Sonte prej orës 20:00 vazhdon edicioni i tetë i Chopin Piano Fest, në Prishtinë, me një koncert shumë të veçantë. Dueti në mes të dy muzikantëve të mirënjohur, pianistes Alberta Troni nga Kosova dhe violonçelistit holandez Karel Bredenhorst.
Bredenhorst performon edhe si solist edhe si muzikant kamertal. Ka performuar nëpër gjithë botën, nga Brazili në SHBA, në Evropë e në Nepal. Ai ishte paraqitur edhe më parë në Kosovë. Ndërsa Alberta Troni, asistente në degën e artit muzikor në Universitetin e Prishtinës, ka performuar po ashtu nëpër arena të Evropës e më gjërë. Ky duet e arrin një prej synimeve kryesore të festivalit edhe sivjet: bashkimin e muzikantëve lokal me ata ndërkombëtar.
Troni dhe Bredenhorst do të performojnë vepra të kompozitorëve si Alexander Scriabin, Richard Strauss, Gabriel Faure dhe Rauf Dhomit. Koncerti do të nis me vepra të dy kompozitorëve të mirënjohur gjerman: “Fantasy Opera 73” e Robert Schumann, dhe “Sonata for Piano & Cello Op. 38” e Johannes Brahms.
Brahms dikur kishte thënë për sonatën e tij se piano “duhet të jetë partner, partner që shpeshherë udhëheq, e qe shpeshherë është vigjilent e i vëmendshëm, por në asnjë rrethanë nuk duhet të ketë një rol të thjeshtë shoqërues”.
Duke i parë Bredenhorst dhe Tronin duke u përgatitur për koncertin e sontëm, është e qartë që asnjëri prej tyre nuk do të udhëheq si i vetëm, por të dy do ta udhëheqin së bashku publikun në një mbrëmje të muzikës klasike, që do të mbahet në amfiteatrin e ri të Bibliotekës Kombëtare.
K2.0 u takua me Bredenhorst the Tronin për një intervistë të shkurtër, gjatë kohës së përgatitjeve për koncert.
K2.0: Karel, ke udhëtuar rreth botës, dhe nuk është hera e parë që po vjen këtu. Çka ju ka lënë më së shumti përshtypje kur vizituat Kosovën herën e fundit?
Karel Bredenhorst: Është hera e tretë që vijë në Kosovë. Së pari erdha këtu në verën e vitit 2015 -ës, për festivalin “European Summer Music Academy”. Ishte përvojë e mrekullueshme për mua. U takova me njerëz mendjehapur, të cilët me të vërtetë duan të mësojnë, veçanërisht të rinjtë. [Shpeshherë] ka më pak mundësi për të mësuar për muzikën klasike [në ditët e sotme], veçanërisht me YouTube e shkarkimin falas të muzikës, kështu që ishte shumë mirë kur e pashë se sa të etur ishin të gjithë për të mësuar. Ishte shumë mirë për mua që kisha mundësinë që t’i mësoja të tjerët për muzikë e ta ndizja zjarrin në shpirtërat e tyre – nëse mund të them ashtu – dhe t’i frymëzoja me dashuri për muzikën.
Ka shumë interesim për muzikë klasike këtu. [Kosovaët] vijnë e të pyesin, janë të hapur e komunikues. Janë njerëz që po mundohen që t’i ndërtojnë komunitetet e tyre, dhe të krijojnë. Për shembull, festivali Chopin – nuk është i lehtë [për t’u organizuar] veçanërisht në këto kushte dhe të sjellë këtu njerëzit prej jashtë vendit. Por, prapë se prapë shumë njerëz përdorin shumë energji për këtë projekt, që është i mrekullueshëm. Kjo është një prej gjërave që i dallova fillimisht kur erdha këtu. Të gjithë po punojnë për të ardhmen e tyre.
Ky është bashkëpunimi yt i parë me Alberta Tronin. Që të dy jeni muzikantë të suksesshëm. Çfarë kuptimi ka ky bashkëpunim për juve?
KB: U takuam me njëri – tjetrin në vitin 2015, kur ajo ishte edhe profesoreshë në “Summer Academy”, kështu që veç se kishim folur për mundësinë e bashkëpunimit. Tingëllon pak e bajatshme ndoshta, por është e vërtetë: muzika është gjuhë universale dhe mund të lidh shumë njerëz. Edhe po të mos kishim mundësi që të flasim, që nuk është ashtu sepse Alberta flet shkëlqyeshëm anglishten, prapë se prapë do të mund të luanim [muzikë] së bashku.
Kjo ndodhi edhe me festivalin. U bënë bashkë njerëz të përvojave e kulturave të ndyrshme. Shumë e rëndësishme është ajo që ka ndodhur në këtë festival, sepse kanë përzier muzikantë të huaj me muzikantë të Kosovës.
Bashkëpunimi për neve është moment shumë i bukur dhe e pres me ëndje. Këtu shumë njerëz – të rinj – vijnë në koncerte si ky. Në Holandë nuk është gjithmonë kështu. Kështu që po vërehet se njerëzit me të vërtetë duan që ta ushqejnë vetën me muzikë. Më pëlqen edhe hip – hopi. Më pëlqen gjithçka. E dëgjoj dhe është krejtë e njejtë për mua. Pra është shumë mirë që të rinjtë e bëjnë këtë hap dhe vijnë e e dëgjojnë muzikën.
A po thoni se edhe nëse u pëlqen hip – hopi dhe muzika më e njohur, nuk ka arsye që të rinjtë të mos kënaqen edhe me muzikë klasike?
KB: Po mendoj se është diçka shumë më ndryshe, por materiali themelor është muzika. Mendoj se nëse je i hapur, siç jam unë, mund të kënaqesh me të dyja. Thjeshtë duhesh të kesh veshë të ndryshëm. Hip – hopi ka energji shumë më ndryshme se Brahm, po nejse…
Alberta, më duket se idea jote ishte për ta bërë këtë koncert. Si shkoi procesi, dhe çfarë kuptimi ka ky bashkëpunim për ty?
Alberta Troni: Është kënaqësi shumë e madhe për mu që kemi arrit me realizu koncertin e përbashkët me Karelin, edhe pse unë kur e kam ftuar nuk e kam ditur agjendën e tij. Se zakonisht këta kanë agjendë vjetore të përgatitur. Mirëpo, e ka pranu ftesën shumë mirë dhe menjëherë i kemi filluar përgatitjet për etarialin dhe programin që do ta realizojmë.
Karel tha se shumë e më shumë të rinj po interesohen në muzikën klasike në Kosovë. Meqë ju jetoni dhe punoni këtu si profesoreshë, çfarë mendimi keni për këtë?
Po është një trend shumë i mirë që ka fillu me me hapa të vrullshëm qysh prej koncerteve të filharmonisë që janë koncerte mujore. Ku, sinqerisht, salla nuk mjafton për gjithë ata njerëz që dshirojnjë të vijnë.
Këtu shihet se sa të etur janë rinia e Prishtinës, e Kosovës, dhe githë adhuruesit e artit muzikor klasik të vijnë e ta përcjellin. Ka nevojë që ky qytet të ofrojë aktivitete e ngjarje sepse nuk kemi çka të marrim shumë nga Prishtina, nëse shohim ngjarjet e përgjithshme edukative sportive, sociale, shkencore e të tjera.
Kështu që mendoj se festivalejt janë bërë si elemente kyçe që njërëzit po i presin me padurim, dhe sinqerisht sallat tona në çdo mbrëmje janë plot siç e cekëm në DAM festival që sapo përfundoj. Tash ka filluar Chopin Fest dhe në natën e parë sinqerisht salla ka qenë e stërmbushur me adhurues të muzikës, me korin diplomatik, me studentë e të tjerë.
Kariera juaj ju ka çuar në ngjarje muzikore përreth botës, dhe në shkolla prestigjioze të muzikës, përfshirë në Itali. Çfarë mendimi keni për sistemin arsimor të muzikës në Kosovë – të mirat dhe të këqijat?
Mendoj që Akademia e arteve ofron një mësimdhënie kualitative. Ka një planprogram të akredituar dhe me standarde evropiane dhe stafi e ka dëshmuar veten nëpër fushat e tyre përkatëse. Ndoshta ajo çka na mungon është një infrastrukturë apo hapësirë më e madhe dhe e gjërë. Instrumentet janë aty që 20-30 vite, që nga themelimi i këtij fakulteti. Pra mendoj që ndoshta ne duhet të marrim një buxhet më të madh që t’i kemi instrumentet më të mira. Por mendoj që kualiteti i mësimdhënies nuk ka mungesa, dhe ka një numër shumë të madh të studentëve të intereuar që t’i ndjekin studimet në këtë fushë.
A mund të na tregoni për të rejat, apo të veçantat e këtij festivali?
A.T: Faktikisht festivali e ka pasur gjithë gjithmonë si qëllim ta vë në pah muzikën pianistike, por edhe atë muzikën e mirëfilltë instrumentale. Për këtë edhe kemi ftuar gjithmonë muzikantë e instrumentisë, por edhe këngëtar, të cilët janë të dëshmuar dhe janë ftuar do të thotë si myafir. Shumicën e rasteve ata janë të huaj. Dhe ajo që e veçon [këtë të fundit] është se koncerti i fundit do [të mbahet] me Filharmoninë e Kosovës ku prezentohen gjithmonë dy pianistë. Kjo është një karakteristikë e Chopin Piano Festit. Një pianistë vendor, dhe një ndërkombëtar. Përveç koncerteve që janë në agjendë, ka edhe koncerte të studentëve. Do të jenë tri aktivitete të studentëve. Domëthënë studentë duke filluar nga vitet e mëhershme, pastaj një koncert i përbashkët i studentëve dhe studentë që janë laureat apo fitues të disa çmimeve.
Për fund, Karel, çfarë do t’iu thoni njerëzve që mendojnë të marrin pjesë në këtë koncert? Pse duhet të vijnë ata?
KB: (Qeshë)…mendoj se duhet të vijnë sepse është mundësi unike për të ardhur e për të ndarë një moment shumë të veçantë me neve. Një takim i dy muzikantëve ndërkombëtar, që vijnë prej dy pjesëve shumë të ndryshme të botës, në një festival ku do të krijohet një program i shumëllojshëm, e atraktiv, për çdo shije. Jam i sigurt për këtë.
Ne performojmë vepra shumë të shkurtëra. Janë disa momente shumë serioze, ka edhe tone romantike, ka momente të lumtura, ka të shpejta… do të jetë koncert i shumëllojshëm dhe intensiv, pra duhet të vini që ta zbuloni se çfarë u pëlqen më së shumti [prej këtyre]. K
Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista është mbajtë në gjuhën shqipe dhe angleze
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.