Gjatë javëve të fundit, është dukur gjithnjë më e sigurtë që afatet kohore që i kanë caktuar diplomatët perendimorë – dhe mbi të gjitha zyrtarët e SHBA-së dhe BE-së – për ta arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, janë tepër ambicioze.
Kemi pasur plot raste për të dëgjuar nga Johannes Hahn, Federica Mogherini, Matthew Palmer e madje edhe David Hale, që të dy palët duhet ta përdorin “momentin pozitiv” dhe ta arrijnë një marrëveshje në vitin 2019. Ky “moment pozitiv” u duk se ekzistoi pak a shumë në korrik dhe gusht të vitit të kaluar, kur Aleksandar Vučić dhe Hashim Thaçi treguan se një marrëveshje do të nënkuptonte “përcaktim/përmirësim të kufijve”.
Megjithatë tani, gati gjashtë muaj nga takimi i fundit i pasuksesshëm brenda strukturës së negociatave të Brukselit, gati pesë muaj pasi Kosova imponoi një taksë 100 përqindëshe mbi produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, duke i ndërprerë kështu negociatat për një periudhë të pacaktuar, me sa duket dialogu është në krizë të thellë dhe jemi larg ndonjë marrëveshjeje.
Me sa duket, për shkak të dështimit të pashmangshëm për ta arritur një marrëveshje sivjet, është e domosdoshme t’i analizojmë kontekstet e brendshme në Serbi dhe Kosovë, si dhe momentin gjeopolitik në të cilin është rajoni. E vetmja mënyrë është duke shpjeguar pse erdhi deri te “ndalimi” i dialogut dhe cilat alternativa do ta bënin të mundshëm vazhdimin e dialogut.
Situata e brendshme politike në Kosovë nuk ishte e përshtatshme për ta pranuar ndonjë marrëveshje tjetër që do të nënkuptonte “përcaktim të kufijve”. Pavarësisht përpjekjeve të Thaçit për ta bindur shoqërinë kosovare që ta mbështesin atë nëpërmjet eufemizmit të “përmirësimit të kufijve”, të cilin e prezantoi si mundësi për t’u bashkuar me Luginën e Preshevës, shumica e partive politike, përfshirë këtu një pjesë të partisë së tij PDK, e kundërshtuan një ide të tillë (duke pritur mundësinë që kjo do të çonte në një situatë ku do të duhej t’ia dorëzonim Serbisë katër komunat veriore apo pjesët e veriut).
Më i zëshëm në këtë rezistencë ishte Kryeministri Ramush Haradinaj, i cili e lidhi mbijetesën e tij politike me kundërshtimin ndaj Thaçit dhe idesë së “përmirësimit të kufijve”. Duke luajtur “mbrojtësin e interesit kombëtar”, Haradinaj me vendosmëri po e mbështet vendimin për të mos e shfuqizuar taksën 100 përqindëshe, e kështu po parandalon vazhdimin e dialogut dhe, sipas fjalëve të tij, po i parandalon bisedimet mbi premisën e një zgjidhje të bazuar në shkëmbim.
Për më tepër, miratimi i “Platformës së Dialogut”, që në postulatet e tij nënkupton ruajtjen e “integritetit dhe sovranitetit territorial të Kosovës”, si dhe themelimin e ekipit negociator (pa përfaqësues të Vetëvendosjes dhe LDK-së), disi po e pengon presidentin kosovar që të negociojë në mënyrë të pavarur për këto çështje.
Gjithashtu, me sa duket Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe (AKShS) është koncesion më i madh për Prishtinën se që do të ishte përcaktimi i kufijve. Një perceptim i ngjashëm ndahet nga publiku kosovar, siç është treguar nëpërmjet hulumtimit të institutit RIDEA, sipas së cilit 30 përqind e shqiptarëve të Kosovës do ta pranonin përcaktimin e kufijve në shkëmbim për njohje, ndërsa vetëm 20 përqind do ta pranonin dhemelimin e AKShS si pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve.
Liderët në Prishtinë janë këshilluar nga përfaqësuesit amerikanë në disa raste që të vendosin çfarë duan të japin në shkëmbim për ndonjë formë të njohjes nga Serbia dhe një vend në OKB. Nëse nuk arrijnë ta bëjnë këtë, mund të mos e kenë një mundësi të ngjashme për ta zgjidhur çështjen e Kosovës në të ardhmën e afërt. Pavarësisht të gjithave, një pjesë e mirë e liderëve të Kosovës janë të vendosur në pikëpamjen e tyre se kjo nuk mund të negociohet aktualisht.
Në anën tjetër, gjërat disi po komplikohen në Beograd. Ndonëse Presidenti Vučić ishte në kulmin e pushtetit të tij politik në korrik të vitit të kaluar, kur nisi zyrtarisht rrëfenja e shkëmbimit territorial, dhe dukej i aftë për ta realizuar (përkundër disa vështirësive) ndonjë lloj marrëveshje, situata tani ka ndryshuar pak a shumë.
Prej kur nisën protestat e opozitës në dhjetor, dhe pavarësisht faktit se fuqia e tyre nuk mund të vlerësohet ende, është e qartë se ata nuk do ta mbështesin Vučić për ta zgjidhur çështjen e Kosovës. Për këtë arsye, do të jetë disi e vështirë për autoritetet serbe ta pranojnë ndonjë marrëveshje në lidhje me Kosovën që nënkupton njohje eksplicite, e nuk u jep asgjë në shkëmbim.
Përcaktimi i territoreve (që përfshinë idenë për t’ia dorëzuar Serbisë katër komunat veriore me shumicë serbe) mund të jetë dikur një kompromis që publiku serb mund ta përbijë, por vetëm me shumë përpjekje. E vetmja rrethanë lehtësuese për Beogradin është se në këtë rast, nuk mund të akuzohet që nuk ka qenë bashkëpunues për çështjen e Kosovës sepse ndërprerja aktuale e negociatave mund t’i atribuohet palës së Kosovës.
Prandaj Vučić në disa qarqe në Perendim dhe mbi të gjitha në BE dhe SHBA lëvdohet si lideri serb me mundësinë më të madhe për ta zgjidhur çështjen e Kosovës, për shkak se askush nga opozita nuk po ofron zgjidhje.
Megjithatë, është fitore e dhimbshme, për shkak se Vučić i ka dy alternativa të hidhura. Po ta zgjidhë çështjen e Kosovës, ai nuk do të jetë më absolutisht i domosdoshëm për komunitetin ndërkombëtar, ndërsa po të mos e zgjidhë këtë çështje, pozita e tij do të vështirësohet, për shkak se sundimi joliberal i tij me gjithë shkeljet e sundimit të ligjit nuk mund të jetë i qëndrueshëm në afat të gjatë, për shkak të presioneve të brendshme dhe të jashtme.
Në nivel ndërkombëtar, situata është poaq e ndërlikuar. Përderisa Shtetet e Bashkuara dhe sintagma e tyre “nuk ka vija të kuqe por as çek të zbrazët” e kanë hapur derën për negociatat për përcaktim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve, me sa duket Kosova nuk është prioritet deri në pikën ku ata do të përdornin “artileri të rëndë” për t’i bindur liderët kosovarë. Njëkohësisht, liderët e BE-së, kryesisht Federica Mogherini, janë duke u ballafaquar me një krizë të legjitimitetit, dhe pushteti i tyre nuk e ka rëndësinë e njëjtë që e kishte në vitet e kaluara.
Duke marrë parasysh situatën e brendshme në BE, shpërblimi i anëtarësimit në BE tani është edhe më i largët, për Serbinë por posaçërisht për Kosovën. Ndërkohë, kundërshtuesit kryesorë të idesë së shkëmbimit territorial, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, janë të vendosur në qëndrimet e tyre dhe po bëjnë thirrje për maturi.
Me sa duket Gjermania specifikisht po ngulë këmbë që procesi të shtyhet pas zgjedhjeve për lidershipin e BE-së që do të mbahen këtë muaj. Sipas burimeve të afërta me diskutimet e vazhdueshme, kjo do ta hapte rrugën që dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të drejtohet nga një i dërguar i ri dhe special i BE-së – bashkë me Mogherinin, përfaqësuesen e lartë për punë të jashtme dhe politika të sigurisë – në vend se të drejtohet nga Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS).
Megjithatë, edhe nëse zgjidhja për Kosovën nuk arrihet deri në fund të vitit, edhe nëse procesi vendoset mbi baza të reja dhe me një përfaqësues të lartë të ri, shtrohet pyetja se çfarë mbetet për t’u negociuar dhe si do të duket plani drejt marrëveshjes?
A është e mundshme, pas spekulimit për shkëmbim territorial apo përcaktim të kufijve, të kthehemi në pozitën fillestare? A pret ndokush që Beogradi ta njeh Kosovën në shkëmbim për një perspektivë të largët për anëtarësim në BE, pa marrë asgjë nga Kosova? A është fare e mundshme t’i kthehemi negociatave për AKShS dhe mbrojtjen kolektive të të drejtave të komunitetit joshumicë serb në Kosovë, kur Prishtina refuzon të diskutojë për të?
Në fund të fundit, a është i mundshëm normalizimi i marrëdhënieve me të njëjtat elita që mirëpriten me duar të hapura për shkak të legjitimitetit nacionalist për ta zgjidhur çështjen e Kosovës, të cilët në ndërkohë lejohen ta konsolidojnë sundimin e tyre në bazë të parimeve autoritare? Elitat e njëjta që fillimisht krijojnë kriza, pastaj i zgjidhin me magji duke u prezantuar si të pazëvendësueshëm para komunitetit ndërkombëtar? Mundësia për progresin e elitave të tilla është e dyshimtë, për shkak se kanë dështuar në gjashtë vitet e fundit, dhe përpjekja e fundit për ta ndarë territorin mund të jetë e dështuar.
Megjithatë, nëse negociatat nisen përsëri dhe me gjasë zgjasin me vite, është koha që ata që po i marrin vendimet (dhe mbi të gjitha komuniteti ndërkombëtar) të fillojë të mendojë për një “rrugëtim më të pazakontë” dhe që, në vend se t’ua japin lirinë e plotë për të vepruar si duan elitave kleptokratike, të fillojnë ta vëjnë në dyshim mënyrën në të cilën këta liderë po i menaxhojnë shoqëritë e tyre.
Nëse vazhdojnë negociatat, atëherë a duhet ta konsiderojmë ndryshimin e “elitave” që kanë çuar deri te kjo situatë duke mbajtur negociata të fshehta për marrëveshjen finale dhe duke i ushqyer shoqëritë me rrëfenja të urrejtjes dhe kriza të inskenuara?
Para se të arrihet marrëveshja, pa marrë parasysh se a do të çonte në njohje implicite të Kosovës nga Serbia dhe anëtarësim në OKB apo njohje eksplicite (me apo pa përcaktim të kufijve), shkalla e plotë e marrëdhënieve duhet të normalizohet. Nuk duhet të mendojmë për lirinë e lëvizjes, tregtinë e lirë, të drejtat e minoriteteve, trashëgiminë kulturore dhe religjioze, dokumentet, financimin e komunitetit serb, telekomunikimin, minierat e Trepçës dhe Liqenin e Ujmanit, por duhet të diskutojmë vetëm për modele të zgjidhjes së marrëdhënieve.
Nëse arrihet kjo nëpërmjet negociatave dhe marrëdhëniet normalizohen në mënyrë teknike dhe diskursive (në mungesë të retorikës nacionaliste), njohja formale mund të jetë irelevante kur perspektiva për t’u bashkuar Beogradi dhe Prishtina në BE është kaq e largët.
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.