Pikëpamje | Media

Mezi e kemi gërvishtur sipërfaqen e seksizmit në media

Nga - 16.04.2021

Tri incidente të profilit të lartë brenda një jave janë pjesë e një problemi me rrënjë më të thella.

Tre burra hyjnë në një bar: një trajner sporti, një udhëheqës fetar dhe një pronar medie, thuhet në skenar. Me buzëqeshje të shtirura dhe hapa të bujshëm e gjejnë rrugën drejt një tavoline të zbrazët.

Kamarieri u afrohet dhe i pyet çfarë dëshirojnë të pijnë.

Ata e vënë re se bari ka pijen nga reklama televizive me tekstin: “Për burra, jo për djem”.

Schweppes”, përgjigjen njëzëri.

Kamarieri ua sjell pijet dhe ata shikojnë përreth duke pirë me pip ndërsa tundin kokët me ritmin e muzikës në prapavijë. Shpejt, e nisin një sinkronizim buzësh të koordinuar, në gjysmë përshpëritje të strofës së një prej këngëve të hip-hop treshes Lyrical Son, Mc Kresha dhe Ledri Vula:  

Ti menon që munësh ndamas

Po s’munësh as tanga me ble pa mu

Le mo Louis e ksi gjana

Për ty janë tema t’randa me i bo

Vëmendja ndaj muzikës u ndërpritet nga të qeshurat e një grupi prej tri grash të ulura në tavolinën përballë tyre. Tre burrat tentojnë t’i ndeshin shikimet, por përpjekjet e tyre për të flirtuar injorohen.

Të patrazuar, ata përpiqen edhe një herë të marrin vëmendje duke lëshuar fjalë të pakuptueshme në stilin alla Johnny Bravo. Sidoqoftë, sërish injorohen tërësisht nga tri gratë.

Papritmas, trajneri i sportit thotë: “Këto gra janë të mira vetëm për t’i renditur shishet e zbrazëta dhe për ta pastruar kuzhinën”.

Udhëheqësi fetar pohon duke tundur kokën: “Ke të drejtë, vëlla! Vendi i gruas është në kuzhinë”.

Pronari i medias ngrit vetullat dhe buzëqesh:

“Hajdeni djem, mos bëni kështu. Mund të gjej gra më të bukura dhe t’jua sjell si dhuratë në këtë tavolinë”.

Skenari përfundon me shënimin: bazuar në ngjarje të vërteta, frymëzuar nga gjuha në mediat shqiptare.

* * *

Skena e mësipërme mund të duket si një lloj shakaje e pakripë. Por është shumë e ngjashme me realitetin e përditshëm për të qenë qesharake.

Në ditët e fundit, tre emra të njohur — trajneri i futbollit Tahir Batatina, një nga udhëheqësit e komunitetit mysliman të Kosovës Shefqet Krasniqi, dhe veterani i medias Baton Haxhiu — janë bërë protagonistët kryesorë të fyerjeve të drejtpërdrejta, të qëllimshme dhe mizogjene, dy prej tyre në televizion në kohën e kulmit të shikueshmërisë.

Reagimet e disa gazetarëve individualë, aktivistëve dhe qytetarëve të tjerë kanë bërë që fjalët e tyre të hasin në kundërshtime të ashpra. Të shumta kanë qenë kritikat edhe ndaj moderatorëve, gazetarëve dhe pronarëve të mediave për krijimin e hapësirës për të ftuar si Krasniqi, i cili është i njohur për përhapjen e jotolerancës gjinore dhe qëndrimeve seksiste.

Por edhe nëse të gjitha mediat do të merrnin vendim redaksional për të mos ftuar në studiot e tyre burra të cilët më herët kanë kontribuar në narrativa mediale mizogjene ndaj grave, prapëseprapë vetëm sa do të gërvishej sipërfaqja e një problemi të rrënjosur më thellë: pushteti i partiarkatit në zemrën e kulturës mediale.

Diskriminim në kulm të shikueshmërisë

T’i kthehemi skenarit të vërtetë televiziv nga java e kaluar.

Më 11 prill, në emisionin e KTV-së për sport “Sporti Total”, gazetarja e RTK-së Qëndresa Krelani kritikoi menaxherin e futbollit dhe trajnerin aktual të Llapit, Batatinën, duke thënë se përkrahësit e kishin humbur besimin në të si trajner dhe duke e pyetur se ku po mendonte të shkonte me rezultatet e fundit të dobëta të ekipit të tij.

“Në gazetari mundesh me palu gazeta ose me pastru diçka, por me analizu fotbollin në këtë mënyrë jo”, iu përgjigj Batatina. “Niveli yt nuk është i një gazetareje, duke fillu nga pamja jote…”

Komentet seksiste dhe fyese u dënuan nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës si dhe nga Shoqata e Gazetarëve Sportivë, ndërsa Komiteti Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës ka hapur procedurë disiplinore ndaj trajnerit.

Por nuk shkoi gjatë para se të detyroheshin ta zhvendosnin kritikën e tyre drejt incidentit të tretë brenda javës.

Mirëpo, të nesërmen, Batatina veçse u bë lajm i vjetëruar kur hoxha Shefqet Krasniqi vendosi t’i tregonte pikëpamjet e tij për gratë. I ftuar në një nga emisionet më të shikuara të mbrëmjes, “Debat Pus me Ermal Pandurin” në RTV Dukagjini, për të folur rreth solidaritetit në Ramazan, ai shfrytëzoi hapësirën për ta bërë atë që mjeshtrit seksistë dhe homofobë e bëjnë më së miri: e ushqeu narrativën e roleve të ndara gjinore dhe dominimit të rendit patriarkal.

“Feja ia tregon vendin e vet secilit: në odë e ka vendin burri — oda është për burra. Mund ta bëjmë një odë tjetër për gra”, tha ai. “Burrat mësohen prej burrave e gratë mësohen prej grave. Nëse përzihen, nuk dihet kush është burrë e kush është grua … një grua shkon në luftë por nuk mund të luftojë si burrë. Një grua i ka mjetet por nuk mund t’i përdorë si burrat”.

Krasniqi u përball me kritika të fuqishme nga rrethe të ndryshme. Por nuk shkoi gjatë para se, të stërlodhur, të detyroheshin ta zhvendosnin kritikën e tyre drejt incidentit të tretë brenda javës.

Teksa hoxha po fliste se si bota duhet të ekzistojë në përbërje të ndarë gjinore, gazetari veteran Baton Haxhiu — i cili është pronar i Albanian Post dhe shpesh paraqitet si analist politik në Shqipëri — po bënte analizë mjedisore. 

Ish-drejtori i televizionit KLAN në Kosovë tha se Shqipëria nuk ka pse t’i dëgjojë të huajt, përfshirë Leonardo di Caprio-n, të cilët i kanë bërë thirrje qeverisë ta shpallë Park Kombëtar lumin Vjosa dhe hapësirën përreth. Në vend të kësaj, ai sugjeroi veprime të tjera.

“Leonardo di Caprio-s gjejani një vajzë të bukur, ja ofroni dhe thuani dhuratë e ke, por mos sillni tema të tjera në tavolinë”.

Përforcimi i narrativës partiarkale nga mediat 

Fjalitë e thëna me aq lehtësi nga Batatina, Krasniqi dhe Haxhiu krijojnë një perspektivë objektifikuese dhe shtypëse ndaj grave dhe janë pikërisht këto ide dominuese që riprodhohen dhe mirëmbahen si standard me ndihmën e prodhimtarisë ditore mediale.

Duhet të jesh ekspert futbolli për t’i vlerësuar fjalët e gazetares së sportit Krelani, mirëpo Batatina nuk e patronizoi atë për shkak të mungesës së përvojës por për shkak të gjinisë së saj, njëlloj siç bën Krasniqi me të gjitha gratë.

Për më tepër, mashkullia hegjemonike e sporteve dhe e fesë tradicionalisht i ka parë gazetaret e sportit, apo secilën grua, si të sapoardhura të padëshiruara në një fushë të burrave të cilat do të duhej të qëndronin në kuzhinë. Dhe media e riprodhon pikërisht këtë realitet të shtrembëruar brenda ideologjisë patriarkale.

Se si organizatat mediale marrin pjesë në kulturën shtypëse shihet më së miri përmes reagimit të menjëhershëm — apo mungesës së tij — nga gazetarë, redaktorë, dhe pronarë mediash ndaj seksizmit të Batatinës dhe Krasniqit. Do të pritej që komentet e tyre kundërshtuese të ishin të menjëhershme, mirëpo kishte reagim minimal nga gazetarët në studio, ose nga menaxherët e tyre.  

A jeni ndalur ndonjëherë të mendoni: nga perspektiva e kujt tregohet ngjarja?

Veprimet dhe mungesa e tyre dërgojnë një mesazh: këtu ofrojmë hapësirë për diskriminim të hapur gjinor. Ky mesazh i paturpshëm fuqizohet nga mediat që nuk filtrojnë gjuhën e urrejtjes nga komentet në faqet e tyre, duke e ndihmuar ndezjen e shkëndijës së përbuzjes mizogjene ndaj gazetares së sportit Krelani dhe grave të tjera.

Edhe atëherë kur rolet dhe punët e ndara sipas gjinisë sfidohen nga gratë, stereotipet mbesin dhe rifuqizohen nga vendimet redaksionale.

Zërat e grave, dhe të kujtdo që nuk është burrë shqiptar heteroseksual, mungojnë në masë të madhe në pozitat kyçe në organizata dhe ambiente mediale, andaj jeta publike vazhdon të paraqitet si fushë mashkullore. Për shembull, shumica dërrmuese e komentuesve dhe shkencëtarëve politikë janë burra, ndërsa gratë ftohen më shpesh të flasin për çështje shoqërore, shëndetësi dhe arsim —  tema të cilat anashkalohet nga faqet e para dhe emisionet kryesore.

Patriarkati i dominon lajmet. Diskriminimi i tillë kundër grave dhe përvojave të tyre shpërfaqet jo vetëm në përdorim të gjuhës por edhe në këndvështrimet e tregimeve. A jeni ndalur të mendoni: nga perspektiva e kujt tregohet ngjarja? Kush përfshihet dhe kush përjashtohet? Sa prej atyre që shihni dhe dëgjoni janë gra?

Me këtë në mendje, t’i kthehemi edhe një herë sugjerimit të Krasniqit se gratë nuk janë për luftë. Vështirë se është hera e parë që kemi dëgjuar një qëndrim të tillë në vitet e fundit. Që prej përfundimit të luftës, në një hapësirë mediale të dominuar prej burrave, në vazhdimësi janë përsëritur fjalët e Krasniqit përmes portretizimit të grave si viktima pasive. Kjo i përjashton gratë nga agjencia e tyre dhe kontribon në përforcimin e narrativës së luftës dhe çlirimit të shkruar dhe të udhëhequr nga burrat.

Përfaqësimi gjinor në media reflekton një realitet të ndërtuar që është rezultat i gjithfarëlloj mendimesh dhe vendimesh të punëtorëve medialë të cilët artikulojnë mesazhe të ngjashme me ato të Batatinës, Krasniqit dhe Haxhiut.

Ndërsa skenari është vjetëruar, nuk mund të lejojmë thjesht ta ndërrojmë kanalin.

Komentet e Haxhiut janë veçanërisht të papranueshme, pasi si burrë i cili prej kohësh ka pasur rol me ndikim në hapësirën mediale shqiptare, ai dërgoi mesazhin publik se seksizmi i insitucionalizuar është dominues.

Me konkluzionin e tij të shkujdesur drejt trafikimit seksual, Haxhiu normalizoi objektifikimin e grave duke nënkuptuar se ato ekzistojnë për të qenë thjesht të nënshtruara dhe të shtypura — por jo si agjente të ndryshimit shoqëror. Ishte përkujtim i zymtë se jemi larg nga të shikuarit diskutime serioze të politikave publike për luftimin e dhunës në baza gjinore, diskriminimit apo padrejtësisë shoqërore në emisionet televizive me shikueshmërinë më të madhe.

Mirëpo, ndërsa skenari është vjetëruar, nuk mund të lejojmë thjesht ta ndërrojmë kanalin. Shumica e mediave që ngarendin pas klikimeve mund të jenë duke u përpjekur me zell ta mirëmbajnë realitetin patriarkal, por ne duhet të vazhdojmë ta ngrisim zërin derisa organizatat e lajmeve të përfaqësojnë një perspektivë feministe.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.

Ky artikull është prodhuar bazuar në monitorimin e mediave të bërë nga Rrjeti për Raportim të Diversitetit 2.0, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, Trustit Ballkanik për Demokraci, një projekt i Fondit Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara, dhe Ambasadës Mbretërore Norvegjeze në Beograd.

Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe anëtarëve të rrjetit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, Ambasadës Mbretërore Norvegjeze, Trustit Ballkanik për Demokraci, Fondit Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara, ose partnerëve të tij.