Në korrik të vitit 1978, kur Shqipëria ishte ende diktaturë komuniste, dy ngjarje të rënda tronditën shtetin. E para ishte letra e qeverisë kineze që njoftonte udhëheqësit shqiptarë se po ndërpriste ndihmat ekonomike dhe ushtarake; e dyta ishte një letër që dy të burgosur politikë dërguan në Komitetin Qendror të Partisë.
Megjithëse nuk lidheshin me njëra-tjetrën, ngjarjet po përcilleshin përmes së njëjtës mënyrë: dërgimit të letrave. Por ndërsa letra e përgatitur nga udhëheqësia kineze u bë publike, e dyta — e shkruajtur në qelinë e një burgu — u mbajt e fshehtë. Pas 42 vjetësh nuk është e lehtë të kthehesh në botën e atëhershme, për të kuptuar brendinë e një sistemi shtetëror i cili ishte shndërruar, gradualisht, në një instrument torture për cilindo që kundërshtonte funksionimin e tij, qoftë vetëm duke e vënë në dyshim atë.
Një letër nga burgu
Pikërisht këtë po e bënin Fadil Kokomani dhe Vangjel Lesho. Të dy burrat ishin burgosur së bashku qysh prej vitit 1963, fillimisht në burgun e Burrelit e më pas në burgun famëkeq të Spaçit. Letra që dërguan më 9 korrik 1978 i thoshte një regjimi obskurantist e famëkeq, të pashpirt e gjakatar, se “në një shtet ku jeta e përgjithshme dhe e veçantë i nënshtrohet mendimit dhe rrugës politike të një suite të përjetshme, pa dyshim që ky shtet është pushtuar nga një humnerë amoraliteti”, dhe se “në Shqipërinë Socialiste fëmijës, qysh kur del nga barku i nënës i japin pushkën dhe këtë e bëjnë vetëm me qëllimin humanitar që ai, fëmija, kur të rritet, të vrasë veten!”
Kjo nuk ishte vetëm akuzë apo kundërshti, por edhe akt i jashtëzakonshëm guximi dhe trimërie të pashoqe. Pikërisht ky pohim i çiltër e kurajoz i së vërtetës shkaktoi tek udhëheqja e zymtë komuniste një troshitje të barasvlershme me atë që shkaktoi ndërprerja e ndihmave kineze.
Në atë “humnerë amoraliteti”, pushteti zotëronte fuqi ndëshkuese të konsiderueshme. Letërshkruesit e burgosur, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lesho, u ekzekutuan një vit më pas. Ngjarja u mbajt e fshehtë dhe familjarët u njoftuan për vdekjen vetëm pas disa muajsh, ndërkohë që për trupat nuk u tha asgjë. Por askush nuk pyeti më për ta: u duk sikur shpejt gjithçka u harrua.
Regjimi do të jetonte edhe një dekadë dhe dhuna, ndëshkimet e rënda, pushkatimet dhe zhdukjet e të ashtuquajturve armiq të socializmit do të vazhdonin pa ndërprerje, deri në fund. Pas rënies, të mbijetuarit dolën nga burgjet të rrënuar. Një pjesë u kthyen nga internimet, me shpresë se mund ta nisnin përsëri aty ku e kishin lënë. Ata më të ndjeshmit filluan të kërkojnë, në heshtje, të zhdukurit.
Një farsë dhe një tragjedi
Para ekzekutimit të Fadil Kokomanit dhe Vangjel Leshos ishte zhvilluar një proces gjyqësor, natyrisht i montuar. Të burgosur të tjerë, disa prej tyre miq, kishin dëshmuar kundër dyshes, nën kërcënimin dhe torturat e operativëve në prapaskenë.
Gjatë seancave gjyqësore, gjyqtarët nuk e humbnin torruan edhe kur gënjeshtrat e hetuesve dilnin sheshit, apo kur situata ishte dukshëm në favor të të pandehurve. Por fatkeqësisht, trupi gjykues ishte i vendosur të luante farsën deri në fund, e cila doemos do të përfundonte në tragjedi.
Ky ishte dhe qëllimi i procesit. Këtë e kuptuan të gjithë në sallë. Publicisti dhe studiuesi Fatos Lubonja, një ish i pandehur së bashku me Kokomanin dhe Leshon, i ka rrëfyer me hollësi kujtimet e dhimbshme të këtyre seancave të trishta në veprën, ndoshta më e mira e këtyre tridhjetë viteve: “Ridënimi”.
Po përtej ligështisë që kaplon shpirtin kur njihesh me atmosferën dhe faktet tronditëse të këtij gjykimi, njeriu nuk mund të mos preket thellë prej qëndrimit heroik të të dy prej të burgosurve, veçanërisht të Fadil Kokomanit, i cili sipas përshkrimeve të dëshmitarëve qëndronte në një sallë të mbushur plot portrete të zymta, mbi të gjithë si një perëndi. Në fund gjyqtari e kishte pyetur, “A ndien ti pendesë për ato që ke bërë kundër Partisë dhe pushtetit?”
“Sigurisht që jo, përderisa i kam kryer me vetëdije”, ishte përgjigjur Kokomani. Ato ishin fjalët e tij të fundit. Ishte 46 vjeç.
Në letrën prej 38 faqesh të 9 korrikut 1978, Kokomani dhe Lesho mes tjerash thonin se ‘brezi i sotëm duhet të largohet nga skena, për t’ua lënë vendin njerëzve që do të jenë të pjekur për një botë të re’. Foto nga Autoriteti i Dosjeve.
Në 41-vjetorin e vdekjes, u interesova të mësoja diçka më shumë për të. Ç’kishte mbetur prej këtij karakteri të jashtëzakonshëm? U interesova për familjen e tij dhe nëse kishte ndonjë pasardhës gjallë. E dija që nuk do të ishte një kërkim i lehtë — kishin kaluar rreth gjashtëdhjetë vjet qysh kur ishin burgosur dhe e dija se një persekutim i këtyre përmasave linte gjurmë, jo vetëm tek i burgosuri por tek i gjithë farefisi. Për të shpëtuar veten, familjarët tërhiqeshin në heshtje, miqtë largoheshin. Njerëzit tërhiqeshin mënjanë dhe jetonin me frikë, me turp.
Pas kërkimeve nëpër informacione të përsëritura në internet, gjeta nipin e Fadil Kokomanit. Ky njeri, Spartak Poçi, u bë ministër i Brendshëm në vitin 1999. U takuam pa vonesë dhe më ftoi të bisedonim në këndin shplodhës të një zyre projektimi ku ai punonte me djemtë e tij arkitektë.
“Shumë kohë ka rrjedhur prej atëherë. Mund t’i ketë larguar uji”, filloi të tregonte. “Aty pranë rridhte një përroskë e ngushtë dhe ndoshta gërryerja, së bashku me terrenin prej shtufe, duhet t’i ketë zhvendosur diku më tutje. Por nuk përjashtohet mundësia e koordinatave të gabuara. Ne kërkuam shumë. Gërmuam ditë me radhë, madje edhe kur binte shi. Diku afër zbuluam disa eshtra të vjetra, por u pa shpejt se nuk përputheshin me të dhënat tona. Operacioni vazhdoi më shumë se tre javë. Nuk pamë asnjë shenjë. Mund të jenë varrosur edhe diku tjetër: askush nuk e di me saktësi. Nuk ka asnjë dokument, asnjë shenjë, hartë apo dorëshkrim”.
Ai po më tregonte rreth kërkimeve për trupin e Fadilit.
“Gjithçka u bazua mbi një pohim”, tha dikur.
“A mund të më tregoni ç’ishte ky pohim, si ndodhi?”, e pyeta.
“Sapo kisha marrë detyrën. Me sigurinë publike nuk i kishim punët mirë. Ishte fill pas vitit ’97 dhe bandat ishin sheshit. Grupe të armatosura lëviznin nëpër rrugë, lirshëm, edhe ditën; natën po ashtu. Nëpër akset kombëtare, as që bëhej bëhej fjalë për lëvizje të sigurt. Unë gëzoja mbështetje të gjerë dhe me Ambasadën Amerikane i kisha punët mirë.
“Asokohe, mbaj mend se po bënim listat për të trajnuar disa prej oficerëve tanë për të shkuar në Amerikë. Të gjithë kërkonin të shkonin, por natyrisht, do të filtroheshin lidhur me pastërtinë e figurës”.
Historia e Spartak Poçit
“Në një prej këtyre ditëve të ethshme, trokiti sekretarja e më tha se një oficer kërkonte të takohej me mua. E prita. E njihja pak. Kishte mbaruar Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe më pas, i sapodiplomuar, ishte pranuar në forcat e policisë, në Drejtorinë e Qarkullimit Rrugor. Kishte punuar aty gjatë gjithë kohës, qysh nga viti 1978.
“Më thotë ky oficeri: ‘Më kanë përjashtuar nga grupi i trajnimit që do të niset në Amerikë. Me siguri që dikush ka shpifur për mua, gjoja me një abuzim mallrash, por e vërteta është se unë s’kam të bëj fare më to. Më besoni! Është thjesht xhelozi dhe lakmi për të përkrahur të tjerë njerëz, apo për të favorizuar vetveten. Ata duan të më përbaltin”, vazhdoi ai, ‘pa të drejtë’.
“Në fund më tha: ‘Ju si ministër i keni mundësitë, ose të më hiqni këtë njollë dhe unë të nisem me shokët në Amerikë, ose më hiqni fare nga puna’.
“Thirra drejtorin e kuadrit dhe e pyeta si qëndronte çështja. ‘Jo, nuk ka asgjë’, më thotë, ‘është vërtet i pastër, siç ju ka thënë’. Aty për aty më prunë letrat e tij. U hodha një sy. Ishte e dukshme se nuk kishte bërë ndonjë shkelje.
“Sidoqoftë unë prita deri të nesërmen për një verifikim të fundit. Doja që ky djalë të dilte siç ishte në të vërtetë: nëse ishte i pistë, le të dilte i tillë dhe natyrisht, s’do të kishte vend në këtë ministri. Të nesërmen në mesditë, hetimi konfirmoi të njëjtin rezultat pozitiv: është i pastër! Kjo u dha me shkrim dhe materiali u fut në dosjen e tij.”
“Pra, ju i certifikuat pastërtinë”, ndërhyra.
"Ishte i pastër, bile dhe një prej specialistëve tanë më të mirë".
Ministri Spartak Poçi
“Po, po! Me atë rast u plotësuan dhe dosjet, pasi kur vajta në ministri, pothuajse të gjitha ishin të zbrazura. Menjëherë më pas mora në telefon Ambasadën Amerikane dhe fola me Ambasadoren. I shpjegova se informacioni lidhur me oficerin që do të trajnohej në Amerikë ishte tejet i gabuar dhe nuk qëndronte, pasi kontrolli kishte nxjerrë të kundërtën: ishte i pastër, bile dhe një prej specialistëve tanë më të mirë.
“Pas një jave grupi u nis në Shtetet e Bashkuara për një trajnim i cili zgjati mbi një muaj e gjysmë.
“Një ditë pasi ishin kthyer, sekretarja trokiti përsëri dhe më tha se oficeri në fjalë kërkonte të më takonte. E prita miqësisht. Pasi më falenderoi për trajnimin, tha: ‘Unë mund t’ju ndihmoj për të gjetur eshtrat e dajës tuaj’.
“Mbeta një çast dhe nuk arrita të them asgjë. Ai vazhdoi me një siguri bindëse. Më tha se një koleg i tij, i cili punonte si pedagog në Akademinë e Policisë, e dinte vendin e pushkatimit. Por i vinte zor e s’mund të paraqitej vetë, ndaj dhe i kishte kërkuar atij të ndihmonte me ndërmjetësi.
“I thashë se për mua nuk përbënte ndonjë problem. Nëse shoku i tij nuk do ta tërhiqte këmbëzën, dikush tjetër do ta bënte. Ai nxitoi të shpjegonte se nuk kishte qenë shoku ekzekutori, por vetëm i pranishëm gjatë ekzekutimit.
“Menjëherë të nesërmen shkuam së bashku me oficerin në vendin e treguar. Ndodhej pranë një kazerme të mjerë ushtarake, e cila, megjithëse pa ndonjë funksion të dukshëm, ruhej me një ushtar. Kaluam në një grykë të vogël mes majash jo shumë të larta dhe pas 300 metrash u gjendëm në territorin e gjelbër të një shkurrishteje. Oficeri tregoi vendin e mundshëm me një saktësi të pazakontë, sikur të kishte ndodhur vetëm disa orë më parë. Për një çast ngurrova. M’u duk disi e shkujdesur kjo përpikmëri e hollë, pothuajse e pamundur.
“Megjithatë, aty për aty ngrita një ekip gërmimi dhe filluam që atë ditë, por deri në muzg nuk gjetëm asgjë. Vazhduan të nesërmen, të pasnesërmen… Kështu kaloi një javë.
“Kova me dhëmbë çeliku u zhyt ngadalë në tokën e butë dhe gërmoi për më se një orë.”
“Kishim vendosur një regjim gërmimesh, sipas një plani të mirëcaktuar. Çdo pasdite vinte e raportonte tek unë një inxhinier, por megjithatë nuk u gjet gjë. Me kohë, shpresat u zbehën.
“U takuam përsëri në zyrën time. Këtë radhë e thirra unë. ‘Dëgjo’, i thashë, ‘kanë kaluar kaq vjet. Është e pamundur të mbahet mend me kaq saktësi. Thirre atë shokun tënd të vijë këtu, tani!’ Por ai më qetësoi dhe kërkoi që të shkonim përsëri atje ku po kryheshin gërmimet.
“Shkuam. Kur mbërritëm ai bëri me gisht, duke treguar të njëjtin pozicion: ‘Janë këtu’. Eskavatori u ndez përsëri. Kova me dhëmbë çeliku u zhyt ngadalë në tokën e butë dhe gërmoi për më se një orë.
“Përsëri asgjë! U drejtova nga oficeri dhe i kërkova të flisja në telefon me kolegun e tij. Po e humbisja durimin, pasi më dukej e papranueshme të vazhdonim të flisnim ende në distancë, duke mos arritur asgjë. I thashë të ma jepte në telefon, ose të ma sillte aty, urgjentisht. Por ai më tërhoqi mënjanë dhe kërkoi të ktheheshim në zyrë. Diçka kërkonte të më shpjegonte, por jo aty.
“U binda se gjësend tjetër qëndronte prapa kësaj historie. Kur u kthyem në zyrë ai filloi të fliste me një ton të shtruar e të butë, por që mua më rëndoi si plumbi: ‘Jam unë ai… Nuk ka njeri tjetër. Kam qenë aty atë natë, me grupin që ekzekutoi Fadilin dhe të tjerët!” Pasoi një çast i shkurtër, por ai vazhdoi dhe tregoi gjithçka që dinte.
Procesi gjyqësor që ndodhi para ekzekutimit të Kokomanit dhe Leshos ishte nën akuzën ‘për agjitacion dhe propagandë armiqësore’. Foto nga Autoriteti i Dosjeve.
Historia e oficerit
“‘Ende nuk kisha mbushur vitin në polici, kur më thirri një ditë në zyrë shefi. Dukej i zbutur dhe më i afruar se herët e tjera. Më tregoi se sot në mbrëmje do të pushkatoheshin disa armiq dhe se unë isha caktuar të merrja pjesë në ekzekutim. M’u duk një gjë e tmerrshme, jashtëzakonisht e ndryshme nga rutina e përditshme dhe ndonëse po nuhasja njëfarë testimi të nënkuptuar, u ndieva shumë i dobët për të reaguar. Siç më shpjegoi në vazhdim, kjo bëhej që disa prej oficerëve të rinj, kryesisht atyre që vinim nga jeta civile, t’u forcohej guximi dhe t’u shtohej urrejtja për armikun e klasës.
“‘Nuk kisha dëgjuar më parë për këtë process, madje as të dënuarit nuk i njihja, por nuk guxova të pyes. Në shtëpi përjetova një gjendje të ethshme, si në flakë. Qëndrova kështu deri afër mesnatës dhe në orën e caktuar u paraqita me përpikmëri në vendin e kërkuar. Autoburgu dhe një makinë e vogël qëndronin në pritje pranë një shtylle neoni e cila lëshonte një dritë të kuqe të lehtë. Përreth binte një shi i hidhur që dukej sikur nuk e arrrinte asfaltin.
“‘Mbërritëm në Repartin 313, ku mbaheshin të dënuarit. Nga sa më kujtohet, aty makinat ndaluan përpara një porte hekuri e cila nuk vonoi të hapej.
“‘Makina e madhe shkau në heshtje drejt oborrit të brendshëm të burgut. Nuk pipëtinte asgjë. Të dënuarit mbërritën të shoqëruar nga rojet, me duart e lidhura pas dhe u ngjitën lart, nga pjesa e mbrapme e makinës. Ishin tre. Vështroja vjedhurazi portretet e tyre. M’u dukën të mjerë dhe të zbehtë.
“‘Kur makina u nis, ishte Fadili që pyeti se ku po shkonim. Nuk mori ndonjë përgjigje. Çuditërisht, dukej i qetë përgjatë gjithë udhëtimit, ndërkohë që dy të tjerët dukeshin tepër të dobët dhe të mjegullt.
“‘Ajo ndjesia e pasdites që më kishte ndezur përbrenda po transformohej në një mpirje të përgjithshme. Jam përpjekur shpesh më pas të sjell ndërmend atë udhëtim-torturë, por nuk kam mundur kurrë të riprodhoj një përfytyrim të plotë e të qartë mbi atë se çfarë mund të ketë ndodhur në të vërtetë gjatë atij itinerari. Megjithëse udhëtimi nuk zgjati më shumë se tridhjetë minuta, më kujtohen fare pak sekonda, kur Fadil Kokomani pyeti me një qetësi të trishtë, ‘Ku po shkojmë?’ Përtej këtij regjistrimi, gjithçka tjetër më është fshirë. Nuk kam arritur ta kuptoj asnjëherë këtë fshirje nga kujtesa, megjithëse jam përpjekur vazhdimisht për t’i dhënë një shpjegim.
"'Nuk e harroj kurrë atë natë, ato portrete të brengosura. Gjumi më del shpesh dhe i kujtoj të tre', më tha oficeri."
“‘Dikur ndaluam në një shteg të ngushtë e të errët. Në të majtë, në një terren disi të zhveshur nga vegjetacioni, dalluam konturin e një skarpate të ulët dheu. Ngjitur me të ndodhej gropa. Ishte një skenë që të kallte datën. I ulëm në gjunjë, me fytyrë nga gropa. Kur e panë, filluan të lëvizin. U duk si një alarm i brendshëm, por që zgjati vetëm një grimë. U qëlluan menjëherë, pothuajse njëkohësisht, me nga një plumb në kokë, nga mbrapa, në një distancë fare të afërt.
“‘Nuk thanë asnjë fjalë. Nuk u dëgjua asnjë rënkim!
“‘Mjeku u bëri kontrollin. Një punëtor që kishte ardhur me ne mbuloi gropën. U mbajt edhe një procesverbal, të cilin për shkak të shiut e firmosëm brenda në makinë. Nuk e harroj kurrë atë natë, ato portrete të brengosura. Gjumi më del shpesh dhe i kujtoj të tre. Ajo zgjati një orë, por makthi i saj po më ndjek për tërë jetën. Nuk kam provuar tmerr më të madh se atë natë të zezë. Kam pësuar një shok të pashlyeshëm. Ndiej një keqardhje të përhershme dhe të pangushëllueshme. Ndaj dhe nuk mund ta harroj kurrë atë vend, atë gropë‘”.
‘A ishte ky vrasësi i Fadilit?’
Kur mbaroi rrëfimin e oficerit, Spartaku u tërhoq lehtë në ndenjëse. Më tregoi se kërkimet kishin vazhduar edhe disa ditë, por nuk kishin gjetur asgjë. “Duhet të ketë ekzistuar me siguri një hartë, një dokumentacion i lidhur me të”, më tha, “por me sa duket, janë marrë të gjitha, janë zhdukur — ndoshta nga vetë ata që kanë qenë aty atë natë, me urdhër ose jo”.
“A ishte ky vrasësi i Fadilit?”, e pyeta.
“Po thua, a ishte ky që tërhoqi këmbëzën? Nuk e kam pyetur dhe nuk kam patur kuriozitet për këtë. Futja nëpër këto hollësira sikur e zvogëlon peshën e faktit se ishte dikush tjetër që vendosi pushkatimin e tyre. E gjithë historia e Fadilit nuk ka lidhje me këtë oficer. Dhe unë kam pyetur veten: ‘Çfarë do të bëja po të isha unë në një situatë të ngjashme?’ Dhe i kam thënë vetes se do të fusja njerëz për të mos e bërë këtë punë, do të bëja diçka… Do t’u thoja që s’mund të shkoja. Por nëse ky oficer do të refuzonte, një tjetër do të shkonte në vend të tij. Jam i bindur për këtë.
“Më shumë do ta urreja një njeri që ka shpifur për Fadilin, që ka punuar vazhdimisht me intriga kundër tij, që është orvatur më të gjitha format për ta futur në atë rrugë, drejt ekzekutimit. Ndiej urrejtje dhe përbuzje për hetuesit dhe operativët e zellshëm të Sigurimit, të cilët i detyruan njerëzit të pohonin, me dhunë dhe nën torturë, gjëra të paqena. Këta shkelën jo vetëm ligjet, por tejkaluan çdo normë morale, çdo mizori. Në njëfarë kuptimi, ekzekutimi ishte realizuar nga të tjerë, shumë kohë para asaj nate kur ndodhi vdekja fizike”.
Fadil Kokomani ishte arrestuar për herë të parë në vitin 1962, bashkë me Vangjel Leshon dhe katër të tjerë. Foto nga Autoriteti i Dosjeve.
“Ishte letra shkaku, apo jo?”
“Në të vërtetë, ka disa letra. Në njëfarë mënyre, e tërë beteja e Fadilit, lufta e tij kundër ‘xhonglerit të sprovuar’, siç e quajti hapur Enver Hoxhën, erdhi vetëm nëpërmjet letrave. Ai nuk bëri ndonjë lëvizje për të krijuar grupe, nuk organizoi asnjë veprimtari subversive kundër shtetit, por shkruajti me këmbëngulje kundër uzurpatorëve; kundër regjimit që po sillte varfëri; kundër ‘Sulltanit, që po zëvendësonte një regjim me një tjetër’. Për një regjim ndryshe luftoi dhe familja e tij në luftën antifashiste, por Fadili zgjodhi një rrugë tjetër: dijen. Ai luftoi me letra dhe për këtë sakrifikoi, po aq sa dhe në luftë, jetën e tij.
“Nuk kam parë asnjë rast të krahasueshëm prej atyre që u mbijetuan burgjeve, që të vazhdonin t’u qëndronin me këmbëngulje bindjeve të tyre dhe të diskreditonin hapur regjimin siç bënë Fadil Kokomani dhe Vangjel Lesho me letrat e tyre. Letra e vitit ’78 ishte më e rënda. E hartuan së bashku në burgun e Spaçit dhe e shkruajtën në dy kopje të njëjta dhe ia nisën Komitetit Qendror. Por letra, e cila u ngjiz si shpresë se lëvizjet e mëdha, siç ishte prishja me Kinën, mund të ndikonin që regjimi të shihte përsëri nga socializmi liberal i Khrushchev-it, u kthye në një akuzë vrastare ndaj tyre, mendoj. Për këtë arsye, ata i dënuan përsëri.
“Por me sa duket, diktatori nuk u qetësua. I nxorën përsëri përpara gjykatës, pak muaj më vonë, për të tretën herë. Vite më pas, kur kam lexuar fjalën e Fadilit përpara trupit gjykues, e kuptova se ajo ishte edhe më e rëndë se letra. Fjala e tij ishte aktakuza e vërtetë në sallë.
“Kur i arrestuan për herë të parë, në vitin 1963 — fillimisht Vangjelin dhe disa javë më pas Fadilin — krahas tentativës për arratisje, i akuzuan edhe për shpërndarjen e disa trakteve në Tiranë, ku ndër të tjera, Fadili kishte shkruar: ‘Moska ka të drejtë! Hoxha-Shehu e Co po e çojnë Shqipërinë në qorrsokak!’ U arrestua dhe e dënuan me 25 vjet burg. Ende nuk kishte mbushur të tridhjetat. Ishte martuar pak muaj më parë, madje kishin hyrë në një apartament të ri, së bashku më të shoqen, Margaritën. Por nuk arriti më të kthehej në shtëpi…”
“Më tregoni për Fadilin, si e mbani mend?”
“Fadili ishte daja im. Isha tetë vjeç kur ai u kthye në Shqipëri nga Rusia, në vitin 1957. Me vete kishte sjellë 2,000 libra, secili i nënshkruar me firmën e tij të preferuar: Fadok. Sapo ishte diplomuar për gazetari, së bashku me Vangjelin. Ishin të parët shqiptarë që u diplomuan në një fakultet gazetarie. Por ai kishte studiuar edhe muzikë. Të dyja në Universitetin e Leningradit, qyteti që sot quhet Shën Petërburg.
Fadili Kokomani në dhomën e punës, pranë një radioje sovjetike Riga 10, i sapokthyer nga Leningradi. Foto nga Edgar Kokomani.
“Një herë e pyeta për Moskën: ‘Dajë, a është Moska e bukur?’ Ngase ne këtu e shihnim Moskën si një nga mrekullitë e botës.
“‘Është e bukur’, m’u përgjigj, ‘por Leningradi është edhe më i bukur'”.
“Fadili kishte marrë pjesë në një festival ndërkombëtar të rinisë socialiste, duke fituar kupën. Por talenti nuk mbyllej këtu. Ai ndiqte Konservatorin e Moskës, në degën e dramës. E kishte planifikuar të kthehej për të mbrojtur diplomën; kishte aftësi dhe energji të mëdha.
“Përkoi edhe koha. Në atë periudhë Bashkimi Sovjetik po çlirohej nga ankthet e luftës. Entuziazmi kishte prekur rininë. Pranvera Khrushchev-iane ndikoi thellësisht bindjet dhe vizionin e tij. Sidoqoftë, do të ishte një imagjinatë tepër naive të mendoje se gjërat do të përparonin edhe këtu. Në Tiranë stalinistët shqiptarë kishin të tjera plane.
“Shqetësimi dhe padurimi sa vinin dhe shtoheshin; Fadili shfaqte një pakënaqësi të dukshme. E dinin të gjithë. Ndonëse vetë, ekonomikisht por dhe politikisht ishte i përkrahur, në brendësi ndiente një pikëllim të thellë”.
Ylli i tij po ngrihej lart
“Filloi të shkruante në disa redaksi njëherësh: tregime, reportazhe dhe skica letrare. Më pas u caktua në radio. Aty filloi emisionet e tij të para, të parat njëkohësisht edhe për vendin. Dikur i propozuan të futej në parti; të bëhej anëtar. U tall, sepse e konsideronte diçka pa vlerë. Dukej se nuk kishte prirje për këto punë dhe largohej kur fillonin diskutime të tilla. Ishte një njeri apolitik, më beso!
“Më ndërmendet një herë që më mori në kinema. Isha ende fëmijë por e mbaj mend si tani. Edhe orarin e kinemasë (nga ora 18 deri në 20). Ishte Hamleti. E pyeta për filmin, nëse do të kishte luftë, partizanë apo tanke. Por ai qeshi.
“’Këtej e tutje nuk duhet të merresh me luftëra a beteja”, më tha, ‘duhet të zgjedhësh çfarë shikon’. Për çudi, Hamleti ‘i tij’ më pëlqeu jashtëzakonisht. E kujtoja shpesh më pas ekranin e bardhë në atë sallë të errët.
“Atmosfera në Tiranë, sidomos mbrëmjeve, ishte argëtuese. Fadili me shokët e tij nuk e linin këtë liri relative t’u shkonte dëm. Mbrëmjeve takoheshin në tavernën e Hotel Dajtit dhe shpesh merrte mikrofonin dhe këndonte. Kjo ishte periudha më e ndritur. Ylli i tij po ngrihej lart. Ishte koha kur njohu Margaritën, me të cilën u martua në vitin 1962.
“Tragjedia filloi pas disa muajsh, kur një prej miqve të ngushtë e kallëzoi grupin për arratisje në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Babai, një veteran i luftës, por ende ushtarak aktiv, u njoftua drejtpërdrejt nga Hysni Kapo, një prej udhëqësve kryesorë komunistë, se emri i Fadil Kokomanit implikohej në një arratisje. Si miq dhe si bashkëluftëtarë Kapo i ofroi një mundësi lehtësimi për Fadilin, natyrisht në shkëmbim të pendesës. Një natë përpara arrestimit im atë bisedoi me Fadilin. E mbaj mend atë mbrëmje, kur u futën të dy në dhomë për të diskutuar. Një orë më vonë dolën në heshtje.
“’Fadok’ u arrestua të nesërmen. Shumë kohë më pas më treguan se e kishte refuzuar ofertën.
Ne kërkojmë ende varrin — eshtrat — ndërsa ai ka mbërritur pavdekësinë.
Spartaku ndaloi papritur. U tërhoq në ndenjëse dhe vendosi duart mbi gjunjë. M’u duk sikur e kishte pushtuar një kapitje e përgjithshme. Pa dyshim, ishte një histori tronditëse. Ne u pamë ngultas për njëfarë kohe. E ndieva se diçka kishte ndryshuar tek unë dhe për një çast m’u bë sikur tragjedia e Fadilit peshonte mbi supet e mia. Ai ishte bërë më i afërt dhe më i dashur për mua, ndonëse mbetej po aq misterioz sa më parë.
“’Jam menduar shpesh dhe mendoj akoma për të kuptuar se përse ky njeri kërkoi t’i shkonte bindjes deri në fund, edhe po t’i kushtonte me jetë. Sepse ai e dinte se ku po shkonte; çfarë mund të arrinte. Ne kërkojmë ende varrin — eshtrat — ndërsa ai ka mbërritur pavdekësinë”.
Nuk ishte e qartë nëse isha unë apo Spartaku që i tha këto fjalë.
Imazhi i ballinës: Fadili Kokomani dhe motra e tij, Makbulja. Foto nga Spartak Poçi, e ridizajnuar për artikullin nga K2.0.
E lexova me interes artikullin. Unë jam mbesa e Trifon Xhagjikës, edhe ai ishte anëtar i grupit në vitin 1963, i cili u pushkatua në dhjetor 1963. Dua të bëj një sqarim. Grupi nuk u zbulua nga një anëtar i grupit, por nga një nga të afërmit e anëtarëve të grupit, që herë pas here merrte pjesë në bisetat e grupit. Anëtarët e grupit e kuptuan më vonë, mbas arrestimit, se kush ishte personi. Ndërsa kur u bë gjyqi i dytë në vitin 1978, njëri prej anëtarëve që bënte burg me Fadilin dhe Vangjelin, doli si dëshmitar i rremë.
I shkëlqyer. Punimi më i plotë ke kam lexuar për kete njeri te jashtezakonshem. Urime autorit.