Ura gjarpërore kalon mes për mes Grykës së Kaçanikut. E mbështetur në shtylla masive deri 78 metra të larta, trupi i saj gri prej betoni e lë në hije hirësinë që dikur e kishte lumi Lepenc, i cili tani kryesisht rrjedh nën themelet e urës. Pas hapjes së autostradës Arbën Xhaferi në vitin 2019, që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut, lugina jehon nga zhurma e automjeteve që shpejtojnë për diku. Me një gjatësi prej afro gjashtë kilometrash, ura është pika kulmore e autostradës, duke ia dhënë kështu Kosovës trofeun e urës më të gjatë në rajon.
Për më shumë se një dekadë, autostradat janë konsideruar si shënjuesi kryesor i përparimit dhe zhvillimit të vendit. Të inaguruara nën fishekzjarre dhe të lavdëruara si “Kosova e ëndrrave tona“, ato kanë qenë në qendër të një narrative suksesi që qeveritë e njëpasnjëshme janë përpjekur t’ia shesin publikut — një narrativë që ka legjitimuar shpenzime të pamasa qeveritare.
Filmi i shkurtër i Doruntina Kastratit “Kur mbaroi, vdekja as që na i mbylli sytë” e kundërshton këtë mënyrë dominuese të të menduarit për përparimin. Na tregon një histori tjetër, një të vërtetë tjetër, të rrëfyer nga punëtorët që ndërtojnë rrugët, urat dhe ndërtesat e vendit. I zhvilluar rreth dëshmive të punëtorëve për papunësinë, kushtet çnjerëzore të punës dhe shfrytëzimin, filmi kritikon neglizhencën e vazhdueshme të shtetit ndaj shkeljeve të të drejtave të punës në industrinë e ndërtimit.
Kastrati, e cila e konsideron veten para së gjithash artiste dhe skulptore hulumtuese, punoi në këtë temë për rreth tri vite, duke i parë nga afër statistikat institucionale, raportet e OJQ-ve dhe deklaratat e sindikatave, ndërsa zhvilloi intervista të shumta në terren me punëtorët e ndërtimit. Filmi fillimisht u prezantua në Muzeun Kombëtar të Kosovës në korrik të vitit 2020, si pjesë e ekspozitës “Heronjtë Publikë dhe Sekretet”, me kuratore Hana Halilajn, e cila ishte gjithashtu bashkë-hulumtuese në projekt. Ekspozita përfshinte skulptura 3D të krahëve, këmbëve dhe kurrizeve të njeriut, të cilat shënojnë lëndimet traumatike që punëtorët i kanë marrë në punë.
Pjesë të trupit të shtypura në formatin 3D shënojnë lëndimet traumatike që punëtorët i kanë marrë në punë. Foto: Fred Dott.
Një nga punëtorët në film është Enes Shehu, i cili si 17 vjeçar kishte filluar të punonte në industrinë e ndërtimit. Në moshën 21 vjeçare u lëndua gjersa punonte në autostradën Arbën Xhaferi. Atëherë mbeti i papunë dhe konsorciumi përgjegjës i ndërtimit, Bechtel-Enka, nuk i siguroi asnjë kompensim.
Një punëtor tjetër në film thotë, “Jam rrëzu prej skeles nga kati i 10-të në tokë. Këtu qe, e kam plagën. Në komë, për tre muaj kam nejtë. Po, unë prapë jam gëzu që kam shpëtu. Unë i dektë jam kanë. I dektë!”
Përmes këtyre rrëfimeve, filmi paraqet trupat e punëtorëve jo thjesht si anatomi gjymtyrësh dhe organesh, por si materialitete të formësuara historikisht që mbajnë peshën e një dhune sistematike që shumë shpesh kalon e pavërejtshme.
Fituese e Çmimit Artisti i Ri Vizual nga Galeria Kombëtare e Kosovës në vitin 2014, dhe Çmimi Hajde x 6 nga Fondacioni Hajde në vitin 2017, në veprat e saj të mëparshme, Kastrati është fokusuar kryesisht në konceptin e hapësirës publike, duke përdorur instalacionet artistike për të ngritur pyetje në lidhje me ndërtimet pa leje, procesin e privatizimit, lëvizjen e njerëzve dhe mbijetesën . Ajo është prezantuar me ekspozita të shumta personale në të gjithë Evropën dhe rajonin. Edicioni i këtij viti i Dokufestit shënon debutimin e saj në një festival filmi.
K2.0 u takua me Kastratin për të folur rreth shkeljeve të të drejtave të punëtorëve, privatizimin, shfaqjen e filmit në Dokufest dhe projektet e saj të ardhshme artistike.
K2.0: Filmi është xhiruar në një mënyrë shumë spontane dhe e gjithë historia është ndërtuar mbi dëshmitë e punëtorëve. Duket se nuk keni pasur fare skenar.
Doruntina Kastrati: Po, nuk kam punuar me skenar. Është një temë e ndjeshme që merret me një shtresë të njerëzve që janë të ekspozuar gjatë gjithë kohës në rrugë, në vende ku janë me të vërtet në rrezik. Shumica e këtyre punëtorëve të ndërtimit nuk kanë asnjë pajisje mbrojtëse. Nëse shihni përreth, e vëreni se janë tejet të ekspozuar, por në të njëjtën kohë tërësisht të padukshëm. I shihni në katin e dymbëdhjetë nga ku mund të bien dhe vdesin, por e gjithë kjo është bërë skenë e përditshme. Edhe autoritetet përgjegjëse — inspektorati i punës, policia ose institucionet e tjera — e kanë mendësinë: “Jemi mësuar me gjithë këtë situatë; asgjë nuk do t’u ndodhë!”
Kur i filluam xhirimet, shoku im Learti e shoqja Hana — dhe unë — vendosëm të shkonim dhe të shihnim se çfarë mund të gjenim. Unë pak a shumë e kisha idenë në kokë, dhe veçse kishim diskutuar së bashku se po kërkonim diçka spontane. Filmi nuk ka një mënyrë standarde të xhirimit; mund ta vëreni se e kemi xhiruar nga kënde të ndryshme, përveç kur kemi intervistuar njerëz që kanë folur për përvojat e tyre me [konsorciumin] Bechtel-Enka. Por në skenat ku punëtorët janë në rrugë, mund të shihet se gjithçka është në lëvizje; nuk ka pasur skenar për atë pjesë. Mund të thuhet se filmi është një doku-dramë që trajton drejtpërdrejt një çështje të të drejtave të njeriut.
Shumicën e kohës, për përvojat e punëtorëve të ndërtimit dëgjojmë vetëm përmes raportimeve të shkurta në media, ku punëtorët prezantohen thjesht si statistika — shifra të rasteve të aksidenteve, lëndimeve dhe vdekjeve. Por historitë e tyre, të artikuluara dhe të rrëfyera nga vetë ata, dëgjohen rrallë. A e shihni filmin si një lloj intervenimi kritik në diskursin publik rreth kësaj çështjeje?
Në të vërtetë, po. Mendoj se është armë e fortë për të përshkruar një realitet përtej atij që e shohim në media. Kur e kam nisur hulumtimin, kam filluar duke i shikuar statistikat; isha e interesuar të shoh nga afër se çfarë kanë për të thënë inspektorati i punës, sindikatat, organizatat e shoqërisë civile që punojnë në këtë fushë dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. I kam përfshirë të gjithë këta akterë në hulumtim.
Por ajo që ka pasur vërtet rëndësi për mua kanë qenë historitë e punëtorëve. Ka zyrtarë institucionalë që punojnë me këto statistika dhe nuk i kanë vizituar kurrë punëtorët e ndërtimit për t’i pyetur për realitetet e tyre të jetuara. Kur kemi biseduar me punëtorët, na kanë treguar për raste që nuk janë raportuar kurrë. Për shembull, ata që kanë punuar për një kohë të gjatë për Bechtel-Enkan kanë thënë se ka pasur raste kur kolegët e tyre janë lënduar ose edhe kanë vdekur, e që nuk janë raportuar. Pastaj, fillon t’i vësh në pikëpyetje se sa të sakta janë ato statistika. Filmi me të vërtet tenton ta prekë realitetin e klasës punëtore përtej statistikave.
Skulpturë nga ekspozita e Kastratit “Heronjtë dhe Sekretet Publike”. Foto: Genta Pallaska.
Filmi është i ndërtuar rreth subjektit të punëtorit në një kohë kur ka tendencë për të thënë se klasa punëtore, në kuptimin klasik të fjalës, nuk ekziston më, dhe kur përvojat e saj janë gati se tërsisht të depolitizuara.
Unë nuk pajtohem me këtë qëndrim. Për sa kohë që ekziston një sistem kapitalist, kjo nuk qëndron. Kam punuar me organizata të ndryshme në këtë fushë, dhe mund të them se i njoh mirë kushtet ekonomike në Kosovë; ka njerëz që jetojnë me një rrogë prej 150 euro në muaj. Unë, personalisht, vij nga një familje ku gjyshërit e mi kanë qenë pjesë e klasës punëtore — njerëz që punonin tokën ose punonin në fabrika.
Disa nga punëtorët kanë thënë se mes tyre kishte që mendonin se nëse vdes gjatë ndërtimit të "Autostradës së Kombit" do të konsiderohesh hero pasi ke kontribuar në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Dhe mendoj se tani duhet të diskutojmë më shumë se kurrë për figurën e punëtorit, gjatë kësaj kohe pandemie. Kemi parë që jo të gjithë njerëzit kanë qenë të privilegjuar të punojnë nga shtëpia. Më të rrezikuarit kanë qenë ata që i bëjnë punët esenciale. Kështu që, mendoj se ky është pikërisht momenti kur duhet t’i kthehemi subjektit të punëtorit.
Në fakt, filmi po shfaqet në Dokufest në një periudhë kur po zhvillohet më shumë diskutim publik rreth ndikimit të procesit të privatizimit në 20 vitet e fundit në Kosovë, dhe kur po shohim më shumë kërkesa për rritje të pagës minimale. A i shihni edhe këto çështje si pjesë të filmit?
Unë vij nga Prizreni, dhe aty ka pasur fabrika ku gjyshja dhe nëna ime kanë punuar, e të cilat nuk ekzistojnë më. Dikur, ato fabrika kanë qenë thelbësore për ekonominë e shumë familjeve dhe tani, pas privatizimit të tyre, aty ka restaurante, ndërtesa të larta, etj. Mënyra se si ka ndodhur procesi i privatizimit në Kosovë padyshim se nuk është shembull i mirë. Kështu që, po, filmi në mënyrë të pashmangshme i prek edhe këto çështje.
Punëtorët i rrëfejnë historitë e tyre me tone shumë personale. Kryesisht flasin për lëndimet trupore, përpjekjet e përditshme për të siguruar jetesën dhe kushtet çnjerëzore të punës. Por, në të njëjtën kohë, ata shfaqin një lloj zemërimi shoqëror dhe pakënaqësie të përgjithshme ndaj institucioneve shtetërore dhe kompanive të ndërtimit. A e keni menduar nga fillimi t’i shikoni këto aspekteve, apo ato erdhën spontanisht gjatë bisedave me punëtorët?
Më kanë interesuar aspekte të ndryshme të punës së institucioneve që nga fillimi i procesit të hulumtimit. Dhe pastaj në mënyrë të pashmangshme, çështja e Bechtel-Enkas u shfaq kur po hulumtoja për përvojat e punëtorëve në industrinë e ndërtimit. Disa nga punëtorët kanë thënë se mes tyre kishte që mendonin se nëse vdes gjatë ndërtimit të “Autostradës së Kombit” [Autostrada Ibrahim Rugova], do të konsiderohesh hero pasi ke kontribuar në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ky ishte niveli i shpëlarjes së trurit…
… duke e romantizuar shfrytëzimin përmes narrativave nacionaliste.
Pikërisht. E në të njëjtën kohë janë shfrytëzuar nga një kompani turko-amerikane që një punëtor kosovar e ka paguar 50 cent ndërsa një punëtor turk të ardhur nga Turqia e ka paguar 5 euro për orë. Dhe e gjithë kjo situatë është romantizuar pa masë.
Po e rimendoj vetë idenë se çfarë të thotë të jesh hero në Kosovën e pasluftës dhe se si romantizimi i konceptit të kombit në projektin "Autostrada e Kombit" në të vërtetë ka justifikuar shfrytëzimin e punëtorëve.
Pastaj, duke intervistuar shumë punëtorë, kam arritur nga një informatë në tjetrën, dhe në këtë mënyrë, i gjithë hulumtimi është zhvilluar. Çdo ditë në terren ka qenë sfiduese. Kishte ditë kur shkonim [për t’i takuar punëtorët], dhe ata refuzonin të flisnin. Por ideja kryesore ishte që t’i kishim punëtorët si protagonistët kryesorë të tregimit. Ne fillonim të xhironim dhe i linim të flisnin pa ndërprerje, dhe vetëm nganjëherë parashtronim ndonjë pyetje, siç mund ta vëreni në film.
Me qëllim kam vendosur ta prezantoj filmin në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Hapësira e muzeut është e ndërtuar si një vend heronjsh. Aty kryesisht keni personalitete të përqendruara rreth idesë së mbrojtjes së kombit, siç janë Adem Jashari, Ibrahim Rugova, Anton Çetta. Unë nuk po i vë në dyshim kontributet e tyre; po e rimendoj vetë idenë se çfarë të thotë të jesh hero në Kosovën e pasluftës dhe se si romantizimi i konceptit të kombit në projektin “Autostrada e Kombit” në të vërtetë ka justifikuar shfrytëzimin e punëtorëve.
Si jeni pritur nga punëtorët gjatë procesit të hulumtimit dhe xhirimit të filmit?
Së pari, kanë menduar se ishim nga mediat dhe thoshin: “Mos na qitni në televizion”. Por unë gjithmonë përdor format e pëlqimit në punën time për t’i shpjeguar qartë projektet e mia për pjesëmarrësit. Dhe pasi kaluam kohë me ta, pimë një ose dy cigare së bashku dhe biseduam për idenë e filmit, e kuptuan çka donim të bënim dhe ishin të hapur për t’u bërë pjesë e saj.
Shumica prej tyre pastaj thoshin: “Na qitni kudo; duam që njerëzit të dëgjojnë çfarë kemi për të thënë”. Gjithashtu, pyesnin nëse mund t’u gjejmë punë, secili merrej me hallet e veta. Ne i kemi paguar punëtorët nga 50 euro për intervistë — kjo është sa mund të përballonim me buxhetin që kishim.
Ata mblidhen në vende si Bulevardi Bill Clinton ose afër Xhamisë së Llapi, duke pritur që t’u ofrohet punë si punëtorë ditorë për 5 deri në 10 euro në ditë, dhe nuk donim që ne të ishim arsyeja që ata potencialisht të humbnin një ditë pune ndërsa flisnin me ne. Ata as nuk donin të kompensoheshin për intervistat; u dukej shumë.
Ndonjëherë kur kaloj në atë rrugë, më thonë: “A po punon në ndonjë film tjetër?” I kam ftuar në hapjen e ekspozitës dhe dy prej tyre kanë ardhur. Disa prej tyre nuk mund të vinin pasi nuk janë domosdoshmërisht nga Prishtina. Kështu që fillimisht ishin në mëdyshje, por më pas, pasi i takova dy ose tri herë, ishin mjaft të gatshëm për të folur.
Nga një shfaqje e dokumentarit të Kastratit “Kur mbaroi, vdekja as që na i mbylli sytë”. Foto: Fred Dott.
Në një pikë në film, derisa flisni me një nga punëtorët, e pyesni, “A e dini se ka sindikata të punës? A keni kontaktuar ndonjëherë me ta?” Ky moment, dhe dëshmitë e punëtorëve gjatë filmit, më bënë të mendoj për konceptin e vetëdijes klasore — aftësinë për t’i rimenduar në mënyrë kritike marrëdhëniet ekzistuese socio-ekonomike dhe pozicionet brenda asaj hierarkie. A mendoni se filmi ka fuqi për ta ngritur vetëdijen klasore?
Arti e ka këtë fuqi, dhe mendoj se duhet ta ketë. Pas përfundimit të filmit, jemi përpjekur t’i ndihmojmë punëtorët për t’i raportuar shkeljet [e të drejtave të tyre]. U kemi dhënë disa informacione administrative në lidhje me procedurat e raportimit. Janë raportuar dy raste. Njëri nga punëtorët, Iliri, e ka paraqitur çështjen në gjykatë.
Por disa nga shërbimet janë të kushtueshme, dhe shumica e prej tyre nuk mund t’i përballojnë ato. Dhe e kanë humbur shpresën; nuk kanë më shpresë se vendi i tyre, Kosova, mund të punojë në favor të tyre.
Si ekip filmik, kemi menduar të ofrojmë ndihmë falas për punëtorët në lidhje me hapat e raportimit. Kemi arritur ta dërgojmë vetëm një rast në gjykatë, por mendoj se punëtorët e tjerë janë bërë pak më të vetëdijshëm se ekziston një sindikatë e punës. Por se a bën sindikata mjaftueshëm në këtë drejtim është gjithashtu një pyetje që duhet ta ngrisim.
Kolegët e punëtorëve u lënduan ose vdiqën në vendin e punës dhe askush nuk foli për këtë.
Në punët tuaja të mëparshme, një nga çështjet me të cilat jeni marrë është ndërtimi pa leje. Duke shikuar filmin, mund të shihet se punishtet e mëdha monstruoze të ndërtimit zënë shumicën e skenave të filmit. A është ky një vazhdim i ndërhyrjeve tuaja artistike në këtë temë?
Po, mendoj se kjo temë është pjesë e filmit. Puna që kam bërë për dhjetë vjet rreth kësaj çështjeje është bërë pjesë e brendshme e të gjitha proceseve të mia kërkimore. Kam bërë intervenime artistime në lidhje me këtë temë në Prizren dhe rajon — në Shqipëri dhe Greqi. Është pothuajse i njëjti problem në të gjithë Ballkanin. Ky film disi i bashkon të gjitha temat e mëparshme në të cilat kam punuar përgjatë viteve.
Titulli i filmit vjen nga një varg i poemës së Roberto Bolaños “Godzilla në Meksikë“. Pse e zgjodhët këtë poezi, dhe veçanërisht këtë varg, si titull të filmit?
Titulli i ekspozitës “Heronjtë publikë dhe Sekretet ” është një varg nga poezia e Roberto Bolaños “Godzilla në Meksikë.” Në këtë poezi, ai flet me djalin e tij për një katastrofë prej së cilës ata arrijnë disi të mbijetojnë. Bolaño është një nga shkrimtarët e mi të preferuar. Kur po mendoja për titullin e ekspozitës, për mua, “heronjtë publikë” nënkuptonin këta njerëz punëtorë të cilët i shohim çdo ditë, por për të cilët askush nuk flet, dhe më pas “sekretet” që i mbajnë brenda vetes këta heronj publikë — gjërat që tregojnë për Bechtel-Enkan, se si kolegët e tyre janë lënduar ose kanë vdekur në vendin e punës dhe askush nuk ka folur për këtë.
Dhe, titulli i filmit gjithashtu, “Kur mbaroi, vdekja as që na i mbylli sytë”, është një varg nga e njëjta poezi që flet për përvojat, në këtë rast, të punëtorëve që pas aksidenteve kuptojnë se vdekja ishte potencialisht aty, por që thjesht nuk ishte momenti për t’i mbyllur sytë. Është një rreth i vazhdueshëm. Vdekja është gjatë gjithë kohës mes nesh; thjesht nuk e dimë se si, kur…
Kjo është një nga poezitë e mia të preferuara dhe ka qenë me mua prej vitesh. Gjithmonë kam menduar se vargjet e saj mund të jenë tituj të veprave të mia. Dhe, ky ishte momenti i duhur për ta bërë këtë.
Fillimisht, filmi është shfaqur si pjesë e ekspozitës. A mendoni se tani, pas shfaqjes së tij në Dokufest, filmi do të ketë më shumë një udhëtim më vete, i pavarur nga ekspozita?
Unë tashmë e kam shfaqur filmin në vende të ndryshme në Evropë, dhe është pritur mjaft mirë. Mendoj se skulpturat janë një pjesë e pandashme e gjithë projektit, por gjithashtu secila prej pjesëve — skulpturat dhe filmi — ka praninë e vet, pavarësisht nëse paraqiten së bashku ose veç e veç. Deri më tani, filmi është shfaqur në Hamburg, Berlin, Shqipëri, Francë, por asnjëherë në një festival filmi.
Pra, është hera e parë që do të jetë pjesë e një programi të një festivali filmi, dhe nuk e di se si do të jetë udhëtimi i tij pas kësaj. Jam shumë e emocionuar që do të shfaqet në Prizren meqë kam lindur dhe jam rritur atje. Kam qenë gjithmonë vetëm vizitore e Dokufest-it, kështu që fakti që filmi do të paraqitet në edicionin e 20-të të festivalit, është një ndjenjë që nuk e kam përjetuar kurrë më parë. Më bën të ndihem vërtet mirë.
Tashmë jam duke punuar në një film tjetër që gjithashtu trajton përvojat e punëtorëve. Ai flet për punëtoret gra në një fabrikë ku ka punuar nëna ime dhe fokusohet kryesisht në punën e grave të klasës punëtore. Jam duke planifikuar ta përfundoj deri në vitin 2022.
A do të jetë gjithashtu film i shkurtër?
Po! Mendoj se tani për tani ky format më lejon ta them atë që dua të them. Në të ardhmen, nuk e di…
A do të thotë kjo që do të vazhdoni me bërjen e filmave?
Më pëlqen kinemaja dhe shikimi i filmave, dhe veçanërisht në vitet e fundit kam pasur një lidhje më të ngushtë me të. Por kjo nuk më bën regjisore filmi. E konsideroj veten skulptore sepse puna ime merr formë dhe frymë në këtë medium, pastaj çdo medium tjetër i përfshirë në punën time artistike është element shtesë.
Ky artikull është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën shqipe.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla/ K2.0