Të martën (30 gusht), në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, në qendër të Prishtinës u shfaq një dokumentar i fuqishëm që rrëfen me hollësi disa prej mizorive të kryera nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit në Kosovë. Familjet e personave të humbur, aktivistët e të drejtave të njeriut dhe qytetarë tjerë u mblodhën në amfiteatrin e “Zahir Pajazitit” për ekranizimin special të “Depth Two” (“Thellësia Dy”) nga regjisori serb Ognjen Glavonic.
Ky dokumentar u shfaq si pjesë e aktiviteteve të Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR). Kjo organizatë e dërgoi një mesazh të qartë për autoritetet kosovare: Agonisë së stërzgjatur, që përjetojnë familjet e rreth 1,665 personave që ende janë të humbur prej luftës në Kosovë, duhet t’i vijë fundi, dhe që amullia e qeverisë po u’a merr mundësinë familjarëve të personave të zhdukur që të mbajnë zi për ta. Pas filmit dokumentar ‘Kutia e Zisë’, një kuti e zezë me emrat e 116 fëmijëve që nuk janë gjetur kurrë pas zhdukjes së tyre me forcë gjatë luftës së Kosovës, u ndriçua si pjesë e një instalacioni prekës.
“Depth Two”
Një kamion i mbushur me trupa të fëmijëve, pleqve, grave dhe burrave nxirret nga thellësitë e lumit Danub; Shyhrete Berisha tregon për ngjarjet e tmerrshme të masakrës së familjes Berisha nga forcat serbe; Trupat e shqiptarëve të Kosovës zhvarrosen nga varret e tyre fillestare për t’u transportuar e hedhur në lum afër kufirit të Serbisë me Rumuninë; Autorët e krimit tregojnë se si regjimi i Milosheviqit organizoi operacion të hollësishëm logjistik për t’i mbuluar këto krime të rënda – në 2001 varrezat masive që përmbanin mbetjet e më shumë se 700 viktimave të luftës u zbuluan në lokacionin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Batajnicë, afër Beogradit.
“Depth Two” i rindërton disa prej ngjarjeve të tmerrshme që ndodhën gjatë bombardimit të NATO-s në Kosovë dhe Serbi në 1999 duke përdorur si rrëfenjë dëshmitë e viktimave dhe autorëve të krimeve nga gjykimet në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës për ish-Jugosllavi (ICTY). Pa i përdorur xhirimet e asaj kohe, zëri i dëshmitarëve ndërthuret vizualisht me pamjet të ditëve të sotme nga lokacionet e krimeve – lum i i turbullt, rrugë e shtëpi të pajetë, bar e drunj të shkretë – duke i përshtatur tonit dhe atmosferës, dhe i mundësojnë audiencës që të formësojnë vet imazhet dhe gjykimin për krimet e rënda.
“Ne mendojmë se tematika që adresohet në këtë film është diçka shumë e rëndësishme për t’u treguar, jo vetëm në Kosovë, por çdokund, veçanërisht në Serbi”, tha për K2.0 drejtoresha e përkohshme e YIHR – së, Teuta Hoxha. “Duke pasur konakt me të rinjtë, e vërejtëm se ata nuk kanë shumë informata për atë që ka ndodhor gjatë luftës, nuk kanë informata për çfarë ka ndodhur jo vetëm kundër komunitetit të tyre, por kundër të gjitha komuniteteve në Kosovë… në veçanti nuk dinë për ekzistencën e varrezës masive në Batajnicë që ishte 20km larg Beogradit”.
Të hënën, YIHR e dërgoi një kuti të vogël të zezë te zyra e Kryeministrit të Kosovës. Në të ishin një palë këpucë të fëmijëve, një letër dhe lista e emrave të personave të humbur nga lufta. “Duke qenë këmbëngulës në kërkesat për realizimin e të drejtave të familjarve të viktimave në veçanti si dhe shoqërisë në përgjithësi, si aktivistë të Nismës, përmes aksioneve simbolike vazhdojmë të sjellim në vëmendje çështjen e personave të pagjetur, duke u thirrur edhe në nenin 5 të ligjit për të zhdukurit, për të drejtën e familjarëve për t’u informuar për fatin e personave të zhdukur”, shkruan në letër.
Hoxha shpjegoi se synimi i këti aksioni ishte po ashtu për të shprehur shqetësimet se përfaqësuesit kosovar kanë dështuar që ta ngrisin çështjen e personave të humbur si pjesë të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja në mes të Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht premtimeve që u’a dhanë familjeve të viktimave.
Zbulimi i dëshmive
Në fund të luftës u vlerësua se më shumë se 5,000 persona ishin të humbur. Ky numër është zvogëluar gjatë viteve, pjesërisht për shkak të zbulimit të vazhdueshëm të varrezave masive – trupave të qindra shqiptarëve të Kosovës që u transferuan në Serbi nga forcat serbe, dhe u varrosën në varreza masive në mënyrë që t’i fshehin dëshmitë e mizorive.