Blogbox | Afganistan

Nga Kabuli për në Shqipëri, pastaj në Toronto

Nga - 07.04.2022

Një gazetar afgan flet se si iku nga regjimi taleban. 

Më 15 gusht të vitit 2021, rrugës përnë zyrë, i kërkova shoferit të shpejtonte që të mbërrinim më shpejt. Ishte rreth orës 09:00 të mëngjesit dhe Kabuli nuk ishte njësoj si një ditë më parë. Një stuhi thashethemesh u shkaktonte ankth njerëzve. Një tregim që talebanët kishin hyrë në qytet po qarkullonte gjerësisht.

Si kryesues i çështjeve aktuale në TOLOnews, stacioni më i madh 24-orësh i lajmeve në Afganistan, unë dhe kolegët e mi në redaksi pranonim vazhdimisht informata nga burime të ndryshme, mirëpo ngjarjet zhvilloheshin aq shpejt sa që e kishim të pamundur t’i parashikonim orët e ardhshme.

Teksa kalova nëpër rrugën kryesore të Wazir Akbar Khan, rrugë kjo ku ndodheshin shumë misione diplomatike, vura re frikë dhe ankth në fytyrat e të gjithëve. Pashë shitësit përpara zyrës sonë teksa i mbyllnin dyqanet me nxitim. 

Në mbrëmje raportuam se ish-presidenti Ashraf Ghani kishte ikur nga vendi me ndihmësit e tij të ngushtë dhe se talebanët po marshonin drejt Kabulit. Nga burimet e mia të besueshme kisha informacione se talebanët nuk kishin hyrë në qytet deri rreth orës 20:00, pak orë pasi presidenti ishte larguar.

Ishte një moment kritik dhe i pabesueshëm për vendin. Unë dhe kolegët e mi ishim të tmerruar për veten dhe anëtarët e familjes, por qëndruam të vendosur dhe e vazhduam transmetimin e drejtpërdrejtë të ngjarjeve nga pjesë të ndryshme të Kabulit. Ka qenë një mbrëmje që nuk mund ta imagjinoja kurrë.

Gjithçka që kishim ndërtuar për 20 vjet m’u avullua përpara syve

Nëna ime dhe pjesa tjetër e familjes sime po shikonin lajmet dhe vazhdimisht më thërrisnin duke më thënë që të largohesha nga zyra dhe të kthehesha në shtëpi. Rreth orës 19.00, vendosa të shkoj në shtëpi pasi që nëna ishte e frikësuar.

Diku rreth orës 20.00, talebanët hynë në Kabul nën zhurmën e tmerrshme të armëve.

Kabuli, i cili për 20 vite kishte përjetuar demokraci, zhvillim dhe media të lira, ku mija gra luftuan për të drejtat dhe liritë e tyre civile, papritur, brenda natës u kthye në terr. Në më pak se 24 orë, e humbëm Afganistanin. Gjithçka që kishim ndërtuar për 20 vjet m’u avullua përpara syve.

Në po të njëjtën natë, shumë stacione televizive që zakonisht transmetonin programe argëtuese, drama apo muzikë, u kthyen në programe fetare. Mediat e tjera thjesht dolën jashtë funksionit. Menaxhmenti i TOLOnews vendosi t’i udhëzojë gratë gazetare që të nesërmen të mos vinin në zyrë. Transmetimet tona do të prezantoheshin vetëm nga burrat.

E dija që talebanët nuk do të ishin miqësor me ne. Ata i vranë shtatë nga kolegët e mi vetëm në vitin 2016 dhe vazhduan t’i sulmonin punonjësit e TOLOnews aq sa mundën. Ata i kishin deklaruar si caqe ushtarake të gjithë ata që punonin për bashkëpunëtorët e MOBY Media Group, e cila e e ka nën pronësi TOLOnews dhe media të tjera.

Said Najib Asil dhe kolegët e tij ia dolën për në airport pasi talebanët kishin pushtuar Kabulin. Fotografia: Said Najib Asil.

Të nesërmen, zëvendësdrejtori i TOLOnews bisedoi me talebanët dhe na njoftoi se na lejohej të ktheheshim në zyrë, me kusht që të mos transmetonim asgjë kundër tyre. Atë pasdite, një grup prej 20 talebanësh të armatosur gjer në dhëmbë, hynë në studiot tona.

Në ditën e dytë të kontrollit të Kabulit nga talebanët, gazetaret tona gra raportonin nga çdo cep i qytetit, duke i prezantuar lajmet nga studiot tona dhe duke intervistuar të ftuar në programe të drejtpërdrejta. Para fundit të ditës, talebanët filluan të vendosnin kufizime në mbulimin medial në kundërshtim me zotimet e tyre të mëhershme.

Anëtarë të paidentifikuar të regjimit taleban kontaktuan kolegët tanë dhe dërguan mesazhe kërcënuese. Zabiullah Mujahid, zëdhënësi i talebanëve, e shprehu mosmiratimin e tij për llojin e hixhabit apo mbulesës së kokës që gratë në zyrën tonë e mbanin gjatë transmetimit.

Kërcënimet kundër gazetarëve tanë vazhduan, njësoj si ngacmimet dhe dhuna ndaj gazetarëve tanë në Kabul. Talibanët prisnin që mediat t’u shërbenin si mjete propagandistike.

Edhe sikur talebanët të vendosnin të mos më vrisnin, qëndrimi do të ishte vdekje e ngadalshme.

Kolegët dhe gazetarët tanë nga i gjithë vendi filluan të iknin nga Afganistani nëpërmjet rrugëve të ndryshme. U gjenda në një udhëkryq të rrezikshëm. Mu desh të bëja zgjedhje midis largimit, që do të ishte hap drejt të panjohurës, ose qëndrimit dhe ballafaqimit me një të panjohur tjetër tmerruese. Vendosa ta shpëtoja jetën time dhe të largohesha. Edhe sikur talebanët të vendosnin të mos më vrisnin, qëndrimi do të ishte vdekje e ngadalshme.

Vendosa që të bëhem refugjat në vend se të jem peng në vendin tim.

E lashë shtëpinë dhe vendin tim vetëm me një çantë shpine dhe nuk munda as ta kontrolloja sa para kisha në xhep. Do të doja ta kisha shikuar edhe një herë të fundit dhomën time, librat e mi, fotografitë e mia. Sikur ta kisha pasur një lamtumirë të denjë me nënën dhe vëllezërit e motrat. Nëna qau. Në sy kisha lot e në çantë, ëndrra. 

Si shumë afganë të tjerë, kolegët e mi dhe unë nxituam për në aeroport. Dy ditë pritëm jashtë portave të aeroportit bashkë me mija të tjerë që dëshpërimisht donin të largoheshin dhe të shpëtonin gjallë. Dy netë fjeta në rrugën afër aeroportit, duke pritur.

Në fund të ditës së dytë mora një telefonatë nga kreu i TOLOnews. Më kërkoi t’i kontaktoja kolegët e mi dhe të shkonim në një hotel të caktuar sa më shpejt që të ishte e mundur. Fondacioni Yalda Hakim kishte marrë përsipër përgjegjësinë për evakuimin tonë dhe kur hymë në hotel pamë se ushtria e Katarit po e siguronte hapësirën.

Në orën 2:00 të mëngjesit, personeli i sigurisë na transportoi për në aeroport. Rrugës për në aeroport, sa s’më doli zemra nga gjoksi. Ishte errësirë dhe rrugët ishin bosh.Tentova ta largoja këtë ndjenjë të të qenit në një ëndërr të keqe. Kur hymë në portat e aeroportit pamë forcat amerikane. U ndiemë më mirë dhe qëndruam brenda terminalit edhe për tri netë të tjera.

Fatmirësisht më 24 gusht kaluam kaosin dhe hipëm në një avion ushtarak që shkonte në Katar. Gjatë udhëtimit të gjithë ata që i njihja që po hipnin në aeroplan me ne ishin duke qarë. Për një moment imagjinova duke fluturuar prej atje dhe duke e lënë shpirtin tim në shtëpi. Askush nuk ta bënte gjithë këtë po të mos kishin frikë për jetët e tyre.

Pas katër ditësh në Katar, hipa në një fluturim komercial për në Shqipëri. Mendova se do të ishte destinacioni im i fundit. Dija pak për Shqipërinë para se të mbërrija. Kur avioni ateroi, mes atyre që na përshëndetën ishte edhe kryeministri Edi Rama. U pritëm me dashamirësi nga njerëz që dukeshin se kishin diçka të përbashkët me ne, por nuk e dija se çka. Më vonë mësova se shqiptarët kanë përjetuar trauma të ngjashme si afganët.

Më në fund të sigurt në Shqipëri. Vendi priti një numër refugjatësh nga Afganistani. Fotografia: Said Najib Asil.

Shqipëria është një vend shumë i bukur dhe resortet e plazhit të vendit ishin shtëpia e 1800 mysafirëve të papritur gjatë shtatë muajve të fundit. Gjetëm një strehë të sigurt larg vendlindjes sonë. Ishim mirënjohës për bujarinë, ngrohtësinë dhe mikpritjen që na e ofruan njerëzit e sjellshëm të Shqipërisë.

Pas dy javësh vendosa të punoj atje. Qëllimi im ishte ta bëja zërin e refugjatëve afganë të dëgjohej në të gjithë botën. Fillova të punoj si koordinator i mediave në një organizatë mediale vendase dhe ndërkombëtare në Shëngjin. Ishte përvojë e mirë, me gjithë shqetësimet dhe pasiguritë.

Një numër i madh figurash të njohura afgane si gazetarë, deputetë dhe aktivistë e aktiviste për të drejtat e grave u evakuuan në Shqipëri dhe shumica e tyre kishin të drejtë të shkonin në Amerikë ose Kanadë. Grupet humanitare me vendqëndrim në ShBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar i mbuluan shpenzimet tona.

Pas pesë muajsh, më 18 janar, fluturova për më shumë se 5000 milje dhe arrita në Toronto, ku flamuri i Kanadasë valonte. U shkëputa nga jeta që m’u desh ta lija pas dhe e gjeta veten të pastrehë, larg vendit dhe vendlindjes sime. Për momentin, pyetja më e madhe për mua është çka do të sjellë e ardhmja? Është vështirë ta pajisësh veten me mjetet që të duhen për ta nisur një jetë të re, pasi të kesh jetuar një jetë tjetër.

Besoj se historia do t’i gjykojë talebanët. Një ditë, talebanët do ta kuptojnë se kanë humbur një brez të ndritur njerëzish. Jam i sigurt se Afganistani dhe njerëzit e tij do të jenë përsëri të lirë. Është thjesht çështje kohe.

Imazhi i ballinës: Arkivi personal i Said Najib Asil.

 

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të “Trusti Ballkanik për Demokracinë“, projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë. Opinionet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë,Trustit Ballkanik për Demokraci, Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, apo partnerëve.

Pse kjo klauzolë?