Në thelb | COVID-19

Orvatjet për mbijetesë gjatë izolimit

Nga - 20.04.2021

Barra e prindërve vetushqyes në Maqedoninë e Veriut është rënduar gjatë pandemisë.

“Kriza e COVID-19 — përtej shokut që solli situata e re — ka qenë kohë shumë e vështirë për mua pasi e kam humbur vendin e punës”, tha për K2.0 D.M., nënë vetushqyese nga Shkupi, në një bisedë online.

D.M., djali i së cilës është student në Shkup, u pushua nga puna në mes të pandemisë. Kjo nënkuptoi humbjen e të ardhurave të vetme në shtëpi. “M’u desh të kërkoja mbështetje financiare nga prindërit e mi”, vazhdon ajo. “Kështu që ata u detyruan të na mbanin me pensionet e tyre të vogla. Ndoshta ishte pak më e lehtë meqë universiteti ishte i mbyllur, andaj nuk kam paguar asgjë për djalin”.

Një barrë shtesë për të gjithë, por veçanërisht për familjet me të ardhura të vetme, ishte rritja e papritur e shpenzimeve të jetesës në Maqedoninë e Veriut gjatë pandemisë. D.M tha për K2.0, se para pandemisë i duheshin rreth 500 euro për t’i mbuluar shpenzimet mujore. Në fillim u shtrenjtua vaji nga 70 dinarë (rreth 1 euro) për litër në 97-100 dinarë (rreth 1.7 euro). Pastaj, në gusht të vitit të kaluar, qeveria njoftoi për rritjen e çmimit të rrymës elektrike për ekonomitë familjare.  

Përvoja e treguar nga D.M. është vetëm një nga historitë e shumta për prindërit vetushqyes të lënë pa mbështetje gjatë vitit të kaluar. Edhe ata të cilët nuk i humbën vendet e punës u desh të gjenin një mënyrë se si të shkonin në punë, teksa në të njëjtën kohë kujdeseshin për fëmijët e tyre në kohën kur çerdhet dhe shkollat ishin të mbyllura.

“Shumë prindër u përqendruan të jenë të qetë dhe të mbijetojnë”, tha për K2.0 një nga anëtaret e OJQ-së Edna može (“Gruaja mundet!”).  

Thellimi i pabarazive gjinore

Që prej fillimit të pandemisë COVID-19, Maqedonia e Veriut ka regjistruar mbi 140,000 raste të infektimit, dhe më shumë se 4,400 vdekje. Vaksinimi nisi me ndihmë nga fondi COVAX dhe vaksinat e para arritën në fund të muajit mars. Në të njëjtën kohë, Serbia dhe Rusia dërguan doza shtesë.

Sipas një studimi të realizuar së fundi nga UN Women, gjatë pandemisë COVID-19 në Maqedoninë e Veriut rreth 35% e grave (në krahasim me 23% të burrave) kanë punuar nga shtëpia. Kjo situatë ka shtuar dukshëm punët e papaguara të shtëpisë dhe kujdesin për fëmijët. Për më tepër, më shumë gra sesa burra përjetuan stres dhe ankth të shtuar që përcillen me pasoja negative për shëndetin e tyre mendor.

Rrugë të zbrazëta në Shkup, kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut. Sipas të dhënave të OKB-së, rreth 19% e bizneseve u mbyllën gjatë izolimit. Foto: Kristina Ozimec.

Studimi gjithashtu thotë se masat e vendosura në vend “ndikuan në ekonomi, në sferën shoqërore, arsim, kulturë, dhe në çdo segment të jetës”. Të dhënat shtesë tregojnë se rreth 19% e bizneseve u mbyllën gjatë vitit të kaluar.

“Ndërsa kriza shëndetësore u kthye në krizë shoqërore, ekonomike dhe humanitare, gjithësecili u prek, por me dallime ndërmjet grave dhe burrave, dhe me grupet më të cenueshme të prekura më së rëndi”, thuhet në raport.

Qeveria u përgjigj se ata të cilët ankohen se janë lënë pa mbështetje nuk i kanë plotësuar procedurat e kërkuara burokratike për ta pranuar ndihmën.

Ministria e Punës dhe Politikave Sociale nuk ka dhënë përgjigje për K2.0 sa i përket numrit të përgjithshëm të prindërve vetushqyes në Maqedoninë e Veriut, apo rreth asaj se sa prej tyre kanë nevojë për ndonjë formë të ndihmës. Mirëpo në emailin e tyre pohojnë se Qendrat për Punë Sociale janë duke i regjistruar njerëzit që janë në rrezik social — një kategori që përfshin edhe prindërit vetushqyes. Sidoqoftë, nëse një prind vetushqyes nuk ka nevojë për asistencë, Ministria nuk ka të dhëna për atë familje.

Më tutje, ministria shpjegoi se prindërit vetushqyes ishin pjesë e masave të asistencës qeveritare të shpërndara dy herë vitin e kaluar, dhe se njerëzit në nevojë kishin mundësi të aplikonin për ndihmën financiare prej 100 eurosh.

Problemet me të cilat janë përballur prindërit vetushqyes gjatë pandemisë kanë marrë vëmendjen e medias. Qeveria u përgjigj se ata të cilët ankohen se janë lënë pa mbështetje nuk i kanë plotësuar procedurat e kërkuara burokratike për ta pranuar ndihmën.

Orvatjet për mbijetesë

Procedurat burokratike janë vetëm disa nga problemet e evidentuara nga shoqëria civile në Maqedoninë e Veriut sa i përket mbështetjes së dhënë për prindërit vetushqyes.

“Asistenca e dhënë nga Qeveria ka qenë vetëm për kategori të caktuara, ndërsa shumë nga prindërit vetushqyes janë lënë pa asnjë formë të ndihmës, dhe e gjithë kjo e ka bërë jetën e tyre më të vështirë”, thonë nga “Gruaja mundet!”

Për të qartësar pohimet e tyre, ata treguan shembuj nga puna e tyre me prindër të cilët kanë kërkuar ndihmë, të cilët e kishin të pamundur t’i blinin madje edhe vitaminat bazike, lëre më barnat e nevojshme për ta luftuar COVID-19. 

Organizata “Gruaja mundet!” realizoi një hulumtim në vitin 2020, duke i pyetur më shumë se 200 nëna vetushqyese për sfidat e menjëhershme me të cilat janë përballur gjatë pandemisë. Varfëria, pamundësia për kujdes të mirëfilltë shëndetësor dhe pasojat psikologjike janë vetëm disa nga shqetësimet e përmendura nga gratë.

Ekipi i Edna Može-s (“Gruaja mundet!”) në Shkup dhe drejtorja e tyre Doroti Pačkova realizuan një hulumtim për ta ilustruar situatën e vështirë me të cilën janë përballur prindërit vetushqyes gjatë pandemisë. Foto nga Doroti Pačkova.

 

Doroti Pačkova, drejtore e “Gruaja Mundet!”, citon rezultatet e hulumtimit duke thënë se mbi 50% e respondentëve janë përgjigjur se përballen me zvogëlim të të ardhurave mujore, ndërsa 20% e tyre kanë humbur të gjitha të ardhurat pasi kanë qenë pjesë e tregut joformal të punës.

“Këto të dhëna flasin për situatën e prindërve vetushqyess para pandemisë, situatën në të cilën jetojnë, dhe faktin se detyrohen të punojnë punë joformale sepse shoqëria nuk e rregullon mundësinë për të qenë pjesë e tregut normal të punës. Fitimi i lirshëm i mjeteve të domosdoshme për jetesë nuk është e drejtë e garantuar”, thotë Doroti Pačkova.

Hulumtimi nga UN Women e konfirmon këtë me të dhënat që tregojnë se nëse masat e izolimit vazhdojnë, një në tri gra do të kenë vështirësi në mbulimin e shpenzimeve bazike.

Pačkova tha për K2.0 se ka mundur ta shohë në përditshmëri gjatë punës së saj se sa prindër vetushqyes janë lënë t’ia dalin të vetëm gjatë pandemisë.

“Për shumëkë, mbijetesa është bërë mision i pamundur”, thotë ajo, duke theksuar mungesën e mbështetjes nga shoqëria për familjet me prindër vetushqyes.

Hulumtimi nga UN Women e konfirmon këtë me të dhënat që tregojnë se nëse masat e izolimit vazhdojnë, një në tri gra do të kenë vështirësi në mbulimin e shpenzimeve bazike për ushqim dhe produkte të nevojshme higjienike; dhe se do të jetë e vështirë pagesa e qirasë dhe e shërbimeve komunale. Në përgjithësi, më shumë gra se burra që ishin pjesë e hulumtimit kanë theksuar se do të detyrohen të kërkojnë ndihmë nga të afërmit dhe miqtë.

“Nuk janë krijuar masa specifike që adresojnë në mënyrë të duhur nevojat e veçanta të prindërve vetushqyes. Ata janë trajtuar njëlloj si familjet që i rrisin fëmijët me të dy prindërit. Ky është hapi i parë drejt diskriminimit dhe padrejtësive insitucionale që u janë bërë dhe po u bëhen atyre”, përfundon Pačkova.K

Imazhi i ballinës: Kristina Ozimec.

KOMENTO