Ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë në Kosovë, qofshin ato politike apo presion social ndaj gjykatave e prokurorive kanë qenë të mëdha e të rregullta ndër vite. Administrimi i përgjithshëm i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadaltë, joefikas dhe i cenueshëm ndaj ndikimeve të panevojshme, thuhet në Raportin e Progresit të vitit 2022 të Komisionit Evropian për Kosovën. Këto ndërhyrje kanë rezultuar në një besueshmëri të ulët qytetare në sistemin e drejtësisë dhe kjo është shqetësuese. Shkaktarët që e kanë krijuar klimën e mosbesimit në këtë sistem janë ende ekzistentë.
Problemi i mosbesimit shfaqet në të gjitha shtetet e reja dhe ato që janë në tranzicion. Pikën e përbashkët e gjejmë tek mungesa e vetëdijësimit qytetar se sistemi i drejtësisë funksionon dhe kjo dallon nga shkalla e efikasitetit. Po ashtu, tek ajo se qytetarëve u duhet kohë të përshtaten dhe të besojnë në institucione të reja — sistemi i drejtësisë në Kosovë mbush vetëm dy dekada.
Ndërkohë, aferat korruptive brenda sistemit dhe tempoja kryesisht e ngadaltë e zgjidhjes së lëndëve — me mijëra lëndë rrijnë të pazgjidhura nëpër gjykata për shkak të kapaciteteve të ulëta — e forcojnë perceptimin se sistemi i drejtësisë nuk funksionon. Por, paralelisht, ka mijëra lëndë tjera që zgjidhen në kohë, andaj perceptimi publik për funksionalitetin e këtij sistemi shpesh paraqet gjendje më të keqe se ajo faktike.
Kosova, në bazë të normave kushtetuese dhe ligjore, ka një sistem modern të drejtësisë, të bazuar në modelet e vendeve perëndimore. Ky sistem garanton dhe mbron të drejtat dhe liritë për secilin individ. Si shtet i ri, me perspektivë për integrim evropian, duhet të krijojmë një vetëdijësim qytetar për ta kuptuar funksionimin dhe për të pasur besim në sistemin e drejtësisë, sigurisht paralelisht duke e rritur edhe efikasitetin e këtij sistemi.
Besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë ndikon në rritjen e sigurisë dhe mirëqenies invididuale, në kuptimin e besimit se shteti mbron dhe garanton të drejtat dhe liritë e qytetarëve. Në anën tjetër, mungesa e besimit tek sistemi i drejtësisë transmeton tek qytetarët pasiguri dhe mosbashkëpunim me këto organe, potencialisht duke rikthyer fenomenin e vetëgjyqësisë.
Nga vjen mosbesimi në sistemin e drejtësisë?
Sipas një hulumtimi të Institutit Demokratik të Kosovës (IDK) të muajit shtator 2022, kur qytetarëve iu parashtrua pyetja “Sa i besoni sistemit të drejtësisë në Kosovë?”, në vlerësimin prej 1-5 ku 1=aspak dhe 5=plotësisht, rezultati i përgjithshëm doli në vlerën prej 3.14. Atëherë, cilat janë shkaqet e mosbesimit qytetar ndaj organeve të drejtësisë?
Shkaqet e shfaqjes së kësaj problematike janë zhvilluar prej kohësh në disa dimensione. Fillimisht, mosbesimi vjen nga e kaluara jonë, periudha kur nuk kemi pasur institucione vendore të drejtësisë. Para çlirimit në vitin 1999, në të shumtën e kohës, Kosova është qeverisur nga regjime të ndryshme politike dhe kjo ka ndikuar negativisht në vetëdijen e qytetarëve dhe prirjen për t’iu kundërvënë sistemit të drejtësisë. Gjykatat e prokuroritë janë konsideruar si institucione që nuk u takojnë atyre dhe si diçka e huaj. Persekutimet e shumta nga ish-sistemi jugosllav ndaj shqiptarëve kanë lënë njollën e zezë për “sistemin e drejtësisë” në vetëdijen e atyre që janë përballur me to dhe kjo paraqet dimensionin e parë të mosbesimit ndaj drejtësisë. Duke i konsideruar institucionet e drejtësisë si të huaja, qytetarët kanë pasur tendencë të vendosin drejtësi vetë pa paraparë ndonjë sistem institucional organizativ të zbatimit të së drejtës. Thellë në vetëdijen tonë, drejtësia ka prirje të funksionojë sipas kanunit dhe vetëgjyqësisë.
Në dimensionin tjetër, që prej kohës së themelimit të gjykatave e prokurorive vendore, ndikimet e ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë (përfshirë aferat korruptive) kanë qenë jo të rralla. Kanë qenë të shumta e të shpeshta aferat korruptive në të cilat janë përfshirë vetë zyrtarë të institucioneve të drejtësisë, të cilët kanë kaluar pa asnjë ndëshkim. Në Raportin për të Drejtat e Njeriut në Botë për vitin 2018, të publikuar nga Departmenti Amerikan i Shtetit, në pjesën për Kosovën, thuhet se “Zyrtarët, nganjëherë, janë angazhuar në praktika korruptive pa u ndëshkuar. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe dobësia e përgjithshme në sundimin e ligjit kanë kontribuar në këtë problem.”
Qeveritë e njëpasnjëshme dhe figurat politike në përgjithësi kanë ushtruar presion dhe ndërhyrje të vazhdueshme në organe të drejtësisë, si për shembull përmes emërimit të personave me lidhje partiake në krye të institucioneve të drejtësisë. Nuk është i vogël numri i rasteve kur politika dhe ndikimet e formave tjera “kanë kryer punë” edhe në procedura penale të figurave të ndryshme publike. Autoriteti i politikanëve ka nënshtruar policinë, prokurorinë e gjykatën. Shquhen rastet e akuzave për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare nga eksponentë të lartë politikë, të cilët u liruan nga akuza pasi mbrojtjen më të vlefshme në rastet gjyqësore e kishin pikërisht pozitën zyrtare.
Procedurat disiplinore ndaj gjyqtarëve e prokurorëve për raste të tilla kanë qenë pothuajse inekzistente. Ndërkohë, vetingu i proklamuar nga Lëvizja Vetëvendsoje (LVV) si reformë rrënjësore në sistemin e drejtësisë është afër dështimit. Opinioni i Komisionit të Venecias për Vetingun kufizoi vetingun nga të plotë në të pjesshëm duke mos u pajtuar me konceptin fillestar të qeverisë, kurse në Raportin e Progresit të vitit 2021 të Komisionit Evropian për Kosovën thuhej se “Vlerësimi i plotë i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve është shqetësim serioz”. Procedura për veting është stërzgjatur dhe nuk ka ndonjë afat të parashikueshëm se kur mund të implementohet ky proces, sigurisht jo brenda mandatit të tanishëm të qeverisë. Mosndëshkimi i aferave korruptive brenda sistemit e ka forcuar argumentin e mosbesimit.
Një tjetër trend që ndihmon në mosbesimin e qytetarëve në këtë sistem është raporti më i tensionuar i qeverisë së udhëhequr nga LVV. Kohëve të fundit kemi parë akuza publike të ndërsjella mes tyre dhe Këshillit Gjyqësor e atij Prokurorial, ku këto të fundit janë akuzuar për njëanshmëri e politizim ndërkaq ato e kanë akuzuar qeverinë për ndërhyrje në pavarësinë e tyre. Organ i sulmuar i drejtësisë nga politika, me raste, ka qenë Gjykata Kushtetuese. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, publikisht ka akuzuar Gjykatën Kushtetuese për “interesa individuale” dhe anshmëri në vendimet e tyre që ndërlidhen me legjislacionin e miratuar nga kjo qeveri e që është dërguar në Kushtetuese kryesisht nga partitë opozitare. Kjo nuk ndodh rastësisht. Gjykata Kushtetuese është organi kryesorm i cili kontrollon ushtrimin e pushtetit politik nga ekzekutivi dhe legjislativi, duke qenë gjithmonë në mbrojtje të kushtetutshmërisë. Në perspektivën e liderëve politikë, veprimtaria e Gjykatës Kushtetuese shihet edhe si kufizim i ushtrimit të pushtetit, duke legjitimuar kështu goditjet ndaj saj.
Një faktor tjetër që ka kontribuuar në forcimin e mosbesimit në sistemin e drejtësisë kanë qenë edhe akuzat në rrafsh publik drejtuar organeve të drejtësisë për rastet më të ndjeshme që kanë ndodhur për vite me radhë. Me mosbesimin ndaj sistemit dhe mungesës së informimit së mënyrës së funksionimit së tij, shumë qytetarë e analistë nëpër studio kanë ndierë të drejtën për t’ia bërë gjyqin të përfshirëve në veprat penale të vrasjeve dhe dhunimeve (raste me ndjeshmëri të lartë shoqërore) pavarësisht punës së organeve të drejtësisë. Megjithëse liria e shprehjes ua siguron këtë të drejtë, është shqetësues sulmi i vazhdueshëm që nxitë mosbesim ndaj sistemit të drejtësisë.
Pavarësisht se ekzistojnë arsye të shumta për mosbesimin në sistemin e drejtësisë, ky mosbesim nuk qëndron i izoluar. Besimi në drejtësi konsiderohet si shtyllë e besimit institucional ngase ajo është baza e rregullimit juridiko-shoqëror. Mosbesimi në drejtësi ndikon në mosbesim në institucionet e një shteti në tërësi
Andaj, duhet të merren masa konkrete, së pari për rritjen e efikasitetit të institucioneve të drejtësisë dhe besimin e qytetarëve në to, ngase siguria qytetare dhe garantimi i të drejtave (që përfshin edhe besimin ndaj organeve të drejtësisë) konsiderohen faktor jetik në funksionimin e shtetit modern.
Imazhi i ballinës: K2.0
Derisa lëndët Gjyqësore nuk zgjidhen në bazë të fakteve- argumenteve- provave dhe dëshmive ,por të njejtat mbyllen me ndërhyrjet politike apo nga grupe të caktuara sociale,atëherë mosbesimi tek sistemi i Drejtësisë në Kosovë do të jetë përherë prezent.