Publiku kosovar, sidomos individët lezbike, gej, biseksualë, transgjinorë e queer (LGBTQ+) u tronditën me lajmin për vdekjen e Anna Kolukaj, një grua transgjinore, e cila i dha fund jetës më 22 korrik të vitit 2022.
Vdekja e papritur e Annës, e cila ishte aktiviste dhe performuese drag, zuri vend me shumë shpejtësi në shumë medie vendore.
Siç ndodh shpesh kur është fjala për të drejtat LGBTQ+, raportimi për ngjarjen ishte jo profesional. Shumë prej tyre dështuan t’u përmbahen edhe standardeve etike të raportimit rreth vetëvrasjes e edhe atyre të raportimit për njerëzit LGBTQ+, duke e bërë raportimin dyfish problematik.
Si fillim, shumë prej medieve nuk hezituan të ndanin hollësi rreth Annës, duke përdorur tituj sensacional, të llojit: “Ky është djali që u gjet i vdekur” e “E dhimbshme: 22-vjeçari gjendet i vdekur”. Ky keqraportim shpërfilli udhëzimet që kërkojnë që vetëvrasja të trajtohet si çështje e shëndetit publik e jo si mundësi për të tërhequr vëmendje, komente e numra.
Përpos kësaj, shumë medie nuk përdorën emrin Anna, emër me të cilin identifikohej ajo. Në vend të kësaj, përdorën emrin që ia kishin dhënë në lindje dhe me shpejtësi raportuan se Anna ishte pjesë e komunitetit LGBTQ+. Nëpër seksionet e komenteve vërshoi gjuha e urrejtjes, e cila nuk u monitorua nga mediet përkatëse. Aty u përforcua tutje refuzimi ndaj identitetit të Annës.
Çka tregon kjo?
Një raportim i tillë flet për faktin se mediet në Kosovë kanë ende shumë keqkuptime kur bëhet fjalë për përdorimin e përemrave të përshtatshëm, sidomos për personat trans. Identitetet e këtyre personave janë të nënpërfaqësuara dhe kur ato përfaqësohen janë të pasakta, stereotipike dhe madje të dëmshme.
Termi transgjinor, është term ombrellë për personat, identiteti gjinor dhe/ose shprehja gjinore e të cilëve nuk përputhet me seksin e tyre të lindur. Njerëzit transgjinorë mund të zgjedhin t’i nënshtrohen trajtimit të hormoneve, të përshkruar nga mjekët, në mënyrë që trupin ta harmonizojnë me identitetin gjinor; disa mund të zgjedhin edhe t’i nënshtrohen operacionit. Sidoqoftë, jo të gjithë personat transgjinorë mund të ndërmarrin hapa të tillë ose jo të gjithë zgjedhin këtë trajtim. Prandaj, identiteti transgjinor nuk mbështetet thjesht në pamjen fizike ose ndërhyrjen mjekësore. Si rrjedhojë, zgjedhja e personit të identifikohet me përemër të caktuar duhet të respektohet.
Megjithatë shumë medie nuk e bënë këtë. Sipas raportit “Lëvizja LGBT” të publikuar nga organizata Center for Equality and Liberty në Kosovë dhe organizatat tjera partnere në Ballkan, gazetarët në Kosovë janë ende të painformuar, më shumë të interesuar për histori të fryera/të zmadhuara personale sesa për t’i ofruar publikut informacione të nevojshme që do të kontribuonin në ndërgjegjësimin dhe pranimin shkallë-shkallë të personave LGBT+.
Kësisoj, del që Kosova është një vend ku të drejtat e LGBT+ kanë qenë dhe janë një temë e polemikave dhe diskriminimit, por jo edhe e problemeve reale strukturore dhe diskriminimit ndaj njerëzve LGBTQ+. Përderisa ka pasur disa përmirësime viteve të fundit, mbulimi i mediave për çështjet LGBT+ në Kosovë është akoma i përzier.
Ashtu sikur raportimet për vdekjen e Annës, mediet në Kosovë janë kritikuar për forcimin e stereotipeve negative dhe diskriminimin ndaj njerëzve LGBTQ+ në përgjithësi. Raportimet për krimet e urrejtjes dhe diskriminimit ndaj individëve LGBTQ+ janë të pakta dhe edhe kur bëhen, shpesh trajtohen si raste të izoluara e nuk përqendrohen në domethënien e këtyre krimeve, përgjegjësitë institucionale e në kontekstin më të gjerë në të cilin jetojnë njerëzit LGBTQ+.
Një shembull po aq i freskët është mënyra se si u raportua në mars 2022, kur në Parlament u vendos për diskutim e votim projekt-Kodi Civil. Së pari, shumë medie zgjodhën të raportojnë vetëm për një nen të Kodit Civil, duke thënë se ai nen do të njihte martesat midis personave të seksit të njëjtë –– gjë që ishte e pasaktë. Projekt-Kodi Civil, përbëhej prej 1,630 neneve dhe një nga ta thjesht hapte rrugë për bashkësitë civile midis personave të seksit të njëjtë, të cilat do të rregulloheshin përmes një ligji tjetër.
Po ashtu, disa medie kontribuuan në shtimin e paragjykimeve, duke përsëritur gjuhën e ngjashme, që u përdor në parlament gjatë seancës e që ishte përplot keqkuptime, paragjykime e gjuhë urrejtëse. Disa medie, për ta diskutuar Kodin Civil, respektivisht mundësinë e bashkësive civile midis personave të të njëjtit seks, në studio televizive ftuan individë, figura publike, prijës fetarë, politikanë, të cilët kanë shprehur edhe në të kaluarën e shprehën edhe aty, qëndrime rrënjësisht homofobike.
Mënyra se si mediet raportojnë për çështje të caktuara ndikon në formësim të qëndrimeve e sjelljeve, përtej hapësirës mediale. Keqraportimi për vdekjen e Annës, Kodin Civil dhe përgjithësisht çështjet LGBTQ+ nuk janë praktikë e re dhe raste nga e kaluara kanë dëshmuar se ky lloj raportimi, ka fuqi që dhunën ta çojë edhe përtej sferës online.
Në dhjetor të vitit të kaluar, revista KOSOVO 2.0 shënoi 10-vjetorin e sulmit ndaj ekipit të tyre e mbi të gjitha, ndaj përpjekjeve për të shtjelluar çështjet LGBTQ+, si dhe ndaj lirisë së shprehjes. Në vitin 2012, K2.0 po përgatitej për ngjarjen e lansimit të revistës “SEKS” ekipin e revistës, bashkë me hapësirat ku do të zhvillohej ngjarja, e sulmuan një grup burrash. Këtë sulm e ndihmoi raportimi i gabuar i medieve, të cilat, duke dhënë informacion të pasaktë për ngjarjen, jo vetëm që nxitën keqkuptime rreth ngjarjes, por edhe urrejtje, që u manifestua me dhunë.
Mediet, në vend se të raportonin se si aty u shtypën të drejtat e njeriut dhe u pengua liria e fjalës, ato kontribuan në sensacionalizimin e natyrës së ngjarjes.
Një nismë kundër rrymës
Përkundër kësaj gjendjeje të vështirë e këtij ambienti medial ende përjashtues, ka edhe medie që po punojnë në mënyrë aktive për të rritur ndërgjegjësimin, për të promovuar të drejtat e personave LGBTQ+ e për ta ndërruar këtë paradigmë diskriminuese ndaj njerëzve LGBTQ+. Kjo po bëhet duke integruar formate të reja mediale e duke sjellur rrëfimet e njerëzve LGBTQ+ në sipërfaqe.
Një nga këto nisma mediale është ajo e Institutit Sekhmet, të cilin e udhëheq unë, bashkë me blogun Sbunker, që përmes një prodhimi cilësor të gazetarisë kanë realizuar një projekt, i cili ka ofruar narrativa të reja dhe kundërvepruese në një gamë të gjerë të jetës dhe përvojave të individëve LGBTQ+ në Kosovë.
Përmes një serie prej gjashtë podkasteve, nën titullin “Ylber”, jetët LGBTQ+ u vunë në qendër të një diskutimi thelbësor e të mirëinformuar. Ne, përmes këtij projekti, shfrytëzuam formatin medial të podkastit, si hapësirë ku vetë njerëzit LGBTQ+ flasin dhe tregojnë rrëfimet e tyre –– diçka që mungon në sferën mediale në Kosovë. Pos kësaj, përfshimë mendimet e diskutime nga ekspertë/e e aktivistë/e, duke u përpjekur të kundërshtojmë paragjykimet, që shpesh vijnë si rezultat i eksploatimit të rrëfimeve LGBTQ+ për të krijuar sensacion e për të tërhequr lexueshmëri.
Në një mungesë informatash, nënpërfaqësim e përmbajtje urrejtëse, është kritike që mediet të angazhohen në kundërshtimin e këtyre praktikave, që kanë çuar në normalizim të dhunës. Në vend të kësaj, në podkastet tona folëm për njohjen ligjore të martesave midis njerëzve të të njëjtit seks, daljen hapur dhe tranzicionin gjinor, shëndetin seksual e mendor të personave LGBTQ+, homotransfobinë në vendin e punës –– brenga strukturore me të cilat përballen personat LGBTQ+. Këto shërbyen edhe si thirrje për mbrojtje institucionale e presion për prioritizim të përpjekjeve kundër diskriminimit.
Nismat mediale si kjo do duhej të mos ishin të izoluara, por të shndërrohen në praktikë të përditshme të redaksive në Kosovë. Për të ngritur diskutime të informuara për çështjet LGBTQ+, mjafton të bëni kërkime në internet për udhëzues se si të raportohet për çështjet LGBTQ+ apo edhe të drejtoheni tek organizatat, që punojnë në këtë fushë.
Jemi dëshmitarë të ndikimit të fuqishëm që mediet e kanë, qoftë për ta përshkallëzuar dhunën ndaj një grupi, qoftë për ta reduktuar atë. Koha është që ta bëjmë zgjedhjen e duhur.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0