Pikëpamje | Editorial

SEKSI — 10 vjet pas

Nga - 14.12.2022

Shumëçka ka ndryshuar, shumëçka ka mbetur njëjtë.

Sot bëhen 10 vjet prej kur K2.0 botoi revistën e shtypur rreth Seksit — një numër që sfidoi të kuptuarit përjashtues e të ngurtë të orientimit seksual, identitetit gjinor dhe roleve gjinore. Bëhen 10 vjet prej kur ekipi dhe lexuesit e K2.0, njerëzit LGBTQ+ dhe aleatët u sulmuan.

Sot, 10 vjet më vonë, duhet ta kujtojmë atë natë. Më 14 dhjetor 2012 grupe të huliganëve e ekstremistëve fetarë u sollën si policë të moralit duke u përpjekur të vendosin se kush lejohet të ekzistojë në sferën publike dhe se çka mund të thuhet e çka jo.

Ajo natë mbetet një prej momenteve më domethënëse të përpjekjes sonë gazetareske. Ishte një moment kur ne i ekspozuam forcat e dhunshme të shoqërisë sonë dhe kur e përjetuam edhe vetë nivelin e urrejtjes së tyre. Por, mbi të gjitha, ishte një moment kur e pamë gazetarinë tonë teksa thyente kulturën e heshtjes kur është fjala për jetët e të drejtat LGBTQ+.

Kur i kthehem atij momenti, tash 10 vjet më vonë, mendoj për atë se sa shumë ka ndryshuar. Gjashtë Parada të Krenarisë kanë marshuar nëpër udhët e qendrës së Prishtinës, është rritur mbështetja midis brezash e pranimi shoqëror. E sotmja na gjen edhe me legjislacion të përmirësuar, në mos të vonuar, që ka ardhur si rezultat i aktivizmit të guximshëm e të pandalur.

Ka ndryshime të mbara e të mirëpritura.

Shumëçka është më mirë se që ishte 10 vjet më parë. Shpesh më kujtohet se si kur pati ndodhur sulmi në vitin 2012, kishte pak aleatë që mbështesnin të drejtat LGBTQ+ dhe kishte pak zëra që flisnin në përkrahje të lirisë së shprehjes. Atëherë nuk ishte e rrallë të dëgjoje a lexoje deklarata nga shumë të atillë që e dënonin dhunën ndaj njerëzve LGBTQ+ apo revistës sonë e prapëseprapë e përkrahnin themelin mbi të cilin ndërtohej e thirrej ajo dhunë.

Në atë kuptim, taktika e huliganëve dhe ekstremistëve po funksiononte. Retorikën e tyre përjashtuese e thirrjet për dhunë i mbështesnin në qëndrimet se donin “mbrojtjen e traditës shqiptare” dhe parandalimin e “degjenerimit të rinisë sonë”. Këto qëndrime mbështeteshin në një ide të ngushtë rreth asaj se çka e përbën traditën dhe kush e përbën rininë. Dhe patriarkia e heteronormativiteti normalisht që mbizotërojnë në një shoqëri që veten e përkufizon kryesisht përmes manifestimit të identitetit kombëtar.

Turma homofobike mblodhi përkrahje pikërisht në këto premisa dhe u ndihmua tutje nga një mjedis sensacionalist i medieve, që para ngjarjes sonë, promovuan narrative të shtrembëruara e urrejtëse.

Atëherë nuk ishte e rrallë të dëgjoje a lexoje deklarata nga shumë të atillë që e dënonin dhunën ndaj njerëzve LGBTQ+ apo revistës sonë e prapëseprapë e përkrahnin themelin mbi të cilin ndërtohej e thirrej ajo dhunë.

Atëherë, kjo jo vetëm që ishte dëshpëruese, por ishte edhe tejet brengosëse. Jo veç që ndodhi një vjedhje e dhunshme e hapësirës publike nga ajo turmë, por kjo vjedhje u transmetua e disi u institucionalizua. Një grup prej 20 burrash hynë në hapësirën e ngjarjes dhe e rrahën ekipin e K2.0. Huliganët dolën nëpër rrugë dhe hynë nëpër kafiteri duke i kërkuar “të degjeneruarit” për t’i rrahur. Dyqind burra na barrikaduan brenda Sallës së Kuqe në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve duke bërtitur “pederrat jashtë Kosovës” dhe policia i shikoi në heshtje. Ditë më pas, huliganët i sulmuan njerëzit që ndodheshin në zyrën e një organizate për të drejtat LGBTQ+. Këto ngjarje i pa publiku e me këto ngjarje shumë edhe u pajtuan.

Prapë, fuqia dhe motivi mund të burojnë prej përvojave të këtilla. Kur sheh se si të drejtat e një grupi rrezikohen ose mohohen për shkak të tekeve të një turme të dhunshme, e kupton se sa të brishta janë të drejtat e gjithsecilit/ës. Të gjitha liritë janë në rrezik, nëse nuk mbrojmë të drejtat e njëri-tjetrit. Një shoqëri demokratike e ndërtuar në barazi e drejtësi duhet të këmbëngulë në solidaritet më të gjerë, një që e njeh dhe e mbron ndryshimin.

Revista jonë Seksi dhe kundërpërgjigja e dhunshme ndaj saj, thyen një kulturë të heshtjes 10 vjet më parë. Na bëri që ta shohim ndryshë atë që na rrethon, na i shkundi pritshmëritë dhe na e forcoi vendosmërinë për të vazhduar të mbesim provokativ dhe të guximshëm në përpjekjen tonë për drejtësi.

Përpjekja për të drejtat e njeriut s’mbaron kurrë

E prapë, zërat e aktivistëve/eve vazhdojnë të përballen me kundërshtim e refuzim. Viti 2022 shënoi një moment veçanërisht të rëndë, kur më 16 mars, Kuvendi u bë shëmbëlltyrë e urrejtjes dhe përjashtimit.

Teksa Kodi Civil u vendos për votim, diskutimi publik u përqendrua në një nen që do hapte udhën për njohjen e bashkësive civile të personave të të njëjtit seks. Aktivistët e aktivistet e të drejtave të njeriut kritikuan përmbajtjen e nenit, pasi ai dështonte të ofronte barazi të vërtetë për çiftet midis personave të seksit të njëjtë, por përkundër kësaj, në Kuvendin e Kosovës ai solli ditë të mbushura me thirrje e nxitje për urrejtje.

Fjalimet e deputetëve e deputeteve atë ditë  jo vetëm që e konfirmuan homofobinë e tyre, por treguan se ata e ato shoqërinë e kuptojnë në korniza mizogjene, të rrënjosura në konservatorizëm tradicionalist. Më 16 mars, deputetët/et folën për mbështetjen e tyre ndaj “familjes së natyrshme” dhe thanë se njohja e martesave të personave të seksit të njëjtë është “kundër vlerave familjare”. Dëgjuam se këto bashkësi janë në kundërshtim me “kulturën, traditën në të cilën kemi jetuar dhe jetojmë”. Kështu, tingëllonin shumë ngjashëm me huliganët dhe ekstremistët që e sulmuan ngjarjen tonë 10 vjet më pare.

Shumë prej këtyre deklaratave u bënë nga deputetë/e nga partia qeverisëse Vetëvendosje (VV). Nuk dukej si ndryshim i madh në krahasim me pozicionin e tyre 10 vjet më parë, kur sulmin e 14 dhjetorit e reduktuan në “një sulm ndaj kukullave”, duke iu referuar manekinëve që u shkatërruan atë natë në vendin e ngjarjes.

Të flasësh për të drejtat e njeriut pa i përmendur grupet apo individët që vuajnë nga dhuna a diskriminimi, i bie të përpiqesh t’i fshish apo refuzosh ekzistencën dhe përvojat e tyre.

Sot, 10 vjet më vonë, kryetari i partisë dhe kryeministri Albin Kurti bën çmos që të mos thotë “LGBT”. Ai flet për rëndësinë e njohjes së të gjitha të drejtave të njeriut e megjithatë dështon të njohë ekzistencën dhe jetët queer përmes vetë gjuhës së tij. Të flasësh për të drejtat e njeriut pa i përmendur grupet apo individët që vuajnë nga dhuna a diskriminimi, i bie të përpiqesh t’i fshish apo refuzosh ekzistencën dhe përvojat e tyre. Kjo veç sa i shton mundësitë që urrejtja të mbizotërojë në një institucion, që është i thirrur t’i përfaqësojë të gjithë qytetarët.

Kjo ndodhi më 16 mars këtë vit, kur deputetët/et vepronin përbrenda një ideje të ngushtë rreth asaj se çka e përbën familjen. Dhe lloji i familjes që ata e “mbronin” është hapësira ku kanë ndodhur disa prej rasteve më të tmerrshme të dhunës — është hapësira ku gratë diskriminohen, shtypen, përdhunohen e edhe vriten. Gratë po vriten prej partnerëve burra — po torturohen gjer në vdekje nëpër shtëpitë e tyre, po masakrohen me sëpata e po qëllohen me plumba para klinikës gjinekologjike përpara se të lindin. Këto vrasje shpesh kanë qenë rezultat i frikës së burrave se po e humbin privilegjin, pushtetin apo autoritetin ndaj grave të vrara. Këto gra po vriten nga partnerët e tyre, e vërtetë, por ato po vriten edhe prej patriarkisë.

E prapë politikanët nuk e kanë përdorur ende hapësirën e Kuvendit apo ndonjë hapësirë tjetër për të kundërshtuar apo për ta njohur këtë varg vrasjesh si femicid — veprime të rrënjosura në norma patriarkale. Kur dhe nëse ka ndonjë përgjigje ndaj femicidit, ata prapë përdorin “traditën” apo mbështeten në etnocentrizëm për ta dënuar atë. Gratë nuk duhet të vriten sepse është kundër traditës, thonë. Rasti një gruaje të vrarë është tragjik sepse kombi humbi një grua që po bëhej nënë, thonë. Të dy reagimet riprodhojnë imazhin e rrjedhimisht rolin e grave si thjesht vegla për riprodhim shoqëror: prodhuese të bebeve për kombin.

Prandaj njohja dhe përkrahja ndaj përpjekjeve LGBTQ+ është jetike për ta sfiduar patriarkinë. Homofobia e mizogjinia nuk janë dy forma të ndara të urrejtjes — ato ushqejnë njëra-tjetrën dhe të dyja bashkë i kanë rrënjët në patriarki.

Në editorialin tim për revistën “Seks”, 10 vjet më parë, kam shkruajtur: “përfundimisht, beteja midis dhe përbrenda sekseve reduktohet te kërkesa e thjeshtë që në aktin e seksit, burrat veprojnë (penetrojnë) dhe gratë pranojnë (pranuese pasive). Të njëjtit përcaktues të marrëdhënieve ‘normale’ heteroseksuale, përdoren për ta justifikuar homofobinë. Hapësira për t’i sfiduar këto norma duket e vogël”.

Homofobia e mizogjinia nuk janë dy forma të ndara të urrejtjes — ato ushqejnë njëra-tjetrën dhe të dyja bashkë i kanë rrënjët në patriarki.

Përpjekjet për t’i kontrolluar trupat dhe jetët e njerëzve të cilitdo identitet seksual apo gjinor ­­— lezbike, gej, biseksual, transgjinor, interseks, queer e madje edhe të burrave e grave cisgjinorë –– janë të rrënjosura në dinamikat e pushtetit rreth vetë seksit; janë përpjekje për të kontrolluar se çka mund të bëjnë a ndiejnë trupat, se si mund të duken ata, se kë mund të zgjedhin ata e edhe se a mund të zgjedhin ata apo jo. Kjo më dërgon te emri i revistës sonë 10 vjet më parë: Seks.

Kur vendosëm ta bëjmë revistën “Seks” në vitin 2012, e përqafuam atë moment si mundësi për t’i shtjelluar mënyrat se si ne si shoqëri e ngulfasim veten me ngurtësi dhe konformitet. Seksi ishte pikënisja e diskutimit për vetë-identifikimin, vetë-kujdesin dhe agjencinë. Po ashtu, seksin e trajtuam si politik, si mënyrë se si trupat tonë kontrollohen e disiplinohen.

Gazetaria jonë është udhëhequr gjithnjë prej bindjes që e kemi obligim professional që të analizojmë dhe ta bëjmë të dukshme atë që mbahet e fshehur apo atë që nuk vihet në pyetje. Sulmi i para 10 viteve na tregoi se sa e rëndësishme është që vazhdimisht t’i sfidojmë idetë rreth asaj që konsiderohet “e natyrshme” apo “e vërteta” dhe se si liritë kolektive nuk fitohen pa i njohur përpjekjet e vuajtjet e gjithsecilit veç e veç. Ne e pamë se si gazetaria ka fuqinë të transformojë kur njeh, dëgjon dhe i vendos këto përpjekje e vuajtje në thelb të kujdesit apo kërkimit.

Kjo do të thotë se në K2.0 ne këmbëngulim në të kuptuarit e traditës që shkon përtej fantazive të ngushta konservative. Tradita për ne është një vend prej të cilit gërmojmë modele të reja për drejtësi e barazi. Ne mbështetemi e e ndërtojmë traditën tutje mbi përvojat e angazhimit qytetar, rezistencës e protestës.

Kjo do të thotë se edhe rininë ne nuk e shohim si grup homogjen apo pjesë pasive demografike, por si fuqi që mund të ridefinojë botën tonë.

Do të thotë sfidim i kuptimit të institucionit të familjes — prej thjesht një vegle të riprodhimit shoqëror në një hapësirë të solidaritetit, që shkon përtej thjesht lidhjeve të gjakut.

Do të thotë refuzim i dikotomive të ngurta gjinore, me qëllim që t’i njohim e çmojmë të gjitha mënyrat se si njerëzit identifikohen.

Sot shënojmë një dekadë që prej kur ndodhi një përpjekje e dhunshme për ta kontrolluar sferën publike. Shënojmë një dekadë prej kur liria e shprehjes, shprehja, identifikimi dhe ekzistenca u sulmuan. 

Sot shënojmë një dekadë të fuqisë e rezistencës së njerëzve LGBTQ+ që jetojnë pa kompromis kur është fjala për qeniet e tyre dhe ne, në K2.0, premtojmë të mundohemi t’i jetësojmë qëllimet tona gazetareske, që jo vetëm të raportojmë për botën, por të provojmë ta riimagjinojmë atë e kështu, ta ndërrojmë atë — ta bëjmë më të mirë.

 

Imazhi i ballinës: Kosovo 2.0.