Pikëpamje | Serbia

Njerëzit e vërtetë mbrapa ushtrisë online të Vučić

Nga - 01.09.2023

Tabela, që rrodhi në internet, zbulon emrat dhe vendndodhjet e ushtrisë online të qeverisë serbe.

Ishte 8 korrik, diku katër dhjetë minuta pas mesnate. U futa në Twitter dhe pashë një njoftim. Në një shkëmbim publik, që po e zhvilloja me një koleg gazetar, ndërhyri një Sofija, e cila më pyeti nëse kisha ndonjë gjë tjetër më të mirë për të bërë, sesa thjesht të shpërndaja gënjeshtra gjatë gjithë kohës.

E kopjova emrin e saj të përdoruesit dhe e kërkova në një tabelë të gjatë në Excel, të cilën e kisha shfletuar tërë ditën. Bingo — Sofija ishte pjesë e tabelës! Vetëm se emri i saj i vërtetë nuk është Sofija. Është Slobodan.

“Qetësohu, Slobodan”, iu përgjigja Sofijas. Menjëherë pas kësaj, në vend se të më përgjigjej, provokuesi fshiu llogarinë e tij.

Më kaploi një ndjenjë kënaqësie, që më saktë mund të përshkruhet me fjalën e njohur gjermane Schadenfreude. Iu gëzova pa masë dhimbjes së dikujt tjetër. E paramendova Slobodanin — që sipas tabelës ndodhet në lagjen qendrore të Beogradit, “Vračar” — të tmerruar kur pa emrin e tij në tweet tim.

Për vite të tëra, Slobodan, i bindur se është i sigurt mbrapa një llogarie të rreme, ka fyer disidentët/et, kritikët/et dhe kundërshtarët/et e partisë në pushtet, Partisë Progresive Serbe (SNS). Megjithatë, një “Qetësohu, Slobodan” ishte krejt çka u desh për ta ndalur Sofijan dhe ta bëja të ikë.

Prej nga erdhi kjo tabelë?

Sipas kompjuterit tim, tabela e Excel me titull “27-06-2023” zë hapësirë rreth 750 kilobajt. Sidoqoftë, ndikimi i saj ka tejkaluar shumë madhësinë e saj.

Dokumenti është përmbledhje e të dhënave që lidhen me llogaritë aktive të bots (shkurtesë për fjalën robot, që do të thotë program kompjuterik që operon si agjent, përdorues a program apo për të simuluar aktivitet njerëzor) të SNS në Twitter, Facebook, Instagram dhe TikTok. Çdo rresht përmban emrin, mbiemrin dhe vendndodhjen e vërtetë të përdoruesit.

E qasshme në internet që nga 6 korriku, tabela u postua në Twitter nga @protivdictature, një profil që shpesh ofron informacione të brendshme për SNS. Disa nga “raportet” e tyre janë të fryra, ngjasojnë me tabloidet, kundërthënëse, të dyshimta apo të paverifikueshme, ndaj edhe dokumenti i ri u prit me pikëpyetje.

Megjithatë, instinkti im i brendshëm më thoshte se tabela ishte e vërtetë. Vështirë të besohet se dikush ka kaq shumë kohë të lirë për t’i vendosur në Excel mijëra emra përdoruesish, bashkangjitur me informacione personale të rreme. Sipas ligjit të Brandolini, sasia e kohës që duhet për të krijuar një dezinformatë është në raport të zhdrejtë me sasinë e kohës që nevojitet për ta zbërthyer atë. Kjo është arsyeja pse nganjëherë duhen javë hulumtimesh për ta hedhur poshtë një gënjeshtër të krijuar në pesë sekonda.

Në rastin e tabelës së botëve të SNS ishte e kundërta. Në mënyrë hipotetike, nëse do të fabrikohej, kjo do të nënkuptonte se dikush do t’i kushtonte javë të tëra dhe përpjekje kreative për të krijuar kombinime të rastësishme të emrave dhe mbiemrave, për një intrigë që mund të zbulohej lehtësisht brenda një ose dy ore.

Për t’i kontrolluar faktet e tabelës, fillova nga vendlindja ime. Tabela renditë tetë gra nga Bačka Topola. Nuk kisha dëgjuar asnjëherë për asnjërën prej tyre, kështu që emrat e tyre ua dërgova të afërmve të mi. Shumë shpejt, familja dhe miqtë në vendlindje ma konfirmuan se ato tetë gra ekzistojnë dhe se jetojnë dhe punojnë në Bačka Topola.

Me ndihmën e kolegëve të mi në “FakeNews Tragač”, nisa një analizë më të thellë të të dhënave. Kemi kontaktuar edhe njërin nga personat në listë. Këtu do ta quajmë Slavko. Slavko tha se të gjitha të dhënat në tabelë rreth tij dhe “shokëve” të tij të vendlindjes janë të vërteta.

Si e fitoi Slavko punësimin e tij?

Slavko jeton në Serbinë jugore. Pasi përfundoi me sukses nivelin Bachelor dhe Master në Beograd, u kthye në vendlindje ku iu ofrua një punë në një institucion lokal. Përgatitja e tij akademike e bëri atë shumë të kualifikuar për këtë pozitë.

Diplomat nuk mjaftuan. Slavkos iu desh ta arsyetonte punësimin e tij përmes aktivizmit partiak. Atij iu kërkua të krijonte llogari në rrjetet sociale dhe të bënte disa punë pro-qeveritare dhe më 26 maj, i erdhi udhëzimi t’i bashkëngjitej tubimit të madh të SNS në Beograd.

Në të dyja rastet protagonisti ynë ishte në një pozitë të vështirë. Në Beograd shkoi me autobusin e kontraktuar nga partia, por pastaj u largua me vrap dhe iu shmang pjesës më të madhe të tubimit. Llogaritë i hapi për propagandë pro-SNS, por ato i përdorte në mënyrë shumë pasive; kurrë nuk ofendoi apo nuk u konfrontua me argumente me të tjerët, thjesht i pëlqente, i shpërndante dhe i bënte retweet postimet.

Rrjeti i botëve tashmë të fshirë të Vučić postoi mbi 43 milionë tweets.

Gjithçka që bën Slavko për SNS gjurmohet dhe shënohet përmes një platforme të konsoliduar në internet të njohur si “Castle” [shqip: Kështjella], pika qendrore e një raporti të vitit 2020 të BIRN. Një gazetare e organizatës investigative arriti të “futej fshehurazi” në “kështjellë” me ndihmën e hakerëve/eve, që gjetën një hapësirë në sistemin e sigurisë dhe ia dolën ta dëshmonin drejtpërdrejt zinxhirin komandues të SNS. Ajo vëzhgoi se si aktivistët/et në internet marrin detyra, përfshirë edhe shkrimin e postimeve mbështetëse, konfrontimin me njerëz në Facebook dhe Twitter, si dhe votimin pro ose kundër komenteve në faqet e portaleve.

Në të njëjtin vit, 2020, Twitter kishte hequr rreth 8,500 llogari që u zbuluan se ishin në shërbim të SNS. Daniel Bush, një studiues në Stanford, bëri një meta-analizë të të dhënave mbi këtë temë dhe doli me disa rezultate interesante. Sipas këtij hulumtimi, rrjeti i botëve tashmë të fshirë të Vučić postoi mbi 43 milionë postime në Twitter, vazhdimisht duke pasur në cak organizatorët dhe pjesëmarrësit e protestave opozitare “1 në 5 milionë” dhe shpesh shpërndante përmbajtje të publikuara nga mediet pro-qeveritare si “Informer”, “Alo” dhe “Pink”.

Si u mbajt sekret për kaq shumë kohë?

Tri vjet më parë, zbuluam se si funksiononte sistemi dhe sa i konsoliduar është, por ende nuk kishim njohuri se kush ishin operatorët e tij. Ky mister u zgjidh tek këtë verë.

Pse ky informacion nuk rrodhi më herët? Shumë herë e kam pyetur veten: si s’kemi më shumë informatorë të brendshëm. Si është e mundur që një grup i përbërë nga mijëra individë, që janë pjesë e këtij sistemi, s’janë ndierë të zhgënjyer, të inatosur apo nuk janë hakmarrë aq sa të dalin — publikisht ose në mënyrë anonime — dhe të flasin? Duhet ta kesh një njeri të besueshëm që t’i kryen punët e ndyra. Ndoshta disa njerëz. Një grup i vogël brenda një më të madhi. Por si ia doli SNS t’i shfrytëzojë mijëra njerëz që t’i kryejnë punët e ndyra dhe si ia doli t’i mbajë të heshtur?

punimin e tij të vitit 2016, David Robert Grimes, një fizikant i ri në Oksford, përpiqet ta parashtrojë një model matematikor që do t’i jepte një përgjigje kësaj pyetje. Nëse supozimet për një konspiracion të caktuar janë të vërteta, sa kohë duhet që njëri nga “komplotistët” e përfshirë të zbulojë detaje mbi operacionin sekret me ose pa dashje?

Grimes e bazoi ekuacionin e tij në numrin e njerëzve që ruajnë sekretin, kohën që kalon dhe rrethanat që e bëjnë më të lehtë ose më të vështirë zbulimin e komplotit. Për shembull, duke përdorur formulën e tij, ai argumenton se nëse ulja në hënë në vitin 1969 do të kishte qenë një mashtrim, duke pasur parasysh numrin e njerëzve të përfshirë në program, mashtrimi do të ishte zbuluar në më pak se katër vjet.

Modeli Grimes i testuar kundër teorive popullore konspirative (“vaksina MMR shkakton autizëm”, “ndryshimi i klimës është mashtrim”, “kura për kancerin është zbuluar, por mbahet sekret për publikun” etj.) është i zbatueshëm për projekte të vërteta sekrete. Sipas formulës së Grimes, betimi për heshtje zgjat rreth pesë vjet nëse ka rreth 2,500 “agjentë” të përfshirë.

Sa “agjentë” ka SNS?

Ndonëse shumë njerëz që kanë shfletuar nëpër tabelën e Excel e kanë parë se në të gjenden 14,000 njerëz, e kanë vërejtur se ky nuk është numri i individëve, por i llogarive.

Siç është përcaktuar nga ekipi i “FakeNews Tragač”, janë gjithsej 3,162 persona të radhitur në tabelë. Shumica e tyre me banim në Kruševac, Šabac dhe Leskovac. Vetëm shtatë komuna serbe nuk ishin të përfaqësuara. Një shqyrtim më i thellë — si analiza e Stanford e vitit 2020 — nuk mund të bëhet sepse Twitter largoi mundësitë për mbledhjen e meta-të dhënave, vetëm një javë përpara se tabela të bëhej publike.

Shumë keq. Po t’i kishim mbledhur meta të dhënat vetëm dy javë më herë, do të mund ta bënim një përmbledhje sistematike të mënyrës se si aktiviteti i përdoruesit ndryshon midis ditëve të javës dhe fundjavës, ose cilët persona kryejnë punën e botit brenda orarit të punës për të cilën paguhen nga xhepat e taksapaguesve.

(Unë e përdori termin “bots” gjatë gjithë këtij artikulli, ndonëse një term më i përshtatshëm do të ishte “astroturfers”. Këto llogari nuk janë softuerë që funksionojnë vetë, njerëzit prej së vërteti i drejtojnë ata. Megjithatë, mënyra se si lobojnë për partinë dhe presidentin e tyre i vë ata — në një kthesë paradoksale të ngjarjeve — në pozitën e “botëve”.)

Shumica e agjentëve të SNS nuk shkrijnë shumë mend për mesazhet e tyre.

Duke lënë anash mjeshtërit e pasionuar kreativ të fjalëve, shumica e agjentëve të SNS nuk shkrijnë shumë mend për mesazhet e tyre. Një postim në Twitter që thotë: “Politika e mençur e Aleksandar Vučić na ka sjellë prosperitet, duke na dërguar drejt një të ardhmeje më të ndritur”, të bën të mendosh se si një person i arsyeshëm mund të thotë diçka kaq boshe.

Ushtri në zmbrapsje

“Punët që bëjmë janë thjesht qesharake. E di sa lehtë vërehemi. E gjithë kjo bëhet për të shenjuar kutitë,” tha Slavko, duke shtuar se shumë njerëz nga komuniteti i tij lokal u larguan nga sistemi pasi u publikua tabela e Excel. S’mund ta duronin përçmimin nga fqinjët e tyre, si dhe miqtë dhe familja.

SNS qëndroi e heshtur pak kohë, por më pas udhëheqësit e saj filluan të postojnë imazhe të çuditshme me mbishkrimin “Po, edhe unë jam një bot i SNS” e shkruar me fontin “Comic Sans”. Është goxha zbuluese se si asnjë fotografi e botëve të “jetës reale” nuk është përdorur për këtë rast — të gjitha ato imazhe që tregojnë “ngrënësit e sanduiçëve” (një term nënçmues për votuesit e SNS) ishin në fakt fotografi të marra nga interneti.

Pasi Twitter fshiu 8,500 llogari bot në vitin 2020, SNS dëshmoi se mund t’i ndërtojë sërish këto burime digjitale relativisht shpejt.

Përkundër kësaj, detyra e tanishme duket shumë më e vështirë. A do të mundet SNS të fitojë kundrejt njerëzve — njerëzve të vërtetë si Sofija, në fakt Slobodan, kërkoj falje — të cilët u frikësuan dhe ikën sepse ndien turp, frikë apo ndoshta edhe faj?

 

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0. Pikëpamjet e shprehura në të janë të autorit/es dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e K2.0.

A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.