Në thelb | COVID-19

Artistët e pavarur të lënë pa mbështetje

Nga - 09.10.2020

Ku ka mbetur mbështetja për komunitetin artistik?

Në mars, Ministria e Kulturës, Rinisë, dhe Sportit (MKRS) njoftoi publikisht për krijimin e një pakoje emergjente për sektorët e sportit, artit dhe kulturës. Qëllimi ishte i qartë: paratë e qeverisë do të përdoreshin për të mbështetur financiarisht këto fusha sepse të gjitha ngjarjet, aktivitetet dhe performancat e tyre ishin anuluar për shkak të pandemisë.

Tanimë kanë kaluar tetë muaj pa mbështetje. Në ndërkohë shumë artistë të pavarur, kuratorë, hulumtues dhe krijues të tjerë të pavarur janë pa punë. 

Ministria kishte paraparë krijimin e grupeve punuese të përbëra nga përfaqësues të sektorëve të sportit, artit dhe kulturës për të vendosur kriteret për shpërndarjen e 5 milionë eurove të premtuara të pakos emergjente. Pas leximit të njoftimit zyrtar rreth fazave të planifikuara për formimin e grupeve punuese, artistët, hulumtuesit dhe kuratorët e pavarur — të prirë nga Donjetë  Murati, Dardan Zhegrova dhe të tjerë — u bënë bashkë për të vepruar. 

“Kur e kuptuam se procesi kishte filluar dhe grupet punuese që do t’i caktonin kriteret po formoheshin, menduam se ishte thelbësore që të përfshiheshin dy përfaqësues të skenës së pavarur, në mënyrë që politikat të planifikoheshin me përgjegjësi”, thotë Donjeta Murati, e cila është aktive në skenën e artit bashkëkohor dhe kulturës pamore si menaxhere projektesh dhe kuratore.   

Artistët dhe punonjësit e pavarur kreativë bashkuan forcat për të marrë fondet vitale nga qeveria për t’u përballur me ndikimin e pandemisë. Foto: Donjetë Murati.

Bashkë me një grup të artistëve dhe punonjësve kreativë të pavarur, të cilët me karrierën e tyre i janë përkushtuar skenës së pavarur kulturore, Murati pati drojë se zërat e tyre do të mbeteshin të padëgjuar, dhe si zakonisht të mënjanuar. 

Pas bisedave me avokues të tjerë nga skena kulturore, Murati bashkë me artistin bashkëkohor Dardan Zhegrova, i cili ka ekspozuar në të gjithë Evropën, dhe Lola Sylajn, anëtare e kolektivit HAVE-IT, organizuan një numër takimesh në Zoom me krijimtarë të pavarur në të gjithë vendin.

Grupi përpiloi një memorandum si kërkesë zyrtare për përfshirjen e të paktën dy përfaqësuesve të sektorit të pavarur në grupin punues të artit. Po ashtu, u krijua një listë me emrat e mbi 200 punonjësve të pavarur kulturorë të ndikuar nga pandemia.

“Ne bisedonim me artistët e pavarur për të parë se me çfarë çështjesh po përballeshin. Andaj kur e dërguam memorandumin dhe letrën e hapur më 10 prill, e kishim të përgatitur kërkesën e cila merrte parasysh të gjitha përgjigjet e artistëve”, thotë Murati.

Ministria i ftoi përfaqësuesit e grupit të pavarur një javë pasi grupi dërgoi memorandumin e tyre dhe e bëri publike deklaratën. Brenda 24 orëve, ministrja Vlora Dumoshi dhe atëherë zëvendës-ministri Yll Rugova i ftuan për një diskutim paraprak. 

Më 14 maj, menaxherja për trashëgimi në CHwB Blerta Ismajli, kuratori i pavarur Genc Kadriu, dizajnerja e pavarur e kostumeve Hana Zeqa dhe Donjetë Murati u takuan me përfaqësuesit e MKRS-së, të cilët e aprovuan kërkesën e tyre për të paktën dy karrige në grupin punues, për të diskutuar rregulloret e politikave në lidhje me shpërndarjen e fondeve.

Ministria tregoi mirëkuptim dhe premtoi t’i siguronte dy vende për artistët e pavarur, por sipas grupit të artistëve, ishte e paqartë rreth hapave të ardhshëm. Grupi thotë se megjithëse kjo u ishte premtuar nga MKRS-ja, duhej një tjetër votim në parlament për të mundësuar shpërndarjen e fondeve. 

Edhe pse buxheti për vitin 2020 kishte kaluar, më vonë gjatë verës duhej një rishikim dhe votim i dytë për shpërndarjen e fondeve.

“Kur kuptuam se ende duhej të votohej pakoja emergjente në parlament, ishim të hutuar dhe të tronditur”, thotë Murati. 

Punonjësit kreativë pritën me javë për takimin e parë me grupin punues. Në ndërkohë, Murati, Sylaj dhe Zhegrova vazhduan të mbajnë takime online me krijuesit e pavarur dhe komunat për të përgatitur kriteret e propozuara. 

Grupi ishte i hutuar nga vonesat në shpërndarjen e fondeve dhe mungesa e komunikimit nga qeveria.

I pyetën të gjithë artistët se si e siguronin jetesën, si kishte ndikuar izolimi në situatën e tyre financiare dhe për çfarë kishin nevojë për ta vazhduar punën. Në fillim u duk se gjërat po funksiononin mirë, por pas këtij takimi të vetëm, grupet asnjëherë nuk u formuan si duhet dhe sipas artistëve i gjithë procesi u pezullua.

Në qershor grupi mbajti konferencë për media për të nxitur presionin publik, pasi MKRS-ja nuk iu përgjigj kërkesave të tyre pas takimit fillestar. 

Edhe pas disa përpjekjeve nga përfaqësuesit e grupit të pavarur për rifillimin e diskutimeve, ata nuk morën asnjë përgjigje nga Ministria. 

Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike 

Më 28 shtator, Qeveria njoftoi për krijimin e Fondit për Rimëkëmbje. Pesë milionë eurot e ndara për kulturën janë planifikuar të shpërndahen në dy pjesë: 2.5 milionë do të shpenzohen tani, ndërsa sipas deklarimit të MKRS-së për K2.0, 2.5 milionë eurot e mbetura do të shpërndahen gjatë muajve në vijim. 

Murati, Zhegrova dhe pjesa tjerët e grupit nuk u lajmëruan për vendimin e ri, por e panë njoftimin e Kryeministrit Avdullah Hoti, ku ai specifikoi se 2.5 milionë euro do të shkonin për kulturë, rini dhe sport. 

Grupi ishte i hutuar nga vonesat në shpërndarjen e fondeve dhe mungesa e komunikimit nga qeveria. Por arsyeja kryesore për këtë hutim mund të jetë ndërrimi i qeverive në qershor.  

"Ata qytetarë të cilët nuk janë të punësuar në institucionet kulturore zyrtare, injorohen. Puna e tyre injorohet në vazhdimësi.”

Florent Mehmeti, menaxher dhe drejtor artistik i Teatrit ODA

Rugova thotë se deri në maj çdo gjë ishte përgatitur, gati për t’u publikuar në thirrjen e hapur, por pastaj, “qeveriu u ndërrua dhe nuk e di se çfarë ndodhi më pas”. 

MRKS-ja thotë që “duke qenë se artistët e pavarur janë më të prekurit nga ndikimi i pandemisë, dhe shumë nga ta mund të mos kenë përfituar nga programi i subvencioneve në vitin 2020, Ministria po punon për të gjetur formën më të përshtatshmë për ta dedikuar pjesën e mbetur të 2.5 milion eurove për artistët e pavarur”. 

Vazhdimi i frustrimit 

Florent Mehmeti, menaxher dhe drejtor i Teatrit të pavarur ODA ishte pjesë e takimeve fillestare në mars, kur ministria e qeverisë së atëhershme diskutoi shpërndarjen e fondeve për skenën e pavarur.

Mehmeti shpesh punon me artistë të cilët e sigurojnë jetësën nga performancat dhe përpjekjet e tyre artistike. Ai dëshiroi të fliste në emër të individëve të pavarur, puna e të cilëve formalizohet vetëm në bazë të kontratave të përkohshme. 

Mosarritja e një marrëveshjeje e frustroi thellësisht Mehmetin: “Për këtë qeveri është sikur njerëzit të mos ekzistojnë fare. Ata qytetarë të cilët nuk janë të punësuar në institucionet kulturore zyrtare, injorohen. Puna e tyre injorohet në vazhdimësi”. 

Tani në tetor, Mehmeti nuk mund të besojë se vendimet ende kanë ngecur në fazën e parë. 

Përtej konfliktit rreth fondit emergjent, Mehmeti thotë se nuk ka pranuar asnjë nga grantet që zakonisht do t’i merrte për të mbuluar qiranë dhe shpenzimet e Teatrit ODA, duke bërë që kriza të eskalojë në një nivel tjetër. 

“Skena e pavarur kulturore ka parë shkatërrim të rëndë, ka humbur shumë nga vitaliteti i saj, dhe nuk është ajo që ishte më parë”, thotë Mehmeti, i cili kërkon nga autoritetet institucionale dhe Komuna e Prishtinës të mos bëjnë deklarata në emër të skenës së pavarur; pa mbështetje konkrete deklaratat e tyre janë të padobishme dhe i shërbejnë vetëm publicitetit të tyre e askujt tjetër. 

Arti nuk është luks

Në të gjithë botën pandemia shpërfaqi problemet ekzistuese, përfshirë edhe në Kosovë. Urgjencat nxjerrin në pah sektorët e cenueshëm të cilët nuk kanë mbrojtje nga shteti. Artistët shpesh nuk janë të regjistruar zyrtarisht si artistë dhe kontributi i tyre për shoqërinë bëhet i dukshëm vetëm përmes ekspozitave apo performancave të tyre.

Për t’iu përgjigjur burimeve në pamje të padukshme që artistët dhe studiuesit i investojnë në punën e tyre, politikat sociale në shumë vende kanë siguruar të paktën një minimum të mbrojtjes së mirëqenies. Shtete si Gjermania gjatë pandemisë siguruan asistencë të bollshme prej 5,000 eurosh në muaj për artistët e pavarur. Megjithatë, në vende të tjera si Mbretëria e Bashkuar, artistëve po u kërkohet të ndërrojnë profesion dhe të gjejnë punë të tjera. 

Murati, e cila ka punuar në Stacion Qendra për Art Bashkëkohor dhe ka diplomuar në sociologji nga New School University në New York beson se ka keqkuptim (dhe injorancë) të thellë rreth asaj se çfarë nënkupton prodhimi i një vepre arti. 

“Është tetor dhe artistët nuk mund të prodhojnë asgjë. Nuk mund të realizojnë ekspozita apo ta zhvillojnë veten sepse nuk perceptohen si punëtorë.”

Dardan Zhegrova, artist bashkëkohor

Ajo thekson se shumë njerëz besojnë se arti dhe të bërit art është thjesht luks të cilin njerëzit e bëjnë në kohën e tyre të lirë. Megjithëse nuk përshtatet me formën tradicionale të punës dhe orarit, në të vërtetë është punë. 

“Shumëkush e sheh artin si hobi, si diçka të cilën njerëzit e bëjnë në kohën e tyre të lirë sepse e duan, dhe prandaj nuk është punë e vërtetë. Kështu, perceptohet si një formë e luksit”, thotë Murati. 

Artistët e pavarur janë në një gjendje shumë të pasigurt sepse shumë pak performanca, ekspozita, apo shfaqje mund të zhvillohen. Edhe pas rihapjes së ngadaltë — si për shumë të tjerë në Kosovë — dëmi mund të jetë i përhershëm për këta punonjës kreativë. 

Këta janë artistët të cilët aktrojnë në skenë dhe televizion, bëjnë muzikë në orkestra dhe bende, dhe krijojnë art bashkëkohor për filma dhe libra. I njëjti art në të cilin njerëzit u mbështetën duke e konsumuar sa ishin në izolim. 

Zhegrova thotë se arti bashkëkohor është forma më pak e vlerësuar e artit nga institucionet kosovare. Fakulteti i Arteve nuk ka një departament të veçantë për të. “Mungesa e shkollimit na sjell në këtë situatë, por gjithashtu shkollimi dhe institucionet janë të lidhura ngusht dhe mund ta vëreni mungesën e vullnetit për të menduar përtej”, thotë Zhegrova. 

Megjithatë, kur një artist si Zhegrova ekspozon në Gjermani apo diku tjetër në Evropë, atëherë qeveria me krenari tregon interesim. 

Për Zhegrovën kjo tregon se sa pak dinë për artin njerëzit në pozita të pushtetit, dhe sa pak e çmojnë atë. “Unë besoj se në veçanti arti dhe kultura është forca më e fortë lobuese për Kosovën duke e bërë atë të vlerësuar dhe të njohur ndërkombëtarisht”, thotë Zhegrova, i cili thekson se bëhet pak për t’i shpërblyer mendjet kreative në Kosovë.

“Është tetor dhe artistët nuk mund të prodhojnë asgjë. Nuk mund të realizojnë ekspozita apo ta zhvillojnë veten sepse nuk perceptohen si punëtorë”, thotë Zhegrova.

MRKS-ja thotë se po punon për të ndihmuar skenën e pavarur të artit dhe se do të fillojë të punojë me ta drejtëpërdrejt. “Në javët e ardhshme do të mbahen takime dhe konsultime me artistët dhe operatorët e pavarur, si dhe me përfaqësues të komunave për të identifikuar dhe gjetur format më të mira të përpilimit të planit të veprimit, masave specifike dhe kritereve për zbatimin e planit dhe përfitimit nga fondi”, thonë ata.K

Imazhi i ballinës nga deklarata e artistëve të pavarur, e ripunuar për artikullin nga K2.0.