S`fundmi | Art

Anibar eksploron seksin dhe trupin pa tabu

Nga - 22.08.2018

Festivali i animacionit në Pejë ia përkushton edicionin e sivjetëm barazisë gjinore dhe diversitetit seksual.

220 filma u shfaqën javën e kaluar në Pejë si pjesë e festivalit të përvjetshëm të animacionit, Anibar. Tema e festivalit të sivjetëm ishte 50/50, dhe si pjesë e saj u theksuan nëpërmjet programit barazia gjinore, fluiditeti seksual dhe përfaqësimi i shtuar jashtë heteronormativitetit.

Për Petrit Gorën, drejtorin artistik të Anibar, kjo temë erdhi si hap logjik për t’u siguruar që industria e animacionit në Kosovë rritet në mënyrë të shëndoshë që nga fazat e para të saj. “Kur analizojmë numrin e studentëve në animacion, përfaqësimi i grave dhe burrave është gati i barabartë, por te industria [globale], rreth 70 përqind të profesionistëve janë meshkuj”, thotë Gora. “Kosova është duke i bërë hapat e parë të prodhimit të animacionit, kështu që kemi dëshirë ta kemi një industri 50/50 nga fillimi – jo ta krijojmë një industri të pabarabartë dhe të merremi me këtë problem më vonë”.

Diskutimet me panele, master klasat, programet speciale dhe filmat garues në festival e reflektuan qartë temën, duke u siguruar që të mos mbetet vetëm një titull i thjeshtë. Një nga programet më të jashtëzakonshme të festivalit u titulla “Vizioni i Grave për Seksin në Animacion”, i kuruar nga distributorja franceze Luce Grosjean.

Petrit Gora, drejtori artistik i Anibar, thotë se tema 50/50 e festivalit është e domosdoshme për të ndërtuar një industri të shëndoshë të animacionit në Kosovë. Foto: Cristina Mari / K2.0.

Interesant ishte që disa shikues dolën nga Kino Jusuf Gërvalla para se të përfundonte programi. Ndoshta ishin vonë për ndonjë takim, por pamje të seksit grupor, seksit ndërmjet personave të racave të ndryshme, seksit ndërmjet lesbikeve duke përfshirë gra shtatzëna, seksit kafshëror (ndërmjet një peshku dhe një oktopodi), si dhe përvoja tjera seksuale që të provokojnë të mendosh, u shfaqën nëpërmjet projektorit në këtë përzgjedhje speciale për seksualitetin, të cilën Gora e përshkroi si një prej programeve më të mira në histori të Anibar.

Në mesin e filmave të shfaqur ishte filmi i shkurtër kanadez “Le Clitoris” me regji të Lori Malépart-Traversy, një punim shumë edukativ dhe informativ që flet për këtë pjesë të trupit femëror dhe është vlerësuar nëpër gjithë botën. “Pussy”, një film studentor me regji të regjisores polake Renata Gasiorowska, i cili u duartrokit plot ngazëllim nga audienca, paraqet një vajzë duke kënaqur veten tërë natën deri sa vagina e saj plot lesh gjallërohet.

Për të luajtur me durimin dhe humorin e audiencës, “Mom’s on Fire” theu gjithëfarëlloj kufij, duke paraqitur dy nëna shtatzënë të cilat ëndërrojnë për t’u lidhur seksualisht me njëra tjetrën të droguara me kokainë. Në Kino Jusuf Gërvallën e rigjallëruar, jehonin qeshje dhe bërtima “ooo joo”.

Le clitoris – Animated Documentary (2016) nga Lori Malépart-Traversy në Vimeo.

Kuratorja Grosjean shpjegon se këta filma i përzgjodhi për të ndihmuar me zgjerimin e sferës së imagjinatave seksuale të të rinjve. “Nëse e shkruani në Google ‘seks’, gjeni plot pornografi – është shumë e lehtë dhe të gjithë mund ta gjejnë”, thotë ajo për K2.0. “Idea ishte kryesisht për të treguar se ka diversitete të shumta dhe të mira dhe shumë sende që nuk i dimë për seksin edhe nëse jemi të rrethuar prej seksit çdokund”.

Kur prezantoi programin, Grosjean kujtoi se si për herë të parë mësoi për seksin nëpërmjet stripave – të cilat i bënin kryeisht burrat. Ajo thotë se në shkolla të Francës, informatat për klitorisin u futën në kurrikulin kombëtar tek në vitin 2016. “E kuptova se [edhe] si e rritur nuk gjeta diçka që lidhej me jetën time”, thotë ajo për K2.0. “Ishte kryesisht e drejtuar prej burrave dhe mendova se duhet gjithashtu të referojmë atë se si funksinojnë gratë. Mendoj se tani ka sende që burrat i bëjnë me një vizion më ndryshe – por prapë janë të paktë”.

Për ta ndryshuar atë realitet, Grosjean nëpërmjet punës së saj është fokusuar ta shtojë përfaqësimin e animatoreve gra në industri. Para tre viteve, ajo nisi platformën Sex by Girls, një faqe në Tumblr që i referohet punimeve të grave në këtë fushë dhe që tani e vazhdon aktivitetin në Facebook. Nëpërmjet distribuimit të saj, ajo planifikon t’i përhapë nëpër botë filmat që e tregojnë këtë paraqitje më të rrallë të seksualitetit – nëpërmjet syve të grave. Ajo shpreson se mësuesit mund t’i prezantojnë lirshëm disa prej këtyre punimeve në klasa për të nisur diskutime.

Qendresa Ramqaj, një vizitore 19 vjeçare e festivalit, thotë se seksualiteti me qëllim shmanget si temë në shkolla. Foto: Cristina Mari / K2.0.

Në mesin e vizitorëve të festivalit ishte një studente 19 vjeçare e quajtur Qendresa Ramqaj, e cila morri pjesë në shfaqjen e përzgjedhjes së Grosjean. “Mirë është t’i shohim njerëzit duke shikuar seks ndërmjet lezbikeve dhe të shohim se janë duke u kënaqur me të në ndonjë mënyrë”, thotë ajo. Ramqaj është admiruese e festivaleve dhe mendon se rrallëherë shfaqen këso lloj filma në Kosovë, përveç kur i sjellin ngjarjet si Anibar.

Ajo gjithashtu beson se edukimi seksual është tepër i kufizuar në hapësirën arsimore. “Në librin e lëndës së filozofisë ishin 10 faqe për seksualitetin e grave dhe mësuesi e kaloi atë pjesë”, thotë Ramqaj, duke komentuar pozitivisht për anën informative të filmave të përfshirë në program, veçanërisht ato që iu përkushtuan eksplorimit të klitorisit dhe pjesëve tjera të trupit që lidhen me përvoja seksuale.

Si lezbike e re, ajo gëzohet kur sheh një lidhje me trupin dhe përvojat seksuale të saj në ekran: “Kam shokë meshkuj të cilët më tregojnë se gratë nuk munden me e kry – dhe unë jam lezbike… Man, nëse nuk mundesh me e bo një grua me kry, mëso ma mirë”, bën hajgare ajo. Ndonëse të flasësh për seksualitetin është ende e vështirë, filmat si “Le Clitoris” apo “Pussy” kanë nxitur biseda ndërmjet miqve të saj të ri, edhe pse ideali 50/50 asaj i duket si utopi e largët.

Pa marrë parasysh këtë, me temën 50/50, Anibar i ka dhënë hapësirë gjeneratave të reja të krijuesve që nuk e pozicionojnë më veten brenda kufijve mendjengushtë të heteronormativitetit. Lana Tankosa Nikolic, koordinatore edukative e The Animation Workshop (një institucion i mirënjohur i animacionit në Danimarkë) dhe një prej anëtarëve të jurisë në festivalin e sivjetëm, thotë se gjenerata e re po i shtyen këto ndryshime.

“Nuk mendoj se ne si edukatorë apo nëpërmjet kurrikulës jemi duke e shtyer një agjendë të barazisë gjinore”, thotë Tankosa Nikolic”, por shohim shumë më shumë interesim për çështje LGBT, dhe kemi shumë studentë që nuk pranojnë të kategorizohen në një gjini – duan t’i shohim si pa gjini, pra janë shumë të vetëdijshëm rinia, e kjo nuk vjen prej neve. Vjen prej tyre”.

Hana Arapi, një animatore e re, e bashkëkrijoi projektin Simetri për t’i sfiduar stereotipet gjinore nëpërmjet stop motion. Foto: Cristina Mari / K2.0.

Tema 50/50 u reflektua kryesisht në filmat e prodhuar nga regjisorët ndërkombëtar. Në fushën lokale të prodhimit, siç thotë drejtori artistik i Anibar, Gora: ende janë shumë pak gra që kanë mundësinë t’i rrisin projektet e tyre si regjisore, pozitë që kryesisht është e rezervuar për gjininë mashkullore në industrinë botërore.

Megjithatë, një nga animatoret e rralla në Kosovë është Hana Arapi, e cila shpreson të ketë ndikim në këtë përfaqësim në filma si dhe në karrigën e regjisores.

Arapi morri pjesë në diskutimin “Kundërshtimi i stereotipeve gjinore nëpërmjet animacioneve”, ku zbuloi se pas një përvoje në një shkollë verore me fëmijë, ajo kuptoi se më të rinjtë po i ndiqnin rreptësisht stereotipet gjinore: për shembull, kur krijonin karaktere në vizatime, i vizatonin vajzat me të pembe dhe djemtë me të kaltërt.

Si reagim ndaj kësaj, Arapi e ka bashkëkrijuar një projekt të quajtur Simetri, pikërisht për t’i kundërshtuar stereotipet gjinore nëpërmjet stop motion (teknikë e prodhimit të filmit), për t’i mësuar të rinjtë dhe fëmijët. “Unë besoj se me këtë mund të fillojmë të bëjmë diçka të mirë”, thotë ajo.

Sivjet Anibar definitivisht e ka sfiduar audiencën për të menduar më ndryshe sa i përket diversitetit dhe përfaqësimit seksual, jo vetëm duke qenë eksplicit, por gjithashtu duke i dhënë më shumë hapësirë zërave të grave në këtë industri. Dy tregime të grave i fituan disa prej çmimeve kryesore: Carlotta’s Face, nga Valentin Riedl dhe Frédéric Schuld, fitoi Garën Ndërkombëtare; dhe Untravel, nga Ana Nedelkovic dhe Nikola Majdak Jr., fitoi garën e Ballkanit.K

Foto kryesore: Cristina Marí / K2.0.