequr dor nga rasti me arsyetimin se ka qenë vetëlëndim ose vetëvrasje në tentativë.

Gishti që drejtohej dhe që tundej në ajër u është afruar buzëve dhe është dëgjuar vetëm një “shhh”... heshtje, qetësi dhe rezerva.

Por po ata njerëz që në fillim u ngritën për të mbështetur këtë person po ia kthejnë shpinën duke shpërndarë informata të pavërtetuara dhe kështu po e bëjnë tentativën e vetëvrasjes — e cila rezultoi në lëndime — sikur të jetë faji i viktimës dhe njëherësh po shpërfillin padrejtësinë sistematike, represionin, dhunën, fashizmin dhe pandeminë. 

Pasi doli se personi kishte bërë vetë atë që fillimisht u ngjitej të tjerëve, askush nuk ka dhënë llogari për nxitjen e panikut dhe frikës përbrenda komunitetit. Askush nuk është shpallur përgjegjës për faktin që personi nuk ka folur publikisht. Më vonë, personi në fjalë është vënë në shërbim të njerëzve përgjegjës. Askush nuk guxoi më të drejtojë gishtin, dhe këtë herë me të drejtë.

Gishti që drejtohej dhe që tundej në ajër u është afruar buzëve dhe është dëgjuar vetëm një “shhh”… heshtje, qetësi dhe rezerva.

Brenda ditësh, “viktima u shndërrua në ‘person të mbrojtur’”. Si pjesë e këtij ndërrimi të qasjes, të dhënat private të personit në fjalë janë shpërndarë publikisht, duke iu shkelur e drejta për privatësi. Mali i Zi është vend i vogël ku të gjithë njohin njëri-tjetrin dhe ku detajet më të vogla për identitetin e dikujt, sikur inicialet, mund të çojnë te zbulimi i tyre.

Sidoqoftë, çdo e ligë sjell me vete një shkëndijë mirësie dhe në këtë rast është dënimi i përgjithshëm i sulmit në emrin tonë, vdekatarët e zakonshëm të komunitetit. Një dënim që nuk duhet të mungojë dhe që s’do të mungojë në rast të incidenteve që përfshijnë anëtarët e komunitetit. Nëse guxoj të them, na duhet pak mendim pozitiv, edhe pse duket se ky term është bërë tabu gjatë pandemisë. Papritmas, është më keq të jesh “pozitiv” (natyrisht kur kjo lidhet me COVID-19) sesa të jesh gej.

Meqë tashmë kemi cekur pederastët dhe homoseksualitetin, me të vërtet nuk është e qartë për mua se si jemi bërë kaq heterogjenë në një kontekst kaq të veçantë shoqëror, kur homogjeniteti i këtij komuniteti të vogël dhe të cenueshëm është i domosdoshëm. Po e luftojmë sistemin të shpërndarë dhe akoma çuditemi përse na mposht.

Në këtë moment, i nevojshëm nuk është vetëm ndërgjegjësimi, sepse duket që është e vetmja gjë me të cilën merren aktivistët në Evropë. Si do ta bësh ndërgjegjësimin kur sistemi dhe jeta e përditshme shfaqin mungesë të plotë të tij? Domosdoshmëria duhet të lidhet me komunitetin, pulsi i të cilit duhet të ndihet me kujdes; pra, pulsi i atyre që i shërbejnë komunitetit. Sepse komuniteti nuk është aty për dobinë e tyre, është e kundërta dhe kjo s’bën të harrohet.

Si individ pozitiv besoj fuqishëm se komuniteti do ta gjejë një mënyrë për t’u shëruar. Qentë do t’ia lëpijnë varrat njëri-tjetrit dhe kockat e thyera të individëve do të shërohen më mirë vetëm kur t’i heqin qafe shkabat që i hanë tash e shumë vjet.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.

KOMENTO