Biseda | Feminizmi

Adriana Zaharijević: Feminizmi është shkaku standard i frikës

Nga - 10.09.2018

Bisedë për Feminizmin në Ballkan (Pjesa 3) – Filozofja nga Beogradi flet për feminizmin, komunizmin dhe tranzicionin.

Në fushën e feminizmit global, viti 2017 do të kujtohet për lëvizjen #MeToo.

Kjo nismë, e themeluar në SHBA pas skandalit të Harvey Weinstein – në të cilin prodhuesi i njohur i filmave është akuzuar për ngacmime dhe sulme seksuale kundër dhjetëra grave – u përhap në shtete të tjera, duke bërë që qindra e mijëra gra të thonë publikisht “me too” (“edhe unë”… jam viktimë e ngacmimit), për ta theksuar faktin se dhuna seksuale është problem i përhapur dhe serioz. Revista Time e shpalli lëvizjen “me too”, apo ato që e “thyen heshtjen”, si person të vitit.

Ndonëse “me too” arriti edhe Ballkanin, shtetet në këtë rajon ende përballen me beteja të ndryshme. Disa nga temat e theksuara nga aktivistët feministë në Ballkan janë e drejta për abortim, përfaqësimi i grave në pozita të vendimmarrjes, prania e grave në politikë dhe dhuna kundër grave.

Në një seri të Bisedave, K2.0 ka folur me disa prej feministeve më të shquara në rajon për zhvillimin dhe gjendjen aktuale të feminizmit në shtetet e tyre përkatëse dhe problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohen.

Në Beograd, K2.0 bisedoi me Adriana Zaharijević, hulumtuese në Institutin për Filozofi dhe Teori Shoqërore në Universitetin e Beogradit dhe autore e më shumë se 60 artikujve dhe dy librave, të fokusuar në filozofinë politike, teorinë feministe dhe historinë shoqërore. Për K2.0, ajo flet për zhvillimin e feminizmit në Serbi, dhunën ndaj grave dhe rolet gjinore në ditët e sotme.

Foto: Lazara Marinkovic / K2.0,

K2.0: Në muajt e fundit në Kroaci kemi parë mobilizimin e individëve dhe shoqatave konservatore kundër ratifikimit të Konventës së Stambollit, konventës së Këshillit të Evropës që u nënshkrua në vitin 2011 që është kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Çfarë beteja luftohen për të drejtat e grave në Serbinë e sotme dhe në çfarë fusha janë më të prekshme gratë?

Adriana Zaharijević: Do të thoja se situata e përgjithshme në shoqërinë serbe është më konservatore. Jo si në Kroaci, ku ekzistojnë forca të organizuara sa i përket individëve dhe organizatave që janë tepër të pranishme në publik dhe i kontribuojnë formës së tij, në Serbi nuk ka shoqata të tilla, ose janë ende në margjina.

Sigurisht se janë disa figura të caktuara akademike që në mënyrë sistematike artikulojnë ideologji kundërgjinore në portale të ndryshme dhe në disa gazeta, por zërat e tyre janë relativisht të vetmuar dhe nuk kanë ndikim të drejtpërdrejtë dhe të strukturuar tek proceset e vendimmarrjes.

"Ndërsa fjalimi palidhje i presidentit për rritjen e nivelit të natalitetit përbën një kombinim retorik të kërcënimeve me armiq të ndryshëm të imagjinuar."

Në Serbi ka diskutime të vazhdueshme për rritjen e nivelit të natalitetit, e këtë sigurisht mund ta shohim si një pikë tepër reaksionare. Megjithatë, si në disa raste të ngjashme, edhe këtu mund ta vërejmë retorikën tipike serbe të frikësimit dhe superioritetit. Konventat ratifikohen pa menduar, si rrjedhojë e direktivave që vijnë nga lartë dhe politikat konservatore artikulohen në një mënyrë të ngjashme – tepër shpesh me shumë zhurmë për asgjë. Me fjalë tjera, edhe pse e kemi ratifikuar Konventën e Stambollit para pak kohe, dhuna ndaj grave nuk është reduktuar – përkundrazi.

Ndërsa fjalimi palidhje i presidentit për rritjen e nivelit të natalitetit përbën një kombinim retorik të kërcënimeve me armiq të ndryshëm të imagjinuar, fantazive të pushtetit për të ndarë sasi të paimagjinueshme të parave për fëmijë inekzistent dhe truqeve të këqija që përdoren për ta nënvlerësuar të menduarit të arsyeshëm në mesin e qytetarëve.

Ju thatë se dhuna nuk është reduktuar. Konventa kërkon sanksionimin dhe procedimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Si është gjendja aktuale në Serbi sa i përket kësaj çështjeje?

Gjendja është alarmante. Në vitet e fundit, më shumë se 200 gra janë vrarë në raste të dhunës në familje. Ndonëse Serbia e ratifikoi Konventën e Stambollit para shumë kohe – pa probleme rreth konceptit të gjinisë – dhe pavarësisht faktit se vrasjet e grave janë temë që diskutohet në publik, kjo ndonjëherë bëhet në një mënyrë të tmerrshme dhe të pabesë, pothuajse në stilin e “programeve të realitetit”, si në rastin e Jelena Marjanović [një këngëtare e muzikës popullore serbe, vrasja e së cilës në vitin 2016, si dhe hetimet që pasuan, i dominuan kryetitujt e gazetave sensacionale, veçanërisht pasi bashkëshorti i saj, i cili ndërkohë ishte bërë pjesë e një programit të realitetit në TV Pink, u akuzua për vrasjen e saj].

E ardhmja duket e errët. Serbia është shtet në të cilin dhuna është vazhdimisht në rritje e sipër dhe dhuna kundër grave është e theksuar. Kjo lidhet me problemin për të cilin folëm deri më tani. Në një shkrim unë pohova se jetojmë në një shtet që kurrë nuk është përballur me të kaluarën e luftës, në një shtet të karakterizuar nga pabarazia më e thellë strukturore që nuk ka qenë pjesë e historisë sonë më bashkëkohore, dhe një shtet ku dhuna politike kundër të menduarit të arsyeshëm në mesin e qytetarëve prodhohet në bazë ditore. Kjo len gjurmë në të gjitha aspektet e jetës.

I përmendët diskutimet për nivelin e natalitetit – së fundmi në media u përfol shumë një deklaratë e Patrikut Irinej i cili tha se gratë janë të obliguara të lindin fëmijë. Si duhet ta shohim rolin e Kishës Ortodokse në diskursin për të drejtat e grave? A janë këto sulme të izoluara dhe a mund të folim për një ndikim më të dëmshëm dhe më afatgjatë?

Kisha Ortodokse Serbe nuk e ka ndryshuar rolin e saj prej viteve të 90-a. Në këtë fushë është shumë e qëndrueshme. Megjithatë, me sa duket rëndësia publike e Kishës Ortodokse serbe është shumë më e vogël se më parë. Janë disa veprime shumë problematike brenda kishës, prej dhunës e deri te tregtia me drogë dhe ngacmimi seksual i fëmijëve. I kemi rastet e njohura si Afera Pahomije ku Peshkopi Pahomije u akuzua për ngacmim seksual të katër priftërinjve. [Në dy nga katër rastet, ai u shfajësua për shkak të mungesës së dëshmive, ndërsa dy rastet tjera skaduan].

Këto lloje të aferave i kanë vendosur zyrtarët e kishës përkrah ‘karakterëve të diskutueshëm’ në faqet e kronikave të zeza [seksioneve sensacionaliste të krimeve në gazeta] ku është folur shumë keq për ta.

Gjithashtu, përfaqësuesit e kishës të cilët guxojnë të shprehin qasje disi më liberale janë heshtur ashpër. Vitin e kaluar, në një aferë jetëshkurtër për peticionin e prapambetur për rishikimin e teorisë së Darwin-it në shkolla, disa mësues të Fakultetit të Teologjisë Ortodokse u përfshinë në diskutimin publik, duke bërë thirrje kundër qasjeve të tilla [për të hequr dorë nga mësimdhënia për teorinë e Darwin-it për evolucionin]. Reagimi i tyre u shtyp menjëherë dhe publiku u informua se për shkak të disidencës së tyre, shërbimeve famulltare të tyre u kishte ardhur fundi.

Sa është e gjallë skena feministe në Serbi? Deri në çfarë mase është e organizuar dhe në çfarë mënyre? Për shembull, nëpërmjet shoqatave, aktivistëve individualë të profilit të lartë, komunitetit akademik, etj? Cilat janë idetë dhe mendimet kryesore, si dhe përpjekjet dhe problemet në këtë hapësirë feministe/aktiviste?

Skena feministe ekziston dhe e ruan një traditë të caktuar që është kryesisht anti-ushtarake, anti-nacionaliste dhe së fundmi, anti-kapitaliste. Në shkurt të këtij viti u mbajt në Beograd një konferencë katër-ditore për gjendjen aktuale të teorisë feministe në Serbi. Në të u përfaqësua në mënyrë mjaft tërësore puna e grave – dhe burrave – të gjeneratave të ndryshme në këtë fushë me definicion të gjërë, duke treguar diversitetin e madh të përmbajtjes dhe proceseve të mendimit.

Janë disa nisma të ndryshme, interesante dhe të rëndësishme të cilat po i stimulojnë feministët e rinjë, në mesin e të cilëve është një seksion feminist që është pjesë e Ne da(vi)mo Beograd [lëvizja protestuese Mos e Leni Beogradin të Mbytet].

Foto: Lazara Marinkovic / K2.0.

Në çfarë mënyre e kanë formësuar feminizmin në Serbinë e sotme lëvizjet e paqes dhe kundër luftës që u themeluan në fillim të viteve të 90-a? A është formësuar kjo lëvizje nga lufta në një mënyrë që është historikisht unike?

Pajtohem me juve për këtë, por nguli këmbë se ky rajon karakterizohet nga disa specifika historike. E para është zhvillimi unik i një ‘feminizmi lindor’ në Jugosllavi, një feminizëm i zhvilluar socializëm. E dyta është politika kundër luftës, e cila kishte një ndikim të thellë në kuptimin tonë të politikave të identitetit, të solidaritetit ndërkufitar dhe përfaqësonte një qëndrim kritik jo vetëm kundër sistemit patriarkal, por edhe kundër shtetit, kombit dhe qasjes ambivalente ndaj të kaluarës.

Kjo dallonte nga ngjarjet paralel në shtetet e tjera lindore, në të cilat feministët e përqafuan më lehtë tranzicionin demokratik në liberalizëm dhe kapitalizëm pas rënies së Perdes [së Hekurt] – këtu, për një kohë të gjatë, qëndrimi kritik ndaj socializmit, por edhe ndaj demokracisë që u fitua si rrjedhojë e luftës, ka qenë shumë më ambivalent. E treta dhe e fundit është një reagim tepër i vonshëm ndaj tranzicionit, e kjo vonesë sigurisht është shkaktuar nga fakti se ne jemi detyruar të ballafaqohemi me disa gjëra më të rëndësishme – me luftën dhe jetët tona që u shkatërruan nga lufta, me të cilat realisht shteti nuk u morr kurrë.

Si pjesë e teorive dhe lëvizjeve feministe në Serbi, sa diskutohen realisht çështjet që i prekin jo vetëm gratë por shoqërinë si tërësi? Për shembull të drejtat e punëtorëve, sindikalizmi etj… domethënë temat që ishin shumë të rëndësishme në kohën e socializmit. Në këtë aspekt, a kemi parë një shkëputje nga ‘feminizmi socialist’? Gjithashtu, çfarë lidhje kanë lëvizjet feministe me lëvizjen LGBTQ?

Dua të them diçka për natyrën e feminizmit jugosllav para rënies së Jugosllavisë dhe kështu t’i tregoj dy drejtime. Së pari, më duket tepër e rëndësishme ta theksoj praninë dhe zhvillimin karakteristik të feminizmit në kohën e socializmit, një fenomen veçanërist jugosllav të cilin tani kemi tendencë ta lemi në harresë.

Gjithashtu, ndonëse Beogradi ishte padyshim vendi ku lulëzonin idetë feministe, siç ishin edhe Zagrebi dhe Ljubljana, këmbënguli se në Jugosllavi nuk kishte feminizëm serb. Unë besoj se kjo është e rëndësishme për fazat e mëvonshme të zhvillimit të feminizmit në Serbi, që tek së fundmi ka filluar të punojë për t’i zbuluar rrënjët e tij në shekullin 19 dhe në fillim të shekullit 20 – pra para se të krijohej shteti i përbashkët.

"Kur kemi parasysh se paradigma dominuese gjatë 90-ave ishte kryesisht kundër luftës dhe kundër nacionalizmit, feminizmi në aspektin politik ishte në konflikt të hapur me kombin, dhe për një kohë të gjatë edhe me shtetin."

Kur kemi parasysh se paradigma dominuese gjatë 90-ve ishte kryesisht kundër luftës dhe kundër nacionalizmit, feminizmi në aspektin politik ishte në konflikt të hapur me kombin dhe për një kohë të gjatë edhe me shtetin. Gjithashtu kishte tendencë t’i rezistonte lokalizmave në aspektin teorik. Nuk po e vlerësoj si mirë apo keq, thjesht po e theksoj kontekstin që iu ekspozua ndryshimit vetëm në vitet e fundit, ndoshta me gjeneratën që u rrit pas krizës ekonomike [të vitit 2008] dhe në një shtet të reduktuar për të mbetur vetëm si Serbi [nga viti 2006]. Vetëm për t’ua kujtuar shpejt, shumë prej neve kemi jetuar në katër formacione të ndryshme shtetërore…

Paradigma kundër luftës në një farë mënyre u zëvendësua nga paradigma ‘tranzicionale’, e cila veçanërisht pas krizës së vitit 2008 ka përfaqësuar një alternativë të socializmit. Pra, mbase më saktë është të themi se nuk kishte kurrë shkëputje të qarta, por as kthime tepër të dhunshme tek tradita socialiste, me përjashtim të rivlerësimit të punës së AFŽ [Antifašistčki font žena, Fronti Antifashist i Grave, lëvizje e epokës të Luftës së Dytë Botërore], i cili është një trend i përbashkët i lëvizjeve feministe në të gjitha shtetet pasardhëse të Jugosllavisë. Në anën tjetër, lidhja ndërmjet lëvizjeve feministe dhe LGBTQ që nga fillimi ishte e fuqishme dhe e padiskutueshme.

Për herë të parë në histori, Serbia e ka një kryeministre grua. Megjithatë, ajo nuk i përket rrjedhës progresive politike. Në çfarë mënyre i jep formë kjo imazhit të grave në politikë dhe marrëdhënies me të drejtat e grave në shoqërinë serbe?

Me të vërtetë është interesante që gratë të cilat angazhohen në politikë shpesh vijnë nga partitë të cilat ne, si feministe, vështirë se i mbështesim, për shkak se ato përfaqësojnë politika që e parandalojnë dhe nuk avancojnë, emancipimin e shoqërisë – edhe nëse e kanë ‘progresivitetin’ në emër. Për shkak se unë besoj në një formë të feminizmit që kërkon një rivlerësim tërësor të strukturave shoqërore në mënyrë që bota në të cilën jetojmë të jetë vend më i jetueshëm për të gjithë ne, unë nuk mendoj se thjesht të jesh grua është e mjaftueshme për politika që mund ta miratojnë një rivlerësim të tillë.

Foto: Lazara Marinkovic / K2.0.

Sa i përket popullsisë më të re të grave, a kanë ato tendencë ta stigmatizojnë ‘feminizmin’, si për shembull duke e refuzuar idenë e prezantimit të vetes si feministe? A shkakton kjo fjalë ndarje dhe a ka konotacione negative apo të tjera?

Pak a shumë si zakonisht. Feminizmi është shkaku standard i frikës. Dhe prapëseprapë, në vend se të vuaj, jam e hareshme sepse me sa duket tani më shumë se kurrë kemi numra të mëdhenj të grave që ndihen rehat si feministe dhe i njohin përpjekjet dhe vështirësitë e feminizmit si të vetat.

Për fund, ‘burrat e Ballkanit’ shpeshherë përshkruhen si ‘macho’ – janë të fuqishëm, nuk shprehin emocione, e kanë kontrollin në dorë… A është ende ky model i pushtetit në Serbi, apo ka ndryshuar ky imazh i burrave dhe pritshmëritë që i kanë ata për veten – dhe që i kanë të tjerët për ta?

Në kohët e fundit kemi vërejtur një tendencë gjithnjë më të madhe për të menduar rreth pozitës së burrave në shoqëri, mbi të gjitha nën ndikimin e punës së [sociologes dhe ekspertes së gjinisë] Marina Blagojević, por nuk duhet të harrojmë se [antropologia dhe teoricientja e feminizmit] Žarana Papić veç se e kishte trajtuar këtë temë në fillim të 90-ve, por në masë të vogël.

Shumëkush pajtohet se pas rënies së socializmit ndodhi i ashtuquajturi ripatriarkalizmi i shoqërisë dhe ky fenomen për një kohë të gjatë është parë ekskluzivisht nga pikëpamja e ndryshimeve që kanë ndikuar tek gratë. Mua më duket se sot jemi bërë shumë më të vetëdijshëm për faktin se stereotipet e ngurtësuara nuk mund të mbesin të paprekura; kjo do të thotë se është e domosdoshme ta shohim se si u formuan identitetet gjinore brenda socializmit, çfarë mbijetoi nga epoka paraprake dhe çfarë ndyshoi me emancipimin shoqëror.

Gjithashtu, në kushte ku populli në përgjithësi jeton në një situatë të pasigurt, ripatriarkalizmi ballafaqohet me një të ardhme të pasigurt, kur kemi parasysh faktin e thjeshtë se të hyrat më të sigurta familjare vijnë nga pensionet [e kohës së socializmit]. Çfarëdo qofshin stereotipet – maço që e fiton bukën e gojës dhe gruaja amvise, e urtë dhe e nënshtruar – çmimi për mbajtjen e tyre në ditë të sotit është tepër i lartë.

Kjo është intervista e tretë në kuadër të serisë sonë ‘Bisedë për Feminizmin në Ballkan’, që trajton gjendjen e feminizmit në rajon. Na vizitoni javën e ardhshme për një intervistë tjetër me një feministe të shquar nga Ballkani Perëndimor.

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën serbe.

Foto kryesore: Lazara Marinković / K2.0.