Pikëpamje | BiH

A mund të jetë pozitiv ndryshimi në Bosnjë e Hercegovinë?

Nga - 01.12.2020

Fillimi i një procesi potencialisht pozitiv.

Në tetor 2016, zgjedhjet lokale në Bosnjë e Hercegovinë u fituan me shumicë dërrmuese nga tri partitë etnike kryesore: SDA boshnjake (Partia e Veprimit Demokratik), HDZ kroate (Bashkimi Demokratik Kroat) dhe SNSD serbe (Aleanca e Social-Demokratëve të Pavarur — por mos t’ju mashtrojë fjala “social-demokratë”; është parti e veprimit nacionalist me program etno-centrik). 

Këto parti kanë fituar numrin më të lartë të ulëseve të komunave me shumicë etnike boshnjake, kroate dhe serbe, respektivisht. Kurse sa u përket zgjedhjeve komunale dhe të këshilleve të qyteteve, ato kanë fituar numrin më të lartë të votave në pothuajsë tre çerekë të numrit total të komunave.

Suksesi i SDA-së në Sarajevë ishte veçanërisht i rëndësishëm, pasi fituan në të gjithë qytetin dhe komunat periferike përveç njërës. Pastaj ishte vargu i fitoreve të SNSD-së në qytetin më të madh — dhe kryeqytetin de fakto — të Republikës Serbe, Banjalluka, si dhe vazhdimi i dominimit disa dekadësh të HDZ-së në mesin e kroatëve në Bosnjë e Hercegovinë.

Rezultatet e zgjedhjeve kanë konfirmuar mbizotërimin e politikave të bazuara në etni të cilat që nga 1990 kanë parandaluar ndërtimin e Bosnjës e Hercegovinës si një shtet i pavarur apo shoqëri multi-etnike.

Katër vite më vonë, në zgjedhjet lokale të mbajtura më 15 nëntor 2020, gjërat kanë ndryshuar pjesërisht. Një eufori e veçantë ka lindur me fitoren e koalicionit “Četvorka” (Katërshja) në Sarajevë dhe humbjen e kandidatit për kryetar të komunës të SNSD-së në Banjallukë.

Fillimi i një kapitulli të ri?

Tash që euforia është zbehur dhe entuziazmi fillestar është qetësuar, mund të shohim që këto zgjedhje ende nuk përbëjnë triumfin e forcave progresive dhe të majtës — nëse pajtohemi që ky nocion përfshin partitë liberale qendrore dhe ato majtiste qendrore. Në vend të kësaj, këto rezultate mund të interpretohen me kujdes si fillimi potencial i një procesi pozitiv.

Konkretisht, “Četvorka” me bazë në Sarajevë përbëhet nga katër parti me orientime politike të ndryshme, të bashkuara në kritikën e tyre ndaj qasjes së SDA-së ndaj kohës së tyre në administratë, e cila është ndotur nga akuza për korrupsion dhe krim. Dy nga këto parti — Naša stranka (Partia Jonë) dhe Partia Sociale Demokratike (SDP) — gjenden afër qendrës së majtë të spektrit politik. Megjithatë, dy partitë tjera nuk gjenden në të njëjtat themele ideologjike. 

Do të ishte mirë sikur ky ndryshim të ishte vetëm fillimi i një procesi që do të vazhdonte në zgjedhjet qendrore të 2022-tës.

Padyshim është freskuese që “Četvorka” ka arritur të fitojë kundër SDA-së dominuese në shumicën e komunave në Kantonin e Sarajevës dhe do të ishte mirë sikur ky ndryshim të ishte vetëm fillimi i një procesi që do të vazhdonte në zgjedhjet qendrore të 2022-tës.

SDA ka kandiduar në zgjedhje e ngarkuar me skandale të shumta, përderisa shumë anëtarë të spikatur janë larguar nga partia, ndërsa Sarajva është qyteti në të cilin kanë flirtruar me shovinizmin dhe narrativën e luftës. 

Një nga të shënjestruarit e kësaj fushate ishte Srđan Mandić nga Naša Stranka liberale. Prandaj, fitorja e tij bindëse në garën për t’u bërë kryetar i Komunës së Centarit — edhe pse e pritur për shkak të demografive specifike të votuesve në komunën e qytetit më urban — është shumë e rëndësishme në një nivel simbolik. 

Fitorja e Nermin Muzur-it, kandidat i koalicionit “Četvorka” për kryetar të komunës periferike të Ilidža-s, është e rëndësishme në aspekt simpolik dhe mjaft bindëse. Ai ka fituar kundër kandidatit të SDA-së Fikret Prevljak.

Referencimet ndaj periudhës së luftës dhe nderimet e luftës kanë qenë mesazhi kryesor dhe pak a shumë mesazhi i vetëm i fushatës së Prevljak-ut: Ai ka qenë general i luftës në Ushtrinë e Republikës së Bosnjës e Hercegovinës — një njeri me një të kaluar të dekoruar të luftës, dikush “që duhet të na udhëheqë në paqe sepse na ka udhëhequr në luftë” dhe ngjashëm.

Humbja bindëse e këtij kandidati nga një kundërshtar relativisht i ri (35-vjeçar) mund të jetë shenjë e mirë që, gjatë 25 viteve të paqes, shumë qytetarë janë lodhur nga shantazhi emocional nga ata të cilët ende jetojnë sikur lufta është duke vazhduar. Disa kritere të tjera kanë filluar të bëhen më të rëndësishme për ta, e tashmja dhe e ardhmja e tyre. Kjo do të ishte tërësisht e dobishme, edhe pse është e vështirë të arrihet në përfundime për shkak të faktorëve të ndryshëm të cilët ndikojnë në zgjedhje. 

Megjithatë, përkundër suksesit të jashtëzakonshëm të “Četvorka”, sektori i saj majtist liberal nuk mund të jetë posaçërisht i kënaqur me rezultatet.  

Fitimtarët e vërtetë

Fituesi i vërtetë është partia Narod i pravda (Njerëzit dhe Drejtësia, NiP), togëza më e fortë e “Četvorka”-s e cila është duke u bërë partia më e fuqishme në Sarajevë. Ajo përbëhet kryesisht nga ish-anëtarët e SDA-së dhe prandaj nuk ndryshon shumë nga SDA-ja tradicionale dhe konservative kur vjen puna te vlerat e saj ideologjike themelore. 

Arsyet për konfliktin dhe përçarjen e tyre nuk janë bazuar në mospajtime mbi konceptet bazike dhe “të vërtetat” fundamentale por mbi mënyrën e qeverisjes. NiP kishte premtuar ndryshim “nga poshtë lart,” edhe pse është komplet e qartë që ndryshime në narrativat themelore nuk mund të priten por në vend të tyre disa reforma brenda fushës simbolike dhe ideologjike.

Presidenti i NiP-it, Dino Konaković, ka imponuar veten si udhëheqësi i ri kombëtar i boshnjakëve mbi të gjitha. Megjithatë, nëse politikat e NiP-it do të krijojnë me të vërtetë administrim më transparent dhe shoqëri më pak të korruptuar (siç ceket në premtimet e tyre themelore), do të jetë një sukses i madh dhe i rëndësishëm.

Fitorja e Stanivuković-it nuk tregon disfatë të ideologjisë së atyre që premtojnë një Republikë Serbe të pavarur. Është e qartë që qëndrimi i tij është i një nacionalisti.

SNDS, e udhëhequr nga Milorad Dodik, ka udhëhequr Banjallukën për 22 vitet e fundit. Ky model tash është ndërprerë nga fitorja e 27-vjeçarit Draško Stanivuković, një politikan i ri dhe i shkathët i cili ka qenë fytyra më prominente e opozitës politike në Republikën Serbe me vite.

Kjo fitore është e rëndësishme pasi tregon që partia e Dodik-ut nuk është e paprekshme dhe që arroganca primitive nuk shpërblehet gjithmonë.

Megjithatë, fitorja e Stanivuković-it nuk tregon disfatë të ideologjisë së atyre që premtojnë një Republikë Serbe të pavarur. Është e qartë që qëndrimi i tij është i një nacionalisti: Ai shpreh simpatinë e tij për lëvizjen çetnike të Luftës së Dytë Botërore dhe flet për mbrojtjen e “të vërtetave” themelore të ideologjisë së Republikës Serbe. 

Status kuoja

Ndryshimet janë pritur më së paku në komunat “e përziera” në Federatën e Bosnjës e Hercegovinës — vendet që gjenden në Hercegovinë dhe Bosnjë qendrore ku të paktën dy grupe etnike (boshnjakët dhe kroatët) përbëjnë faktor relevant politik dhe demografik. Asnjë ndryshim i rëndësishëm nuk ka ndodhur në to.

Zgjedhjet në këto zona janë reduktuar në një regjistrim de facto të popullsisë — një mundësi për të numëruar bashkatdhetarët e tyre. Kroatët homogjenizohen krahas HDZ-së si bartëse e nacionalizmit kroat kurse boshnjakët mbledhen rreth SDA-së si flamurtare e nacionalizmit boshnjak. Politikat e këtyre dy partive shpesh konsiderohen si vazhdimësi e luftës përmes mjeteve të ndryshme. 

Politikat civile — ndryshe nga ato të bazuara në etni — nuk mund të gjenden në këtë pjesë të vendit.

Nga tri partitë udhëheqëse — SNSD, SDA, HDZ — vetëm HDZ-ja i ka ikur tronditjes domethënëse. Nuk ka garë të madhe mes elektoratit boshnjak dhe kroat për arsye të ndryshme.

Në dekadat e fundit, kjo parti ka themeluar një rrjet të degëzuar të interesit dhe ka zotëruar udhëheqjen e saj mbi ndërmarrjet publike, institucionet arsimore dhe kishën, ndërsa ka prodhuar homogjenizim etnik të aplikuar në komunitetet e përziera të përmendura më lart, por edhe në përgjithësi.

Vazhdimisht duke iu frikësuar eliminimit politik, heqjen e të drejtave dhe zvogëlimin në një minoritet etnik i cili është nën kërcënim nga nacionalistët boshnjakë, kroatët — nëse mund ta personifikojmë këtë grup për hir të kësaj fjalie — e gjejnë veten në një gjendje të spazmës dhe bllokimit mendor që i pengon ta konsiderojnë në mënyrë racionale vendin se ku qëndrojnë. Politikat nacionaliste dhe praktikat e korruptuara të HDZ-së janë kryesisht fajtore për këtë gjendje. 

Rasti i veçantë i Mostarit

Asgjë e shkruar më lart nuk vlen në çfarëdo mënyre për qytetin e Mostarit ku nuk janë mbajtur zgjedhje më 15 nëntor. Ato do të mbahen më 20 dhjetor — pas 12 vitesh pritje.

Mostari është gjithashtu përjashtim në kuptimin që është qyteti apo komuna e vetme e Bosnjës ku nuk janë mbajtur zgjedhje sipas principit “një person – një votë” në një zonë zgjedhore të vetme. Në vend të kësaj, qyteti është i ndarë në disa zona zgjedhore, sipas parimit etnik dhe territorial, të themeluar në Marrëveshjen e Paqes së Dayton-it, me një numër të caktuar të ulëseve në Asamblenë Komunale për anëtarët e secilit nga popujt përbërës — boshnjakët, serbët dhe kroatët. Në ndërkohë, kryetari nuk zgjedhet direkt por përmes Asamblesë Komunale.

Ky është rezultat i një marrëveshjeje mes HDZ dhe SDA nga qershori i këtij viti e cila ka ndodhur pasi Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ka urdhëruar parlamentin e Bosnjës e Hercegovinës për të përmirësuar Ligjin e Votimeve në mënyrë që të lejojë zgjedhje lokale në Mostar. 

HDZ dhe SDA janë gjithashtu partitë përgjegjëse për pauzën 12-vjecare në Mostar — pas dështimit për të futur në fuqi një vendim të Gjykatës Kushtetuese që thotë se strukturat e ndarjes së fuqive të qytetit kanë nevojë për reformë, dhe ato në të njëjtën kohë janë partitë që presin rezultatet më të mira nga zgjedhjet. Ato kanë thirrur për unitet kombëtar dhe grumbullim të përbashkët, ndërsa ata që pengojnë këtë “unitet” shpesh quhen tradhtarë.

Irma Baralija nga Naša stranka ishte ndër “tradhtarët”. Ajo është gjithashtu personi më përgjegjës për faktin që do të mbahen zgjedhjet në Mostar pasi ka inicuar çështjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat të Njeriut. 

Në periudhën parazgjedhore, retorika nacionaliste, shantazhi emocional dhe detyrimi i njerëzve drejt “unitetit kombëtar” ishin të gjitha të përhapura si rezultat i tensioneve nga të cilat gjithmonë përfitojnë HDZ-ja dhe SDA-ja.

Zgjedhjet lokale në Mostar gjithmonë janë prezantuar si më shumë se thjesht zgjedhje, si pushtim nacionalist i qytetit, si përmbushje paqësore e qëllimeve të luftës, një kohë ku vetë raison d’être e secilës parti është për të vërtetuar fitimtarët përfundimtarë, ose “boshnjakët” ose “kroatët”, “ne” apo “ata”. Megjithatë, alternativat janë të dukshme në partitë civile dhe listat zgjedhore që nuk vetëdefinohen nga etnia.

Zgjedhjet do të demostrojnë sa shumë qytetarë ua kanë kthyer shpinën historive të vjetra dhe cila është forca e vërtetë e politikanëve të cilët nuk janë shenjuar në mënyrë dominuese nga nacionalizmi dhe klientelizmi.

Feature image nga Dragan Stanimirović.

KOMENTO