Blogbox | Shqipëria

A ka rëndësi vota e rinisë në Shqipëri?

Nga - 16.04.2021

Civil Rights Defenders në Shqipëri ngrenë pyetje të rëndësishme para zgjedhjeve.

Rinia e Shqipërisë po shkëputet gjithnjë e më shumë nga jeta politike teksa vendi shkon drejt zgjedhjeve vendimtare parlamentare më 25 prill. Një anketë e kohës së fundit nga Civil Rights Defenders paraqet gjetje sheqetësuese në lidhje me perceptimet e të rinjve për angazhimin politik, demokracinë dhe sundimin e ligjit në vend.

Mjerisht, shumica dërrmuese e rinisë (18-29) nuk beson në barazinë para ligjit (79%), ose që mund ta gëzojnë të drejtën për liri të tubimit (69%) ose për liri të asociimit (70%) pa iu nënshtruar pasojave. Këta faktorë, bashkë me rënien e pjesëmarrjes rinore në punën e partive dhe programeve politike, si dhe shkallën e lartë të papunësisë, lënë një brez që nuk sheh të ardhme në vendin e vet.

Shqipëria radhitet e katërta në botë sa i përket dëshirës së qytetarëve për të mërguar — pas Sierra Leones, e cila është në gjendje lufte, Haitit dhe Liberisë. Statusi demokratik i shtetit konsiderohet të jetë regjim tranzitor/hibrid dhe për nga liritë qytetare dhe të drejtat politike klasifikohet si vend pjesërisht i lirë.

Niveli shqetësues i përfshirjes së rinisë në politikë është bërë qartësisht i dukshëm me shpalljen e listave zgjedhore të vitit 2021; numri i kandidatëve të rinj është zvogëluar për 50% krahasuar me zgjedhjet e kaluara në 2017.

Për shkak të mungesës së përhapur të besimit te politika dhe të mospranisë së modeleve të progresit të bazuar në meritë që ka për themel konkurrencën e drejtë, rinia shqiptare nuk i sheh partitë politike si mënyrë kryesore për ndryshimin e shoqërisë dhe për avancimin e aftësive dhe ideve të tyre. Kësodore ekziston një keqkonceptim për angazhimin politik, i cili demonizohet nga publiku sepse shpeshherë njëjtësohet në mënyrë të gabuar me angazhimin partiak.

Mungesa e lidhjes

Modelet e përfaqësuara nga liderët partiakë ose figurat politike promovojnë oportunizmin dhe pasurimin e shpejtë dhe thjesht nuk lidhen me brengat e rinisë për papunësinë, cilësinë e edukimit dhe shkallën e lartë të migrimit.

Personalizimi i partive politike përmes një modeli autoritar — domethënë mungesa e debatit publik dhe polarizimi i skajshëm i diskursit — mbizotëron klimën politike të Shqipërisë. Gjuha e dhunshme ose seksiste dhe akuzat mes kandidatësh dominojnë gjatë fushatave zgjedhore në dëm të paraqitjes së platformave konkrete partiake.

Qytetarët ndihen tejet të papërfaqësuar nga partitë politike.

Një klimë e tillë shpie qytetarët, e sidomos rininë, drejt apatisë ose ekstremizmit politik dhe krijon një mungesë të besimit te progresi, gjë që ndikon daljen në votim gjatë zgjedhjeve.

Një anketë e vitit 2020 tregon se gjasa për të votuar në Shqipëri është zvogëluar për 21% në krahasim me 2016, gjë që reflekton zhgënjimin me institucionet qeverisëse dhe organet e opozitës. Qytetarët ndihen tejet të papërfaqësuar nga partitë politike. Gjatë 15 viteve të fundit, dalja në zgjedhje ka qenë gjithherë afër 50% të votuesve të regjistruar, përveç në zgjedhjet lokale të vitit 2019 ku dalja ka qenë vetëm 22.96% për shkak të një bojkoti nga opozita.

Për më shumë, në kushtet e jashtëzakonshme të shkaktuara nga pandemia, qeveria shqiptare ka bërë hapin e paprecedent për t’ua ndaluar votimin atyre që janë pozitivë me COVID-19 — për momentin mbi 35,000 njerëz anekënd vendit — gjë që është diskriminim ndaj tyre për shkak të gjendjes shëndetësore.

Ekspertët ligjorë dhe organizatat e të drejtave të njeriut kanë reaguar ndaj këtij vendimi, të cilin e kanë quajtur shkelje të Kushtetutës. Ka pasur mundësi të aplikoheshin masat sikur lejimi i fletëvotimeve postare ose ofrimi i një dite shtesë për votim, gjëra që janë vendosur në vende të tjera të botës që kanë mbajtur zgjedhje gjatë pandemisë — por jo edhe në Shqipëri.

Taktikat zgjedhore

Ndërsa praktikat më të mira diktojnë të mos ketë ndryshime të kornizave zgjedhore në vitin para zgjedhjeve, disa nga ndryshimet e bëra në ligjin zgjedhor të Shqipërisë në 2020, të cilat janë quajtur “tepër të ngutshme” nga Komisioni i Venedikut, do të jetë e pamundur të zbatohen për shkak të kornizës së kufizuar kohore.

Rinia mund të ketë peshë të madhe në këtë provë vendimtare për demokracinë e Shqipërisë.

Mundësimi i votës së diasporës (rreth 35% të votuesve) përfshihet në këtë grup. Diaspora nuk do të mund të votojë nga largësia dhe sigurisht do të ketë sfida dhe pengesa për të udhëtuar për shkak të kufizimeve të pandemisë.

Në vend se të trajtohet dalja e ulët në zgjedhje dhe apatia e qytetarëve, një përjashtim a priori që u bëhet dy grupeve të votuesve — pacientët me COVID-19 dhe diaspora — mund të shihet si taktikë zgjedhore që çon drej një devijimi të standardit të përfaqësimit.

Por prapëseprapë, pavarësisht nga të gjitha vështirësitë, rinia mund të ketë peshë të madhe në këtë provë vendimtare për demokracinë e Shqipërisë.

Me fjalë më praktike, të rinjtë (17-29 vjeç) përbëjnë 50% të popullatës me të drejtë vote. Për më shumë, në këto zgjedhje — sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve — Shqipëria do t’i ketë 107,024 të rinj që do të votojnë për herë të parë. Nëse të gjithë nga ta shfrytëzojnë votën, ajo mund të përkthehet në së paku 8% të ulëseve në Kuvend. Nëse e marrim parasysh historinë, çdo votë është e rëndësishme.

Përgjatë zgjedhjeve demokratike të Shqipërisë, 20 kryetarë bashkish janë zgjedhur me dallim prej 1 deri në 10 vota, ndërsa 10% të deputetëve janë zgjedhur me dallim prej 100 deri në 1000 vota.

Rinia e Shqipërisë duhet të mobilizohet, të edukohet dhe të angazhohet në këtë proces. Për t’i mbështetur, Civil Rights Defenders, Komisioni Shqiptar i Helsinkit dhe Instituti për Studime Politike, me përkrahjen e Bashkimit Evropian, kanë zhvilluar fushata në shkallë vendi në universitete dhe gjimnaze për të inkurajuar rininë dhe ata që votojnë për herë të parë. Së bashku kanë krijuar një platformë që quhet Vota Vlen për t’u siguruar qytetarëve materiale të përdorshme dhe të besueshme që lidhen me zgjedhjet.

Këto zgjedhje janë tepër të rëndësishme. Hidheni votën tuaj më 25 prill.

Ilustrimi i ballinës: K2.0.