Biseda | Tech

Amy Cosper: Ndërmarrësia është të krijosh diçka të re, inovative ose përçarëse, aty ku nuk kishte asgjë më parë

Nga - 02.11.2016

Një ndërmarrëse amerikane flet për ndjekjen e profesionit “cool”.

Çfarë do të thotë të jesh ndërmarrës? Sipas Google, ndërmarrës është “një person që organizon dhe operon një biznes ose biznese, duke rrezikuar financiarisht më shumë se që është normale”.

Por nëse ky definicion u duket i thatë, e kemi gjithmonë pikëpamjen e Amy Cosper. Cosper është ndërmarrëse tash e një dekadë. Ajo beson se ndërmarrësit nuk duhet ta pranojnë përgjigjen ‘jo’, e duhet të shtyhen nga dëshira “për t’i ndjekur ëndrrat, për ta ndryshuar botën dhe për të patur ndikim”, duke “krijuar diçka të re, ose inovative ose përçarëse, aty ku nuk kishte asgjë më parë”.

Cosper njihet si një prej figurave më të suksesshme në botën e ndërmarrësisë. Ajo pranon se nuk u “shtye” nga diploma e saj në drejtimin e Gjuhës Italiane dhe Historisë së Artit, por duke bërë atë që e don. Ajo filloi si gazetare në 1995 për botën e teknologjisë, duke raportuar nga Izraeli, Norvegjia, Luksemburgu, Brazili, Parisi dhe Londra. Më pas ajo udhëhoqëi disa revista financiare që fituan shumë çmime, e në 2008 u bë zëvendës presidente dhe kryeredaktore në Entrepreneur Media Inc., revistë dhe uebfaqe e bazuar në SHBA që trajton lajme të ndërmarrësisë dhe menaxhimit të bizneseve të vogla.

majlinda-hoxha-kosict-qa-amy-cosper-prishtine-10-2016

Duke lexuar disa prej artikujve të saja, është lehtë të shohim që Cosper është luftëtare. Ajo nuk u dëshpërua as kur iu kall shtëpia në vitin 2010, dhe familja e saj katër anëtarëshe – dy adoleshentë dhe dy të rritur – jetuan në një shtëpi me rrota deri sa iu rindërtua shtëpia. Ajo shkroi se kjo përvojë vetëm e bëri më të fuqishme: “Nuk u thyem. U bëmë më të fuqishëm, më të mirë. Dëshmuam që mund të mbijetojmë. Po, ngritja nga hiri është klishe, por në rastin tim është e vërtetë në kuptimin e plotë të fjalës. Pati jetë para zjarrit dhe pas tij, por janë dy jetë krejtësisht ndryshe”.

Kjo është përvojë që mund të lidhet me ato të shumë njerëzve në Kosovë. Ajo e vizitoi Kosovën javën e kaluar si folëse në edicionin e pestë të KOSICT, konferencës rajonale të organizuar nga Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK), që ka për synim t’i sjell në Ballkan temat më të reja botërore të teknologjisë informative. Sivjet kjo konferencë bëri bashkë folës prej kompanive të mëdha si Google dhe LinkedIn.

Megjithatë, Copser i tha audiencës se ajo vendosi që të pushojë nga bota e mediave në fund të gushtit, kur e la rolin e saj të rëndësishëm në revistën Entrepreneur. Ajo tani është duke u marrë me synime tjera jetësore: është duke shkruar një libër, duke udhëtuar, duke vozitur motoçikletën e saj, e duke xhiruar një dokumentar.

Në një intervistë për K2.0, Copser tha se ishte e lumtur që e pati rastin t’i takonte disa njerëz të Kosovës, të cilët ajo i përshkroi si shumë ambicioz për të bërë diçka të veçantë e për ta vendosur vetën në hartë. Si dikush që e ka ndërmarrë misionin e shpërndarjes së “fjalës së mirë” të ndërmarrësisë, Cosper mendon që, në mënyrë që të jesh i suksesshëm, si rregull thelbësore duhet ta kesh guximin, të mos frikësohesh nga dështimi, por ta tejkalosh frikën, sepse aty të presin “përvoja, dituria, fuqizimi, urtësia dhe suksesi”.

K2.0: Gjatë fjalimit tuaj në KOSICT, që u moderua nga Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ju thatë se nuk jeni më kryeredaktore e revistës “Entrepreneur”, pasi që kishit nevojë për kohë dhe hapësirë, për t’u fokusuar në një “mision” tjetër.

Amy Cosper: Po, jam duke e shkruar një libër; jam duke punuar në një film dokumentar për ndërmarrësi. Kështu që i morra disa javë pushim për të vozitur motoçikletën time dhe për t’i menduar gjërat. Tani jam thjeshtë duke ecur përpara si ndërmarrëse. Jam duke folur, konsultuar; duke u marrë me vetën disi.

"Ndjekja e parave nuk është arsye për të qenë ndërmarrës/e. Ndjekja e ëndrrave, dhe ndryshimi i botës, e ndikimi i saj nëpërmjet krijimit të mundësive për gjeneratat e ardhshme - kjo ka kuptim."

Prej çkafit frymëzoheni për gjithçka që bëni? Nga e merrni energjinë për ta rikrijuar vetën?

Prej njerëzve. Frymëzohem kur jam rreth njerëzve, si njerëzit këtu. Njerëzit që kanë pikëpamje tjera; njerëz që i njoh në SHBA. Është magjepsëse. Dhe me të vërtetë ma kthen besimin në njerëzim. Takohem me njerëz interesant nga e gjithë bota të cilët i ndjekin ëndrrat e tyre. S’ka ku shkon më mirë.

Duke i dëgjuar fjalimet e ndryshme në konferencë, ndonjëherë ipej përshtypja që është lehtë të bëhesh i/e pasur duke qenë ndërmarrës/e, dhe se ndërmarrësia sillet rreth parave. A është përshtypje e gabuar, apo fakt?

Secilën herë që bënë para – fokusi parësor i çdo përpjekjeje biznesore – ndoshta nuk dështon, por nuk do të jesh i lumtur. Ndjekja e parave nuk është arsye për të qenë ndërmarrës/e. Ndjekja e ëndrrave, dhe ndryshimi i botës, e ndikimi i saj nëpërmjet krijimit të mundësive për gjeneratat e ardhshme – kjo ka kuptim. Dhe a din çka, nëse e bënë atë që e don, dhe e bënë me pasion, do të kesh sukses dhe para. Është si efekt anësor. Kjo është filozofia ime.

Si e definoni ndërmarrësinë? Për çka është, të qenit ndërmarrës/e? Hapja e një biznesi? Krijimi i gjërave të veçanta?

Kjo është pyetje e bukur dhe mënyra për t’iu përgjigjur është mënyra që gjithmonë e ka përcaktuar ndërmarrësinë – është dikush që krijon diçka të re, ose inovative, ose përçarëse, aty ku nuk kishte asgjë më parë. Pra është krijim i… si të bësh një skulpturë. Diçka e veçantë dhe ndryshe, dhe me mundësi diçka që vendosë presedent. Është gjithashtu dikush që – kjo është joshkencore, është vetëm vrojtim i imi – ndërmarrësit që kanë sukses, ndërmarrësit si Richard Branson dhe Jack Dorsey, dhe këta ndërmarrësit e teknologjisë që janë shumë të njohur, ata nuk e pranojnë përgjigjen ‘jo’. Jetojnë dhe vdesin për këtë ‘adrenalinë’, dhe mundësinë e dështimit. Pra ky lloj i personalitetit është ai që të bënë të kesh sukses më së shumti dhe të kesh ndikim në botën e biznesit, ose shkencës, ose hulumtimit, çfarëdo qoftë.

majlinda-hoxha-kosict-qa-amy-cosper-prishtine-10-2016-2

Si e nisët karierën e juaj në botën e ndërmarrësisë? Çfarë iu shtyu në këtë drejtim, dhe në cilën pikë në jetën e juaj vendosët që kjo është rruga që doni ta ndiqni?

U rrita prej hipikëve (qesh). Babai im ishte ndërmarrës; nëna ime ishte tip ndërmarrëse-kreative. Pra gjithmonë kisha vlerësim të thellë për procesin e inovacionit. Dhe gjithmonë më mësuan që ta shtrojë në pyetje procesin e njejtësisë, gjithmonë të shtrojë në pyetje sjelljet e përsëritura dhe të mundohem që të gjejë mënyra të reja të mendimit dhe mënyra të reja të ritrajtimit të çështjeve e problemeve.

Pra prindërit e mi më mësuan, dhe studiova Gjuhën Italiane dhe Historinë e Artit kur isha në fakultet. Nuk është diplomë edhe shumë e dobishme (qesh), kështu që hyra në botën e ndërmarrësisë dhe u dashurova në të.

Keni qenë në Kosovë për 30 orë, dhe e përmendët “frymën e këti vendi”. Çfarë përshtypje ju la Kosova dhe populli i saj?

Janë shumë të dallueshëm. Së pari udhëtova në aeroplan me disa njerëz nga Prishtina. Dhe kur u njoftova me njerëz në hotel dhe në konferencë, dhe kudo, e e kuptova që një kulturë që ka kësi niveli të angazhimit dhe kësi dashurie për të dashur që të arrijnë diçka të veçantë, një kulturë e tillë ka ekosistem të ndërmarrësisë. E shoh. E shoh te njerëzit këtu. Edhe prania e politikanëve – duan që ta nisin një lëvizje, duan të jenë në hartë për diçka, për ndërmarrësi, dhe nuk mund të shkojë keq kjo.

"Frika është kufi absolut i suksesit. Pra nëse e tejkalon frikën, mos u fokuso në të, dhe mos e le frikën që të të mbajë mbrapa."

Si bëhemi ndërmarrës? Çfarë të duhet tjetër pos një ide?

Mendoj se është më shumë se të ulesh e të mendosh “duhet të më vijë një ide”. Është më shumë “jam lodhur me këtë gomë që po më shfryhet çdo tri javë kështu që nga ky problem ndërmarrësit do të gjejnë mënyrë për ta zgjidhur”. Zakonisht përballen me diçka që u shkakton dhimbje ose problem ose pasion; është diçka që e kanë në shpirt dhe nuk mund ta ndalin.

Qeveria e Kosovës premtoi që të ndihmojë dhe të mbështesë të gjithë të rinjtë që duan të bëhen ndërmarrës. Gjatë fjalimit tuaj, ju kritikuat rolin e qeverive. Çfarë roli mendoni se duhet të kenë ato?

Mendoj që është ndryshe kudo që shkon, por filozofia ime është – pasi që e kam shikuar këtë me vite – që qeveria duhet të largohet. Dhe mënyra më e mirë se si qeveria mund t’i mbështetë ndërmarrësit dhe komunitetet e bizneseve të vogla është që të largohet dhe t’i mbështetë, për atë që sapo folëm, duke i arsimuar të rinjtë. Këto janë tri parimet që ndihmojnë me të vërtetë progresin në këtë aspekt.

Krjimi i politikave dhe burokracisë nuk ndihmon. Në fakt, e ka efektin e kundërt. Pra unë besoj që qeveria duhet të largohet dhe ta krijojë një mjedis kreativ, e pastaj mund të ndodhin gjëra të bukura. Por nëse vijnë e fillojnë të vendosin rregulla, atëherë s’ka ndërmarrësi.

Çfarë këshilla apo mesazhi keni për ata që janë të interesuar në ndërmarrësi?

Këshillat e mija për të gjithë, pasi që jam rritur prej hipikëve, është qe t’i ndejkin ëndrrat. Mos e pranoni ‘jo’ si përgjigje. Mos iu frikësoni dështimit. Dështimi është vetëm një pjesë e përpjekjes, dhe nëse mund ta përfytyrosh… nuk e di nëse përkthehet mirë, por është filozofi që e kam për zemër: Në anën tjetër të frikës, nëse mund ta tejkalosh atë frikë fillimisht, gjindet suksesi. Frika është kufi absolut i suksesit. Pra nëse e tejkalon frikën, mos u fokuso në të, dhe mos e le frikën që të të mbajë mbrapa, sepse ashtu nuk fillon kurrë dhe nuk bëhesh kurrë kreativ.K

Fotografitë: Majlinda Hoxha / K2.0.