Blogbox | Shtëpi

Arsyet që na bëjnë të ikim, janë arsyet pse duhet të qëndrojmë

Nga - 12.06.2023

Të gjithë ngapak mund të bëhemi ndryshimi.

“Mos pyet se çfarë duhet të bëjë shteti juaj për ju – pyesni se çfarë duhet të bëni ju për shtetin tuaj,” – është një prej fjalive më popullore, e thënë nga presidenti i ndjerë amerikan John F. Kennedy, në vitin 1961. 

Jam e vetëdijshme se kjo thënie mund të ndjell patetizëm dhe se mund të jetë bërë klishe nga përdorimi i shpeshtë dhe me raste i pavend. Por, Kennedy po i drejtohej një populli, që atëherë i kishte gati 200 milionë banorë (tash i ka mbi 300 milionë): po i drejtohej një populli që lindjen e shtetit e kishte larg gati 200 vjet. 

Besoj se e kuptoni se çfarë dua të them.

Nuk i kisha as tetë vjet kur Kosova e shpalli pavarësinë, më 17 shkurt 2008. Ashtu si ata pak banorë tjerë të këtij shteti të ri (më pak se dy milionë), e pata edhe unë privilegjin të isha njëkohshëm dëshmitare e lindjes së shtetit tonë të ri. A s’e bën prandaj, më autentike e gjithë kjo përvojë, atë që e thashë më lart? 

A s’e bën më legjitime të paktën në momente gati ekzistenciale siç mund të jetë vendimi për të lënë shtëpinë, familjen, shoqërinë e natyrisht, edhe shtetin? 

Problemet në Kosovë, natyrisht, janë të panumërta. Prej 17 shkurtit 2008, erdhi 18 shkurti 2023, ditë e zakontë. Përditshmëria e godet historinë. Dhe ne s’mund të jemi përjetësisht thjesht si figurantët dhe aktorët e filmit “Nëntori i Dytë” që himnizon shpalljen e flamurit kombëtar shqiptar në Vlorë më 28 nëntor 1912. Jeta shkon përpara dhe lidhja jonë me atë moment, me shtetin dhe me rrethanat që e paraprinë krijimin e shtetit duhet të manifestohet ndryshe.

Po e përsëris, jam plotësisht e vetëdijshme për vështirësitë e të jetuarit në Kosovë. Varfëria ishte gjithnjë kërcënuese dhe ashtu vazhdon të jetë. 252,000 njerëz kanë ikur nga Kosova, legalisht e ilegalisht, prej vitit 2013 e deri më 2022 dhe ma merr mendja se të paktën gjysma prej tyre kanë qarë kur janë larguar. Por, kjo s’ishte thjesht një ikje –– në Kosovë nuk është e lehtë të rrish. 

Mirëpo, janë bash këto probleme, që mund të shihen si arsyet për largim, që duhet të jenë arsyet për të qëndruar. 

A do të iki nga Kosova?

Kosova lëngon nga katrahura e parregullsive të përditshme. E a i bie kjo që njerëzit që akoma po qëndrojnë këtu, janë të kënaqur me të? Apo që nuk i përjetojnë këto parregullsi?

Jo, edhe unë që rri këtu dhe do të rri gjithë jetën, përjetoj parregullsi, të cilat do të doja të mos i përjetoja. 

Rri që këto parregullsi t’i luftoj.

Duke i kontrolluar detyrat e një të afërmi në klasë të dytë (thjesht nga kurioziteti), shoh që ka marrë notë maksimale edhe pse në fletoren e tij ndodhen shumë gabime. Ai e kishte shkruar fjalët “mollë” dhe “derë” pa “ë”, ndërkohë që shkronjat “ç” e “q” i kishte ngatërruar. Problemi, natyrisht, është te mësimdhënësi/ja i/e i tij. 

Mos të harrojmë, një prej hallkave më të dobëta të shoqërisë në Kosova është sistemi i arsimit. 

Një tjetër rast: në një nga detyrat universitare, që e kisha si studente e gazetarisë, vendosa ta bëj një kronikë për barnat e rrezikshme, që shiten pa recetë mjekësore. Në mesin e barnave të tjera, arrita të blej “Lexilium” e “Diazepam” dy barna, që kryesisht përshkruhen për të trajtuar ankthin, insomninë dhe dridhjet e të cilat kurrsesi nuk rekomandohet të përdoren apo shiten pa recetën e mjekut. 

Del se në vendin tonë, nëse nuk të zë gjumi, lirshëm mund të bëhesh mjek e t’ia përcaktosh diagnozën dhe terapinë vetes. 

Një tjetër rast i përballjes me domethënien e të jetuarit në Kosovë është kur desha të regjistrohem në fakultet shtetëror, niveli Master. Mësova disa muaj për provimin pranues, derisa kolegia ime po provonte që të hynte me njerëz të afërm. 

Në fakt, edhe unë kisha dy mundësi të tilla, por po luftoja për t’u pranuar me meritë. Mund të tingëllojë e pabesueshme, por kjo ishte mënyra ime për të luftuar për të drejtën.

Unë nuk jam pranuar në fakultet, sepse ndoshta nuk e kam merituar –– të paktën, dua të mendoj kështu.

Marr përgjegjësi, nganjëherë edhe kur nuk më takojnë, edhe kur unë s’jam përgjegjëse. 

Përpiqem të shoh cili është roli im sa herë përjetoj zhgënjime përditë në (dhe për) vendin ku jetoj –– në shtëpi, në fakultet, në punë, në lagje, në spital, në barnatore, në supermarket, në furrë, në restorant, në park, në shtëpitë e farefisit e kudo tjetër.

Nëse ne nuk e ndalojmë ciklin e përsëritjes së parregullsive, atëherë prej kujt të presim?

E përditë, shoh njerëz që ankohen e nuk marrin përgjegjësitë e tyre në atë që ndodh. Shoh njerëz që veç fizikisht qëndrojnë në Kosovë e virtualisht kanë ikur nga ajo. Njerëz, të cilëve u pengon drita e tepërt në dhomë, por s’e ndalin. U pengojnë mbeturinat, por nuk i heqin. U pengon pluhuri, por s’e fshijnë. U pengon zhurma e të tjerëve dhe këtë e shprehin duke bërtitur me të madhe e duke e shkaktuar të njëjtën zhurmë. 

U pengon kur të tjerët hyjnë “me të njofshëm” në punë apo fakultet, por në mundësinë e parë… po e kuptoni besoj.

Nëse ne nuk bëjmë diçka, në mënyrën tonë, sado pak për vendin, atëherë kush do ta bëjë? Nëse ne nuk e ndalojmë ciklin e përsëritjes së parregullsive, atëherë prej kujt të presim? 

Kosova nuk ka këmbë, as duar, nuk është njeri. Njerëzit e bëjnë Kosovën e njerëzit jemi ne. Natyrisht, fati i një shteti nuk mund të vihet mbi supe të individëve, të cilët nuk guxojmë t’i gjykojmë moralisht. Por, kur mendoj se mbi 252,000 njerëz kanë ikur nga Kosova në këto 10 vjet, më vjen të pyes a është kjo mënyra e të kontribuuarit për vendin?

Pa paragjykuar njerëzit, që morën atë rrugë, nuk mund të mos hamendësoj se sa lidhje kishte largimi i tyre me zhgënjimin, neglizhencën e mbase papërgjegjësinë e shtetit po se po, por edhe të njerëzve, që jetojnë këtu. Sa ka të bëjë ikja me një letargji, që e hasim nëpër shumë vende dhe nga shumë e shumë njerëz. Me një dorëzim të pashpresë.

Duhet të nisim nga vetja. Të zgjedhim të mos shfrytëzojmë udhë tjera, përpos dijes, për të hyrë në fakultet. Të zgjedhim të mos hedhim mbeturinat veç pse mundemi e kur i shohim ato, të zgjedhim t’i largojmë pak nga pak. Të zgjedhim të kërkojmë përgjegjësi kur në shkollë vlerësohen fjalët “der” e “moll”. Të zgjedhim të bëhemi më kërkues, së pari për veten, për lagjen e kështu për shtetin. 

Ironikisht, të njëjtat arsye që ndoshta duhej të na bënin të iknim nga këtu, mund të bëhen arsyet që na mbajnë këtu. 

Do të qëndroj këtu, për ta mësuar qoftë edhe një fëmijë për një fjalë që nuk e di. 

Do të qëndroj për t’i dhënë zë çështjeve pa zë. 

Do të qëndroj për të dhënë një trohë kontribut në shëndetësi, arsim, sport etj, në mënyrën time.

Nuk pres Kosovë të përkryer e pa asnjë parregullsi. Pres një Kosovë më të mirë se tani. Dhe këtë pritje e ushqej me angazhim.

Këtu më mban shpresa se do të bëhet mirë  e këtë shpresë nuk mund të ma mohojë as një parregullsi e as 1,000 sosh. 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla përmes MidJourney

 

Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diversifikimi i zërave në gazetari”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Pse kjo klauzolë?